Pas shkëlqimit të lojërave Olimpike mbajtur në shkurt, në 4 Mars u zhvillua ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike Dimërore Pekin 2022 në Stadiumin Kombëtar. Edhe pse pranvera tashmë ka ardhur plot vitalitet, në Kinë audienca kishte pritshmëri të larta për këtë event sportiv të akullit dhe borës. Me temën "Frymëzim", performanca e numërimit mbrapsht kishte programin e saj të ndarë në 12 segmente, përfshirë paradën e sportistëve dhe ndezjen e Pishtarit. Skena u ndriçua nga emblema e Lojërave Paralimpike Dimërore e cila u shfaq në një ekran të madh në qendër të stadiumit. Sipërfaqja e bardhë e akullit u shndërrua gradualisht në një det yjesh vezullues. E qeshura dhe dashuria, ëndrrat dhe shpresat bashkohen në një det me emocionet. Simfonia e përshtatur nga muzika tradicionale kineze tingëllonte anembanë stadiumit. Nga kori i grupimit, 8 sportistë kinezë me aftësi të kufizuara dhe përfaqësues të njerëzve që kanë kontribuar në kauzën e invalidëve, shoqëruan flamurin e kuq me pesë yje. Në këto Lojëra Paralimpike Dimërore morën pjesë delegacione nga 46 vende e rajone. Në 9 ditët e zhvillimit të tyre, rreth 600 sportistë me aftësi të kufizuara marrin pjesë në disa evente madhore. "Qyteti Olimpik i Dyfishtë" Pekini bashkon duart me Zhangjiakou për të mirëpritur atletët paralimpikë nga e gjithë bota. Atletët që garojnë mishërojnë forcën me punë të palodhur dhe i përcjellin ëndrrat e tyre duke interpretuar vlerat paralimpike të "guximit, vendosmërisë, motivimit dhe barazisë". Përfaqësues nga të gjitha sferat e shoqërisë ndanë një moment të ngrohtë harmonie mes personave me aftësi të kufizuara. Presidenti Xi Jinping dhe udhëheqës të lartë të shtetit morën pjesë në ceremoninë e hapjes.

Një udhëtim shumëngjyrësh ëndrrash, një himn i ngrohtë i jetës!

Ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike Dimërore(Foto:Xinhua)

Ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike Dimërore(Foto:Xinhua)

Personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15% të popullsisë së përgjithshme të botës dhe ata janë një pjesë e rëndësishme e një komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin. Ata në jetë kanë vështirësi të mëdha, dhe sporti duket sikur iu hap një derë tjetër për të përmbushur aspiratat e tyre. Sporti i përket të gjithëve dhe personat me aftësi të kufizuara gjejnë vetëbesim dhe kurajo në garimin paralimpik. Personat me aftësi të kufizuara duhet të jenë të integruar dhe të kenë mbështetjen e mbarë shoqërisë. Sportistët në këtë event përballen me sfidat e jetës dhe përdorin punën e palodhur për të ndryshuar veten e tyre dhe po frymëzojnë gjithashtu botën. Pasuria shpirtërore që ata krijojnë i përket të gjithëve.

Çdo qenie njerëzore meriton të drejtën për të pasur sukses dhe arritje në jetë, pa marrë parasysh rrethanat e tyre, prandaj Lojërat Paralimpike janë një simbol i rëndësishëm i barazisë, drejtësisë, shpresës dhe humanitarizmit. Ato demonstrojnë se çdo njeri mund të ketë një shans për të mbizotëruar dhe për të fituar, dhe se vendosmëria, besimi dhe puna e palodhur mund të kapërcejnë vështirësitë kundër sfidave të jetës.

Sportistët në konkurrim(Foto:VCG)

Sportistët në konkurrim(Foto:VCG)

Gjatë zhvillimit të Lojërave Paralimpike, në Kinë u publikua një “Libër i Bardhë” (ose thënë ndryshe një dokument shtetëror me arritje dhe objektiva në një fushë të caktuar) i titulluar "Parasportet e Kinës: Progresi dhe mbrojtja e të drejtave". Në këtë dokument shpalosen avancimet që janë bërë në disiplinën parasportive dhe synimet e Kinës për të përmirësuar angazhimin e saj ndaj ngjarjeve të tilla. Dokumenti shpjegon se përparimi në të drejtat e aftësisë së kufizuar dhe parasportet është një aspekt kyç i modernizimit dhe zhvillimit socialist të Kinës, duke vënë në dukje se personave me aftësi të kufizuara u është dhënë status i barabartë politik, duke gëzuar të njëjtat të drejta dhe detyrime të ligjshme si qytetarët e tjerë. Progresi në parasporte shënon gjithashtu një pasqyrim të gjallë të zhvillimit dhe përparimit të të drejtave të njeriut në Kinë - thuhet në dokument - duke shtuar se parasportet promovojnë vlerat e përbashkëta të njerëzimit, avancojnë shkëmbimet, mirëkuptimin dhe miqësinë mes popujve në mbarë botën. Angazhimi dhe suporti shtetëror kundrejt personave me aftësi të kufizuar kontribuon gjithashtu për ndërtimin e një rendi social të drejtë, të arsyeshëm dhe gjithëpërfshirës për të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Sportistët në konkurrim(Foto:VCG)

