
Në fillim të muajit dhjetor të këtij viti në Uashington është thirrur Samiti për Demokraci. Këtë Samit presidenti amerikan Joe Biden e kishte premtuar në fushatën elektorale të para një viti dhe tani ai ka ftuar në samit shumë vende të botës. Ftesat e tij janë adresuar dukshëm te vendet që konsiderohen si demokraci e zhvilluar ose në zhvillim.
Shumë vende e kanë përshëndetur këtë iniciativë amerikane, e cila shihet si shtytje e ushtrimit të një qeverisjeje demokratike, funksionale e liberale. Ka nga ata që ë shohin këtë si përpjekje për ndikim gjeopolitik në botë dhe krijimin e një "fronti" demokratik kundrejt atij që quhet qeverisje autoritare ose diktatoriale. Ka gjithashtu ekspertë që Samitin Amerikan për Demokraci e lidhin me krijimin e një aleance kundrejt ndikimit të Fuqive të tjera të Mëdha si Republika Popullore e Kinës ose Federata e Rusisë.
Megjithatë besoj se asnjë nga këto nuk është aq e plotë, nëse shihet si arsye e veçuar. Në tërësinë e vet Samiti për Demokraci ruan disa objektiva. Ai nuk quhet Samiti i Demokracisë, por është emërtuar si Samiti për Demokraci. Nga emërtimi duket qartë se në të nuk do të marrin pjesë vetëm vendet demokratike të zhvilluara, por edhe ato që konsiderohen si hibride, me demokraci të cunguar. Ndër të tjera ka për qëllim inkurajimin e këtyre vendeve që të implementojnë një demokraci të mirëfilltë funksionale e liberale, por kjo është për t'u parë.

Megjithatë në ligjësinë e zhvillimit të qeverisjes si në plan kombëtar ashtu edhe në planin global ia vlen që shteti, organizimi shtetëror e politikat e tij t'u përshtaten sfidave të tilla si:
- Sa janë të gatshme t'u përgjigjen nevojave të shekullit të XXI?
- A janë të gatshme të bëjnë reforma për ndryshimet që duhet të vijë?
- Dhe a janë të gatshme që të krijojnë një lidhje e bashkëveprim për misionin e së ardhmes. Samiti për Demokraci është njëra nga rrugët dhe mundësitë që shkon në këtë drejtim. Megjithatë shtete të ndryshme, popuj dhe kombe të ndryshme zgjedhin mënyra dhe rrugë të ndryshme për realizimin e qëllimeve të së ardhmes.

Kombet konkurrojnë midis tyre, njësoj si edhe sipërmarrjet, institucionet arsimore, shkencore etj. Bota e sotme është e ndërvarur nga konkurrenca e përgjithshme, e cila bëhet gjithnjë e më shumë shtysa e zhvillimit dhe e përparimit. Konkurrenca e kombeve realizohet bazuar në disa faktorë. Trashëgimia dhe tradita luan një rol të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Eksperienca është burimi i dijes dhe i përkushtimit të lëvizjeve për ndryshim.
Në këtë kuptim, ndryshimi vjen nga përsosmëria e sistemit qeverisës. Para së gjithash nga lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i një lidhjeje të ngushtë midis shoqërisë e ekonomisë. Sigurisht që kjo kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe mënjanimin e autoritarizmit.
Por probleme me këto dy të fundit kanë shumica e vendeve që gjithashtu konsiderohen demokraci liberale, përfshirë SHBA-të. Edhe vetë demokracia është një nocion relativ. Vende të ndryshme ofrojnë eksperienca të ndryshme të qeverisjes demokratike. SHBA-të janë një eksperiencë e caktuar, por Britania e Madhe ofron eksperiencën e saj, të cilën përpiqet ta përhapë në Indi, Australi, Kanada, Zelandën e Re etj. Nëse marrim në konsideratë Indinë, atëherë demokracia do të perceptohej si dështim. Një demokraci specifike është ajo e Japonisë, Koresë së Jugut dhe dy-tri vendeve të tjera aziatike.

Prandaj është e vështirë të definohet se cila është demokracia më efektive. Secili vend ka specifikat dhe trashëgiminë e tij. Republika Popullore e Kinës mund të konsiderohet një demokraci konkurruese në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, sepse i përmbahet konkurrencës globale sipas parimeve të ekonomisë së tregut të lirë. Por ajo ka një organizim të ndryshëm nga Perëndimi në pikëpamje të strukturës politike, e cila konsiderohet si "demokraci e popullit" dhe “demokraci në gjithë procesin”. Ky sistem politik, bazuar gjithashtu në traditën, i ka dhënë asaj më shumë prosperitet dhe e ka shndërruar atë në një fuqi konkurruese e madje dominuese në planet.
Nga eksperienca e Luftës së Ftohtë ne kemi mësuar se demokracia dhe totalitarizmi komunist u ndeshën pikërisht në funksion të modelit ekonomik dhe përparimit teknologjik. Totalitarizmi komunist dështoi për shkak të modelit ekonomik. Ndërsa në kushtet e sotme mungon ky dimension konkurrence. P.sh midis Kinës dhe Fuqive të Perëndimit. Për këtë arsye investimet e vendeve të zhvilluara e demokratike në Kinë janë në shkallë shumë të lartë. Midis demokracive liberale dhe sistemeve politike jo të ngjashme me të nuk ka thuajse asnjë dallim sa i përket implementimit të ekonomisë së tregut dhe për pasojë zhvillimi teknologjik është gati i ngjashëm. Kjo do të thotë se konkurrenca midis modelit të sistemeve tashmë sa vjen dhe zbehet.

Nëse një model qeverisjeje përkrahet nga qytetarët dhe jep rezultat për vendin, nëse një model qeverisjeje nuk krijon destabilitet e pasiguri për qytetarët e për vendet fqinjë, nëse një model qeverisje respekton drejtësinë e lirinë, atëherë është vështirë që këtij sistemi t'i kundërvihet një model tjetër qeverisjeje. Ndërkaq nuk ka një definicion të qartë se cilat vende mund të klasifikohen si demokratike e cilat jo. Shpesh herë perceptohen si vende demokratike ato që qeverisen përmes mashtrimit publik. Jo pak vende të tilla, me sistem pluralist në sistemin politik sundohen nga propaganda dhe gënjeshtra. Kësisoj duhet thënë se demokracia është model i kapërcimit të sfidave. Por gjithnjë e më shumë po kontestohet fakti se a është vetëm demokracia një model i vetëm?! Kina është një eksperiencë unike, sistemi politik, ekonomik e social i së cilës meriton ekspertizë e vëmendje të veçantë. Është ndryshe edhe nga sistemi rus dhe i shumë vendeve të tjera!

Enver Bytyci







