Presidenti i SHBA-së Joe Biden kreu vizitën e tij të parë në Azi nga 20-24 maj, përkatësisht në Korenë e Jugut dhe Japoni, më anë të së cilës administrata e tij dëshiron të mbrojë strategjinë e re në pjesën Aziatike të oqeanit Paqësor. Vizita u krye në kryeqytetet e vendeve mike, por për aleatët e SHBA-së në atë pjesë të botës objektivat janë shpesh herë të ndryshme dhe kontradiktore. Sa e zbatueshme është strategjia Indo-Paqësore e Biden-it? Kjo vizitë është promovuar si një lëvizje që ka të bëjë me forcimin e sigurisë dhe promovimin e tregtisë në rajon, por shumë studiues në Azi e kanë cilësuar si një strategji për nxitjen e konfrontimit.

Vizita nisi në Korenë e Jugut, ku Biden dhe homologu i tij i ri (në detyrë për më pak se 10 ditë) Yoon Suk-yeol ranë dakord të zhvillojnë stërvitje të kombinuara ushtarake dhe të vendosin më shumë armë amerikane në vend. Sipas tyre, kjo për të nxitur parandalimin kundër të ashtuquajturit kërcënim në rritje nga Koreja e Veriut. Biden riafirmoi gjithashtu angazhimin e SHBA-së për të vendosur asete strategjike ushtarake në mënyrë dhe në kohë të koordinuar sipas nevojës.

Por, Seuli është vetëm 1000 km larg Pekinit, një fuqi kontinentale që është e detyruar të vërejë çfarë ndodh afër kufijve të saj. Studiuesit e çështjeve të sigurisë në Kinë paralajmëruan se marrëveshje të tilla do të krijonin vetëm komplikacione dhe do të intensifikonin më tej krizën në Gadishullin Korean duke thyer një ekuilibër të ndërlikuar dhe delikat në rajon, i cili mund të çojë në pasoja katastrofike që Seuli nuk mund ta përballojë. Nëse ato armë dhe mjete do të vendosen në Korenë e Jugut, ekuilibri i forcës në Gadishullin Korean do të prishet, gjë që do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një garë të ashpër armatimesh në gadishull.

Biden me homologun jugkorean Yoon Suk-yeol(Foto:VCG)

Biden me homologun jugkorean Yoon Suk-yeol(Foto:VCG)

Antagonizmi kundrejt Kinës - që shënoi udhëtimin e presidentit amerikan Joe Biden në Azi, siç pritej - arriti kulmin gjatë vizitës së tij në Japoni, pasi kjo e fundit është rreshtuar gradualisht më afër SHBA-së në frenimin e Kinës dhe logjikisht shpreson të forcojë ndikimin e saj rajonal. Biden dhe Kishida diskutuan planet e Japonisë për të zgjeruar aftësitë e saj ushtarake dhe për ti dhënë përgjigje fuqisë në rritje të Kinës. Uashingtoni e ka lidhur me sukses Japoninë pas vetes, pasi SHBA-ja dhe Japonia ndajnë qëndrime të ngjashme për çështjet globale dhe të Azisë Lindore, në të cilat kundërvënia ndaj Kinës është një qëllim reciprokisht i rëndësishëm për të dy palët. Biden u takua gjithashtu me anëtarët e QUAD - një aleancë sigurie që përfshin SHBA-në, Indinë, Japoninë dhe Australinë. Kina i është përgjigjur fuqishëm këtyre zhvillimeve duke thënë se strategjia është "e dënuar të dështojë".

Nga çështjet e militarizimit të vendeve rreth Kinës, u kalua në çështjet ekonomike. Në Japoni, Biden shpalli Kornizën Ekonomike të Indo-Paqësorit (IPEF), një plan që synon t'i kundërvihet epërsisë se ekonomisë kineze në rajon. Reuters citon një zyrtar japonez të Ministrisë së Financave që shprehet se shumë vende të Azisë Juglindore nuk do t'i bashkohen IPEF-it për shkak të mungesës së ndonjë stimuli praktik si reduktimi i tarifave. Ende para prezantimit zyrtar, IPEF-i ka marrë kritika të shumta për shkak të mungesës së përfitimeve konkrete për rajonin, dhe gjithashtu ka marrë përgjigjen e vakët nga vendet e Azisë Juglindore. Në këtë rajon ka tashmë disa sisteme të bashkëpunimit rajonal që bashkëjetojnë dhe IPEF-i nuk mund as të zëvendësojë mekanizmat ekzistues, as të ndalojë bashkëpunimin origjinal ekonomik e rajonal.

Takimi i liderëve të kornizës QUAD(Foto:VCG)

Takimi i liderëve të kornizës QUAD(Foto:VCG)

Është e qartë se IPEF-i ka për qëllim të zvogëlojë hapësirat rajonale ku Kina është e përfshirë, siç është Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP), marrëveshja më e madhe në botë për tregtinë e lirë, Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP) dhe nisma “Një brez, një rrugë”. Është e qartë se synohet të përjashtohet Kina nga zinxhirët e furnizimit në Indo-Paqësor, dhe inkurajohen vendet përreth të shkëputen nga Kina dhe të minojë ndikimin e Kinës.

