
Në Pekin po mbahen ato që njihen si Dy Sesionet, ose më saktë sesionet vjetore të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës dhe Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK). Kjo është një nga ngjarjet më të mëdha në kalendarin vjetor politik të Kinës, pasi me qindra delegatë nga të gjithë sektorët e shoqërisë janë të ftuar të ofrojnë propozime dhe sugjerime që mund të përfshihen në politikat e qeverisë qendrore.
Dokumenti më i rëndësishëm deri tani ka qenë raporti i kryeministrit Li Keqiang mbi punën e qeverisë, perspektivat ekonomike dhe direktivat mbi zhvillimin e mëtejshëm. Ky raport vjen në një moment të vështirë në arenën ndërkombëtare, dhe me turbullira të shumta të cilat padyshim prekin edhe Kinën si një vend ekonomia e së cilës është e lidhur me atë globale. Për këtë arsye raporti i sivjetshëm ka nënvizuar mbështetjen në forcat e brendshme mes paralajmërimeve të erërave të kundërta tregtare dhe kompleksiteteve gjeopolitike. Kryeministri Li njoftoi stimuj të rinj në shtytjen e vendit për inovacion dhe "përparime më të shpejta" në teknologjitë bazë dhe theksoi nevojën për zinxhirë të sigurt industrial dhe furnizimi. Li tha se qeveria do të rrisë zbritjen e taksave për firmat e vogla dhe të mesme të shkencës dhe teknologjisë, dhe do të japë lehtësime tatimore për kërkimin bazë për të inkurajuar inovacionin. Pekini gjithashtu planifikon të zhvillojë grupe të industrive strategjike si aviacioni dhe pajisjet detare dhe u zotua për më shumë mbështetje për të forcuar aftësitë e inovacionit.

Stimujt vijnë pasi Kina synon një objektiv rritjeje ekonomike prej rreth 5.5 për qind për vitin 2022. Në një kohë kur ekonomia botërore po përballet ende me presion në rritje për shkak të pandemisë dhe pasigurive të tjera, përfshirë tensionet gjeopolitike, një objektiv rritje prej rreth 5.5 për qind për ekonominë e dytë më të madhe në botë pritet të nxisë ndjeshëm rimëkëmbjen ekonomike globale. Kina synon të mbajë një normë të anketuar papunësie urbane prej jo më shumë se 5.5 për qind dhe vendos objektivin e inflacionit të gjithë vitit në rreth 3 për qind. Duhet gjithashtu kujtuar se ekonomia kineze pa një rikthim të fortë me rritje prej 8.1 për qind në 2021 dhe u bë e vetmja ekonomi e madhe që shënoi rritje në 2020. Këtë vit, Kina synon të krijojë mbi 11 milionë vende të reja pune urbane, më shumë se tre herë gjithë popullsia e Shqipërisë, dhe të ulë raportin e deficitit të saj ndaj PBB-së në rreth 2.8 për qind. Për krahasim, në fund të janarit, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi që ekonomia globale të rritet me 4.4 për qind në vitin 2022, me 0.5 pikë përqindjeje më poshtë nga parashikimi i tetorit, pasi shumë ekonomi po përballen me ndërprerje të furnizimit, inflacion më të lartë, borxh rekord dhe pasiguri të vazhdueshme. Grupi i Bankës Botërore uli parashikimin e tij të rritjes globale në 4.1 për qind për këtë vit në mes të janarit, mes shpërthimeve të vazhdueshme të COVID-19, rritjes së inflacionit dhe pengesave të vazhdueshme të ofertës.

