
Një program me 33 pika i udhëheqjes kineze, i publikuar në fund të muajit të kaluar synon që të mposhtë pasojat e izolimeve për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe ta sjellë ekonominë e këtij vendi në zhvillim të shpejtë. Në qendër të këtij programi është rritja e konsumit të brendshëm. Mediet shtetërore të Republikës Popullore të Kinës kanë njoftuar se udhëheqja e vendit ka vënë në epiqendër të këtij programi rritjen e konsumit. Një info si kjo është dhënë edhe nga mediet perëndimore dhe kjo dëshmon se projekti kinez i rimëkëmbjes së ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave në periudhën post-Covid është një projekt serioz, ambicioz dhe i dobishëm.
Konsumi kinez përfshin 60 përqind të produktit bruto të vendit. Ndaj dhe ekspertët besojnë se masat për rritjen e konsumit në masën e periudhës së para-Covid-19 e më shumë se aq janë modeli më efektiv i rritjes së përgjithshme ekonomike. Kjo situatë favorizohet gjithashtu nga hapja e qytetit më të madh, prej 25 milionësh, Shangait. Pas dy muajsh mbyllje për shkak të Koronës, ky qytet tashmë duket se po e le pas pandeminë. Kjo çliron shumë energji në forcat e punës e në prodhim. Ndaj dhe mendohet se janë mundësitë e rritjes së konsumit, si dhe të prodhimit të përgjithshëm e të ekonomisë. Së paku kështu argumentojnë ekspertët. Shefi ekonomik i bankës Hang Senk të Shangait, Wang Dan, i sheh masat për rritjen e konsumit si domosdoshmëri për stabilitetin dhe ritmet e rritjes ekonomike të vendit.

Foto:VCG
Politika e zerimit të rasteve të Covid-19 ka shkaktuar rënien ekonomike, sepse sipas kësaj formule është dashur të vendoset izolim i plotë i qytetarëve, gjë që ka çuar si në asnjë vend tjetër në paralizën e veprimtarisë prodhuese. Sepse mbrojtja e qytetarëve kinezë nga rreziku i Coronës ishte dhe mbetet prioriteti themelor i qeverisjes nga. Megjithatë ekonomia dhe situata e jetës së qytetarëve janë mbështetur nga miliarda dollarë amerikanë përmes paketave qeveritare, me qëllim që të mos krijohen katastrofa humanitare, uri dhe përkeqësim të tejskajshëm të situatës në popullatë. Ndërkaq paketa post-Covid përfshin jo vetëm rritjen e konsumit, por edhe mbështetjen e fuqishme financiare të projekteve të mëdha në ekonominë kineze, sidomos në infrastrukturë.
Corona ka lënë gjurmët e saj, sepse ka shkaktuar papunësi dhe pakësimin e të ardhurave. Industria kineze është rrudhur. Megjithatë krahasuar me majin e vitit të kaluar konsumi kinez u rrit majin e këtij viti me dy për qind. Kjo rritje konsiderohet më e madhe sesa kishin parashikuar ekspertët. Megtropoli financiar dhe i tregtisë detare, Shangai, është shumë i rëndësishëm për ekonominë e përgjithshme të Kinës dhe kthimi në normalitet pas dy muajsh i këtij qyteti si dhe porteve të tij, ka krijuar shanset e një fuqizimi të ekonomisë së vendit.

Foto:VCG
Para së gjithash Republika Popullore e Kinës, pavarësisht vështirësive që shkaktoi Covid-19, rriti gjatë muajit maj eksportet me 17 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë gjatë prillit, kur Shangai ishte plotësisht i izoluar, megjithatë eksportet u rritën me 3.9 përqind. Volumi i eksporteve kineze gjatë majit të kaluar kapi shifrën 308 miliard dollarë amerikanë, ose 4 për qind më shumë se sa kishin parashikuar ekspertët.
Pritet që edhe në muajt e ardhshëm ekonomia dhe eksportet të rriten e për pasojë të shtohet konsumi i mallrave, si kusht i domosdoshëm për rritjen e produktit të përgjithshëm shoqëror. Megjithatë drejtori i Institutit të kërkimeve për Sigurinë, Zhen Houcheng, në një analizë të tijën tregohet i kujdesshëm. Pandemia ende nuk është mbyllur plotësisht dhe të papriturat e saj të zënë në befasi. Prandaj dhe Zheng mendon se krahasuar me eksportet rritja e importeve do të jetë më e vogël, sidomos në tregun e brendshëm. Dhe kjo do të thotë se për rritjen e konsumit duhen marrë masa shtesë. Megjithatë besohet se rritja ekonomike në përgjithësi, si dhe rritja e eksporteve dhe importeve, sidomos në tregun e brendshëm, do të garantojë rritjen e konsumit dhe e gjitha kjo lidhet me heqjen e masave kundër pandemisë në të gjithë Kinën.

Foto:VCG
Nëse i besojmë ligjit të kompensimit, atëherë duhet të pritet që energjitë e Kinës të shpërthejnë pas pandemisë Covid-19 dhe këto energji të kompensojnë humbjet e shkaktuara në këtë periudhë. Gjithnjë ndodh që pas një paralize të vijë një shpërthim energjish dhe rezultatesh. Dhe po t'i përmbahemi këtij rregulli shoqëror, atëherë duhet pritur që gjatë periudhës së këtij viti dhe në vazhdim ekonomia kineze në të gjithë treguesit e saj jo vetëm të vijë në normalizim, por edhe të shënojë rritjen ndoshta më të madhe të mundshme.Vetëm pak javë pas hapjes, portet e Shangait funksionojnë në 95 përqind të kapaciteteve dhe kjo do të thotë se ritmet e rritjes kudo e në çdo sektor do të vijnë në ngjitje. Paketa e ndihmës ekonomike e qeverisë kineze është një shtysë e re e realizimit të objektivave ekonomikë dhe të rritjes së konsumit, eksporteve dhe produktit të përgjithshëm të Republikës Popullore të Kinës!
Enver Bytyçi







