Pas sukseseve të njëpasnjëshme të tre edicioneve të mëparshme, në 5 - 10 nëntor 2021, organizohet në Shangai për herë të katërt Ekspozita Ndërkombëtare e Importit (CIIE),që synon të çojë më tej misionin e Kinës për hapjen ndaj botës, drejt një të ardhmeje dhe prosperiteti të përbashkët.

Në këtë ekspozitë paraqesin produktet dhe shërbimet e tyre më shumë se 3,000 subjekte private nga më shumë se 127 të rajonit dhe botës, 58 shtete, nga të cilat 15 shtete për herë të parë dhe 3 organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Prezente në këtë festë madhështore ndërkombëtare biznesi janë më shumë se 80 % e kompanive të Fortune Global 500 dhe udhëheqësit e industrive të ndryshme, që kanë marrë pjesë edhe në edicionet e mëparshme, si rezultat i suksesit në edicionet e mëparshme dhe ecurinë e tyre të mirë në tregun kinez në rritje, zgjerim dhe kërkim të produkteve e shërbimeve cilësore.

Ekspozita e këtij viti ka sipërfaqe 366.000 m², 6.000 m² më shumë se vitin e kaluar dhe kujdes i veçantë i është kushtuar aspekteve të sigurisë për shkak të pandemisë, duke bërë të mundur ndërtimin e sallave të standardizuara ku realizohet ekspozimi dixhital, që mundëson për herë të parë në një ekspozitë paraqitjen e produkteve dhe shërbimeve drejtpërsëdrejti nëpërmjet internetit.

Kjo ekspozitë vjen si përgjigje efikase dhe eficiente ndaj deklaratës së Presidentit kinez Xi Jinping: “Kina është e angazhuar për hapje të mëtejshme, do zgjerojë me vendosmëri hapjen e gjithanshme dhe do eksplorojë mënyra më efikase për të lidhur tregjet vendase me të huajat, për të ndarë faktorët e prodhimit dhe burimeve”, deklaratë bëri në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në edicionin e tretë të saj, ndërsa pas mbylljes me sukses të plotë të ekspozitës së tretë, Kina ndërmori masa të shumta për hapjen e saj e zgjerimin e tregtisë me vendet e tjera të botës, përfshirë uljen e tarifave dhe kohën e zhdoganimit, duke inkurajuar zhvillimin e Zonave të Tregtisë së Lirë, etj.

Duke filluar nga janari 2020, Kina, për më shumë se 850 produkte, ka aplikuar (1) tarifa të përkohshme importi më të ulëta se ato të vendeve më të favorizuara, (2) koha e zhdoganimit për importet është ulur me 64.04% dhe koha e zhdoganimit për eksportet me 84,87%, krahasuar me vitin 2017.

Në lidhje me Zonat e Lira Ekonomike, që nga zona e parë, ajo e Shangait, hapur në 2013, janë krijuar tashmë 21 zona të tilla në mbarë vendin, ndër të cilat tre më të rejat, shpallur në vitin 2020, janë në Pekin, Provincën Anhui (Kina Lindore) dhe Provincën Hunan (Kina Qendrore).

Zonat e lira ekonomike janë kthyer në qendra ku investitorët e huaj kanë gjetur politika preferenciale për import / eksportin e mallrave dhe politika e kushte të tjera të favorshme, përfshirë stimujt tatimorë, etj.

Për shembull, Porti i Tregtisë së Lirë Hainan, krijuar në qershor 2020, ka nënshkruar 94 kontrata projektesh me sipërmarrje vendase e të huaja, prej të cilave, 20 janë me investitorë të huaj, projekte në turizëm, shërbime, industri e teknologjinë e lartë.

