Në ditët kur diplomacia po lëvizte për të qënë efektive në zgjidhjen e konfliktit që tani mori përmasa të paparashikuara midis Rusisë dhe Ukrainës, pyetja që shtrohej ishte se përse Gjermania ishte aq e tërhequr në lëvizjet e saj diplomatike dhe artikulimet e qarta rreth kësaj çështjeje që ka marrë vëmendjen e gjithë botës. Roli i saj në arenën ndërkombëtare ka qenë shpesh herë përcaktues, veçanërisht në Europë, por në konfliktin e tanishëm vihej re qartazi një dyzim i saj. Refuzimi i shprehur për të mos dërguar armë në Ukrainë i irritoi aleatët, por edhe vonesa për t’u futur aktivisht në rrjedhat diplomatike, krijoi jo pak shqetësim në mes tyre. Kancelari Scholtz ishte misionari i fundit diplomatik që shkoi në Moskë dhe që nuk artikuloi ndonjë tezë të fortë nga takimi me Putin.

Duke vështruar thellë në histori, shikon se superfuqia evropiane ka patur disa arsye komplekse që ka qënë në këtë pozicion. Ajo që ka ndodhur në mes dy vendeve gjatë e në fund të Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të ketë reminishencat e veta në politikën e jashtme gjermane, pavarësisht marëdhënieve të relaksuara midis Putinit dhe Merkelit. Një statukuo gjermane në lidhje me levizjen e trupave ka qënë e tillë jo vetëm me Rusinë. Trupat gjermane vetëm në raste të veçanta marrin pjesë në aktivitete ushtarake, përveç misioneve paqeruajtëse. Ata kanë qënë kontraversale si në ngjarjet e Ballkanit në vitet 90-të, ashtu edhe në Afganistan.

Politika gjermane deri pak ditë më parë ka këmbëngulur në tezën se eksporti i armëve nxit dhe i jep mbështetje konflikteve dhe e largon mundësinë e zgjidhjes diplomatike të mosmarrëveshjeve. Veprimi i fundit gjerman është parë jo vetëm si një kthesë epokale në politikën gjermane, por edhe si një veprim krejt i ndryshëm nga kursi që ka ndjekur deri tani Gjermania.

VCG

VCG

Presioni i aleatëve ndërkombëtarë, por edhe përmasat që mori konflikti, detyruan kancelarin Olaf Scholtz të ndryshojë radikalisht qëndrim. Ai lëvizi me shumë vështirësi drejt këtij pozicioni që ka marrë, pasi edhe paraardhësja e tij politike gjithnjë ishte investuar drejt rrugës paqësore. Merkel sëbashku me presidentin francez Macron ishin sponsorët kryesorë të marrëveshjes së armëpushimit midis Ukrainës dhe Rusisë në bisedimet “Normandy format”.

Rreth 8 muaj më parë, në qershor të vitit 2021, Angela Merkel kritikonte gjendjen sipas saj të mjerueshme të marëdhënieve të BE –së me Moskën. “Mardhëniet midis Rusisë dhe BE-së me të vërtetë për momentin nuk janë mirë. Por ne po ashtu biseduam me njeri-tjetrin gjatë Luftës së Ftohtë, nënvizoi kancelarja në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin francez, Jean Castex. Merkel shprehu bindjen se të mos flasësh nuk është e përshtatëshme për zgjidhjen e problemeve. Plani i kancelares për një takim BE-Rusi nuk është mbështetur nga vendet e Europës Lindore, të cilat gjithnjë ishin radikalë e kërkonin një qasje shumë të ashpër ndaj Presidentit Putin.

Mbi këtë trashëgimi politike, e cila ishte pjesë referente në politikën e jashtme gjermane, e ndërtoi në fillim qëndrimin e tij pasuesi i zonjës Merkel. Ashtu si ndaj saj edhe ndaj tij, akuzat erdhën duke u rritur, duke i përmendur kancelarit se Gjermania po sheh ngushtësisht çështjet e saj dhe interesat e ngushta ekonomike. Gazësjellësi Nordstream 2 ishte kryefjala ku fokusoheshin akuzat e aleatëvë ndaj qëndrimit gjerman. Megjithëse ministrja e jashtme gjermane, Analena Baerbock kishte bërë të qartë se do të hiqej dorë edhe nga ky projekt kur ishte fjala për të mbrojtur kauzën ukrainase, përsëri skepticizmi ishte mjaft i lartë.

