
Kryeministri kinez Li Keqiang ka mbajtur një konference për shtyp në përmbyllje të Dy Sesioneve në Pekin të premten me datë 11 Mars 2022. Edhe vetë Presidenti kinez Xi Jinping ka takuar gjatë këtyre ditëve kategori të ndryshme që përfaqësojnë interesat e gjëra të shoqërisë dhe ekonomisë Kineze. Prezenca e Presidentit të Kinës në marzh të këtyre sesioneve tregon rëndësinë që lidershipi i jep këtij takimi vjetor, dhe vëmendjen e shtuar ndaj shqetësimeve të grupeve të interesit dhe shoqërisë kineze në përgjithësi. Kryeministri Li nga ana tjetër, duke përfaqësuar organin ekzekutiv të pushtetit kinez, ka mbajtur takime dhe ka takuar shtypin dy herë gjatë kësaj javë. Rëndësia e Dy Sesioneve u duk nga prezenca e madhe e reporterëve dhe gazetarëve nga e gjitha bota, të cilët i drejtuan shumë pyetje kryeministrit Li, pjesa më e madhe e përqendruar mbi çështjet ekonomike.
Kjo ishte ndoshta edhe hera e fundit që kryeministri Li merr pjesë në Dy Sesionet si kryeministër i vendit pasi vitin e ardhshëm do të tërhiqet atëherë kur mbushen 10 vjet që ka marrë detyrën. Gjatë këtyre viteve fokusi më i madh i tij dhe i qeverisë që ai drejton ka qënë zhvillimi ekonomik, me fokus të veçantë zhdukjen e varfërisë absolute, rritjen e nivelit të jetesës së popullsisë, dhe krijimin e miliona vendeve të punës çdo vit. Në fakt papunësia në Kinë këtë vit do jetë rreth 5 për qind, dhe rritja ekonomike rreth 5.5 për qind.

Ekonomia e Kinës është rritur gjatë gjithë viteve të fundit, por është rritur edhe kompleksiteti dhe paqartësitë në rang global. Për pasojë Kina, ndërkohë që nxit rritjen e gjithanshme ekonomike, mendon edhe të ruajë dhe stabilizojë këtë rritje në mënyrë sa më solide të mundshme.
Në takimin me shtypin në përmbyllje të Dy Sesioneve, kryeministri Li tha se Kina do të vazhdojë me politikën e saj të “Derës së Hapur” ndaj investimeve të huaja, dhe se çdo ndryshim në ktë drejtim mund të jetë vetëm për ta përmirësuar këtë politikë. Për më tepër që ekonomia kineze është thellësisht e integruar me ekonominë globale. Qeveria mbetet gjithashtu e angazhuar të mbështesë shkëmbimet ekonomike e njerëzore në shkallë të gjerë.
Dixhitalizimi ishte temë tjetër për të cilën kryeministri u shpreh se do të bëhen përparime të mëtejshme që do të sjellin shërbime për qytetarët direkt nga telefoni i tyre. Hapja e një biznesi në Kinë tashmë merr jo më shumë se 10 ditë kohë, dhe në të gjithë Kinën janë rreth 150 milionë biznese të madhësive të ndryshme. Reforma të mëtejshme priten në sektorin e prodhimeve ushqimore, mjekësore dhe të shërbimeve financiare. Këtë vit Kina do të ndërmarrë një politikë uljesh të taksave të barrës fiskale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllim për të nxitur investimet, dhe për të ulur impaktin negativ të dy viteve të pandemisë që edhe pse gjerësisht nën kontroll në Kinë, përsëri ka sjellë pasoja dhe ngadalësim të rritjes ekonomike, pjesërisht edhe për shkak të uljes së qarkullimit me vendet e jashtme. Gjithashtu, u theksua se jo më pak se 4 për qind e prodhimit të brendshëm bruto do të shkojnë për rritjen e cilësisë në arsim, dhe mbulimin e më shumë se 70 për qind të shpenzimeve mjekësore të qytetarëve nga shteti.

