Foto nga VCG

Konflikti në Ukrainë ka shkaktuar një tronditje masive në ekonominë globale. Çmimet e ushqimeve fillimisht u rritën pasi pandemia e koronavirusit ndërpreu zinxhirët globalë të furnizimeve, duke shkaktuar mungesa në të gjithë botën. Pas konfliktit në Ukrainë çmimet e ushqimeve po rriten ndjeshëm sepse Rusia dhe Ukraina janë furnizuesit botërorë kryesorë me prodhime bujqësore, si grurë dhe vaj luledielli.

Rritja e çmimeve ka nxitur inflacionin, duke dëmtuar konsumatorët dhe rritjen ekonomike në mbarë botën.

Realiteti i trazuar botëror ndër të tjera përshfaq dhe shqetësimin për një krizë të mundshme ushqimore. Ukraina është furnizuesi më i madh me ushqime i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), i cili shpërndan ushqime për 125 milionë vetë në mbi 80 vende të botës. Sipas drejtorit të WFP, David Beasley, Afganistani, Egjipti dhe Siria janë veçanërisht të varura nga importet nga Ukraina, ndaj miliona vetë janë në rrezik. Për shkak të luftës në Ukrainë pritet të mos ketë korrje dhe eksportet e grurit përmes porteve të Ukrainës do të mbeten të bllokuara, duke e bërë situatën për shumë shtete kritike.

"Tani po flasim për një konflikt në shportën e bukës në botë, sepse Ukraina prodhon ushqim për rreth 400 milionë njerëz në mbarë botën”, tha drejtori i programit të OKB-së për Ushqimin, David Beasley. Sipas tij edhe para krizës në Ukrainë, çmimet e karburanteve, ushqimeve dhe plehrave janë rritur tepër”. David Beasley thekson se “me përshkallëzimin aktual, po përjetojmë "stuhinë e përsosur".

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) pret që çmimet e grurit të rriten me 85 përqind në mbarë botën për shkak të një korrjeje të dështuar në Ukrainë.

Qeveria franceze dhe Komisioni i BE-së duan të bashkojnë të gjithë aktorët deri në fund të qershorit dhe të krijojnë atë që zhargoni burokratik i BE-së e quan një "mekanizëm mobilizimi". Ky është një lloj ekipi krize që do të blejë drithë në mbarë botën dhe do të mbledhë shumë donacione për Programin Botëror të Ushqimit.Sipas ekspertëve të BE-së, nëpërmjet mekanizmit të mobilizimit duhet të parandalohet një krizë ndërkombëtare, që do të ishte shkatërruese për botën.

Rreth 193 milionë njerëz në 53 vende ose territore përjetuan vitin e kaluar një pasiguri akute ushqimore.Sipas raportit të FAO-s bëhet fjalë për një rritje me rreth 40 milionë njerëz krahasuar me vitin paraardhës.

Në një analizë për CMG prof. Asoc i shkencave politike dhe historike Enver Bytyçi shtjellon situatën aktuale të krizës ushqimore, mes faktesh dhe argumentash.

CMG: Situata e trazuar në Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë kanë krijuar një krizë të prodhimit të drithërave, të furnizimit të shumë vendeve me to, por dhe karburant e plehra kimike. Flasim gjerësisht për këtë situate

Prof.asc. Enver Bytyçi: Më lejoni t’ju uroj në radhë të parë për nisjen e këtij emisioni që do të kontribuojë shumë për diskutimin dhe analizën e të vërtetave dhe njëkohësisht lidhjes dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kinës.

Konflikti në Ukrainë dhe përplasja që ekziston midis Rusisë dhe Ukrainës sigurisht që ka çuar në një krizë që thellohet vazhdimisht, jo vetëm midis këtyre dy vendeve dhe në rajonin ku ndodh ky konflikt, në kontinentin evropian, por dhe më tej e më gjerë në planet. Konflikte të tilla, luftrat që janë zhvilluar në histori kanë shkaktuar gjithmonë kriza, tragjedi, madje dhe uri tek popullata të ndryshme. Kështu ka ndodhur pas Luftës së Parë Botërore dhe po kështu gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fenomene të tilla kanë ndodhur dhe në konfliktet lokale që janë zhvilluar sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, asaj periudhe që quhej Lufta e Ftohtë, ndëra në këto përmasa të një krize të tillë ushqimore sidomos nuk kishte arritur bota pas ndonjë konflikti tjetër përpos këtij konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës.

Kjo lidhet me shumë faktorë. Së pari dhe kryesorja se Rusia dhe Ukraina janë dy prodhuesit më të mëdhenj të drithërave të bukës dhe të disa produkteve të tjera ushqimore si luledielli etj dhe lidhet gjithashtu me pozicionin gjeostrategjik që kanë këto dy vende ku portet, hekurudhat, janë nyjet lidhëse me disa kontinente, midis Azisë dhe Evropës ku në Azi jetojnë më shumë se 2/3 e popullsisë së botës.

