Pasi propozoi nismën “Një brez, një rrugë” (BRI), Kina po mendon se si të lehtësojë zhvillimin global për të gjithë njerëzimin, deklaron Stephen Perry, kryetar i “Britain's 48 Group Club”. Sipas tij, gjatë këtyre viteve, BRI ka afruar njerëzit dhe ka ndikuar në rritjen e tregtisë ndërkombëtare.
Duke vënë në dukje se trafiku midis Azisë, Evropës dhe Afrikës ka qenë i kufizuar nga deti, Stephen Perry deklaroi gjatë një interviste për “Xinhua” se “Një brez, një rrugë” ka transformuar lëvizjen e mallrave dhe njerëzve përmes tokës, duke hapur kështu një rrugë krejtësisht të re mundësish për të shkëmbyer mallra nga Azia në Evropë dhe anasjellas.

Sipas ekspertit britanik, ndërkohë, ka ndryshuar çmimi dhe koha. “Çmimi është më i mirë. Koha është shumë më e shpejtë. Dhe kur të rritet niveli, do të jetë akoma më e shpejtë. Kështu që transformimi dhe tregtia janë domethënëse”, -deklaroi Perry.
“Me “Një brez, një rrugë”, shumë vende si Bangladeshi, Pakistani dhe Sri Lanka janë ndihmuar për të ndërtuar lloje të reja të infrastrukturës, lloje të reja burimesh, impiante intensive dhe pajisje. Janë ndihmuar me hekurudha dhe autostrada. E njëjta gjë vlen dhe për Azinë Juglindore, për lidhje të reja transporti”, -tha Perry.
Eksperti britanik i ekonomisë mendon se e gjithë kjo ndihmon tregtinë, por gjithashtu ndihmon dhe lëvizjen e njerëzve, si dhe që ata të njohin njëri-tjetrin dhe kulturat përkatëse.
Sipas Perry-t, në disa vende që dikur ishin nën sundimin kolonial në Afrikë dhe Amerikën e Jugut, për shembull, transporti është mundësuar nga bregu në zonat ku ndodhen burimet dhe anasjellas, dhe nuk kalon nëpërmjet kontinentit.
Ai vuri në dukje se Kina ka bërë shumë për të ndihmuar të dy këto kontinente të ngrenë transportin e brendshëm dhe kjo do të bëjë një ndryshim të madh në produktivitetin e tyre.
Statistikat e fundit kanë treguar vitalitetin e fortë të nismës “Një brez, një rrugë”. Në katër muajt e parë të vitit, importi dhe eksporti i Kinës nga vendet e BRI-së është rritur me 15.4 për qind nga një vit më parë, me 12.9 për qind për eksport dhe 18.6 për qind për import, bëhet e ditur në të dhënat e publikuara nga Ministria e Jashtme kineze.
Gjatë intervistës, biznesmeni britanik deklaroi se koncepti i “Një brez, një rrugë” është të zhvillojë botën në mënyrë efektive për njerëzimin. “Është transnacionale. Nuk është menduar vetëm për Kinën, por për gjithë botën. Ndoshta për momentin është më e fokusuar në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, por është një projekt botëror”, -tha Perry.
Meqenëse zhvillimi i gjelbër ka qenë një fokus për projektet e BRI-së, Perry tha se ka vend për bashkëpunim më të ngushtë Britani-Kinë. Ai theksoi se kalimi te burimet e rinovueshme, si energjia diellore dhe e erës, do të marrë kohë, por të paktën është fokusi i të gjithëve tani. “Unë mendoj se financat e gjelbra janë një mbështetje shumë e mirë për këtë operacion. Dhe është marrë shumë seriozisht nga britanikët. Dhe kinezët, sigurisht”, -bëri të ditur Perry.
Duke folur për bashkëpunimin e ardhshëm midis Kinës dhe vendeve perëndimore, Perry shtoi se Perëndimi ka shumë për të kontribuar në nismën e propozuar nga Kina.
“Ne kemi universitete dhe institute shumë të mira për studime dhe do të jemi në gjendje të luajmë një rol jashtëzakonisht të mirë në financimin e kësaj bote në ndryshim”, -tha ai, duke shtuar se për këtë mund të duhet kohë, në mënyrë që të gjithë të shohin mundësitë që u paraqiten.







