Republika Popullore e Kinës do të organizojë së shpejti Lojërat Dimërore Olimpike dhe kjo ka rrit kureshtjen e botës për rolin kinez në këtë ngjarje nga më të mëdhatë sportive të globit. Në fakt Kina ka një rol aktiv gati gjysmë-shekullor në historinë e Lojërave Olimpike. Ndërkohë që ajo e kishte themeluar Komitetin e saj Olimpik para 112 vjetësh, që në vitin 1910. Ky komitet u njoh në vitin 1922, ndërsa sportistët kinezë u përfaqësuan në Lojërat Olimpike vetëm pas 30 vitesh, në vitin 1952, pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës.

Prej vitit 1956 e deri në vitin 1980 ajo nuk mori pjesë në këto lojëra, ndërkohë që pas kësaj periudhe Kina u bë vendi më interesant dhe aktiv në to. Arsyeja e mospjesëmarrjes ishte thjesht politike. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e kishte ftuar Republikën Popullore të Kinës në Lojërat Olimpike për shkak të Tajvanit. Ky komitet njihte ishullin në fjalë si përfaqësues të Kinës në këto lojëra dhe për këtë arsye e kishte lënë Pekinin në "harresë"! Vetëm në vitin 1979, pas 28 vitesh ndërprerje, u vendos që Kina të përfaqësohej në Lojërat Olimpike Ndërkombëtare.

Kurse përfaqësuesit kinezë të sporteve të ndryshme morën pjesë në të gjitha lojërat olimpike prej kësaj kohe e deri më sot. Lojërat Olimpike i kanë dhënë mundësinë Kinës që të njihet në botë si një nga vendet më të suksesshme. E nisi me medaljen e parë në Los Angjelos në vitin 1982 dhe vijoi të marrë medalje pa fund gjatë rrjedhës së historisë 42 vjeçare të pjesëmarrjes së saj në këto lojëra. E nisi me një sportist pjesëmarrës në vitin 1952 dhe arriti që numri i tyre të shkojë në 599 në Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008.

Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008 shënuan rekordin botëror të pjesëmarrjes dhe medaljeve kineze. Numri i sportistëve kinezë në ato lojëra ishte gati sa 6 përqind e numrit të përgjithshëm, ndërsa numri i medaljeve e kapi shifrën 100, si asnjëherë më parë e si asnjë vend tjetër në botë. Nga këto gati gjysma, 48, ishin medalje ari, 22 argjendi dhe 30 bronzi. Ndaj dhe prej vitit 2010 Kina është anëtare e Komisionit për Programet Olimpike.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të zhvillojë këtë dimër në Pekin Lojërat Olimpike Botërore. Kryeqyteti kinez bëhet i pari qytet në histori, i cili të ketë organizuar të dy llojet e Lojërave Olimpike, ato verore dhe dimërore. Por historikja nuk qëndron vetëm te ky aspekt. Republika Popullore e Kinës bën histori në medaljet që ajo merr vazhdimisht në çdo Olimpiadë, veçmas këto dy dekadat e fundit.

Megjithatë shumë vende kanë reaguar negativisht nga pikëpamja diplomatike rreth këtyre lojërave. Disa prej tyre nuk duan të përfaqësohen me autoritete shtetërore e politike. Disa të tjerë shprehen për bojkot diplomatik. Por asnjë vend nuk ka deklaruar bojkotin e këtyre lojërave dimërore. Madje ankesat dhe kërkesat për bojkot motivohen me arsyetime të ndryshme deri te Korona ose varianti Omikron. Debati rreth Lojërave Olimpike Dimërore duket qartë se sillet rreth një logjike politike. Këtë e pohon gjithashtu shefi i IOC-së, Thomas Bach, i cili thotë se bojkoti diplomatik i disa vendeve është thjesht një diskutim politik. E ndërkohë ai përkujton se kryesia e Komitetit Olimpik qëndron jashtë politikës.

Ndërkaq shumë vende nuk e përkrahin bojkotin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Edhe shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, flet për një qëndrim të përbashkët europian. Sado që Baerbock është e rrjeshtuar personalisht në anën e një qëndrimi diplomatik reagues ndaj Kinës, ajo nuk dëshiron që Gjermania të ndërmarrë hapa të ndryshëm nga veprimet politike të vendeve të tjera të kontinentit. Kjo do të thotë se Europa nuk ka ndërmend t'i bashkëngjitet disa lëvizjeve për bojkot diplomatik.

Megjithatë në qarqet e ndryshme politike e më gjerë diskutohen edhe problematika të tjera, të cilat nuk lidhen thjesht me Kinën. Ka nga ata që kujdesen për mjedisin dhe ndërkohë e shohin këtë si arsye të kontestimit të këtyre lojërave. Ka të tjerë që vlerësojnë kushtet e krijuara nga Pandemia e Covid-19, si problematikë për zhvillimin normal të tyre. Gjithsesi, nga vëzhgimet e ndërkombëtarëve thuhet se sportistët janë të gatshëm për një pjesëmarrje të plotë në këto lojëra dhe Komiteti Olimpik Botëror është në kulmin e punës së vet për organizimin e tyre në bashkëveprim me autoritetet e qeverisë kineze.

Lojërat olimpike janë moment historik për çdo vend në botë. Kina pati mundësi që brenga një dekade e gjysmë ta përsërisë historinë e këtyre lojërave dy herë. Edhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme për imazhin e saj. Suksesi i tyre do ta bëjë edhe më të dukshëm faktin se Pekini shihet jo vetëm si kryeqyteti i një fuqie kolosale, por edhe si qyteti i mundësive të mëdha që integron dhe lidh popujt e botës përmes sportit, atletikës, notit dhe kulturës së përgjithshme sportive.

Në vitin 2008 morën pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit mbi 11 mijë sportistë nga 204 vende të botës. Në lojërat e sivjetme pritet gjithashtu, pavarësisht pandemisë, që pjesëmarrja të jetë shumë e madhe. Me këtë rast bota do t'i ketë përsëri sytë nga garat e mrekullueshme dhe tek më të mirët e llojeve të ndryshme të sportit botëror, pikërisht në Pekin!

Enver Bytyçi