
Janë gjithsej 20 vende. Më saktë 19, por që prej vitit 1999 kanë marrë emrin "G20" (grupi i 20 vendeve më të zhvilluara). Ato u mblodhën në Romë dhe Glasgow të Skocisë dhe diskutuan për pandeminë e klimën. Nuk është hera e parë që liderët më të fuqishëm të botës mblidhen e diskutojnë për parandalimin e përkeqësimit të kushteve klimatike dhe rritjen e temperaturave si rezultat i çlirimit të gazrave në atmosferë. Madje mund të thuhet se pas çdo samiti bota gjendet para një samiti tjetër për këtë çështje kaq jetike për fatet e shëndetin e njerëzimit.
Kryetarët e shteteve dhe qeverive të 20 vendeve u mblodhën fillimisht në Romë e më pas në Glasgow të Skocisë, ku u ftuan edhe dhjetra shtete të tjera për këtë temë. Midis tyre ishte presidenti amerikan Biden, francez Macron, turk Erdogan etj. kryeministrat e Anglisë, Italisë, Kanadasë, kancelarja gjermane Merkel në largim etj. Ndërsa presidenti i republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, foli përmes një video-konference. Në takimin e kësaj radhe ai u përfaqësua nga ministri i Punëve të Jashtme, Wang Yi.

Gjithmonë në këto takime flitet për kushtet e mjedisit e të klimës, për investime të mëdha për mos ndotjen e saj, për angazhime marramendëse të shefave të shteteve e të qeverive të botës në këtë drejtim. Por sa kohë që ndodh të fajësohen vende të ndryshme për këtë, aq kohë serioziteti i marrjes së masave nuk do të jetë i plotë. Edhe në samitin e fundit u bënë përpjekje për të fajësuar Republikën Popullore të Kinës e deri diku edhe Indinë si "shkaktarë' të ndotjes së atmosferës. E vërteta është Republika Popullore e Kinës, dikur në nevojë për investime, ka pasur si përparësi luftën kundër varfërisë. Dhe t'i kërkosh një vendi në varfëri të hedh vëmendjen te mjedisi, duket si një luks i madh, të cilin mesa duket e kanë harruar vendet më të industrializuara të botës.
Ndërsa sot Kina ka përshpejtuar hapat dhe po zhvillon një politikë agresive në luftën kundër ndotjes së mjedisit. Ajo është bërë shembull pozitiv për vendet e tjera në botë, çka dëshmon angazhimin e saj serioz në dobi të njerëzimit. Objektivi i saj që deri në vitin 2060 të arrijë normën zero të karbonit në atmosferë është një ambicie që duhet të përshëndetet. Industrializimi modern kinez ka filluar dy shekuj pas industrializimit në vendet e Perëndimit. Megjithatë Pekini ka vendosur që vetëm një ose dy dekada pas Perëndimit të arrijë objektivin e zero karbon në atmosferë.

Angazhimet e Konferencës së Glasgowt ishin të mëdha, madje marramendëse. Miliarda dollarë amerikanë u premtuan si investime në këtë fushë. Dhe sigurisht që nevojat janë edhe për më shumë. Por pavarësisht thirrjeve të presidentit Xi Jinping dhe udhëheqësve të tjerë për të shtuar ndihmën për vendet e varfra, të cilat nuk kanë mundësi investimi për klimën e përmirësimin e saj, kjo ndihmë nuk u konkretizua. Ishin premtime. Dhe premtimet shkojnë sa nga një samit te samiti tjetër.
Ajo që mungon në këto takime është mungesa e një mekanizmi detyrues për vendet e zhvilluara për investime në vendet e varfëra për klimën. Pikërisht në këtë aspekt këmbënguli presidenti kinez në fjalën e tij në video-konferencë. Por edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u shpreh mjaft qartë: "Nëse qeveritë e vendeve të G20-ës nuk ngrihen të udhëheqin synimet e tyre kundër krizës së klimës, atëherë ne lëvizim në mënyrë të frikshme drejt vuajtjeve njerëzore"! Pas këtij paralajmërimi Guterres kërkoi të rikthehet besimi i shkatërruar i 20 vendeve më të fuqishme të botës. Për këtë ai tha se duhen investuar si ndihmë ndaj vendeve të varfra së paku 100 miliard dollarë amerikanë. Dukej sikur Guterres po përsëriste kërkesat e Xi Jinping.

Udhëheqësit e tjerë pjesëmarrës në samit u pajtuan me nevojën e investimeve të mëdha, por asnjë prej tyre nuk e premtoi zyrtarisht një ndihmë të tillë. Edhe një vendim i ministrave të financave të këtyre vendeve për të vendosur një taksë të posaçme për kompanitë e mëdha vlerësohet të jetë i paplotë dhe jo adekuat. Ndërsa vetë vendet e industrializuara nuk morën përgjegjësi konkrete. Kryeministri italian u zotua që të arrijë objektivin e heqjes dorë nga energjia e pistë deri në vitin 2030, kurse vende të tjera e shtynë afatin e këtij objektivi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet ta vendosin këtë përmes Kongresit. Se kur, si dhe sa do të investohet për t'i dhënë fund energjisë që prodhon gaz karbonik, kjo ende nuk dihet. Australia është eksportuesi më i madh në botë i qymyrit e për këtë arsye ajo nuk parashikon që ta arrijë objektivin në fjalë para vitit 2050, d.m.th vetëm një dekadë para Republikës Popullore të Kinës.
Ndërkaq bota ka një nevojë urgjente për përmirësime rrënjësore në këtë drejtim. Temperaturat po rriten çdo vit, ndërkohë që Rusia e konsideron sukses nëse do të arrijë që brenda një dekade të mos lejojë rritjen e temperaturës më shumë se 1-1.5 gradë!

Enver Bytyçi