Të bën përshtypje fakti se në Kinë tashmë i jepet një vëmendje e madhe uljes së pabarazisë. Është edhe më e rëndësishme kjo për shkak të faktit se ekonomia kineze e ka lënë prapa rritjen dyshifrore ekonomike, gjatë së cilës të gjithë kanë patur përfitime, por shumë njerëz kanë bashkuar pasuri të mëdha. Në fakt në mediat të ndryshme statistikat thonë se Kina ka numrin më të madh të multimilionerëve (llogaritur në dollarë amerikanë) duke kaluar kështu edhe Shtetet e Bashkuara. Tashmë kur ekonomia pritet të ruajë rritjen ekonomike, por jo të thyej rekorde si më parë, këtyre milionerëve nëpërmjet politikave të taksimit progresiv, me të drejtë u kërkohet të mbajnë barrën e pjesshme të rishpërndarjes së pasurisë në favor të shtresave me të ardhura të ulëta.
Me një qëndrim larg së qëni idealizues por shumë realist, kryeministri pranoj se Kina në shumë aspekte është akoma një ekonomi në zhvillim e sipër dhe se diferencat mes zonave rurale dhe atyre urbane janë të thella. Në këtë drejtim qeveria angazhohet të punojë më shumë. Në këtë pikë vlen për tu theksuar se shumë njerëz të kualifikuar në Kinë, pas shumë viteve në punë të mirë paguara në metropole si Shangai, janë duke zbuluar interesin për të investuar në zona rurale në toka bujqësore me prodhime organike. Para një muaji një artikull shumë interesant në South China Morning Post tregonte sesi shumë veta në Shanghai, Chengdu, dhe rajone të tjera, kanë zgjedhur ti kthehen punës në fshat, por kësaj radhe me një qasje më moderne dhe në të njëjtën kohë në harmoni me respektin ndaj natyrës. Teknologjitë e larta që prodhohen në Kinë tashmë, i bëjnë investime të tilla edhe më të lehta. Është për tu pritur gjithashtu një mbështetje edhe më e madhe e qeverisë në të ardhmen në këtë fushë. Kjo ka gjasa të rrjedhë nga një nevojë për të ulur fluksin e vazhdueshëm të miliona njerëzve nga zonat rurale drejt atyre urbane, me pasoja të gjithanshme për mbipopullimin në qytete, përdorimin e tepërt të tokës, dhe lënien në braktisje të forcës punëtore rurale.
Li tha se janë rreth 200 milionë njerëz në Kinë që punojnë në mënyrë fleksibël, ose part time. Për këta njerëz Kryeministri u angazhua për më shumë mbështetje. Gjithashtu, duke ju referuar një rasti trafikimi të qenieve njerëzore, kryeministri Li tha se qeveria angazhohet të luftojë pa kompromis të gjitha format e paligjshme të trafiqeve.

Kryefjalë e kryeministrit ishte gjithashtu krijimi i vendeve të reja të punës. Sfida më e madhe mbetet krijimi i vendeve të punës ne përputhje me shkollimin të më shumë se 10 milionë të diplomuarve që çdo vit dalin nga universiteti. Për këta gjithashtu qeveria angazhohet të bëjë më shumë përpjekje për krijimin e një tregu pune absorbues i kësaj force të specializuar.
Në politikën ndërkombëtare Li theksoi se mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara janë të paevitueshme, por bashkëpunimi dhe jo konfrontimi duhet të jetë linja mbajtëse e marrëdhënieve dypalëshe. Dera e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara është hapur para 50 vitesh me vizitën e presidentit amerikan Richard Nixon. Kjo derë, theksoi kryeministri Li duhet të qëndrojë e hapur. Me rritjen e konflikteve në zona të ndryshme, më së fundi edhe atë në Ukrainë, dialogu mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara bëhet edhe më i rëndësishëm për shkak të shkallës së lartë të integrimit të ekonomive të këtyre dy vendeve, dhe për pasojë impaktit që mosmarrëveshjet do kishin mbi pjesën tjetër të rrjeteve ekonomike ndërkombëtare.

Për luftën në Ukrainë Kina i qëndron parimit se të dy palët duhet të ulen në tavolinë dhe të negociojnë një dalje nga kriza. Kina i përmbahet gjithashtu parimit të respektit të integritetit territorial të çdo vendi të sanksionuara edhe në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ylber Marku








