Vizita e Këshilltarit të Shtetit dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kinës Wang Yi, kryhet në kuadër të 50 vjetorit të rikthimit të Kinës në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit. Të katër vendet kanë bashkëpunim me Kinën për nismën "Një brez një rrugë". Në kuadër të kësaj nisme të përbashkët, vendet kanë nënshkruar me Kinën memorandumin që synojnë promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, si dhe rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përmirësuar mekanizmin e bashkëpunimit për investime nën kuadrin dhe të Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Evropë Qendrore e Lindore.

Në ndalesën e tij të parë, Wang është takuar me Ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias dhe Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis për bisedime, të cilat u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit dypalësh me Kinën, kryesisht në tregti, investime, kulturë dhe turizëm. Me përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve, bashkëpunimi në projektin e Portit të Pireut ka arritur sukses të madh dhe është kthyer në një projekt historik të bashkëpunimit fitues.

Porti i Pireut do të shndërrohet në një port të klasit botëror, për të përshpejtuar ndërtimin e linjës Express Tokë-Europë dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të reja si p.sh. energjia e rinovueshme. Greqia është e gatshme të ndërmarrë nisjen e Vitit të Kulturës dhe Turizmit Kinë-Greqi. Pala greke ka vlerësuar arritjet e rëndësishme që Kina ka bërë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh në zhvillimin e gjelbër dhe inovacionin shkencor dhe teknologjik, si dhe të trajtojnë së bashku sfidat globale si ndryshimi i klimës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Serbia dhe Kina po zbatojnë projekte të përbashkëta me vlerë 8 miliardë euro dhe tregtia mes dy vendeve është trefishuar. Ministri i Jashtëm Wang ka theksuar se miqësia midis dy vendeve ishte "e bërë prej çeliku".

Në Shqipëri Ministri i Jashtëm u prit nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta. Vizita e Ministrit Wang Yi është e para e një kryediplomati të Republikës Popullore të Kinës që prej vitit 2011. Ministri i Jashtëm Wang Yi i ka përcjellë personalisht autoriteteve shqiptare falënderimin dhe mirënjohjen e thellë të qeverisë, autoriteteve dhe popullit kinez, për kontributin që Shqipëria dha për rikthimin e Kinës në OKB, duke sponsorizuar që nga viti 1960, një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, e cila u miratua në vitin 1971 dhe që njohu Republikën Popullore të Kinës si qeverinë e vetme legjitime të Kinës. Sipas përfaqësuesve kinezë “Kina nuk e harron kurrë” këtë kontribut të vendit tonë. Në takime është diskutuar mbi situatën e marrëdhënieve dypalëshe, vullneti reciprok për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike. Pjesë e bisedës ishte edhe shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin mes dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria do të jetë anëtare jo e përhershme e KS-OKB-së për periudhën 2022-2023. Ministrja e Jashtme Xhaçka dhe homologu kinez mbështetën heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të vizitojnë Kinën.

Më 29 Tetor në Romë Ministri i Jashtëm Wang Yi zhvilloi bisedime me ministrin italian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Luigi Di Maio. Wang Yi ka theksuar se Kina është e gatshme të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin praktik me Italinë dhe të avancojë bashkëpunimin reciprok të dobishëm në energji, aviacion dhe hapësirë ajrore, komunikim, gjelbërim, dixhitalizim, bujqësi dhe fusha të tjera. Italia është e gatshme të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me Kinën, të praktikojë multilateralizmin dhe të bëjë përpjekje të përbashkëta me Kinën në adresimin e sfidave globale. Aktualisht, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Itali-Kinë me tregtinë dypalëshe është në rritje të konsiderueshme. Kina është bërë destinacioni më i madh i eksportit të Italisë në Azi. Italia është plot besim në perspektivat e bashkëpunimit dypalësh me Kinën dhe është e gatshme të marrë bashkëpunimin "Një brez Një rrugë" si një pikënisje të re për të promovuar bashkëpunimin e gjithanshëm.

