
Dy sesionet që po mbahen në Kinë, Asambleja Kombëtare Popullore (AKP) dhe Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez, janë jo vetëm në vëmendjen e opinionit të brendshëm, por edhe atij ndërkombëtar. Hapat e fuqishëm që ka hedhur Kina në zhvillimin e saj të gjithanshëm ekonomik, përparimi i vazhdueshëm i teknologjisë, eksplorimi hapësinor, kontributi i çmuar për të tejkaluar sfidën e pandemisë si dhe politika e jashtme, e cila përcakton raporte e zhvillime globale, kanë një ndjeshmëri dhe ndikim të lartë për gjithë botën.
Dy sesionet janë rruga e zhvillimit të politikës qeverisëse për vitin në vazhdim, politikë e cila dëshmohet të jetë e hapur për të thithur e implementuar propozime e sugjerime, që përcaktojnë më pas ritmin e ecjes përpara. Duke qënë edhe një shembull i demokracisë socialiste bazuar në ligjet që rregullojnë gjithë jetën e vendit, mundësohet në mënyrë të institucionalizuar integrimi i mendimeve dhe propozimeve efektive në projektin, i cili përbën bazën e zhvillimit të vendit. Përvoja e realizimit të demokracisë popullore në të gjithë procesin e drejtimit të vendit, vjen edhe përmes dy sesioneve, krahas formave të tjera të ushtrimit dhe kontrollit të pushtetit.
Fakti që vitin e kaluar besimi i popullit kinez arriti në 91, duke qënë vendi i parë në botë në këtë drejtim, i jep dy sesioneve një dimension edhe më të gjerë e më të çertifikuar të gjallërisë e demokracisë kineze. Koncepti i demokracisë popullore përshkon të gjitha aspektet e qeverisjes kombëtare, pjesë e së cilës janë edhe punimet e dy sesioneve dhe vendimet që merren këtu, por edhe zgjedhjet, konsultimet menaxhimi si dhe mbikqyrja në bazë, që përbën një referencë të rëndësishme në ushtrimin e gjerë të demokracisë.

Përballimi i situatave dhe realizimi i zgjidhjeve përcaktuese për të ardhmen, bëhet më i mundur duke vënë në themel konceptin e demokracisë popullore. Situata është e rënduar në të gjithë globin, por Kina ka ditur të tërheqë në këtë ballafaqim të vështirë mendimin e gjerë e të lirë të përfaqësuesve të 56 kombësive etnike .
Turbulencat ekonomike e politike në arenën ndërkombëtare janë shtuar, duke rrezikuar seriozisht paqen dhe zhvillimin. Pikërisht në këtë moment delikat, ajo çfarë diskutohet e vendoset në dy sesionet, përbën një orientim të rëndësishëm për të ardhmen. Kina nuk është imune ndaj zhvillimeve komplekse që kanë kapur globin dhe një orientim dhe përcaktim mbi forcimin e mbështetjes në forcat e brendshme dhe vlerësim të korrenteve gjeopolitike, e bën ecurinë e shtetit më të madh në botë, më të sigurt.
Sigurisht që dy sesionet vlerësojnë të ardhmen e Kinës dhe të kontributit të saj në arenën ndërkombëtare, mbështetur mbi tejkalimin e sukseshëm të sfidave të një viti më parë. Viti 2021 ishte një vit me sfida të mëdha e probleme mjaft të mprehta, por pavarësisht këtyre ekonomia kineze e tejkaloi me sukses këtë ballafaqim të vështirë. PPB-ja kapi një shifër rekord prej 114.4 trilionë dollarësh, me një rritje prej 3 trilionësh, shifër kjo surprizuese në zhvillimin ekonomik botëror.
Arritjet e realizuara të një viti më parë normalisht që përbëjnë një garanci dhe pedanë të suksesshme për ekonominë kineze gjatë këtij viti, gjë që u nënvizua edhe gjatë punës së dy sesioneve. Klima ekonomike globale të ballafaqon me vështirësi në rritje dhe duke marrë në konsideratë edhe rrisqet e shtuara, vendimi i qeverisë kineze për rritjen e 5.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është brenda këtij realiteti. Ndërlikimet e faktorëve të jashtëm rriten dhe ekonomia kineze përballet me presione që vijnë nga tkurrja e kërkesës dhe lëkundshmëria e vazhdueshme e ofertës.

