
Pas 10 vitesh, një Ministër i Jashtëm i Kinës, vjen për vizitë zyrtare në Shqipëri. Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi, kryesoi një delegacion gjatë vizitës në Tiranë më 29 tetor. Në axhendën e kryediplomatit ishin tre ndalesa: Ministria e Jashtme, Presidenca dhe Kryeministria.
Shumë sfera në programin e diskutimeve dhe shumë mendime u shkëmbyen mbi situatën e marrëdhënieve dypalëshe, pozicionet përkatëse të dy vendeve në shkëmbime ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike. Nga të dy palët u theksua vullneti reciprok, mundësitë për zhvillim të mëtejshëm në fushat me interes të ndërsjellë.
Vizita përkon me 50-vjetorin e kthimit të Kinës në OKB, për të cilën Z. Wang Yi, nënvizoi kontributin e veçantë të Shqipërisë dhe përcolli falënderimet e mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez për ndihmën e dhënë gjatë procesit të rikthimit të drejtë të saj në vendin që i takonte.

Në takimin me Ministren e Jashtme Xhaçka, Wang, tha se vizita zyrtare e tij në Shqipëri është për të një udhëtim i veçantë. Duke e veshur mesazhin me nuanca të një miqësie tradicionale Wang tha se Kina ka mbajtur gjithmonë parasysh veprimet e drejta të palës shqiptare në të kaluarën. Kina është një vend që vlerëson traditat dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të çojmë përpara miqësinë tradicionale mes Kinës dhe Shqipërisë në periudhën e re historike dhe të shtojmë impulse të reja në këtë miqësi .

Në tavolinën e bisedimeve u përsërit vendosmëria e palës Shqiptare për t’ju përmbajtur gjithmonë parimit “një Kinë”, respektit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës. Ndërkohë që u shprehën falënderime për ndihmën vetëmohuese dhe afatgjatë të Kinës për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë në të kaluarën, u shpreh mirënjohje edhe për mbështetjen e fuqishme për ndihmën e dhënë Shqipërisë për tërmetin dhe luftën kundër pandemisë.
Të dy palët shkëmbyen mendime për ndërtimin e përbashkët të “Një Brez, Një Rugë” dhe bashkëpunimin Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore (Kinë-EQL). Wang shprehu se të dyja këto platforma janë mekanizma të rëndësishëm bashkëpunimi ku roli i çdo anëtari është i vyer dhe specifik për të praktikuar multilateralizmin e vërtetë. Palët ranë dakord për thellimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme si anti-pandemia, shkencat humane, politikat lokale, arsimi, turizmi si dhe mundësinë e eliminimit të vizave midis dy vendeve.
Takimi i dytë ishte në Presidencë, ku Meta i kërkoi Wang Yi që t'i përcjellë përshëndetjet e tij të sinqerta Presidentit Xi Jinping. Ai tha se miqësia midis Shqipërisë dhe Kinës ka një histori të gjatë dhe popujt e të dy vendeve kanë përshtypje shumë të mira për njëri-tjetrin. Meta shprehu se Kina ka arritur

një përparim të madh, ndërsa në të njëjtën kohë ka mbajtur gjithmonë parimin e barazisë së të gjitha vendeve pavarësisht nga madhësia e tyre, gjë që ka fituar mbështetje dhe respekt të gjerë. Bashkëpunimi Shqipëri-Kinë ka një potencial të madh. Presidenti tha më tej se Shqipëria shpreson që të dy vendet të vazhdojnë të mbështesin njëri-tjetrin, të zgjerojnë bashkëpunimin pragmatik në fusha të ndryshme, të rrisin komunikimin dhe koordinimin për çështjet shumëpalëshe, si dhe të mbështesin dhe inkurajojnë të rinjtë e të dy vendeve për të nxitur mirëkuptimin reciprok, në mënyrë që të injektojnë vazhdimisht stimuj të rinj.
Ndalesa e fundit e Wang Yi ishte në Kryeministri. Pas përcjelljes së përshëndetjeve dhe urimeve më të mira për liderët kinezë Rama tha se miqësia mes Shqipërisë dhe Kinës ka një histori unike dhe ndikim të gjerë. Nga kreu i ekzekutivit shqiptar u ritheksua “Shqipëria do t'i përmbahet me vendosmëri politikës ‘‘një Kinë”. Me tej Rama tha se Shqipëria respekton Kinën, admiron arritjet zhvillimore të Kinës dhe vlerëson rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kinës në çështjet ndërkombëtare. Do të presë me padurim forcimin e bashkëpunimit me Kinën në të gjitha fushat, duke injektuar vitalitet të ri në marrëdhëniet Shqipëri-Kinë. Wang Yi tha se miqësia tradicionale mes Kinës dhe Shqipërisë nuk është vetëm një kujtesë historike që ia vlen të ruhet, por edhe një themel i thellë për zhvillimin e qetë të marrëdhënieve dypalëshe në vazhdim.