Rruga deri në edicionin e katërt të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importeve ka ecur nga suksesi në sukses. Në edicionin e parë (2018) morën pjesë rreth 3,000 kompani nga 130 vende e rajone të botës. Sipërfaqja totale e ekspozimit, 300.000 m². Të ftuar nderi, përfaqësuesit e 12 shteteve. Në 2019 numri i ekspozuesve u rrit në 181 pjesëmarrës dhe sipërfaqja 330.000 m². Në këtë edicion temat kryesore ishin teknologjia dhe inovacioni, specifikisht inteligjenca artificiale, realiteti virtual, 5G, etj. Këtë edicion u ekspozuan edhe trashëgimia kulturore jomateriale e Kinës dhe markat e vlerësuara ndër vite.

Në edicionin e vitit 2020, për shkak të luftës ndaj pandemisë, një vend të veçantë në ekspozitë zunë produktet inovative për parandalimin, kontrollin dhe luftimin e pandemisë dhe u ndërtua edhe një pavijon mjekësor për shëndetin publik dhe parandalimin e epidemisë, me bashkëpunimin e kompanive kryesore mjekësore në botë, që ekspozuan arritjet e tyre më të fundit në këtë fushë. Në këtë edicion u nënshkruan transaksione me një vlerë totale rreth 72.62 miliardë dollarë, krahasuar me 71.13 miliardë dollarë në 2019 dhe 57.83 miliardë dollarë në 2018.

Përgjatë këtyre viteve udhëheqja kineze dhe vetë Presidenti i Kinës Xi Jinping, kanë qenë të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm se vendimi i Kinës për të organizuar ekspozita të tilla demonstron pozicionin e saj të qëndrueshëm në (1) mbështetjen e sistemit tregtar shumëpalësh, (2) promovimin e tregtisë së lirë dhe (3) veprimin konkret të Kinës për të çuar përpara një ekonomi të hapur botërore dhe për të mbështetur globalizimin ekonomik, duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për të (1) hapur tregun, (2) optimizuar strukturat, (3) përmirësuar mjedisin e bërjes së biznesit, duke (4) thelluar bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh dhe njëkohësisht (5) duke kërkuar që të tëra vendet e tjera të angazhohen reciprokisht për këtë për shkak të përfitimeve, përgjegjësive dhe qeverisjes së përbashkët.

Qartësisht, CIIE 4 ndikon në ringritjen e ekonomisë globale, pasi Kina tashmë është (1) ekonomia e dytë më e madhe në botë, (2) përfituesi më i madh i investimeve të huaja direkte dhe (3) një nga tregjet më të mëdha të konsumit në botë me PPB rreth 15.47 trilionë dollarë, me rritje ekonomike të lakmueshme nga shumë vende të zhvilluara e në zhvillim, bërë të mundura duke mbajtur nivele të qëndrueshme konsumi dhe ecuri pozitive të projekteve kryesore të vendit, parashikuar edhe në planin e 14-të pesëvjeçar (2021-2025), përgjatë të cilit Kina do nxisë një model të ri zhvillimi me dy motorë: (1) qarkullimin e brendshëm të mallrave vendase dhe të huaja për të shtuar konsumin e brendshëm dhe (2) qarkullimin e jashtëm për të shtuar eksportet.

Në të vërtetë ky model ekonomik me dy motorë synon rritjen e produktivitetit të ekonomisë kineze, efektivitetit dhe eficiencës së sektorit publik e privat në tërë sektorët e ekonomisë, mbështetur nga një politikë qeveritare, që ka në themel shkencën e menaxhimit dhe funksionet menaxheriale të planifikimit, organizimit, drejtimit dhe kontrollit.

Xi Jinping ka thënë se ky “model i ri zhvillimi, që tregon dëshirën e Kinës për të ndarë me tregun ndërkombëtar dhe mbarë botën mundësitë që ka Kina për të dhënë kontribut real në dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë globale,

aplikohet (1) për të përmbushur nevojat e zhvillimit të Kinës dhe (2) për prosperitet për të gjithë njerëzit në të tëra vendet.

Dr. Enriko Ceko