
Në ditët e para të marsit 2022 u hapën sesionet vjetore të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës dhe të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK), veprimtaritë më të rëndësishme vjetore politike që njihen në botë si “Dy Sesionet”, në të cilat marrin pjesë rreth 3.000 ligjvënës të AKP-së e mbi 2200 këshilltarë politikë të KKPPK-së.
AKP është organi më i lartë shtetëror i pushtetit me deputetët që zgjidhen demokratikisht. Ata janë fermerë, punëtorë fabrikash, zyrtarë, avokatë, profesorë universiteti, etj. Pavarësisht gjinisë, moshës e profesionit, secili prej tyre ka votë të barabartë, duke ushtruar demokracinë popullore përgjatë tërë procesit, në aspektet e legjislacionit, vendimmarrjes, administrimit, mbikëqyrjes, etj., orientuar nga qytetarët, duke i trajtuar ata si qëllimi përfundimtar i zhvillimit, sipas parimit se në një botë të larmishme, demokracia merr forma nga më të ndryshmet dhe demokracia kineze lulëzon krahas asaj të vendeve të tjera në kopshtin e qytetërimeve, parim që shprehet në të drejtën që ka populli i Kinës edhe për të votuar, edhe për të ushtruar të drejtën për t'u informuar, marrë pjesë, shprehur mendimet e të mbikëqyrë qeverisjen dhe ecurinë e çështjeve sociale.

Këto dy ngjarje të mëdha politike ofrojnë mundësi për të vëzhguar se si deputetët dhe këshilltarët politikë debatojnë e diskutojnë çështje kyçe dhe si ata ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike në masën më të plotë të mundshme. Në kongreset popullore në pesë nivele ka rreth 2.62 milionë deputetë nga të cilët 94% janë në nivel qarku e bashkie, zgjedhur drejtpërdrejt mbi parimin një person - një votë. Deputetët në nivel kombëtar, krahinor dhe komunal zgjidhen nga kongreset popullore të nivelit tjetër më të ulët. Deputetët e AKP-së, në veçanti, janë të pajisur me autoritet nga populli kinez të shprehin lirisht pikëpamjet e tyre, por liria duhet të përdoret me përgjegjësi dhe “Dy seancat” janë një shembull klasik i kësaj.
Kryeministri kinez Li Keqiang në ditët e para të këtyre sesioneve mbajti raportin e punës së qeverisë dhe paraqiti objektivat e punës së qeverisë kineze për vitin aktual.
Në ditët e zhvillimit të këtyre sesioneve të rëndësishme për jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, ligjore, mjedisore, rurale të Kinës, ligjvënësit shqyrtuan (1) raportin për punën e qeverisë, (2) raportin për zbatimin e planit për vitin 2021 e projektplanin për zhvillimin ekonomik e social kombëtar për vitin 2022, (3) raportin për realizimin e buxhetit qendror dhe vendor për vitin 2021, (4) projektbuxhetin qendror dhe vendor për vitin 2022, (5) projekt-amendamentin e Ligjit Organik të Kongreseve Popullore Lokale dhe të Pushtetit Popullor Lokal, (6) projektvendimin e seancës së pestë të KKP-së së 13-të për numrin e deputetëve të KKP-së së 14-të dhe zgjedhjen e tyre, (7) draft metodën për përzgjedhjen e deputetëve të AKP në Rajonin Special Administrativ të Hong Kongut, (8) draft metodën për përzgjedhjen e deputetëve të AKP në Makao, (9) raportin e punës së Komitetit të Përhershëm të KKP-së, (10) raportin e punës së Gjykatës së Lartë Popullore, (11) raportin e punës së Prokurorisë së Lartë Popullore, etj.

