Politika e jashtme e një vendi u përgjigjet nevojave të kombit dhe të kohës. Dekada e fundit e kohëve tona e ka përballur botën me ndryshime të mëdha, situata tejet komplekse, një pandemi që ndodh një herë në shekull, dhe tensione në rritje. Përballë një peisazhi të trazuar global lidershipi politik i Kinës i ka marrë parasysh imperativët e brendshëm dhe ndërkombëtarë, duke punuar me një vizion strategjik, duke prezantuar në kohë një sërë politikash të favorshme për stabilitetin gjeopolitik rajonal, kontinental dhe global. Qeveria kineze ka promovuar përherë sigurinë, bashkëpunimin dhe përcaktimin e drejtimit të duhur për zhvillimin e rendit global me qëllim ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Prioritetet për politikëbërësit e Kinës në punët e jashtme janë të qëndrojnë në drejtimin e duhur, të forcojnë besimin strategjik, të kuptojnë qartë kontradiktat kryesore dhe detyrat qendrore, të merren seriozisht me çështjet strategjike e taktike, dhe të nxisin mundësi të reja qoftë edhe mes krizave të mëdha.

VCG

VCG

Diplomacia kineze, thellësisht e sofistikuar, nxjerr në pah vlerat tradicionale të kombit kinez - harmoninë, dashamirësinë, drejtësinë, mirësjelljen, mençurinë, besimin – dhe i aplikon ato në politikën e saj të jashtme.

Komuniteti me fate të përbashkëta për njerëzimin

“Mendimi i Xi Jinping” mbi diplomacinë udhëheq politikën e jashtme të Kinës bazuar në ndërtimin e një tipi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në krijimin e një të ardhmeje të re, të përbashkët të njerëzimit. Ky i fundit është lajtmotivi dhe baza e çdo qasjeje të Kinës jashtë kufijve të saj, në teori dhe praktikë. Mendimi i Xi Jinping mbi diplomacinë është në kontrast të fortë me mënyrat e shkuara të të menduarit që ndjekin një logjikë të pushtetit maksimal me çdo kusht. Duke shfaqur ide unike për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me zhvillimin e njerëzimit, Xi ofron zgjidhjet e Kinës për sfidat globale dhe tregon drejtimin për përparimin dhe zhvillimin e të gjithë komunitetit njerëzor. Aftësia e Kinës për të formuar një arkitekturë të mirë-bazuar të teorive dhe praktikave në politikën e jashtme dhe propozimi i Xi për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin tregon mendjen e hapur dhe qasjen gjithëpërfshirëse të Kinës ndaj botës.

Mes karakteristikave të reja të situatës ndërkombëtare dhe veçorive të reja të mjedisit të jashtëm të Kinës, politikëbërësit në Kinë ofrojnë një udhëzues për veprim ndaj ndryshimeve të mëdha të botës. Në plan të gjerë kjo aplikohet duke zgjidhur dilemën e sigurisë ndërkombëtare, duke realizuar zhvillimin e përbashkët në mbarë botën, duke mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe duke mbështetur multilateralizmin e vërtetë. Në përgjigje të sfidave të reja me të cilat përballet qeverisja globale, Presidenti i Kinës ka theksuar ndër vite se përpjekjet për të ndërtuar "oborre të vogla me mure të larta" ose "sisteme paralele", për të formuar qarqe të vogla ekskluzive ose blloqe që polarizojnë botën nuk do të kenë sukses. Në dokumentet kineze për politikën e jashtme nënvizohet përherë nevoja për të mbështetur multilateralizmin e vërtetë dhe për të mbrojtur me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb të tij dhe rendin ndërkombëtar të mbështetur nga e drejta ndërkombëtare. Në fakt, shumica e vendeve në botë janë fuqimisht kundër akteve të nxitjes së mentalitetit të luftës së ftohtë dhe konfrontimit të blloqeve, pasi shohin qartë natyrën e një ndjekjeje të tillë të tepruar egoiste për hegjemoni. Nga ana tjetër Kina ndjek parimet e konsultimit të gjerë, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta në qeverisjen globale. Këto arrihen duke promovuar vlerat e përbashkëta të njerëzimit dhe duke inkurajuar shkëmbimet dhe mësimin reciprok midis qytetërimeve. Mendimi i Xi Jinping mbi diplomacinë shfaqet në këtë dekadë gjithnjë e më gjithëpërfshirës, sistematik dhe i plotë. Çfarë ky vizion përkrah dhe promovon është ndërtimi i një sinergjie më të madhe midis mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit për të promovuar zhvillimin e balancuar në mbarë botën.

Ëndrra e madhe e popullit kinez për ripërtëritje kombëtare, zhvillim dhe paqje, kombinohet dhe me ëndrrat e shumë popujve të tjerë që dëshirojnë po të njëjtat realitete. Në tetor 2013, në Pekin Presidenti Xi theksoi se “Në mënyrë që ideja e një komuniteti me fate të përbashkëta mund të zërë rrënjë në botë... Ëndrra e Kinës do të kombinohet me aspiratat e popujve dhe të vendeve të tjerë për një jetë të mirë për prosperitet”.

Për të kuptuar me saktë konceptin e komunitetit me fate të përbashkëta vjen në ndihmë një metaforë e varkës. Në të kaluarën, kur njerëzit e planetit jetonin në më shumë se 190 vende, ishte sikur jetonin në varka të veçanta. Çdo varkë kishte një kapiten dhe ekuipazh për ta menaxhuar, dhe kishte rregulla për t'u siguruar që varkat të mos përplaseshin. Ky ishte rendi i vjetër global.