Pavarësisht këtyre tendencave, ajo paraqitet me stabilitet, duke treguar bazamentin e fortë mbi të cilin punon dhe udhëhiqet. Vlera e përgjithëshme e importeve dhe eksporteve të Kinës gjatë dy muajve të parë të vitit 2022, u rrit me 13.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 973.45 miliardë dollarë është vlera e përgjithëshme e tregtisë së jashtme të Kinës në këtë periudhë.
Diskutimet në dy sesionet janë të hapura dhe sjellin një analizë të të gjithë faktorëve, duke bërë që programi qeverisës për vitin 2022 të jetë jo vetëm realist, por edhe i implementueshëm në të gjithë hallkat e tij, duke i dhënë një siguri zhvillimeve të ekonomisë dhe mirëqenies së njerëzve. Objektivat e përcaktuar për krijimin e 11 milionë vendeve të reja të punës, mbajtjes së përqindjes së papunësisë në zonat urbane nën 5.5% dhe rritjes së çmimeve të konsumit në rreth 3 % japin mesazhin optimist se treguesit e mirëqënies, si një vëmendje e posaçme e Qeverisë kineze, do të jenë të stabilizuar me trend rritës.
Rritja me dy trilionë juanë e shpenzimeve ka si qëllim pikërisht këtë orientim bazik të qeverisë. Mirëqënia e njerëzve realizohet së pari duke mbështetur dhe ofruar përherë vende të reja punë dhe Kina e konsideron punësimin një prioritet kryesor, duke u fokusuar tek politikat që e avancojnë këtë proces. Sesioni u ndal në mënyrë të veçantë në këtë çështje, ku anëtarët e Komitetit këshilluan të kushtohet vëmendje kategorive të tilla si të diplomuarve, punëtorëve emigrantë dhe njerëzve në nevojë. Ndjeshmeria sociale është një pikëvështrim shumë sensitiv dhe që tregon dismensionin human të politikës së qeverisë kineze. Vitin e kaluar u hapën 12.69 milionë vende të reja pune dhe u aktivizuan uljet shtesë të taksave e tarifave në vlerën e afro 1.6 miliardë dollarëve.

Qëndrueshmëria e ekonomisë kineze ofron një stabilitet dhe për të gjithë ekonominë globale. Në vijim të Nismës “Një brez, një rrugë” dhe të Marrëveshjes që po dëshmohet gjithnjë e më efektive RCEP , bashkëpunimi ekonomiko-tregtar po vjen në rritje.
Duke qënë një treg i hapur, Kina po tërheq gjithnjë investime të rëndësishme, por po u jep edhe ndërmarrjeve globale më shumë raste zhvillimi.
Nisma e zhvillimit global, e propozuar nga presidenti kinez Xi Jinping ka sot mbështetjen e OKB-së dhe të afro 100 vendeve, si një drejtim progresiv për të ndërtuar bashkërisht një komunitet të zhvillimit global. Në konferencën e tij të shtypit gjatë punimeve të Asamblesë, këshilltari i shtetit dhe ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi vuri në dukje se Kina dëshiron që sëbashku më të gjitha palët, të fokusohet në zgjidhjen e çështjeve të tanishme urgjente të vendeve në zhvillim, veçanërisht në bashkëpunimin praktik në fusha të tilla si zhdukja e varfërisë, siguria ushqimore, rimëkëmbja ekonomike, përgatitja profesionale, arsimi, shëndetësia, zhvillimi i gjelbër për të nxitur realizimin e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.
Dy sesionet afirmuan edhe një herë vizionin dhe platformën paqësore të politikës së jashtme kineze dhe gatishmërinë e saj për të qënë faktor paqeje e stabiliteti. Ruajtja dhe respektimi sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo vendi është artikuluar së fundi në të gjitha deklaratat dhe komunikimet e Presidentit kinez Xi Jinping, në raportin që mbajti kryeministri kinez Li Keqiang , si dhe në takimet e bisedat intensive të zhvilluara kohët e fundit të kryediplomatit Wang Yi. Gjatë gjithë këtyre ditëve, lidhur me krizën në Ukrainë, udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kinës kanë theksuar se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me anë të dialogut, negociatave dhe mjeteve paqësore.

“Kina është e gatshme të vijojë të luajë një rol konstruktiv për të lehtësuar dialogun dhe paqen dhe të punojë me bashkësinë ndërkombëtare, kur është e nevojshme për të kryer ndërmjetësimin e duhur” është shprehur së fundi ministri i jashtëm kinez.
Lidhur me marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së, pala kineze ka potencuar qëndrimin e saj se “Në një botë të globalizuar dhe të ndërvarur, mënyra se si Kina dhe SHBA-ja mund të gjejnë rrugën e duhur për të ecur përpara dhe për të pasur marrëdhënie të mira është një pyetje e re për njerëzimin dhe një formulim që duhet të përpilohet nga Kina dhe SHBA –ja sëbashku”
Të harmonizuara për të ecur drejt një zhvillimi intensiv, paqësor e të qëndrueshëm, drejtimet kryesore të vitit 2022 për Kinën, janë një mundësi stabiliteti e partneriteti global me efekte pozitive.
Gëzim Podgorica







