
Në politikëbërje duhet të ketë momente reflektimi, momente që bëjnë të mundur një “inventar politik”, ideologjik, historik dhe pragmatik të një vendi. Momentet e reflektimit ofrojnë kthjelltësi, jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen. Një event i tillë është Sesioni i Gjashtë Plenar i Komitetit Qendror të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK). Prej datës 8 deri në 11 nëntor, u mbajt në Pekin ky takim i profilit të lartë, i cili ka miratuar një rezolutë historike mbi arritjet kryesore dhe përvojën 100-vjeçare të përpjekjeve të shtetit kinez.
Aftësia qeverisëse, ideologjia, përmirësimi i praktikave të punës, ekonomia; një axhendë gjithëpërfshirëse kishte në thelb të saj dy pyetje: përse ishim të suksesshëm në të kaluarën dhe si mund të vazhdojmë të kemi sukses në të ardhmen? - Ky takim ishte një demonstrim i një shkalle të lartë të ndërgjegjësimit politik dhe ideologjik për PKK-në, duke përmbledhur arritjet dhe përvojat kryesore, besimin dhe angazhimin e lidershipit për të udhëhequr vendin në një epokë të re.

Gjithë bota, rrjedhimisht edhe Kina, po gjendet në një udhëkryq historik, me sfida të paprecedenta. Në këtë sesion u analizua vlerësimi dhe kuptimi i përvojës historike, kuptimi i së tashmes dhe përmirësimi i së ardhmes. Sfidat për të ardhmen janë të brendshme dhe të jashtme, por theksi u vendos mbi rritjen, ekonomike, stabilitetin politik, paqen dhe prosperitetin. Gjithashtu kjo është ngjarja e parë e madhe politike e PKK pas 100-vjetorit të themelimit të saj dhe rezoluta në këtë jubile do të ketë një efekt të thellë në Kinë dhe madje edhe në botë.

Dy herë më parë në historinë e Kinës moderne ka patur rezoluta të ngjashme: Rezoluta e parë është lëshuar në prill 1945, katër vjet para themelimit të Republikës Popullore të Kinës (RPK) në 1949. Ajo u lëshua nga PKK nën udhëheqjen e Komitetit Qendror me Mao Zedong në krye të saj. Kjo rezolutë e viti 1945 u përpoq të përmblidhte përvojat e revolucionit dhe mësimet që duheshin nxjerrë për unifikimin e kombit. Dokumenti i dytë i tillë kryesor është rezoluta e cila u lëshua në vitin 1981, rreth tre vjet pas fillimit të reformës dhe hapjes nga Deng Xiaoping.
Sipas komunikatës së Plenumit të Gjashtë, historia e PKK gjatë shekullit të kaluar është e ndarë në katër periudha. Periudha e parë është ajo që ata e quajnë "revolucioni i ri-demokratik", ku Partia mori pushtetin duke kundërshtuar imperializmin, feudalizmin, burokrato-kapitalizmin, duke kërkuar pavarësinë kombëtare dhe çlirimin e popullit. Periudha e dytë është ajo që quhet "revolucioni dhe ndërtimi socialist." Periudha e tretë ndoqi politikën e përparimit të Deng Xiaoping për reforma dhe hapje, duke zhvendosur fokusin e PKK në zhvillimin ekonomik dhe themeloi Teorinë e Deng “duke çliruar mendjet dhe duke kërkuar të vërtetën nga faktet.”

FILLIMI I EPOKËS SË RE
Periudha e katërt, është epoka e re e socializmit me karakteristika kineze. Komunikata e Plenumit theksoi se Xi Jinping ka paraqitur një sërë idesh, mendimesh dhe strategjish origjinale se çfarë lloj vendi të madh socialist modern e sheh Kinën në vizionin e tij. Plenumi shqyrton atë që PKK thotë se është përvoja e saj historike gjatë 100 viteve të fundit, e cila përfshin dhjetë faktorë kritikë të suksesit: mbajtja e lidershipit të Partisë, vendosja e njerëzve në radhë të parë, avancimi i inovacionit teorik, qëndrimi i pavarur, ndjekja e “rrugës kineze”, ruajtja e një vizioni global, hapja e terreneve të reja, duke qëndruar në mbrojtje, duke promovuar frontin e bashkuar dhe duke mbetur të përkushtuar ndaj vetë-reformimit.
PKK planifikon të arrijë përtëritjen kombëtare përmes dy qëllimeve, të njohura si “Ëndrra kineze” ose dy synimet shekullore. Synimi i parë shekullor është realizimin e një shoqërie mesatarisht të begatë në të gjitha aspektet, dhe përkon me 100-vjetorin e PKK në vitin 2021, synim i cili me çrrënjosjen e varfërisë absolute u përmbush. Dhe synimi i dytë është që në 100-vjetorin e RPK, në vitin 2049, “Kina duhet të ndërtohet në një vend të madh modern socialist që është i begatë, i fortë, demokratik, i përparuar kulturalisht, harmonik dhe i bukur.”
Gjatë nëntë viteve të fundit, si lideri më i lartë i PKK-së, Xi ka udhëhequr vendin në përfundimin e hapit të parë dhe ka kryesuar hartimin e hapit të dytë të këtij plani historik. Për të realizuar hapin e dytë të përtëritjes kombëtare, modernizimi socialist duhet të realizohet në thelb deri në vitin 2035.
Në fakt ky plenum është një ngjarje e madhe historike në një tranzicion të madh historik; duke riafirmuar në termat më të fortë mbi udhëheqjen e PKK, pozicionin thelbësor të Xi Jinping, besimin në rrugën e socializmit me karakteristika kineze; dhe zyrtarizimi i një udhëtimi të ri në një epokë të re për të ndërtuar një vend modern socialist dhe për të realizuar kështu ëndrrën kineze të përtëritjes kombëtare.

Në gjysmën e dytë të vitit 2022, do të mbahet Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK, i cili do të paraqesë vizionin e madh dhe do të artikulojë objektivat specifike për vitet 2035 dhe 2049, drejt përtëritjes së madhe të kombit kinez, nën udhëheqjen e vazhdueshme të Xi Jinping, dhe Presidenti Xi Jinping është pa mëdyshje, përgjegjës për të ardhmen në Epokën e Re. Ky "përmirësim i epokës së re", e transformon statusin thelbësor të sekretarit të përgjithshëm të PKK, në qeverisje afatgjatë, duke u shtrirë në të ardhmen dhe duke konfirmuar se "Epoka Xi Jinping" tani ka filluar.
Me pak fjalë, ky plenum unifikon kombin, ideologjinë drejtuese dhe praktikat duke i balancuar me realitetin e kohës sonë. Unifikimi i mendimeve dhe përqendrimi i fuqive në një vazhdimësi politikash
ka mesazh për brenda dhe për jashtë Kinës.
Në rang kombëtar, ashtu sikurse dy herë me parë në histori, lidershipi i zotohet popullit se do të çojë para zhvillimin, do të ketë në fokus njeriun dhe merr përsipër përballimin e sfidave epokale.
Në rang ndërkombëtar, i jepet një mesazh pjesës tjetër të botës se as sistemi, as partia as lidershipi dhe as Kina, nuk do të ndryshojnë në marshimin e tyre historik drejtë progresit.
Dr. Marsela Musabelliu







