
Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping si dhe presidenti i Këshilit të Europës, Charles Michel e presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen zhvilluan më 1 prill një vidio-konferencë me temë themelore Luftën në Ukrainë. Veç kësaj, qëllimi i kësaj video-konference ishte interesi i përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale. Sidomos në tregti, ruajtjen e klimës dhe mjedisit, diversitetin biologjik dhe çështjet e shëndetit publik. Pala europiane e shfrytëzoi rastin që të flasë me udhëheqësit kinezë edhe për forcimin e vlerave të përbashkëta.
Në këtë video-konferencë morën pjesë gjithashtu kryeministri kinez, Li Keqiang dhe shefi i Politikës së Jashtme e të Sigurisë Europiane, Josep Borrell. Ishte ky një format serioz, i kompletuar më mirë se në dy samitet e mëparshme, ata të qershorit e dhjetorit të vitit 2020. Llogaritet se deri më sot janë zhvilluar gjithsej 23 samite kino-europiane, që do të thotë se midis dy kontinenteve ekziston një lidhje e marrëdhënie e gjatë. Diskutimi në formatin më të lartë të të dy partnerëve u shfrytëzua për përafrimin e qëndrimeve rreth luftës në Ukrainë. Ndaj dhe samiti ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme.

Sulmi ushtarak i Rusisë kundër sovranitetit territorial të Ukrainës ka krijuar diversitet në qëndrimet ndërkombëtare. Kontinenti Europian u bashkua për herë të parë pas disa dekadash në qëndrimin e tij ndaj politikave ruse në Europën Lindore e Juglindore, me qëllim kundërshtimin e këtyre politikave. Sulmi ushtarak rus kundër Ukrainës u dha europianëve mesazhin se "rrezik kryesor për ta është Moska dhe Kremlini"! Para sulmit rus kundër Ukrainës kishte shumë europianë që nuk besonin në agresivitetin e Rusisë. Por ky sulm krijoi kohezion dhe harmoni.
Bashkë me Bashkimin Europian përballë aktit agresiv të Rusisë qëndrojnë edhe amerikanët dhe NATO. Duket sikur në këtë ndeshje gjendemi para një beteje gjeopolitike dhe lufte për influencë e hegjemoni të të dy palëve: Rusisë dhe Perëndimit.
Por ndërsa në konfliktin e Ukrainës përballen tashmë dy palë, ka vende të cilat qëndrojnë në një lloj neutraliteti ose nuk duan të vendosin sanksione kundër Rusisë. Ndër këto vende bën pjesë edhe Kina. Janë gjithsej 40 vende ato që kanë vendosur sanksione kundër Moskës, por jo edhe të gjitha vendet e NATO-s, ndër to Turqia. Por vendet me qëndrim neutral po luajnë një rol - atë të ndërmjetësuesit në konflikt.
Kur flasim për pozicionin neutral të vendeve që nuk kanë vendosur sanksione, shohim se Kina dhe Turqia kanë një lloj balance në marrëdhëniet me të dy vendet në konflikt, Rusinë dhe Ukrainën. Këto dy shtete përpiqen të krijojnë një ekuilibër, me qëllim që konflikti të zgjidhet në mënyrë paqësore. Ndaj Samiti i 1 prillit kishte për qëllim angazhimin e Republikës Popullore të Kinës për të ndërmjetësuar paqen. Për bashkëbiseduesit e rëndësishme është ruajtja e ekuilibrit në konflikt, ekuilibër të cilin India e konsideruar si aleate e Perëndimit, duket se e ka humbur, duke anuar nga Moska.

Ndërsa pozicionin kinez në konfliktin e Ukrainës e ka bërë të qartë ministri i Jashtëm i këtij vendi, kur ka pohuar neutralitetin ndaj këtij konflikti. Por Ursula von de Leyen sërishmi ka kërkuar që "përgjegjësi të Kinës si anëtare e Këshillit të Sigurimit, sepse Kina ka ndikim mbi Rusinë dhe ky ndikim duhet shfrytëzuar"! Në përgjigje të kësaj kërkese drejtuar presidentit kinez, Xi Jinping, drejtori i zyrës për Europën në Ministrinë e Jashtme në Pekin, Wang Lutong, shpjegon se kryeministri Li Keqiang është shprehur pro përfundimit të luftës në Ukrainë dhe çtensionimit të situatës aktuale nëpërmjet bisedimeve.
Se Republika Popullore e Kinës është kundër luftës në Ukrainë dhe njëkohësisht kundër çdo konflikti tjetër që cënon paqen e sigurinë në botë, kjo është e provuar në shumë raste. Ky pozicion është i dëshmuar tashmë për shkak të karakterit paqësor të popullsisë, si dhe politikës kineze. Por ka edhe arsye të tjera, që provojnë kursin paqësor të Kinës. Një prej tyre lidhet me faktin se bilanci i tregtisë së Kinës me Europën dhe Rusinë shkon 3-4 herë në favor të europianëve. Gjatë vitit 2021 Kina dhe Europa shkëmbyen midis tyre 696 miliard euro mallra, ndërkohë që me Rusinë ky bilanc shkon katër herë më pak. Ndërsa sot çdo ditë shkëmbehen dy miliard euro midis Kinës e vendeve të Bashkimit Europian, ndërkohë që me Rusinë Pekini shkëmben çdo ditë vetëm 340 milion euro, ose rreth gjashtë herë më pak.
Kjo do të thotë se marrëdhëniet ekonomike midis BE-së dhe Kinës janë faktori kryesor pse Pekini dhe qeveria e tij janë të interesuar së paku të ruajnë një lloj ekuilibri në luftën e Ukrainës. A do ta ruajë këtë ekuilibër ajo? Mbetet për t'u parë. Por Republika Popullore e Kinës jo pak raste ka befasuar botën me qëndrimet e saj të matura dhe në harmoni me rregullin e rendin botëror.
Enver Bytyçi







