Zgjedhjet parlamentare, ato presidenciale si dhe lokale për 12 qytete në Serbi janë parashikuar të mbahen me 3 prill. Për Serbinë, por edhe për rajonin ato janë shumë të rëndësishme, pasi lidhen me orientimin e ardhshëm të shtetit serb, por edhe të një politike e cila afekton në këtë zonë. Në çdo rast tjetër ato do të kishin zgjuar një interes shumë më të madh, por megjithëse kanë mbetur më pak se 3 javë nga mbajtja e tyre, vëmendja politike e diplomatike është përqëndruar në Ukrainë dhe kjo duket si një ngjarje periferike. Në fakt kjo është e rëndësishme dhe përcaktuese, aq më tepër kur për Serbinë vazhdohet të flitet e të diskutohet për politika e qëndrime ndaj së cilës ka një ndjeshmëri të lartë.

Zgjedhjet në Serbi (Panorama)
Qëndrimi i Presidentit Vuçiç dhe vota pro Rezolutës në Asamblenë e OKB-së që dënonte sulimin rus dhe pushtimin e Ukrainës, ka tërhequr vëmendje mjaft të gjerë politike e diplomatike. Serbia përgjithësisht shikohet si një “Rusi ballkanike” dhe ka lënë të shtangur shumë analistë lidhur me këtë. Analiza e asaj vote është mjaft e gjerë dhe komplekse , por edhe e drejtë legjitime e sejcilit shtet në vendimmarrje të kësaj natyre. Në atmosferën e zgjedhjeve si parlamentare, ashtu edhe ato presidenciale, ky votim do të ketë ndikimin e vet elektoral. Kryeministrja serbe Anna Bërnabiç menjëherë pas votimit në OKB doli për të dhënë sqarime dhe për të treguar se Serbia vazhdon të mos u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë dhe në marëdhëniet ruso-serbe asgjë nuk ka ndryshuar. Duke njohur prirjet nacionaliste të qytetarëve të saj, kryeministria shpejtoj për ta bërë këtë pohim, i cili ka efektet e veta në ballafaqimin elektoral të 3 prillit. Po kështu Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkan që ka lejuar një koridor ajror për Rusinë dhe flota e saj ajrore ka rritur ngarkesën, për të krijuar lehtësi aeroportuale për aleatin e saj të vjetër.
Fushata që po zhvillohet tani për zgjedhjet në Serbi përgjithësisht është e vakët. Partitë opozitare që i bojkotuan zgjedhjet e kaluara nuk po japin shenja se kanë një kurs të qartë të orientimit të tyre, janë të bashkuara dhe kanë një profil në rritje. Ato akoma mbeten tek disa personazhe me një hipotekë të vjetër politike dhe shumë pak kanë dëshmuar se janë orientuar në figura të reja, të cilat do të sillnin besim e frymë të re tek zgjedhësit, të cilët për hir të së vërteteës kanë reaguar fuqishëm në tubime të mëdha për një sërë çështjesh.

Presidenti Vuçiç dhe kryeministrja serbe Bërnabiç (Gazeta Express)
Puna e opozitës, duke qënë jashtë parlamentit i ka ngjarë më tepër organizatave joqeveritare se sa formacioneve dhe organizimeve klasike politike. Ata kanë këmbëngulur në zgjedhje të parakohëshme, të cilat po mbahen, por zhgënjimi i qytetarëve tek ata vijon të mbetet i konsiderueshëm dhe pa shumë mundësi shprese për ndryshim. Opozita heterogjene politike në Serbi nuk po arrin me sa duket edhe në këto zgjedhje të krijojë efektin e sinergjisë. Ato nuk janë bashkëpunuese me njera-tjetrën dhe me pikpamje ideologjike të kundërta në mes vetes . Edhe kërkesat që ata kanë parashtruar për të rritur besueshmërinë dhe kredencialet publike të këtyre zgjedhjeve, nuk janë një garanci dhe siguri se do t’i çojnë drejt fitores që ata përpiqen të arrijnë. Këmbëngulja për t’u monitoruar nga mediat procesi zgjedhor, një kusht i panegociueshëm i opozitës do të realizohet, por ai nuk është çelësi i fitores.
Elementi më i rëndësishëm i programeve politike cilësore dhe i personazheve të besueshëm dhe me profil të lartë, ka kaluar në plan të dytë, duke u investuar vetëm tek transparenca e procesit. Transparenca mbetet e rëndësishme, por ndikimin bazik e ka tek programi dhe kandidatët. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, edhe kësaj radhe i gjithë fokusi i opozitës mbetet tek kryqëzimi i figurës së Aleksandar Vuçiçit. Por sipas sondazheve “Lista Progresive Serbe “ e Presidentit mbetet me shanset më të mëdha për të qënë fituesja e zgjedhjeve parlamentare, por edhe ato lokale. Për shkak të uljes së pragut zgjedhor në 3 % , partitë më të vogla politike dhe ato mbi baza etnike kanë më shumë mundësi në këtë ballafaqim elektoral për të fituar mandate në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë. Ajo që ka pikëpyetjet më të mëdha deri tani mbetet gara për qytetin e Beogradit. Për të ardhmen e demokracisë parlamentare në Serbi, pas këtyre zgjedhjeve merr rëndësi që të ketë një opozitë proaktive si korigjuese e qeverisë, pasi përvoja e legjislaturës që u mbyll dha një pamje jo optimiste. Mungesa e opozitës shkaktoi jo pak problem në konfiguracionin e qeverisjes demokratike.