Sot, planeti është bërë shumë më i vogël, në epokën e globalizimit dhe ndërvarësinë në rritje të botës, tanimë realiteti është më i ngjashëm me të jetuarit në kabina të veçanta, por në të njëjtën varkë - varka globale. Por ka një problem të madh me këtë varkë globale. Kemi kapitenë dhe ekuipazhe që kujdesen për secilën kabinë, por asnjë kapiten apo ekuipazh që kujdeset për varkën në tërësi. Askush prej nesh nuk do të lundronte ne oqean në një varkë pa një kapiten ose ekuipazh. Rendi botëror po pëson transformime të vazhdueshme. Ne, në fatet e së ardhmes jemi të gjithë në të njëjtën varkë të madhe, çfarë ndodh në kabinën 1 ndihet edhe në kabinën 100, dhe për këtë kapitenët duhet ti përgjigjen me përgjegjshmëri baticave dhe sbaticave të kohës.

Politikë e jashtme pragmatike dhe proaktive

Në dekadën e fundit Kina ka shpalosur një vizion global shumë progresiv. Gjatë kësaj periudhe pozicioni i Kinës në skenën ndërkombëtare ka evoluar gradualisht, pas ngritjes së saj si një fuqi ekonomike, e dukshme në tregtinë dhe flukset e investimeve me rritje të shpejtë. Roli evolues i Kinës ka pasur gjithashtu implikime për pozicionin e saj në qeverisjen globale, përmes një përfshirjeje më të madhe në aktivitete që variojnë në intensitet, formë dhe aplikim.

Natyra pragmatike e politikës së jashtme kineze është parë në nismat e shumta me në thelb multilateralizmin e vërtetë. E para ndër to, filluar në vitin 2013, nisma “Një Brez, një Rrugë” (BRI) që përfshin një vizion madhështor dhe lehtëson zhvillimin gjithëpërfshirës globalisht. Afro 140 vende të botës tashmë janë pjesë e saj. Për të mbështetur këtë nismë u krijua Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë (AIIB), një bankë zhvillimi shumëpalëshe që synon të përmirësojë rezultatet ekonomike dhe sociale në Azi e më tej dhe ka aktualisht 105 anëtarë. Mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore (Kinë-EQL) i ka ofruar kësaj pjese të Evropës shumë mundësi për intensifikimin e marrëdhënieve me bazë përfitimin e ndërsjellë.

Në shtator 2021 u propozua një “Iniciativë për Zhvillim Global” (GDI) për t’u përballur me një fazë të re rritjeje të balancuar, të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse për të përballuar goditjet e rënda të COVID-19. Iniciativa është një vizion i udhëhequr nga Kina dhe i mbështetur nga mbi 100 vende promovon rritje ekonomike dhe zhvillim.

Në prill të vitit 2022, u shpalos për botën “Nisma e Sigurisë Globale” (GSI) që nënkupton një përkushtim ndaj vizionit të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirës, dhe bashkëpunues. Ajo promovon respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, mosndërhyrjen në punët e brendshme, respektimin e rrugëve të zhvillimit dhe sistemeve sociale në vende të ndryshme dhe përkushtimin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Përveç sa më sipër janë me qindra forumet dypalëshe dhe shumëpalëshe në të cilat Kina ka shpalosur qartë qëndrimin, objektivat dhe pritshmëritë e vendit në arenën ndërkombëtare.

Me sytë nga e ardhmja

Problemet dhe sfidat e reja në botë mund të nxisin ndryshime komplekse dhe të paparashikueshme. Në situatën aktuale, tendencat afatmesme dhe afatgjata janë të ndërthurura me veçoritë e kësaj faze të veçantë. Disa vende ende nuk kanë hequr dorë nga mentaliteti i tyre i luftës së ftohtë, hegjemonizmi, unilateralizmi, proteksionizmi dhe rreziqet e sigurisë që lindin nga problemet strukturore të llojeve të ndryshme ndizen herë pas here. Megjithatë, në çdo sfidë qëndron një mundësi. Çelësi është se si të kthehen sfidat në mundësi.

Diplomacia kineze punon përditë për të analizuar një kuptim sa më të thellë të ndryshimeve të mëdha që ndodhin në botë. Mekanizmat e ngritura dhe diplomatët punojnë me të gjitha vendet ndërsa përpiqen të promovojnë procesin historik të përtëritjes së madhe të kombit kinez duke mbrojtur interesat afatgjata dhe themelore të Kinës. Ata përshtaten, drejtojnë dhe formojnë ndryshime të mëdha në botë. Punojnë me vendosmëri për të çuar përpara solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin botëror dhe për të promovuar zhvillimin dhe prosperitetin e përbashkët. Kina ka shpalosur një vizion të bashkëpunimit mes vendeve duke dashur ndërtimin e partneriteteve dhe jo aleancave.

Së fundmi, politika e jashtme e Kinës në dekadën e fundit është hapur me botën si kurrë më parë, por edhe ka vendosur qartë “vijat e kuqe” me të cilat populli kinez nuk toleron. Kina është një vend në transformim dhe zhvillim të madh, por pavarësisht se në cilën fazë të zhvillimit arrin Kina, ajo kurrë nuk do të kërkojë hegjemoninë.

Në rrugëtimin historik drejt realizimit të përtëritjes së madhe të kombit kinez, shërbimit të jashtëm i janë besuar detyra kërkuese, misione të larta dhe përgjegjësi të rëndësishme. Parimet kryesore të politikës së jashtme bazohen në interesat kombëtare dhe zhvillimin e marrëdhënieve bashkëpunuese dhe reciprokisht të dobishme me botën e jashtme duke u angazhuar për një rol më të madh e konstruktiv në çështjet ndërkombëtare.

Dr. Marsela Musabelliu