Në diskutimet e sivjetshme të Dy Sesioneve është vënë theksi te mbështetja më e madhe në forcat e tregut të brendshëm e cila bëhet një çështje sigurie kombëtare për të parandaluar që krizat e jashtme të vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tregut të brendshëm dhe të ekonomisë kombëtare në përgjithësi. Gjithashtu të shtunën, qeveria tha se do të inkurajonte kompanitë kryesore për të mbrojtur stabilitetin dhe sigurinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit, dhe u kërkoi prodhuesve të çipave të zgjerojnë kapacitetin. Kina do të rrisë gjithashtu rezervat kombëtare për mallrat kryesore për të shmangur rreziqet dhe për të rritur prodhimin e sojës dhe kulturave të farave vajore për të siguruar prodhim të qëndrueshëm dhe furnizim të mjaftueshëm të produkteve bujqësore. Të gjitha këto politika si duket kanë për qëllim të rrisin sigurinë e tregut të brendshëm dhe të ekonomisë në një kohë kur çmimet e grurit, naftës dhe gazit natyror kanë vazhduar të rriten në tregjet ndërkombëtare, çështje këto që bëhen edhe më akute për shkak se u përforcua ngërçi në marrëveshjen e investimeve midis Kinës dhe Bashkimit Evropian dhe kriza në Ukrainë që po shpaloset. Deri tani ka një rritje modeste të çmimeve, brenda normave të inflacionit, dhe çmimet e produkteve energjetikë nuk kanë pësuar rritje.

Megjithatë theksi mbi mbështetjen në forcat e veta ekonomike nuk nënkupton mbylljen e tregut dhe të ekonomisë kineze. Përkundrazi, në Konferencë u tha gjithashtu se Kina do të stabilizonte rritjen e tregtisë së jashtme dhe do të vazhdojë të tërheqë investime të huaja në industrinë e përparuar dhe sektorët e teknologjisë së lartë. Për më tepër, ekonomia dixhitale, biomjekësia, instrumentet e nivelit të lartë, transformimi i energjisë me karbon të ulët u përmenden gjithashtu si prioritete zhvillimi në raportin e kryeministrit Li. Gjithashtu do të vazhdohet me politikën e zero-Covid, por kjo politikë mund të rregullohet më mirë në varësi të zhvillimit të pandemisë në rang global.
Nuk është hera e parë gjatë këtyre dy viteve të fundit që Kina dërgon sinjale të qarta të vullnetit të saj për të vazhduar duke patur investime të jashtme, sikurse për të mbajtur një treg të hapur pune për profesionistët e huaj. Në fakt vetë udhëheqësit kinezë si kryeministri Li Keqiang, por edhe vetë Presidenti i Kinës Xi Jinping kanë pritur në të kaluarën e afërt në takim profesionistë dhe investitorë të huaj që kanë zgjedhur Kinën për të ndërtuar karrierën apo biznesin e tyre, duke u shprehur mbështetjen e Kinës për punën dhe investimet e tyre.

Ndryshimet klimatike dhe neutraliteti i karbonit ishin po ashtu në rendin e ditës në takimet vjetore të Dy Sesioneve të Kinës, me krerët e qeverisë dhe delegatët nga sektori privat që diskutuan mënyrat për të mbështetur qëllimet e vendit për karbon zero. Në vitin 2022, Kina do të "marrë hapa të rregullt" për të arritur kulmin e emetimeve të karbonit dhe neutralitetin e karbonit, dhe "të punojë më shumë" për ta bërë përdorimin e qymyrit më të pastër dhe më efikas, duke reduktuar përdorimin e qymyrit në të njëjtën kohë, tha kryeministri Li. Shtysa drejt një ekonomie të gjelbër po vjen nga të gjitha sektorët e shoqërisë dhe nga aktorë të rëndësishëm të ekonomisë. Kështu disa delegatë që nga prodhuesit e baterive të automjeteve elektrike në Kinë tek prodhuesit të makinave dhe ato të celularëve parashtruan sugjerime konkrete për arritjen e neutralitetit të karbonit në transport, apo për të udhëhequr zhvillimin me karbon të ulët në industri. Forma të ndryshme dhe më efektive u sugjeruan gjithashtu për riciklimin e mbetjeve.

Për ta përmbyllur, edhe pse ky paraqitet si një vit me shumë sfida përpara, dhe me pengesa të vështira në tregjet e jashtme, Kina po merr masa për ta kthyer në një vit suksesi. Ky do jetë një gur në rrugëtimin e gjatë të ndërtimit të një ekonomie të qëndrueshme me fokus jo më nga prodhimi sasior, por nga krijim i një ekonomie cilësore me impakt direkt në rritjen e mëtejshme po ashtu cilësore të standardeve të jetesës së njerëzve.
Ylber Marku