Kjo ndodhi edhe pas kthimit të Scholtz-it nga Moska dhe kanalin e kontakteve, ndonëse pa rezultat e mbajti presidenti francez. Presioni i jashtëm, por edhe ai i brendshëm u rrit për të pezulluar projektin si pjesë e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kancelari gjerman përpiqej të ishte i kujdesshëm lidhur me sanksionet, pavarësisht se ato po bëheshin gjithnjë e më reale e konkrete, pas përgatitjes intensive ruse për ndërhyrjen në Ukrainë. Më së fundi, kur gjërat ishin të qarta, Scholtz do të shprehej se nëse Rusia pushton Ukrainën, të gjitha opsionet janë në tavolinë, përfshi edhe gazësjellësin. Gjermania investohej përmes gjitha rrugëve diplomatike për një zgjidhje paqësore, ndonëse thirrjet për t’u shkëputur nga koha e Merkel rriteshin çdo ditë e më shumë.

Ishte presioni ndërkombëtar i aleatëve, presioni i brendshëm për t’u shkëputur nga një qasje jo e pëlqyeshme në lidhje më marëdhëniet ruso-gjermane, apo realiteti i ri i luftës që bënë një ndryshim kursi të menjëhershëm, apo të tre këta faktorë bashkë, kjo nuk ka për t’u artikuluar qartë nga kancelari gjerman. Ajo që dihet tashmë është fakti se Gjermania ka bërë një kthesë të madhe lidhur me raportet si me Rusinë, ashtu edhe me qëndrimin ndaj situatës në Ukrainë. Nga 5000 helmetat që akordoi si ndihmë disa javë më parë, të cilat u vlerësuan nga të gjithë me një buzëqeshje ironike, ajo ka deklaruar ndërprerjen e punimeve e të certifikimit të gazsjellësit Nordstream, pavarësisht kostos shumë të lartë në furnizim, por edhe financiare që do ketë kjo ndërprerje. Njëkohësisht Gjermania deklaroi se do të dërgojë 1000 predha kundër tankeve dhe 500 raketa Stinger. Po kështu ajo ka lejuar përmes Holandës të furnizojë Ukrainën më 400 bazuka(armë antitanke). Gjithashtu presioni për të nxjerrë Rusinë jashtë sistemit SWIFT, ka bërë që tani Gjermania të jetë nën një ndryshim të fortë të kursit.

Në fjalimin e tij gjatë seancës së posaçme të Bundestagut për Ukrainën, kancelari Sholtz përcaktoi pesë mandate veprimi, të cilat siç tha ai rezultojnë në mënyrë të pashmangshme për shkak “të pikës së kthesës në historinë e kontinentit tone” .

Gjermania është deklaruar edhe për marrjen e një sërë masash që lidhen me modernizimin e ushtrisë dhe sëbashku me ministrin e Financave Christian Lindner do të ofrojë një fond special prej 100 miliardë urosh. Buxheti federal ka parashikuar 50 miliardë euro në vit për mbrojtjen dhe kjo rritje është një moment i një ndryshimi këndvështrimi për të investuar në këtë drejtim.

E diela e 27 shkurtit, dita jo e zakonëshme për mbledhje të tilla të Bundestagut, shënon rëndësinë që tani Gjermania po i kushton kësaj situate. Kthesa gjermane do të ketë rolin e vet në situatën e krijuar, por ajo që ka munguar është fakti se janë lënë jashtë kontekstit të aleternativave zgjidhjet në tryezën e bisdimeve. Mundësitë nuk shteren asnjëherë, aq më shumë kur aktorë të fuqishëm plotikë globalë si Kina , Turqia apo Izraeli janë ofruar për të marrë një rol ndërmjetësues mes palëve e për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për daljen nga ky konflikt me pasoja të paparashkuara e shumë afatgjata në koston e tyre. Duke nxitur bisedimet paqësore dhe duke ofruar një projekt për zgjidhjen politike, Kina ka treguar përgjegjësinë e saj si një fuqi e madhe. Fuqitë e mëdha globale, duke rezonuar të gjithë në një pike e afrojnë shpejt zgjidhjen dhe shmangin gjakderdhjen.

Gëzim Podgorica