Këshilltari i Shtetit të Kinës i shpalosi kryeministrit shqiptar pozitën dhe pozicionin e Kinës në raport me veten dhe me pjesën tjetër të botës: Pavarësisht se sa larg kemi arritur, nuk do të harrojmë kurrë se nga filluam. Kina do të kujtojë gjithmonë mbështetjen e drejtë të Shqipërisë dhe miqësinë e thellë të krijuar mes dy popujve. Pavarësisht se sa të mëdha mund të jenë arritjet tona, ne duhet të nxjerrim përvojë dhe mençuri nga zhvillimi historik, duke këmbëngulur që të gjitha vendet, të mëdha dhe të vogla, janë të barabarta dhe duhet të kenë mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat që has, Kina do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e saj kombëtar dhe të drejtat e interesat e saj legjitime, do të mbrojë me vendosmëri drejtësinë ndërkombëtare dhe do të kundërshtojë të gjitha politikat e pushtetit dhe praktikat e bullizmit.
Ai i shprehu Ramës se Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për t'u kujdesur për interesat thelbësore të njëra-tjetrës, për të ndërtuar mbi miqësinë tradicionale, për të rritur besimin e ndërsjellë politik.
Fokusi dhe “fjalët kyç” të kësaj vizite
“Motor i dyfishtë” - Shqipëria është pjesë e dy nismave kineze, njëra globale (Një Brez, Një Rugë) dhe tjetra rajonale (Kinë-EQL). Këto platforma tejet aktive të multilateralizmit kanë dëshmuar një ndërveprim të intensifikuar nga të dyja palët, me zhvillime premtuese vit pas viti. Mesazhi i kryediplomatit kinez për palën shqiptare ishte i qartë. Kina do të suportojë gjerësisht efektin shtytës të këtyre nismave në mënyrë që të shërbejnë për të ndihmuar vendet e rajonit tonë të arrijnë një zhvillim sa më të madh dhe aq të dëshiruar. Duhet punuar së bashku për të përkthyer potencialin e bashkëpunimit në rezultate të prekshme. Ky “Motor i dyfishtë” është rruga më efikase për të arritur rezultatet e dëshiruara – tha Wang.
Parimi “një Kinë” – në të tre takimet u bë e qartë se nuk do të ketë devijime nga parimi “një Kinë”. Është mëse normale të ritheksohet vazhdimësia e politikave të shtetit shqiptar kundrejt Kinës, politikë që është e nisur, mbështetur, sponsorizuar dhe nënshkruar nga shteti shqiptar që në vitet 60.
Vlerësimi i së kaluarës - është një pasuri e përbashkët që përbën bazën mbi të cilën duhet të hidhen themelet e lidhjes miqësore për të ardhmen. Nga Wang u përdorën fjalë si: Kina nuk harron, mirënjohje, histori të vyer etj...për të trashëguar dhe çuar përpara traditën e shkëlqyer të miqësisë midis dy vendeve dhe për të vazhduar krijimin e perspektivave të reja të ndritshme për marrëdhëniet kino-shqiptare.
Gatishmëria për thellim bashkëpunimi – në të tre takimet Wang vuri theksin mbi pozicionin e Kinës në raport me bashkëpunimin dypalësh. Për të thelluar bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm në fusha të ndryshme si ekonomia, investimet tregtare, infrastruktura dhe shkëmbimet njerëzore, kulturore etj., ai shprehu vendosmërinë e vendit të tij për të rritur angazhimin në këto fusha.
Një kapitull i ri bashkëpunimi
Në shekullin e 21-të, globalizimi i ka afruar të dy vendet. Një ekonomi botërore gjithnjë e më e ndërvarur ka funksionuar si vektor solid për kuptimin e kulturave dhe njohjen e ndërsjellë. Urat e reja të bashkëpunimit po ndërtohen vazhdimisht, intensifikimi i marrëdhënieve, thellimi i bashkëpunimit dhe sinergjia e zgjeruar promovohen nga Pekini me një ritëm të pandalshëm, të gjitha këto janë një ogur i mirë për të ardhmen.

Trajektorja e shkëmbimeve dypalëshe midis Kinës dhe Shqipërisë ka përjetuar një ekzistencë të qetë dhe ekstreme përgjatë historisë. Megjithatë, të dy popujt kanë arritur të çmojnë, vlerësojnë, dhe mirëpresin njëri-tjetrin me lidhjet e rrënjosura thellë dhe të vendosura prej kohësh.
Pas një dekade, kjo vizitë fal shenja optimizmi dhe entuziazmi për potencialin që mund të kenë marrëdhëniet dypalëshe në epokën e re. Shqipëria mori vëmendje të posaçme nga rangje të larta të politikëbërjes kineze, gjë që shpreh qartë se boshti i vëmendjes së një superfuqie ekonomike po hap një kapitull të ri në këtë rajon.
Në këto kohë të vështira dhe të trazuara në arenën ndërkombëtare, vizita e Wang Yi në Tiranë tregon se Kina si një mik i hershëm i shqiptarëve, është sërish e gatshme dhe vullnetplotë të zgjasë dorën e bashkëpunimit.
Dr. Marsela Musabelliu







