Me gjithë përpjekjet diplomatike, kundërshtimet e Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancën e NATO-s vazhdojnë dhe nuk ka gjasa të ndryshojnë derisa dy vendet nordike të përmbahen në mbështetjen e grupeve anti-turke, thanë ekspertët.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t'u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) pak ditë më parë pas shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt.

Aleatët e NATO-s, me përjashtim të Turqisë, e kanë mirëpritur thirrjen e nordikëve. Turqia, megjithatë, duke përmendur lidhjet suedeze dhe finlandeze me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe grupe të tjera terroriste anti-Turqi, kundërshtoi hyrjen e tyre në aleancë.

Turqia kërkoi një sërë "garancish konkrete" nga Suedia dhe Finlanda javën e kaluar, duke përfshirë “përfundimin e mbështetjes politike për terrorizmin", "eliminimin e burimit të financimit të terrorizmit" dhe "ndërprerjen e mbështetjes me armë" për PKK-në e jashtëligjshme dhe degën kurde të Sirisë.

VCG

VCG

Mes kërkesave ishte gjithashtu heqja e sanksioneve të armëve kundër Turqisë dhe bashkëpunimi global kundër terrorizmit.

Anëtarësimi i vendeve të reja anëtare kërkon konsensus midis anëtarëve ekzistues të NATO-s dhe këtu hyn Ankaraja.

Analistët këmbëngulin se qasja finlandeze dhe suedeze ndaj PKK-së mbetet kyçe për qeverinë e Turqisë.

"Kërcënimi i një vetoje turke është real nëse dy shtetet skandinave nuk ndërpresin, në një farë mënyre, lidhjet e tyre me grupet kurde, të konsideruara terroriste nga Ankaraja. Ky nuk është një pazar, por një kërkesë e fortë turke",- tha për “Xinhua” analisti turk i politikës së jashtme, Serkan Demirtas.

Ankaraja ka probleme me Suedinë, sepse kurdët turq janë një prani e dukshme politike në vend dhe në një masë më të vogël me Finlandën, e cila gjithashtu mbështet grupet kurde, tha Demirtas, gjithashtu shefi i zyrës së Ankarasë të “Turkish Daily Neës”.

Turqia mendon se Suedia dhe Finlanda kanë qenë të pandjeshme ndaj kërkesave të saj për të ndryshuar qëndrimin e tyre mbi çështjet që janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare të Turqisë, argumentoi Demirtas.

Ai shtoi se Ankaraja kërkon garanci me shkrim nga të dy vendet, në mënyrë që aplikimi i tyre për anëtarësim të bëjë përparim.

Një delegacion i përbashkët suedez-finlandez zhvilloi bisedime në Ankara të mërkurën e kaluar me zyrtarë dhe diplomatë turq pa ndonjë rezultat të prekshëm.

Pas diskutimeve, zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, u tha gazetarëve se vendi i tij nuk do t'i japë Finlandës dhe Suedisë dritën jeshile në NATO derisa të adresohen me zgjidhje shqetësimet konkrete të Turqisë për sigurinë lidhur me terrorizmin dhe sanksionet.

"Nëse Suedia dhe Finlanda lëvizin për të adresuar shqetësimet e Turqisë në nivelin bazë, Turqia ka të ngjarë të heqë dorë nga të gjitha kundërshtimet",- tha analisti i politikës së jashtme me qendër në Ankara, Batu Coskun.

"Ankaraja është e prirur për ta kthyer këtë shembull të zgjerimit të NATO-s në një mundësi për të tërhequr axhendën e saj të sigurisë dhe mund të jetë shumë e suksesshme për ta bërë këtë",- tha ai për “Xinhua”.

Coskun theksoi se pozicioni i Turqisë nuk ka mbështetje nga vendet e tjera anëtare dhe mund të çojë në debate publike nëse procesi zgjatet, duke shtuar se një veto e mundshme mund të dëmtojë imazhin e Ankarasë në Perëndim.

Ndërkohë që Turqia ka një histori të mbështetjes së zgjerimit të NATO-s, Ankaraja kishte gjithashtu tensione me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë në afrimin e saj me Rusinë.

Një faktor tjetër kyç është tensioni i zgjatur midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara për blerjet e avionëve luftarakë, që mediat turke thonë se mund të zgjidhen nëse Ankaraja heq dorë nga kundërshtimi për zgjerimin nordik.

E përjashtuar nga programi i avionëve luftarakë F-35 nga Uashingtoni për blerjen e raketave ruse S-400, Ankaraja kërkoi të blinte më shumë avionë F-16, por kërkesa ka qenë në pritje prej muajsh me administratën Joe Biden dhe Kongresin e SHBA-së.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë gjithashtu kundër presionit ndaj Ankarasë.

"Duke marrë parasysh vendndodhjen gjeostrategjike të Turqisë dhe fuqinë e saj ushtarake, vendet perëndimore duhet të llogarisin koston e armiqësimit të Ankarasë",- tha Muhittin Ataman, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave Sociale të Ankarasë.

"Papritur, qeveritë dhe opinionet publike të pothuajse të gjitha vendeve perëndimore kanë filluar të diskutojnë kundërshtimin e Turqisë për anëtarësimin e Stokholmit dhe Helsinkit",- vuri në dukje ai.

Ataman paralajmëroi se sa më shumë të armiqësohen vendet perëndimore me Ankaranë politikisht dhe ushtarakisht, aq më shumë gjasa ka që NATO të humbasë rëndësinë e saj, jo vetëm për Turqinë, por edhe për shumë vende evropiane në vazhdën e krizës Rusi-Ukrainë.