Të dielën e 31 tetorit, akoma pa u mbyllur plotësisht rezultatet e zgjedhjeve të pjesëshme lokale në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev, njëkohësisht kryetar i partisë në pushtet LSDM, doli përpara mediave dhe deklaroi dorëheqjen e tij nga të dy funksionet. Pa dhënë shumë detaje dhe arsyetime, por duke kumtuar thjesht një vendim politik, Zaev mbylli menjëherë të gjitha shtigjet e debateve të luftës që do fillonte ndaj tij, për t’u larguar nga posti. Humbja e Shkupit, por edhe e qyteteve të tjera të mëdha, sigurisht që tronditën nga themelet partinë kryesore të mazhorancës dhe Zaev e ndjeu që në raundin e parë me 17 tetor, se këto zgjedhje lokale, do shënonin edhe mbyllen e nje kapitulli politik, i cili gjatë gjithë kohës së qeverisjes ishte shoqëruar me dallgë të mëdha.

Partitë opozitare të prira nga VMRO-DPMNE dhe në koalicion, ose të mbështetura nga disa parti shqiptare shënuan një rezultat të thellë në këto zgjedhje, duke i paraprirë një rrëzimi të shpejtë të qeverisë. Me sa duket, rikthimi i VMRO-DPMNE-së në pushtet po realizohet më shpejt se çfarë pritej. Ndërsa LSDM-ja e pranoi humbjen, aleatja e saj shqiptare në koalicionin qeverisës vijon të trumbetojë si fitore rezultatet e arritura në disa komuna të mesme e të vogla, ndërkohë që ka humbur në të dy qendrat më të mëdha të banuara nga shqiptarët, Tetovën dhe Gostivarin.

Brenda një qeverisjeje, standardet e sjelljes politike dhe elektorale mbetën thellësisht të ndara. Largimi menjëherë pas humbjes tregon se lidershipi politik maqedonas kultivon standarde më të larta të sjelljes politike ndaj rezultateve elektorale e mesazhit që japin zgjedhësit, përkundër sjelljes arkaike të lidershipit politik shqiptar, që edhe kur humb kërkon të thotë fitore.

Sigurisht që qeverisja qendrore nuk ka pse të kondicionohet nga rezultatet e zgjedhjeve locale, pasi pushtetet janë të ndara dhe aleancat funksionojnë. Megjithatë leximi i saktë i mesazheve që vijnë nga zgjedhësit në këtë ballafaqim elektoral, i shpejton në mënyrë të ndjeshme ndryshimet edhe në pushtetin legjislativ e për pasojë edhe në qeverisje. Duke e kuptuar dhe intepretuar drejt e me vizion politikani të emancipuar, kryetari deri të dielën Zoran Zaev bëri vetëm një kalkulim: atë të dorëheqjes. Shumë rallë ka ndodhur që pas rezultateve në zgjedhjet administrative, një lider në pushtet të dorëhiqet kaq shpejt. Por janë një varg problemesh që e kanë shtyrë kryeministrin e Republikës së vogël ballkanike, të mos e tërheqë zvarrë qeverisjen e tij.

Gjatë periudhës së një mandati e gjysmë qeverisës, Zaev ka ndërmarrë hapa të guximshëm, të cilat i kanë kushtuar atij një kosto të lartë politike. Zgjidhja e çështjes së emrit, një ngërç disa vjeçar në raportet me Greqinë pengonte ndjeshëm hyrjen e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, si pasojë e vetos greke ka ngritur furtuna të rënda në raportet e brendshme, duke nxitur ethet nacionaliste. Protesta të shumta kanë shoqëruar periudhën e qeverisjes së Zaev, protesta që kanë patur gjithnjë theks nacionalist, veçanërisht pas ndërrimit të emrit. Ndryshimi i emrit nga Maqedoni në Maqedoninë e Veriut ishte një sipërmarrje e fuqishme nga koalicioni qeverisës, gjë që bëri disa herë të mbusheshin rrugët e Shkupit me protestues, të cilët paralizuan për ditë të tëra jetën publike. Përballë manifestimeve të dhunshme të opozitës, Zaev diti mjeshtërisht të mbante ekuilibrat politikë dhe sakrifikoi pushtet në emër të së ardhmes integruese të Maqedonisë. Por edhe pas këtij lëshimi shumë të madh që lidhet me historinë dhe ADN-në e sedrës nacionaliste, Maqedonia nuk i pati dyert e hapura të Evropës, siç u premtua përpara Marrëveshjes së Prespës.

Pas lëshimit të parë erdhi radha e bullgarëve për të bllokuar hapjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë, duke krijuar një tjetër ngërç dhe sorollatje të gjatë për Shkupin.