Konflikti në Ukrainë ka çuar gjithashtu në faktin që prodhimi bujqësor nuk mund të mbliddhet, drithërat kryesisht nuk mund të kultivohen dhe kjo ka ndikim dhe në Rusi. Megjithatë ndërprerja e eksportit të drithërave të bukës nga Rusia ka ndodhur për shkak të konfliktit, betejave, luftës midis dy palëve dhe për pasojë është pezulluar jeta ekonomike në këto rajone.

Bota natyrisht që vuan dhe ndoshta do të vuajë edhe më tej një krizë ushqimore të jashtëzakonëshme sepse kjo çon në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, në rritjen e varfërisë në popullsitë e ndryshme por sidomos në vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Kjo çon gjithashtu në një klimë mosbesimi të përgjithshëm midis vendeve dhe rajoneve të ndryshëm.

CMG: Kjo është një dukuri në proces. Si do të kompensohen të korrat e pakësuara nga Ukraina? Cilat janë përpjekjet e ndërkombëtarëve për mënjanimin e krizës ushqimore?

Prof.asc. Enver Bytyçi: Vemë re disa përpjekje, por mendoj se janë përpjekjet e fillimit të Programit për Ushqimin të OKB-së, si dhe përpjekje dhe disa sinjale të Bashkimit Evropian. Herën e fundit ministrat përkatës të vendeve të BE-së përcaktuan një lloj agjende se si do të kompensohet dëmet që shkaktohen dhe si do të rritet mundësia për furnizimin me produkte ushqimore e sidomos me drithëra të vendeve të ndryshme e sidomos të Evropës. Megjithatë asnjë nga këto masa nuk ka çuar dhe nuk mund të çojë në uljen e çmimeve, por dhe në mundësinë që varfëria të rritet tek njerëzit.

Rruga më e mirë është shtimi i përpjekjeve të çdo kombi, të çdo shteti për të rritur produktin bujqësor dhe blegtoral në vendet e tyre. Kjo masë natyrisht është e domosdoshme. Kriza në Ukrainë ne na jep një sinjal të fuqishëm se vetë vendet dhe popujt duhet të kujdesen për ushqimin e tyre. Kujdesi për ushqimin i familjeve, komuniteteve të ndryshme në një farë mënyre rrit sigurinë ushqimore dhe për vetë faktin se nuk mund të ndodhen përballë të papriturave të krizave të tilla.

CMG: Duhet krijuar zinxhiri i furnizimit që u godit gjatë pandemisë dhe konfliki në Ukrainë e gjeti në një terren jo të favorshëm.

Prof.asc. Enver Bytyçi : Konflikti në Ukrainë erdhi pas disa momenteve të vështira që kaloi bota dhe sidomos pandemia e Covid 19 ishte një moment shumë i vështirë sepse krijoi deficite të produktit shoqëror në të gjithë botën, uli ritmet e zhvillimit të ekonomisë dhe për pasojë një krizë e tillë ushqimore e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë ishte si një goditje e një shoqërie të plagosur nga një krizë e mëparshme shumë e rëndë.

Përgjegjësia është shumë e madhe, por është detyrë e institucioneve ndërkombëtare dhe e politikanëve në çdo vend dhe shtet të botës për të shfrytëzuar çdo resursë dhe çdo mundësi që të rrisin potencialin ushqimor të vendeve të tyre me qëllim që eksportet të jenë një mbulim i disa nevojave periferike dhe jo domosdoshmëri, që kombet dhe vendet që prodhojnë drithëra dhe ushqime të mos varen tërësisht nga eksportet.

CMG: Organizata Botërore e Tregtisë parashikon se lufta dhe sanksionet mund të përgjysmojnë vëllimin e tregtisë botërore. Kjo do të godasë jo vetëm Europën, por dhe Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Sipas OKB-së, pasiguria ushqimore dhe kequshqyerja pritet të përkeqësohen më tej midis qershorit dhe shtatorit, dhe nëse ndihma ushqimore humanitare nuk rritet dhe mbështetet, atëherë afërsisht 7.1 milion njerëz (ose 45 përqind e popullsisë totale) pritet të përballen me një krizë ose rezultate më të këqija.

Prof.asc. Enver Bytyçi : Në këtë pikpamje mendoj që rolin kryesor e ka Organizata e Kombeve të Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Botërore e Ushqimit dhe aktorë të tjerë institucionalë ndërkombëtarë që kanë mbështetjen e fuqive të mëdha, të Këshillit të Sigurimit, të vendeve të fuqishme të industrializuara dhe nëse këto organizata do të përpiqen me të gjitha fuqitë e tyre të kompensojnë diçka mund të kontribuojnë në ndihmat humanitare për të mos lejuar që popullsia të mos vuajë nga uria.