Në pesë vitet e kaluara disa nga vendimet më të rëndësishme të ndërmarra në këto dy sesione kanë qenë: (1) modernizimi i sistemit të qeverisjes, (2) përmirësimi i kapacitetit të PKK për drejtim afatgjatë të vendit, (3) ligji për investimet e huaja, që ka të bëjë me krijimi një grupi të ri standardesh ligjore për të hapur mundësi të reja për investimet e huaja në Kinë, (4) miratimi i Kodit Civil, që vjen në formën dhe përmbajtje e një ligj kombëtar të unifikuar me synim mbrojtjen e të drejtave personale, (5) miratimi i Planit Afatmesëm dhe Afatgjatë të zhvillimit ekonomik dhe social të Kinës, etj.
Ndërmjet vitit 2019, që është viti i fundit para pandemisë dhe fundit të 2021, ekonomia e Kinës u rrit me rreth 10.5 për qind krahasuar me rreth 2.1 për qind për SHBA-në, ekonomia e Kinës u rrit rreth pesë herë më shpejt se ajo e SHBA. Me eliminimin e varfërisë absolute në vend (2020), duke nxjerrë nga varfëria më shumë se 850 milionë njerëz, Kina siguroi drejtësi në shpërndarjen e të ardhurave mbi bazën e “prosperitetit të përbashkët”, duke patur parasysh se është sfidë e madhe të zhvillosh ekonominë dhe të arrish barazinë në nivel kombëtar në një popull më shumë se 1.4 miliardë banorë.
Në vitin 2020, Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe në botë me rritje pozitive. Në vitin 2021 Kina ishte ekonomia me rritje më të shpejtë midis ekonomive të mëdha. Kina në 2021 pati një sukses të jashtëzakonshëm në rritjen e eksporteve dhe importeve me rreth 30%. Këto paralelisht me trajtimin e pasojave direkte dhe indirekte të pandemisë.

Për Kinën për vitin 2022 prioritetet janë (1) zhvillimi rural dhe stabilizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral, duke rritur prodhimin dhe me anë tëshfrytëzimit të planifikuar të tokës, duke nxitur kërkimin shkencor dhe aplikimin e teknologjive bujqësore për të përshpejtuar zhvillimin e bujqësisë, (2) zhvillimi i industrive dhe sistemeve tregtare, për të inkurajuar banorët ruralë dhe urbanë që të punësohen ose të fillojnë biznese, (3) nxitja e përpunimit të produkteve, marketingut bujqësor, turizmit rural, tregtisë elektronike, shërbimeve publike dixhitale, përmirësimit të infrastrukturës rurale dhe urbane, si rrugët, ujitjen, rrjetin energjetik, cilësinë e banesave, etj, (4) mbrojtja e mjedisit, reduktimi i emetimit të lëndëve dhe substancave të dëmshme për tokën, ujin dhe ajrin, për të mbajtur premtimin që Kina deri në vitin 2060 të jetë neutrale me emetimin e karbonit, duke investuar në energjinë e gjelbër, për të garantuar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji të diversifikuar subjektet publike dhe private që realizojnë produkte dhe shërbime, (5) shfrytëzimi real nga ana e popullsisë së re të Kinës i lehtësimit të ndërmarrë për të lejuar çiftet të kenë fëmijë të tretë, kur paralelisht popullsia në Evropë, Rusi, SHBA, Japoni, Britaninë e Madhe, etj, është drejt plakjes, (6) nxitja e tregtisë së brendshme dhe me jashtë, (7) përmirësimi i sistemit fiskal për të nxitur edhe më shumë inovacionin e krijueshmërinë, (8) modernizimi i arsimit, (9) shtimi i nivelit dhe përmirësimi i cilësisë të kujdesit ndaj të moshuarve dhe fëmijëve, (10) ndërtimi i një vendi socialist modern, (11) bashkëpunimi ndërkombëtar mbi bazat e besimit reciprok dhe konkurrencës paqësore për të mirën e njerëzimit, etj.
Në aspektin makroekonomik ekonomia kineze ka hyrë në një rrugë qëndrueshmërie afatgjatë, pasi raporti i deficitit ndaj PBB-së parashikohet 2.8%, krahasuar me 3.2% të vitit 2021, të ardhurat fiskale do rriten në atë masë sa të lejojnë rritje të shpenzimeve më shumë se 2 trilion juanë (316.5 miliardë dollarë) dhe shpenzimet totale të buxhetit të shtetit do rriten me 14.3%, ose 13.40 trilion juanë më shumë se 2021, duke rritur 7.1% shpenzimet e mbrojtjes. Norma e papunësisë synohet jo më shumë se 5,5%. Kina planifikon të shtojë mbi 11 milionë vende të reja pune urbane. Indeksi i çmimeve të konsumit parashikohet të jetë rreth 3%.

Garancia për realizimin e këtyre objektivave është bindja e popullit kinez ndaj udhëheqjes dhe besimi se rruga e ndjekur deri tani është rruga më e përshtatshme dhe më e drejtë për një popull që aspiron për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe prosperitetin e përbashkët. Kina po përgatitet për të zhvilluar në vjeshtën e këtij vitiKongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste Kineze, ku do të dalë lidershipi i ri i Partisë.
Nga: Dr. Enriko Ceko