VCG
Në garën presidenciale, Aleksandar Vuçiç është pothuaj i pakonkurueshëm, por pozicioni i tij mbetet i vështirë. Megjithëse lideri aktual serb ka arritur ta kthejë Serbinë nga një objekt, në subjekt të marëdhënieve ndërkombëtare, vetë brenda SNS-së, partisë së tij, zërat e nëndheshëm kundër janë shtuar. Serbia është kthyer sërish në epiqendrën e zhvillimeve në rajon. Rezultatet e rëndësishme ekonomike janë prezente dhe Vuçiç ka mbajtur një qëndrim të ekuilibruar me vendet më të fuqishme dhe një partneritet të moderuar. Ai është përpjekur të mos ketë qëndrime radikale Pro dhe Kundër, duke qënë i hapur si me SHBA–në dhe BE-në, ashtu edhe me Kinën dhe Rusinë. Koncepti i politikës së jashtme serbe është i bazuar drejtëkëndshin: BE-SHBA-Kinë-Rusi + Lëvizja e Mosangazhimit. Është e pakuptueshme që BE-ja kërkon nga Serbia që politikën e jashtme t’ia nënshtrojë BE-së, ndërkohë që nuk i është dhënë garanci se ajo do të bëhet anëtare e BE-së.
Presidenti Vuçiç ia ka nënshtruar politikën e tij një pragmatizmi më të thellë dhe lidhjeve të së kaluarës, pavarësisht qejfmbetjeve perëndimore. Ai e ka bërë më relaksues komunikimin me qendrat më të mëdha të vendimmarrjes globale. Kjo i ka siguruar atij investime të mëdha, veçanërisht nga Kina, duke mundësuar një koridor për të dalë nga një situatë krize, që nuk është prezente vetëm në Serbi. Tani ai gjendet përballë sfidave të mëdha, duke patur parasysh edhe zhvillimet dramatike në Ukrainë dhe kërkesat e ultranacionalistëve për qëndrimet e modifikuara të tij. Detyra më e rëndësishme e tij mbetet rimëkëmbja ekonomike, afirmimi i Serbisë në marëdhëniet rajonale e ndërkombëtare si dhe ndalimi i trendit të emigrimit të popullsisë.
Kohët e fundit ndaj presidentit serb kanë shkuar edhe kërcënime me vdekje, që janë marrë seriozisht nga organet e specializuara të fushës, duke vlerësuar në këtë spektër edhe ngjarjen e hidhur nga kaluara e afërt të kryeministrit Gjingjiq. Në përpjekjen për të qënë një aktor, por edhe një lojtar referent në marëdhëniet ndërkombëtare, pikëpyetjet ndaj tij janë rritur dhe kjo ka shtuar edhe pasigurinë për jetën. Ai nuk mundet të jetë i besueshëm edhe kur voton Pro një rezolute dhe nuk i bashkohet sanksioneve. Presionin ndërkombëtar e ka në rritje për të njohur pavarësinë e Kosovës, për të cilën ka deklaruar se nuk do ta firmosë asnjëherë një vendim të tillë, ashtu siç është nën presion për të harmonizuar politikën e jashtme serbe me BE-në. Në kët plan ai mbetet një personazh me mungesë dashurie nga Perëndimi dhe partner më i besueshëm nga Lindja. Dyfishimi i fluturimeve nga Beogradi drejt Moskës, ku shumica e vendeve kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore, është mesazh që Vuçiç më shumë se për besnikëri ndaj Rusisë, ua dërgon atyre votuesve radikalë që së fundi kanë vënë pikpyetje serioze ndaj sjelljes së tij politike.

VCG
Dilema për të vijuar në postin presidencial është një nga ato që ka zënë vend në vendimammarjen e mëtejshme të rrugëtimit politik të Vuçiç. Në rast të ndonjë kthese jo krejt të paparalajmëruar në këtë drejtim, zgjedhjet në Serbi do të merrnin një rrjedhë tjetër dhe SNS do të gjendej në një udhëkryë të orientimit.
Duket sikur zgjedhjet serbe vazhdojnë të jenë të parashikueshme në ecurinë e rezultatin e tyre, por gjeopolitika, kërcënimet që po merr Presidenti serb dhe ballafaqimi i vështirë i tij me situata ku pozicionimi duhet të jetë i qartë mund të sjellin zhvillime të reja.
Gëzim Podgorica







