
Pas suksesit të tre edicioneve të para, ekspozita e katërt ndërkombëtare e importit (CIIE) është vendosur të çojë më tej misionin e Kinës për hapjen ndaj botës. Duke iu drejtuar virtualisht të ftuarve në ceremoninë e hapjes për CIIE e tretë në vitin e kaluar, Presidenti Xi theksoi: “se të gjitha vendet duhet të angazhohen për hapje reciproke me qëllimin e përfitimeve të përbashkëta, të përgjegjësisë së përbashkët dhe qeverisjes së përbashkët”.E planifikuar nga 5 deri më 10 nëntor në Shangai, ekspozita e këtij viti është më e madhe se ato të mëparshmet. CIIE pritet të tërheqë afro 3,000 ekspozues të biznesit nga 127 vende dhe rajone. Në të njëjtën kohë mbi 80 përqind e kompanive Fortune Global 500, që morën pjesë në panairin e vitit të kaluar, do të kthehen përsëri për shkak të rezultateve të frytshme që kanë patur. Më shumë se 3,000 kompani nga mbi 130 vende dhe rajone, morën pjesë në CIIE të parë në 2018, me një sipërfaqe totale ekspozite prej 300,000 metrash katrorë. Në CIIE të dytë në 2019, numri i ekspozuesve dhe shkalla u rrit në 181 pjesëmarrës dhe 330,000 metra katrorë. Teknologjia dhe inovacioni ishin temat kryesore të ekspozitës së dytë. Në CIIE të tretë në 2020, produktet inovative për parandalimin dhe kontrollin e pandemisë u bënë temat e reja. Vëllimi i transaksioneve arriti në 72.62 miliardë dollarë në ekspozitën e tretë, nga 71.13 miliardë dollarë dhe 57.83 miliardë dollarë respektivisht në vitin 2019 dhe 2018.

Ekspozita e katërt do të përfshijë gjashtë kategori, : (i) atë të produkteve të qumështit, (ii) të perimeve, të frutave dhe produkte bujqësore; (ii) të pijeve dhe alkoolit; (iv) të produkteve të mishit, të produkteve ujore dhe ushqimeve të ngrira; (v) të produkteve snacks, ëmbëlsirave dhe erëzave; (vi) si dhe ushqimit gjithëpërfshirës. Shumë ekspozita të mëdha ndërkombëtare nuk kanë mundur të zhvillohen për shkak të masave ndaj pandemisë COVID-19 dhe efekteve negative që ka shkaktuar në të gjitha vendet. Megjithatë, organizimi i CIIE do të zhvillohet sipas planifikimit. Gjatë tre viteve të fundit, CIIE është kthyer në një platformë kryesore për prokurimet ndërkombëtare, promovimin e investimeve dhe shkëmbimin tregtar dhe kulturor. Hapja dhe integrimi i Kinës në ekonominë botërore është rezultat i rritjes së lartë ekonomike dhe kërkesës së brendshme dhe të jashtme, të reformave për përmirësimin dhe lehtësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve të huaja.