Mbushja e një boshllëku të prezencës amerikane në rajon nuk mund të bëhet me krijimin e platformave ekonomike ku koncepti është tejet ekskluziv dhe ideologjik dhe bie ndesh me rregullat e zhvillimit ekonomik dhe me trendin e globalizimit. Në fakt Kina është në qendër të zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit në Azi dhe roli i saj në dinamikën ekonomike të rajonit të Azisë dhe Paqësorit është i domosdoshëm. Kina është prania më e madhe ekonomike në Azi dhe si e tillë duhet trajtuar.

Biden premton mbështetje për Tajvanin duke u larguar nga politika “mëdyshje strategjike”

Në një konferencë shtypi në Tokio me kryeministrin Fumio Kishida të Japonisë, një gazetare pyeti presidentin Biden nëse do të ishte i gatshëm të “përfshihej ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin”, gjë që për shembull nuk e ka bërë me Ukrainën. “Po,” tha Biden. “Ky është angazhimi që kemi marrë.”

Komentet e Biden lënë të kuptohet se ai do të shkojë më tej për Tajvanin sesa vetëm furnizimin me armë (siç ka bërë në Ukrainë). Premtimi i Biden për të përdorur forcën ushtarake për të mbrojtur Tajvanin krijon një shkëputje nga politika shumëvjeçare e ashtuquajtur “mëdyshje strategjike”. Me pak fjalë, njihet dhe mbahet parimi “një Kinë”, por nga ana tjetër mbështetet ishulli i Tajvanit sipas rastit. Shtëpia e Bardhë u përpoq t'i kthente komentet e Biden-it duke përsëritur një angazhim për “t'i ofruar Tajvanit mjetet ushtarake për t'u mbrojtur”. Por Biden e ka injoruar edhe më parë paqartësinë e praktikuar të paraardhësve të tij në lidhje me Kinën dhe Tajvanin gjatë presidencës së tij.

Videotakimi i liderëve të vendeve të IPEF-it(Foto:VCG)

Videotakimi i liderëve të vendeve të IPEF-it(Foto:VCG)

I menjëhershëm ishte reagimi zyrtar i Kinës, duke folur në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin tha se Kina shpreh pakënaqësi dhe kundërshtim të fortë ndaj komenteve të Biden, duke theksuar se Tajvani është “një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez”. Kjo deklaratë shihet në Kinë si një shkelje nga Uashingtoni ndaj përkushtimit të parimit të “një Kinë” dhe një sfidë e re për interesat thelbësore të Kinës. Uashingtoni dëshiron të influencojë vende si Koreja e Jugut dhe Japonia për të mbështetur ndërhyrjen në çështjen e Tajvanit. Për më tepër, vëzhguesit e çështjeve të sigurisë vunë në dukje se SHBA-të po përdorin krizën e Ukrainës për të sjellë analogji me Tajvanin, por çështja e Tajvanit është krejtësisht e ndryshme dhe është thjesht çështje e brendshme e Kinës. Përpjekja e SHBA-së për të ndërkombëtarizuar çështjen duke e krahasuar atë me krizën e Ukrainës është deluzive pasi janë paralelizma që nuk qëndrojnë, as historikisht as logjikisht.

Për çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin, integritetin territorial dhe interesat e tjera thelbësore të Kinës, askush nuk do të presë që Kina të bëjë ndonjë kompromis, vazhdon zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. Ai i kërkoi gjithashtu SHBA-së jetë të kujdesshme me fjalët dhe veprimet e saj për çështjen e Tajvanit. Pala kineze do të ndërmarrë veprime të forta për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë. Çështja e Tajvanit ka qenë më e ndjeshme në marrëdhëniet Kinë-SHBA. Megjithatë, Uashingtoni ka luajtur vazhdimisht “kartën e Tajvanit” në vitet e fundit duke zhvilluar shkëmbime zyrtare me Tajvanin dhe duke i shitur armë më të avancuara ishullit.

Për Pekinin zyrtar çështja e Tajvanit është çështje e brendshme e Kinës dhe kështu nuk lejon asnjë ndërhyrje të huaj.

Së fundmi, një shprehje e moçme shqiptare i përshtatet shumë kësaj vizite “bjeri pragut që të dëgjojë dera”. Pragu në këtë rast ishte Seuli, afro 1000 km dhe Tokio, 2000 km larg derës së Pekinit. Presidenti Biden, ndryshe nga paraardhësit e tij, në vizitën e parë në këtë rajon nuk u ndal në Pekin. Presidenti Obama gjatë vizitës së tij të parë në vitin 2009, vizitoi Japoninë dhe Korenë e Jugut, por edhe Kinën, ashtu siç bëri Presidenti Trump në nëntor 2017. Por Biden zgjodhi ndryshe, edhe pse nuk u ndal në Kinë, epiqendra e çdo diskutimi në këtë vizitë ishte qartësisht Pekini.

U duk qartë se në qendër të bisedimeve qëndron krijimi i një suaze ekonomiko-usharako-politke për të kontrolluar dhe rrethuar Kinën me anë të fqinjëve të saj.

Dr. Marsela Musabelliu