Javën e kaluar në Shqipëri u shënua një agjendë e ngjeshur diplomatike në drejtim të procesit të integrimit evropian. Kjo startoi me vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherësh zv.presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell. Në konferencën e përbashkët për mediat pas takimit me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, të dy bashkëbiseduesit u fokusuan në çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.
Para mediave kreu i ekzekutivit Rama tha se me zyrtarin e lartë të BE-së Borrell kanë diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj, për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Konferencë shtypi Rama-Borell (Tirana Post)
Lidhur me procesin e integrimit evropian dhe çeljen e negociatave, Rama u shpreh se nuk është çështja e një vullneti të përbashkët të Këshillit Evropian sepse sipas tij të gjitha vendet janë tani të gatshëm t’i çelin këto bisedime, por shtoi ai "është çështje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë."
“Integrimi tashmë është çështje e Komisionit Europian dhe i Bashkimit Europian. Komisioni Europian, në mënyrë të përsëritur, e ka thënë që Shqipëria duhet të ulet në tryezë për të filluar bisedimet për anëtarësim. Kjo nuk është diçka që ne e kemi në dorë dhe ne jemi këtu të gatshëm të ulemi menjëherë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim sapo të hapet drita jeshile, por nuk do të humbasim asnjë minutë, nga ai pak gjumë që flemë, që kjo të ndodhë sepse do të vazhdojmë të bëjmë punën njësoj sikundër të ishin hapur bisedimet”, theksoi kryeministri shqiptar.
Tashmë kritikat e kryeministrit Rama ndaj procesit të ngadaltë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, janë bërë të njohura jo vetëm brenda vendit, por dhe në tryeza me përfaqësues të Unionit dhe më gjerë. Edhe në takimin me përfaqësuesin e lartë të BE-së Borrel në Tiranë kryeministri e ka ritheksuar kërkesën e tij, duke nënvizuar se “Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në qershor, do ishte mirë ta bënte, por edhe nëse nuk e bën, ne këtu jemi prapë dhe presim kur të bëhet, por nuk presim asnjë sekondë për të vazhduar të njëjtat punë që kemi bërë, që duhet të bëjmë dhe që do të bëjmë dhe që na afrojnë gjithmonë e më shumë me standardet e Bashkimit Europian, këtu në Shqipëri”.
Nga ana e tij, zyrtari i lartë i BE-së, Borrell, tha se Shqipëria i ka përmbushur me kohë të gjitha kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit, duke shtuar se ai do të vazhdojë të mbështesë çeljen e negociatave gjatë presidencës franceze.
"Unë e di që sot Shqipëria e ka treguar qartë që është një nga partnerët më të besueshëm të Bashkimit Evropian dhe në botë. Politikat e Shqipërisë janë 100 për qind në përputhje me politikën e përbashkët të BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë, edhe përpara luftës, e në këto kohë sprove Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin e saj, përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare", tha ai.

Kryeministri Rama dhe J. Borell (ATSH)
Duke komentuar vizitën e përfaqësuesit të lartë për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë Joseph Borrel, ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca theksoi se ai “dha një mesazh të fuqishëm gjatë vizitës në Tiranë. Borrell theksoi se integrimi në BE i Shqipërisë është një prioritet dhe e ardhmja e Shqipërisë është në BE”.
Po gjatë javës që shkoi numri një i shtetit shqiptar Ilir Meta zhvilloi një takim me drejtorin e Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, Zijad Bećirović. Presidenti Meta deklaroi gjatë takimit se çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Në vijim të përpjekjeve të politikës shqiptare për nxitjen e mëtejshme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim me kryetarin e Komitetit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Anton Hofriter, në Berlin. Gjatë takimit Hofriter theksoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE duhet të fillojë sa më shpejt. Ai foli edhe për rëndësinë e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Balla u shpreh krenar që Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret e lidhura me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, e cila parashikohet të mbahet në qershor të këtij viti.
Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, duke përfituar nga takimi me të dërguarin e posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka kërkuar mbështetjen gjermane për integrimin e rajonit dhe Shqipërisë në veçanti në BE.
“Shpresoj që Gjermania, si avokate e integrimit të Ballkanit Perëndimor do të mbështesë masa konkrete për Ballkanin Perëndimor, duke filluar me Konferencën e parë Ndërqeveritare. Kriza aktuale ka treguar qartë se Evropa duhet medoemos të investojë strategjikisht në Ballkan, si një rajon ecuria dhe zhvillimet në të cilin kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata në sigurinë e vetë BE-së”, -tha Xhaçka.
Gati dy vite nga çelja e negociatave nga Komisioni Europian, Shqipëria ende nuk e ka mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Autoritete të larta të shtetit dhe politikës shqiptare garantojnë se Shqipëria i ka bërë të gjitha “detyrat e shtëpisë” dhe se nuk ka asnjë vend anëtar të BE-së që të ngrejë problematika që pengojnë hapjen formale të negociatave.

Ministrja e jashtme Xhaçka dhe zvpresidenti i KiE Borell (ATSH)
Shqipërisë iu çelën negociatat për anëtarësim më 24 mars 2020 dhe pas atij momenti, së bashku me Maqedoninë e Veriut duhej organizuar Tryeza e Parë Ndërqeveriatre në të cilën do të përcaktohej edhe korniza negociuese. Ky do të shënonte edhe hapin formal konkret drejt integrimit. Por Bullgaria vendosi veton për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, për shkak të problemeve nga e kaluara, çfarë çoi në ngecjen e procesit. Zyrtarë nga Komisioni Europian si dhe përfaqësues të shteteve të BE-së janë shprehur se rruga e integrimit duhet të jetë e përbashkët për të dy vendet, duke pohuar në një mënyrë se për aq kohë sa Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të gjejnë një zgjidhje, pasojat do t’i vuajë edhe Shqipëria.
Eda Merepeza







