Presidenti kinez Xi Jinping ishte i qartë në fjalën e tij të Forumit Ekonomik virtual të Davosit. Ai u shpreh se vendi i tij do të bëjë ç'është e mundur për të shmangur periudhën dhe mentalitetin e Luftës së Ftohtë. Ndërkohë që për Kinën bashkëpunimi është e vetmja rrugë e kapërcimit të sfidave globale. Pandemia e Covid-19 ndodhi njëherësh me ndryshimet drastike në politikën e jashtme të Republikës Popullore të Kinës. Ndaj dhe narrativa strategjike, të cilën po e ndërmjetëson Pekini në çështjet e politikës së jashtme ndërkombëtare, lidhet me fatin e bashkësisë njerëzore dhe jo aq me fatin e shteteve dhe epërsisë ose jo epërsisë së tyre në raport me njëra-tjetrën.
Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, sot politika e jashtme e Republikës Popullore të Kinës dhe qeverisë e presidentit të saj bazohet në principin e ankorimit, pra pjesëmarrës dhe jo të përjashtimit, si dhe në principin e bashkëbisedimit dhe jo të bojkotit. Por bota ndodhet në një lloj ndryshimi gjeopolitik të shpejtë dhe radikal. Ngritja e Kinës në një fuqi botërore me ndikim të madh në rajone të ndryshme të globit ka diktuar krijimin e spektrit multipolar dhe për rrjedhojë dikton edhe vendimmarrje multipolare. Megjithatë nuk është lehtë që ky realitet të pranohet, sepse bota e 80 viteve të fundit ka funksionuar nën ndikimin e një ose dy superfuqive.

Shumë studiues, politikanë dhe politologë e trajtojnë ndryshimin e ardhur tashmë si prishje të ekuilibrit botëror. Prej tre shekujsh bota ishte mësuar fillimisht me teatrin e Fuqive të Mëdha Europiane e më pas me ekzistencën e dy superfuqive. Tani fuqia politike, ekonomike, ushtarake dhe teknologjike e Kinës ka krijuar një situatë të re. Por jo vetëm kjo. Fuqi të tjera rajonale po shfaqen si aktorë të pavarur dhe lojtarë të padiskutueshëm në politikat e jashtme. Këto fuqi rajonale nisin nga Amerika Latine, te Turqia, India dhe aktorë të tjerë në Lindjen e Mesme. Madje edhe Arabia Saudite dhe Emiratët e Bashkuara Arabe janë në konkurrencë midis tyre për ndikim në Gjirin Persik.
Ndërkaq Kina qëndron si një çadër e madhe dhe bën hije në shumë nga rajonet e globit. Afrika, Azia, Lindja e Mesme dhe vendet arabe, si dhe vendet e boshtit të Rrugës së Mëndafshit janë tashmë pjesë e objektivit të saj për ndikim dhe bashkëpunim. Kjo është një hapësirë e madhe, e cila shihet si mbivendosje me zona të ndikimit gjeopolitik të fuqive të mëparshme tradicionale. Prandaj dhe rezistenca është e dukshme, por do të thoja edhe e natyrshme.

Logjika e politikës së jashtme të Kinës nën drejtimin e presidentit Xi ka ndryshuar rrënjësisht. Pekini përpiqet që të përshtatet në normat dhe rregullin aktual ndërkombëtar e njëkohësisht dëshiron që bota e sotme të vijë në harmoni me rregullin e përfytyruar të vetë Kinës. Kjo prirje është e pranishme në të gjitha Fuqitë e Mëdha e jo vetëm te Kina. Sigurisht që në këtë objektiv ka një qëllim të caktuar: Përshtatjen e kompatilitetit ndërmjet rregullit botëror në ndryshim dhe modelit kinez. Kjo ka bërë që Kina në politikën e jashtme të jetë më shumë se kurrë një aktor aktiv, duke treguar gjithashtu përgjegjshmërinë e saj.
Të përpiqesh të zësh vendin e merituar në politikat globale nuk është thjesht privilegj që buron nga fuqia politike, ekonomike, ushtarake dhe demografike. Është gjithashtu një përgjegjësi e jashtëzakonshme, sepse bota gjykon gjithnjë produktin, suksesin ose jo suksesin në këtë fushë. Ndaj dhe Pekini në propozimet dhe projeksionet e tij për rregullin e ri ndërkombëtar të një bote shumëpolare nuk nxiton të kërkojë ndryshime rrënjësore në ligjet ndërkombëtare. Përkundrazi, duket se i përmbahet metodave evulocioniste, ndryshimit të natyrshëm dhe jo të menjëhershëm. Ndaj në këtë ndryshim Kina nuk llogarit me përqendrimin e vendimmarrjes në një ose dy Fuqi të Mëdha, por në një spektër më të gjerë, çfarë e bën më gjithëpërfshirëse politikën e vendimmarrjes ndërkombëtare. A synon kjo politikë edhe reformimin dhe strukturimin e Këshillit të Sigurimit dhe të OKB-së? Kjo mbetet për t'u parë. Por aktualisht në Pekin nuk mendojnë për një gjë të tillë.

Sipas pikëpamjes time, duhet që edhe Këshilli i Sigurimit dhe OKB të përshtaten në rrethanat e reja të zhvillimeve në botë. Ndoshta duhet ndryshuar mënyra e vendimmarrjes dhe duhet shtuar numri i anëtarëve të Përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Ndërkohë besoj se vendimmarrja me dy të tretat e anëtarëve të Përhershëm të Këshillit të Sigurimit, pas zgjerimit të tij me anëtarë të rinj, do të ishte një qasje e re dhe më produktive për rendin dhe rregullin botëror të paqes e të sigurisë. Sepse vetoja shpesh herë përdoret për interesat e ngushta, qoftë dhe vetëm të një prej këtyre anëtarëve.
Sido që të jetë, Republika Popullore e Kinës deri më sot nuk ka parashtruar nevojën e zëvendësimit të rendit të sotëm botëror, edhe pse bota tashmë për herë të parë në historinë e saj është një botë multipolare dhe jo më e dominuar vetëm nga Europa ose dy superfuqi. Siç edhe tregon kjo analizë, logjika e ndryshimit të rregullit dhe rendit botëror ka nevojë të bazohet në ndryshimet e nevojshme, të cilat përbëjnë atë që mund ta quajmë narrativë kineze. Strukturat deri diku liberale të sotme duket se nuk mjaftojnë për një stabilitet dhe siguri të mjaftueshme në botë. Ndërkaq ato nuk funksionojnë më si zakonisht në funksion të këtyre qëllimeve. Prandaj dhe Këshilli i Sigurimit dhe OKB, si dhe aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë duhet të jenë të hapur për të marrë parasysh idetë, propozimet dhe vizionin kinez në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Enver Bytyçi