Por mjetet financiare të këtyre organizmave botërore, sidomos në kuadër të OKB-së janë të kufizuara dhe për pasojë nuk besoj se efektiviteti i punës së tyre do të jetë në lartësinë e duhur, Është me shumë rëndësi që vende të tjera prodhuese të drithërave të bukës dhe ushqimeve të tjera si Kanadaja, SHBA, Franca apo vende ku ka potenciale të mëdha të prodhimit të drithërave të mos e shfrytëzojnë situatën për të dëmtuar dhe më shumë krizën që ekziston në botë duke bllokuar eksportet, duke rritur çmimet në mënyrë katastrofike sepse në fund të fundit oferta dhe kërkesa janë ato që përcaktojnë ekonominë e tregut por në kushtet e krizës do të ishte një qëndrim humanitar i jashtëzakonshëm nëse vendet prodhuese të drithërave të bukës, që nuk janë në vatrën e konfliktit do të eksportojnë drithëra me çmime të favorshme.

Nga ana tjetër besoj që duhet të përshpejtohet zgjidhja e konfliktit në Ukrainë sepse ky vend prodhon drithëra duke zënë vendin e 6-të në botë në prodhimin e tyre dhe prodhon për 400 milion banorë, ndonëse popullsia e saj është rreth 40 milion banorë. Pra prodhon 10 fish më shumë se sa ka nevojë vetë Ukraina.

Dhënia fund e konfliktit dhe zgjidhja e tij është çelsi dhe zgjidhja kryesore. Nuk e di se si dhe kur do të shkohet drejt zgjidhjes së këtij konflikti midis këtyre dy vendeve, por është e domosdoshme që fuqitë e mëdha, Këshilli i Sigurimit dhe vendet e ndryshme që kanë mundësi të kontribuojnë në zgjidhjen e konflikit të japin kontributet që u takojnë.

Fuqitë e mëdha, përfshirë dhe Kinën duhet të mendojnë më shumë për vendet akoma më të varfra dhe të ndihmojnë me sa munden këto vende që të mos gjenden përballë një katastrofe humanitare që mund të shkaktojë mungesa e ushqimit dhe uria e përgjithëshme. Unë pashë që Rusia kishte zhbllokuar disa anije për të eksportuar drithëra në vendet e Afrikës ku ndoshta dhe rreziku është më i madh për urinë, por mendoj që dhe shumë vende të Azisë dhe në Afrikë, Amerikën Latine, madje dhe në Europë dhe në rajonin tonë në Ballkan mund të kemi një pëkeqësim të situatës ushqimore dhe për pasojë të krijohen probleme të tjera.

Të mos harrojmë se një krizë ushqimore në vazhdim të krizës në Ukrainë dhe sidomos të krizës që shkaktoi pandemia Covid 19 mund të çojë dhe në konflikte të tjera dhe për pasojë bota të destabilizohet. Besoj që kriza e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë nuk do të çojë në prishjen e rendit botëror, në prishjen e rregullit botëror që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare dhe ushtrimin e kësaj të drejte nga të gjithë aktorët që ekzistojnë sot në botë.

CMG: Në këto kushte përveç 4 milion refugjatëve nga Ukraina do të rritet dhe fluksi i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, për shkak të mungesës së ushqimeve, rritjes së çmimeve. A është ky thjesht një parashikim apo një skenar i mundshëm?

Prof.asc. Enver Bytyçi : Mendoj që kemi hyrë në një realitet, jo vetëm në një skenar apo një mundësi.Krizën e refugjatëve nuk e konsideroj si një krizë të mundshme,por si një krizë reale.Krizat e refugjatëve i kemi parë të zhvillohen disa herë gjatë 30 viteve të fundit, si kriza e refugjatëve në vendet ish jugosllave për shkak të luftrave dhe konflikteve të zhvilluara aty, kriza e refugjatëve sirianë dhe së fundmi pamë afganët, por dhe në vatra të tjera konflikti.

Tashmë kemi krizën e refugjatëve të Ukrainës deri tani prej 4 milion banorësh, por nëse thellohet kriza ushqimore dhe nëse njerëzit do të vihen përballë mbijetesës për shkak të mungesës së ushqimeve, kriza do të përfshijë vende dhe rajone të ndryshme në botë dhe atëhere kriza e refugjatëve do të thellohet sepse asnjë njeri në botë nuk do të donte të dorëzohej pa gjetur një zgjidhje nëpërmjet largimit nga vendet ku ata banojnë sot dhe shkuarjes në vende të tjera më të zhvilluara.

Kjo mund të ndodhë në rajone të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe në vatra të tjera ku mund të krijohet varfëri ekstreme. Mendoj se kriza e refugjatëve ka filluar dhe mund të përkeqësohet nëse nuk gjenden mundësi dhe nuk angazhohen të gjithë aktorët e fuqishëm të botës për t’i dhënë fund këtij konflikti dhe për të normalizuar situatën në Ukrainë.

Eda Merepeza