Lëshimi i parë për emrin në marëdhënie me grekët, u kërkua të pasohej nga lëshime të tjera që lidheshin me gjuhën, prejardhjen dhe figurat historike me peshë, në raport me bullgarët. Megjithëse këto kërkesa në pamjen e parë lehtësonin rrugën e Maqedonisë drejt BE-së, ato vinin në pikëpyetje elementë të integritetit historik të kombit maqedonas dhe këtu kostoja politike ishte e lartë.

VMRO-DPMNE e ka shfrytëzuar mjeshtërisht këtë situatë dhe ka nxitur ethet e frymën nacionaliste, e cila për hir të së vërtetës ka qënë në themel të fitoreve të saj elektorale në të kaluarën. Sigurisht jo për të ruajtur pushtetin, por për të ruajtur ekulibrat e brishtë të shoqërisë maqedonase, Zaev u tregua i tërhequr në marrëdhënie me bullgarët dhe nuk guxoi shumë si në rastin me grekët. Kostoja e saj ishte e lartë: Negociatat akoma nuk janë hapur, pavarësisht se në koridoret e Brukselit si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërtinë, flitet me tone pozitive për plotësimin e standardeve. Megjithë qëndrimin integrist në raport me Bullgarinë, Zaev është gjetur gjithë kohën nën breshërinë e zjarrit nacionalist, frymë e cila mori një kurbë të lartë në këto zgjedhje lokale. Karakteri i këtyre zgjedhjeve ishte administrativ, por ai mori theks të posaçëm politik, gjë që është reflektuar edhe në rezultat.

Nisma si “Ballkani i hapur” në raport me Shqipërinë dhe Serbinë, ku Zaev është pjesë e kësaj iniciative, mbetet e shoqëruar me pikpyetje të shumta në suksesin e saj në vijim, pasi nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që është synim për t’u përfshirë, në rrethant e reja të krijuara, ka shumë mundësi të rudhoset edhe më tej. Largimi i Zaevit përbën një pengesë më shumë për presidentin serb dhe kryeministrin shqiptar. Këtë nismë e kanë kundërshtuar Bosnja dhe Mali i Zi, ndërsa europianët kanë paralajmëruar se ajo nuk duhet mbivendosur tek proçesi i Berlinit dhe dalja nga trioja e Zaevit përbën një prishje të planeve të Vuçiçit dhe Ramës. Kundër kësaj nisme është shprehur publikisht edhe opozita fituese e zgjedhjeve lokale.

Në korrik të këtij viti VMRO-DPMNE përmes një deklarate të ashpër i kundërvihej nismës së “Ballkanit të hapur”, duke shigjetuar rëndë Zaevin. Po ashtu partia VMRO-DPMNE, e cila në zgjedhjet e pritshme të afërta parlamentare synon dhe është shumë afër pushtetit qeverisës në shkallë vendi, do të jetë shumë më radikale në marëdhënie me bullgarët, por do të bëjë sjellje radikale dhe hap pas edhe tek çështja e emrit në raport me Greqinë. Kësisoj dhjetori që pritej me shpresë për një konferencë të parë ndërqeveritare për të diskutuar me Maqedoninë e Veriut lidhur me çeljen e negociatave, ka gjasa të vijojë të endet si dëshirë më shumë se sa si realitet.

Ky hap i Zaevit për t’u larguar nga qeverisja vërtetë ka krijuar entusiazëm tek opozita që po shpejton të marrë pushtetin, por Maqedonisë do i shkaktojë vonesa të shumta dhe do ta ballafaqojë me një varg problemesh të brendshme e të jashtme, aq më shumë që një dimër i ftohtë e me krizë energjitike është në prag.

Kalkulimet për të vijuar qeverisja LSDM-BDI edhe pa liderin politik maqedonas mund të bëhen, por sido që të jenë numrat, ato tashmë janë përballë një realiteti elektoral që nuk krijon komoditetin e një qeverisje normale. Kësisoj zgjedhjet administrative, e rrëzuan kryeministrin, duke e ballafaquar vendin përballë situatash që nuk janë të lehta për t’u zgjidhur dhe nuk japin garanci se rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, do të jetë lehtësisht i zgjidhshëm. Këmbëngulja e opozitës për zgjedhje të reja parlamentare, nuk është thjeshtë një dëshirë e saj, por me sa duket mbështetet edhe në llogarinë e numrave në parlament, që ka shumë gjasa të ndryshojnë. Gjithsesi temperatura politike në këtë prag dimri në Maqedoninë e Veriut po rritet.

Gëzim Podgorica