Shumë analistë dhe ekspertë kanë pritur që Republika Popullore e Kinës të forconte lidhjen e saj me Federatën Ruse në rastin e sulmeve të Moskës kundër Ukrainës. Që në ditët e para të këtyre sulmeve,kam shpjeguar se "Kina historikisht mban qëndrime të pavarura dhe të ekuilibruara ndaj ngjarjeve ndërkombëtare"!

Para shumë vitesh kam shkruar monografinë mbi marrëdhëniet shqiptaro-kineze në periudhën e komunizmit. Gjatë hulumtimit të zhvillimeve midis të dy vendeve më ka bërë përshtypje qëndrimi i kryetarit Mao Ce Dun në momentet kur udhëheqja politike shqiptare publikisht po kritikonte qëndrimet e Kinës në politikën e Jashtme. Udhëheqësi kinez jepte pak a shumë këtë porosi: "Edhe nëse shqiptarët na kritikojnë, ju nuk do t'u përgjigjeni. Ne jemi shtet i madh dhe nuk duhet të sillemi si të tillë me një shtet të vogël"!

Ky është vetëm një moment, por që jep një dëshmi unike në respektin ndaj tjetrit. Në raport me Shqipërinë asokohe Republika Popullore e Kinës ishte një gjigand. Por asnjëherë nuk e përdori gjigandizmin e vet për t'iu imponuar një vendi të vogël, si Shqipëria.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shtjellon propozimin e Kinës mbi situatën në Ukrainë(Foto:Xinhua)

Ministri i Jashtëm Wang Yi shtjellon propozimin e Kinës mbi situatën në Ukrainë, 3 Mars, Pekin(Foto:Xinhua)

Nervozizmi i Tiranës zyrtare të viteve 1976-1978 nuk e impresionoi Pekinin. Përkundrazi Kina ruajti qetësinë dhe maturinë ekselente të saj. Më ka bërë përshtypje kjo sjellje diplomatike, të cilën njerëz të pamatur e konsiderojnë si "intrigë të Kinës"! Por më rezulton se kjo sjellje diplomatike e Pekinit është një risi në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Edhe në rastin e konfliktit në Ukrainë shumëkush priste që Republika Popullore e Kinës të vihej në mbrojtje të ndërhyrjes ushtarake së Rusisë në Ukrainë. Prisnin ata që nuk e njohin diplomacinë e saj. Kinën në diplomaci nuk e bën të pavarur dhe unike vetëm fuqia e saj ushtarake, politike, ekonomike e demografike. Unikalizmi i diplomacisë kineze buron te filozofia e saj politike për raportet e saj me të tjerët. Marrëdhëniet e Kinës me shtetet e tjera janë parimore dhe ruajnë me korrektësi respektin për ligjet ndërkombëtare.

Pikërisht kjo karakteristikë e politikës së jashtme kineze nuk është kuptuar dhe vlerësuar sa duhet nga partnerët ndërkombëtarë. Dhe nisur nga këto principe ajo ka ndërtuar edhe qëndrimin e saj ndaj konfliktit ruso-ukrainas. Sigurisht që Pekini në qëndrimin ndaj këtij konflikti bën analizën e interesave të saj. Por duket se i përmbahet me korrektësi edhe principeve themelore.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së(Foto:VCG)

Këshilli i Sigurimit i OKB-së(Foto:VCG)

Ndërkohë që nuk përkrah sanksionet kundër Rusisë, Republika Popullore e Kinës nuk është angazhuar kundër këtyre sanksioneve. Ndërkohë që kërkon të mirëkuptohet qëndrimi i Moskës për neutralitetin e Ukrainës, nuk ka përkrahur dhe nuk i ka njohur aktet e Kremlinit për aneksimin e Krimesë ose për "njohjen e pavarësisë" së dy rajoneve të Donbasit. Madje ajo është shprehur për ruajtjen dhe respektimin e sovranitetit të Ukrainës. Kina shprehet p.sh kundër përjashtimit nga SWIFT të Federatës Rusë, por nuk është angazhuar në themelimin e një mekanizmi bankar alternativ në marrëdhënie me Moskën.

Parimet, rregullat dhe rendi ndërkombëtar duket se qëndrojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe. Por edhe interesat e saj nuk shkojnë në drejtimin e inkurajimit të shkeljes së sovranitetit të shteteve. Ndërkaq ndonëse marrëdhëniet e Pekinit dhe Moskës janë të ngushta, Republika Popullore e Kinës nuk sakrifikon lidhjet që ajo ka me Europën. Madje edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kina është fuqia e vetme e madhe, që i përmbahet ekuilibrit të marrëdhënieve me fuqitë e tjera në botë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo nuk ka qenë dhe nuk është iniciatore as shkaktare e cënimit të këtij ekuilibri. Nëse Pekini do të vihej por-Rusisë dhe kundër sovranitetit të Ukrainës, atëherë do të kishte një disbalancë në qëndrimet e tij përballë Europës dhe SHBA-ve.

Videosamit Kinë-Francë-Gjermani mbi situatën në Europë(Foto:Xinhua)

Videosamit Kinë-Francë-Gjermani mbi situatën në Europë(Foto:Xinhua)

Por jo. Kina dhe diplomacia e saj ruajnë balancat. Dhe sa kohë ndodh kjo, bota duhet ta shohë atë si një aset diplomatik, si një mundësi për të shkuar drejt paqes dhe stabilitetit global. Le të themi se konflikti në Ukrainë mund të përhapet në Europën Lindore e më gjerë. Palët, përkatësisht Perëndimi dhe Rusia, mund të vihen përballë njëri-tjetrit, duke rrezikuar madje përdorimin e armëve bërthamore, gjë që nuk përjashtohet. Atëherë kush tjetër, përveç Republikës Popullore të Kinës, do të mund të ndërhynte për të rikthyer paqen dhe sigurinë në botë?!