Kina, si ekonomia e dytë më e madhe në botë, është dhe përfituesi më i madh i investimeve të huaja direkte si dhe një nga tregjet më të mëdha të konsumit. Produkti i saj i brendshëm bruto (PBB) ka tejkaluar 100 trilion juanë (rreth 15.47 trilion dollarë) në 2020. Në vitin 2021, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikës, rritja ekonomike vazhdon me ritme të larta. Në tremujorin e tretë (TM3), prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 4.9 për qind nga viti në vit, më ngadalë se sa rritje prej 18.3 për qind në tremujorin e parë dhe 7.9 për qind në tremujorin e dytë. Kërkesa e brendshme në rritje, e mbështetur nga një treg i shkallës me mbi 1.4 miliardë njerëz, mbetet një nga faktorët kryesorë të ritmeve të larta të rritjes ekonomike.
Kina ka përshpejtuar zhvillimin e zonave tregtare të lira (FTZ). Që nga zona e parë në Shangai në 2013, Kina aktualisht ka 21 zona në mbarë vendin. Gjashtë zona të reja u shpallën në vitin 2019, përkatësisht në provincën e Jiangsu, në provincën e Hebei, në provincën e Heilongjiang, në provincën e Guangxi Zhuang, në provincën e Shandong, dhe në provincën e Yunnan. Tre zona të reja të vendosura në Pekin, në Provincën Anhui të Kinës Lindore dhe Provincën Hunan të Kinës Qendrore u shpallën në vitin 2020. Me politika preferenciale për importin dhe eksportimin e mallrave, si dhe politika të tjera të favorshme, duke përfshirë stimujt tatimorë dhe rregullimin e thjeshtë, zonat e lira tregtare janë bërë tërheqëse për investimet e huaja. Zona e lirë e Portit në Hainan, i cili u krijua në qershor 2020, ka nënshkruar 94 kontrata me sipërmarrje brenda dhe jashtë vendit. Rreth 20 kompani që kanë lidhur kontratat janë investime të huaja që mbulojnë fusha të shumta duke përfshirë turizmin, shërbimet moderne dhe industritë e teknologjisë së lartë.

Sipas raportit ndërkombëtar Doing Business të vitit 2020, vlerësohet se Kina është një nga 10 ekonomitë në nivel global që përmirësuan më shumë lehtësinë e të bërit biznes pas zbatimit të reformave rregullatore. Vlerësimet e të bërit biznes si pikë referimi përputhet me ambicien e qeverisë qendrore për të përmirësuar konkurrencën e ekonomisë kineze. Ashtu si në ekonomitë e tjera, udhëheqësit e Kinës kanë miratuar treguesit e të bërit biznes si komponentët thelbësorë të reformës. Në raportin mbi punën e qeverisë në mars të vitit 2018, kryeministri kinez Li Keqiang ka prezantuar planin strategjik për zbatimin e reformave. Përpjekjet janë përqendruar kryesisht në fushat e fillimit të një biznesi, të përfitimit të lejeve të ndërtimit, të lidhjes së biznesit me energjinë elektrike, të zgjidhjes së falimentit dhe të politikave lehtësuese të tregtisë përtej kufijve. Kina ka treguar një përmirësim të dukshëm në fushën e trajtimit të lejeve të ndërtimit, në lidhjet e biznesit me energjinë elektrike, zgjidhjen e falimentimit etj.
Reformat rregullatore kanë lehtësuar fillimin e një biznesi duke integruar plotësisht regjistrimin e kompanisë në një sportel të vetëm (one stop shop), si dhe është bërë më e lehtë marrja e lejeve të ndërtimit. Është reduktuar koha për të marrë lidhjet e ujit dhe të kullimit. Është bërë më e lehtë aplikimi dhe lidhja me energjinë elektrike, si dhe transparenca në ndryshimet e tarifave të energjisë elektrike. Reforma fiskale ka synuar lehtësimin e barrës tatimore për ndërmarrjet e vogla, uljen e normës së TVSH për industri të caktuara, si dhe përmirësimin e sistemit elektronik të deklarimeve dhe të pagesave. Kina ka forcuar legjislacionin për mbrojtjen e investitorëve në pakicë duke vendosur përgjegjësi mbi aksionerët kontrollues, si dhe më të lehtë zbatimin e kontratave duke publikuar raportet e matjes së performancës së gjykatës dhe progresit. Ndërsa përsa i përket reformave lehtësuese të tregtisë, janë përqendruar në deklarimin paraprak të ngarkesave të eksporteve dhe importeve, përmirësimin e infrastrukturës portuale, optimizimin administratën doganore dhe publikimin e tarifave orare. Duke filluar nga viti 2020, Kina ka aplikuar tarifa të përkohshme të importit më të ulëta se tarifat e vendeve më të favorizuara, për mbi 850 mallra.

Ekspozita e Shangait CIIE është një mishërim i Kinës që integrohet në qarkullimin e madh të ekonomisë botërore dhe promovon prosperitetin e përbashkët me zhvillimin e saj, si dhe duke kontribuar në zhvillimin e përbashkët global.
Prof. Dr. Petraq Milo







