Analistët dhe ekspertët mendojnë se samiti i Amerikave po shndërrohet në një gabim diplomatik që kërcënon të gërryejë lidhjet rajonale që Shtetet e Bashkuara kishin shpresuar të rivendosnin në hemisferën perëndimore.

“Samiti i Amerikave është bërë Samiti i Miqve të SHBA-së. Ai përfaqëson një dështim për Shtetet e Bashkuara, pasi shumë vende ose nuk po dërgojnë liderët e tyre, ose po dërgojnë një përfaqësim në nivel më të ulët”, -deklaroi për “China Daily” John Kirk, profesor i studimeve mbi Amerikën Latine në Universitetin Dalhousie në Kanada.

Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro Moros

Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro Moros

Samiti i nëntë i Amerikave, një mbledhje e liderëve kombëtarë nga hemisfera perëndimore, mbahet nga e hëna në të premte në Los Anxhelos. Kjo është hera e parë që forumi do të zhvillohet në SHBA që nga sesioni i tij inaugurues në vitin 1994. Me temën “Ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme, elastike dhe të barabartë në hemisferën perëndimore”, samiti synon të trajtojë sfidat e paraqitura nga pandemia Covid-19, ndryshimet klimaterike dhe, ndër të tjera, kërcënimet ndaj demokracisë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit në faqen e tij zyrtare të internetit.

Shtëpia e Bardhë shpresonte gjithashtu të riparonte lidhjet e SHBA-së me vendet e Amerikës Latine dhe të rivendoste lidershipin e saj në rajon. Megjithatë, konferenca ndërkombëtare është përfshirë nga polemikat, veçanërisht për shkak të vendimit të SHBA-së për të përjashtuar nga samiti Kubën, Venezuelën dhe Nikaraguan, gjë që zemëroi një numër vendesh të Amerikës Latine.

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador tha se ai nuk do të marrë pjesë në samit, nëse të gjitha vendet e Amerikës nuk do të jenë të pranishme. Po ashtu, liderët e Bolivisë, Hondurasit, Guatemalës dhe disa shteteve të Karaibeve kanë sugjeruar gjithashtu se nuk do të marrin pjesë, ose do të dërgojnë delegacione të profilit më të ulët.

“Ky samit ofron një mundësi për SHBA-në për të forcuar mbështetjen rajonale në një kohë kur marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe Kinën janë të tensionuara. Megjithatë, ka ndodhur pikërisht e kundërta dhe Shtetet e Bashkuara po duken të izoluara në hemisferën e tyre. Nëse ideja është që të kemi një takim rajonal të të gjitha vendeve në rajon, atëherë kjo është ajo që duhet të ndodhë. Është e gabuar të shmangësh praninë e vendeve me të cilat nuk pajtohesh, një pikëpamje e përbashkët nga shumica e vendeve në Amerikën Latine. Dhe si përfundim, rezultati del të jetë një makth diplomatik për administratën Biden”, -tha Kirk.

Robin Lauren Derby, një profesor historie në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, i tha “China Daily” se vendimi i presidentit të Meksikës për mos të marrë pjesë është një shuplakë e madhe për Shtetet e Bashkuara, pasi vendi është bërë një partner i madh tregtar i SHBA-së përmes Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut të vitit 1994.

“Mungesa e Meksikës do të kufizojë qartë ndikimin e samitit pasi emigracioni është një shqetësim shumë i rëndësishëm për SHBA-në dhe nuk janë më vetëm emigrantët meksikanë dhe të Amerikës Qendrore që po mbërrijnë tani në kufirin SHBA-Meksikë, por ka dhe një numër të madh haitianësh. Po ashtu, nuk mungojnë as brazilianët dhe kubanët”, -tha Derby.

Numri i emigrantëve që tentojnë të kalojnë kufirin SHBA-Meksikë është rritur sërish muajt e fundit. Administrata Biden e ka identifikuar këtë çështje si një pjesë thelbësore të axhendës së takimit. Përveç emigrantëve, çështje të rëndësishme që lidhen me dhunën e bandave, pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore gjithashtu duhet të trajtohen në konferencë, tha Derby.

“Shumë vende në Amerikën Latine pajtohen me qëndrimin e SHBA-së në mbrojtje të demokracisë, megjithatë edhe këto vende mendojnë se mënyra me të cilën Shtetet e Bashkuara veprojnë në rajon nuk respekton sa duhet sovranitetin e vendeve të Amerikës Latine”, -tha Gerardo Munck, profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë Jugore. Sipas tij, përjashtimi i udhëheqësve të disa vendeve nga samiti nuk është domosdoshmërisht mënyra më e mirë për të mbështetur parimet demokratike.

Munck theksoi se në vend të kësaj, SHBA-ja mund të ftojë Kubën, Venezuelën dhe Nikaraguan, dhe më pas të ketë një diskutim me të gjitha vendet e pranishme se çfarë mund të bëhet për të mbrojtur më mirë demokracinë në rajon. Abe Lowenthal, profesor “emeritus” i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë Jugore, tha në një deklaratë: “Çfarë do të ndodhë në samit do të varet nga qasjet përkatëse të qeverisë amerikane dhe atyre të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve në lidhje me mundësitë që paraqet samiti”.