Sportistët në konkurrim(Foto:VCG)

Vizioni i Kinës për sportet paralimpike simbolizohet edhe përmes maskotës zyrtare, Shuey Rhon Rhon, një fanar kinez antropomorfik që mishëron shpresën, lumturinë dhe paqen. Fenerët në kulturën kineze, mes të tjerave, përfaqësojnë dritën, korrjen, festën dhe ngrohtësinë. Së bashku me elementët e tjerë, pasqyrojnë vlerat e Lojërave Paralimpike dhe se si ajo ofron një vizion pozitiv për përparimin dhe unitetin e njerëzimit në tërësi. Pekini i vitit 2022 sjell një nivel të ri në parasportet globale, përparime teknologjike për të ndihmuar atletët dhe lehtësira logjistike për garuesit. Komiteti Ndërkombëtar Paralimpik vlerësoi ambientet e aksesueshme në Lojërat Dimërore Paralimpike të Pekinit si një arritje standardesh dhe parametrash.

Lojërat Dimërore Paralimpike të Pekinit 2022 kontribuojnë në avancimin e kauzës së personave me aftësi të kufizuara. Kina ka ndërmarrë përpjekje të përbashkëta për të nxitur një mjedis të favorshëm ku njerëzit që jetojnë me sfida fizike respektohen, kuptohen dhe kujdesen për të.

Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore promovuan shkëmbimet dhe njohjen e ndërsjellë midis qytetërimeve, rritën solidaritetin dhe bashkëpunimin në komunitetin ndërkombëtar dhe rritën besimin në trajtimin e përbashkët të sfidave globale. Për të rikthyer edhe një herë vëmendjen e kombeve drejt unitetit dhe prosperitetit gjithëpërfshirës, sloganet simbolike si "Së bashku për një të ardhme të përbashkët" në ngjarje të rëndësishme si Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit dhe Paraolimpiadat janë bërë gjithnjë e më thelbësore.

Sportistët dalin në fotë me maskotën e Lojërave Paralimike Dimëreore të Pekinit(Foto:VCG)

Sportistët dalin në fotë me maskotën e Lojërave Paralimike Dimëreore të Pekinit(Foto:VCG)

Aftësia e kufizuar dhe sfidat e tjera të jetës nuk kanë kufij gjeografikë, ato janë pjesë e gjendjes njerëzore. Lojërat Paralimpike festojnë gjithëpërfshirjen, ndërkombëtarizimin, inovacionin dhe frymëzimin. Ngjarja përcolli një mesazh besimi, miqësie dhe shprese. Ato do të frymëzojnë më shumë njerëz me aftësi të kufizuara në mbarë botën për të përqafuar sportin dhe për të qëndruar pozitivë përballë sfidave në jetë. Duke parë njerëzit me disavantazhe, duke u përpjekur për më të mirën, për të shkëlqyer, për të arrirë dhe për të realizuar ëndrrat e tyre, Lojërat Paralimpike bëhen një burim i madh frymëzimi, jo vetëm për sportdashësit, por edhe për njerëzit e zakonshëm.

Thyerja e barrierave për përfshirjen, ky është frymëzimi i thellë i gjeneruar nga atletët. Dhe më shumë karakteri, disiplina, sakrifica talenti, kreativiteti - çdo atribut që përfaqëson më të mirën e potencialit njerëzor – janë mishëruar në këtë event sa madhështor aq edhe reflektues. Këto momente na kujtojnë çdo kufizim dhe vështirësi mund të kapërcehet me vullnet, punë dhe sakrifica. Lojërat Paralimpike të Pekinit janë një ngjarje shprese dhe drejtësie, duke na kujtuar se çdo person, përmes vendosmërisë së plotë dhe optimizmit, ka fuqinë të triumfojë mbi vështirësitë në jetën e tij.

Dr. Marsela Musabelliu