Takimi i radhës i udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim "Ballkani i hapur" u zhvillua para pak ditësh në Beograd dhe mesazhi kryesor i tij ishte zbatimi i marrëveshjeve politike në praktikë e posaçërisht i marrëveshjes për lëvizjen e mallrave. Nisma synon lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve mes tri vendeve pjesë e nismës, përkatësisht Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

3 liderët pjesëmarrës në takimin e Beogradit (Portalb)

3 liderët pjesëmarrës në takimin e Beogradit (Portalb)

Takimi mblodhi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministrin shqiptar Edi Rama, zëvendëskryeministrin për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, si dhe afaristë nga rajoni.

Kryeministri Rama deklaroi se fokusi i takimit ishte te njerëzit, kompanitë, fermerët, punëtorët, studentët, pra ata që janë përfitues të kësaj nisme.

“Ky takim është më ndryshe nga të tjerët. I gjithë fokusi ka qenë tek njerëzit, kompanitë, fermerët, distributorët, punëtorët, akademikët, studentët, që janë përfituesit realë të Ballkanit të Hapur. Secili në mënyrën e vet vuajnë kufijtë, pritjet dhe barren e rëndë të burokracisë së agjencive, kontrolleve, inspektimeve etj. Më vjen mire që jemi fokusuar aty ku është dhe thelbi i kësaj nisme. Sepse thelbi është sit ë zgjerojmë ekonomitë tona, tregjet tona që të mbeten tregje të vogla në vetvete, por që nëse integrohen atëhere kthehen në një treg të rëndësishëm jo vetëm për aktorët tanë të tregut, por dhe për investimet e huaja direkte në këtë zone”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Më tej kryeministri Rama u ndal te faktet konkrete të ndikimit të shkëmbimeve mes vendeve pjesë të nismës në rritjen e turizmit në Shqipëri, si një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së saj.

“Ne kemi vënë re tashmë që sezoni turistik është mbyllur se gjatë 8 muajve të fundit fluksi i turistëve nga Serbia në Shqipëri është rritur 63 për qind, i atyre nga Maqedonia e Veriut është rritur 23 për qind . Janë shifra që janë rezultat i drejtpërdrejtë në ekonomi, përveç se në procesin e rritjes së energjive pozitive në rajon të Ballkanit të Hapur. Jam i bindur se këto shifra do të vijnë vetëm duke u rritur dhe dhjetor në Tiranë jemi të angazhuar që të japim rezultate konkrete dhe nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim i ndjeshëm për kompanitë, distributorët, fermerët”, tha kreu i ekzekutivit Rama.

Takimi Ballkani i hapur në Beograd (Portalb)

Takimi Ballkani i hapur në Beograd (Portalb)

Nga takimi i Beogradit kryeministri shqiptar ritheksoi qëndrimin e ngadaltë dhe joproduktiv të Bashkimit Europian ndaj integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe në emër të liderëve të tjerë të “Ballkanit të Hapur” i bëri thirrje Unionit që të vijë pranë rajonit.

“Një qëndrim të përbashkët adresuar Bashkimit Europian duke e kuptuar situatën fare mire në BE me bllokimin absurd që i është bërë procesit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por njëkohësisht duke nënvizuar se ndërkohë ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar vendet tona me standarde të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër kemi bindjen që Bashkimi Europian ndërkohë që është i zhytur në dilemat e veta, peng i tyre ka rënë dhe integrimi europian i rajonit mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit, duke integruar në rrjetin e universiteteve të BE-së universitetet tona, në rrjetin e mbështetjes për fermerët, fermerët tanë, duke integruar në tregun e përbashkët europian në segmente të caktuara vendet tona”, theksoi Rama

Në Bashkimin Evropian nuk ka një qëndrim të qartë lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”, iniciativë që ka nxitur reagime të ndryshme jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në qarqet ndërkombëtare. Në bllokun evropian, në njërën anë mbështesin çdo nismë që ndikon në rritjen e bashkëpunimit evropian, por në anën tjetër këtë nismë e shohin si dyfishim të disa proceseve, të cilat tashmë janë në vazhdim e sipër.

Rama, Vuçiç dhe Dimitrov në Ballkanin e Hapur (Anadolu Agency)

Rama, Vuçiç dhe Dimitrov në Ballkanin e Hapur (Anadolu Agency)

Në cilësinë mikpritësit të takimit, presidenti serb Vuçiç tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura, për përbërjen e të cilit do të vendoset në vazhdim.

“Në 7 deri në 10 ditët e ardhshme do të kemi takime me përfaqësues të doganave, agjencive të ndryshme dhe inspektimeve fito-sanitare për të parë se si po shkon qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve”, tha Vuçiç.

Nisma e përbashkët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit në detyrë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev vazhdon të mos përkrahet nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Serbët dhe shqiptarët përbëjnë dy etnitë dominuese në nismës “Ballkani i Hapur”, duke pasur një shtrirje të popullsisë në të paktën tre shtete. Të tre vendet së bashku kanë një GDP prej 88 miliardë dollarë.

Takimi i radhës i nismës “Ballkanit të Hapur” do të zhvillohet në fund të dhjetorit në Tiranë.

Eda Merepeza