Vizita e ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi, vjen në një kohë kur Pekini ka rritur së fundmi praninë e vet në rajon, përmes financimeve shumë të mëdha në disa nga vendet e Ballkanit. Përfitues të rëndësishëm të IHD-ve kineze në rajon janë Serbia dhe Shqipëria, Sipas Dhomës Serbe të Tregtisë dhe Industrisë, përveç 1.5 miliardë eurove në investime të huaja direkte nga Kina në pesë vitet e fundit, më shumë se 20,000 njerëz në Serbi punojnë në gjuhën kineze. Në vitin 2016, IHD-të kineze përfaqësonin 7.32 përqind të totalit të tyre në Serbi, ndërsa në Shqipëri 2.3 përqind në vitin 2018. Megjithëse angazhimi po rritet, por Kina përsëri nuk është investitori më i madh direkt në asnjë nga vendet e rajonit. Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia është deri tani përfituesi më i madh i investimeve kineze. Banka e Eksport-Importit të Kinës financon pjesë të Korridorit të XI, ose E-763, një autostradë të lidhur nga Surçini në Obrenovac, si dhe disa pjesë të projektit të bypass-it të Beogradit. Projekti i parë i madh i Kinës në rajon, Ura Pupin, u financua gjithashtu nga Exim. Në sektorin hekurrudhor, Exim po financon anën e hekurudhës Budapest-Beograd. Kompanitë kineze po ndërtojnë dhe ofrojnë gjithashtu pajisje për termocentralet me qymyr në Serbi. Termocentrali Kostolac B3 i ndërtuara nga Kina – Kostolac B3 – është e lidhur me një kredi të garantuar nga shteti. Ka disa projekte të tjera infrastrukturore për të cilat janë nënshkruar memorandume të mirëkuptimit me Kinën. Investimet e kapitalit kinez janë konkretizuar me blerjen e uzinës së çelikut në Smederevo. Gjithashtu, Zijin Mining Group, në të cilën qeveria kineze kontrollues prej 63 për qind të aksioneve të uzinës së bakrit RTB Bor e emëruar më pas Zijin Bor Copper.

Me Shqipërinë janë nënshkruar rreth 61 marrëveshje dhe dokumente të përbashkëta bashkëpunimi mes dy vendeve, nga të cilat 28 dokumente, gjatë tre viteve të fundit. Në Shqipëri operojnë rreth 154 kompani kineze dhe shqiptaro-kineze, të vendosura kryesisht në Tiranë, Durrës, Dibër, Elbasan, Fier, etj. Një instrument i rëndësishëm mbetet Komisioni i Përbashkët Ekonomik, sesioni i fundit i të cilit është mbajtur në Qershor 2018, ndërkohë që nga ana jonë është propozuar mbajtja e sesionit të 10të të tij në Tiranë (viti 2022 ose 2023). Në vitin 2016, kompanisë China Everbright iu dha koncesioni për të operuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në Shqipëri, kompania shtetërore kineze China Everbright Group bleu në vitin 2016 TIA, operatorin e aeroportit kombëtar të Shqipërisë. Investimet në aeroportet e huaja janë në përputhje me Iniciativën Një Brez Një Rrugë, pasi ato potencialisht kontribuojnë në përmirësimin e lidhjeve të transportit midis Kinës dhe rajoneve të tjera, dhe një rol të madh për kompanitë kineze në transportin ajror ndërkombëtar. Një tjetër i IHD-ve kineze i rëndësishëm në Shqipëri është blerja nga Geo-Jade Petroleum nga firma kanadeze Bankers Petroleum koncensioni për shfrytezimin e vendburime të naftës. Kompania kanadeze është konsideruar investitori më i madh në Shqipëri. Megjithëse blerja e Bankers Petroleum përbënte zyrtarisht një investim në Kanada, marrëveshja krijoi një lidhje të rëndësishme midis Kinës dhe Shqipërisë. Aktiviteti kryesor i Bankers Petroleum është një koncesion ekskluziv për prodhimin e naftës në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinzë në Shqipëri, fusha më e madhe e naftës në tokë në Evropë, si dhe koncesionin ekskluziv në dy fusha të tjera nafte si Kuçova dhe Blloku F. Kompania prodhon 95 për qind e naftës bruto të Shqipërisë dhe në vitin 2018 'karburantet minerale përfshirë naftën' përbënin pothuajse 11 për qind të eksporteve të vendit.

Tregtia e mallrave të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe Kinën, si % e tregtisë totale, 2019

Dinamika e vëllimit të eksporteve dhe importeve të Kinës është rritur me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ekspozimi i drejtpërdrejtë tregtar i tyre është i ndryshëm, por Kina është aktualisht partneri i dytë ose i tretë më i rëndësishëm i importit. Ndërsa BE-ja është ende partneri më i rëndësishëm, Kina ka arritur të kalojë partnerët e tjerë tradicionalë të rajonit si Rusia apo Turqia. Mali i Zi ka vëllimin më të lartë të tregtisë në rajon me 12 përqind të totalit të importeve. Kina është një ndër tre partnerët kryesorë dhe për Shqipërinë dhe Serbinë me 11 përqind të totalit të importit dhe eksporteve.

Kina përfaqëson një aktor të rëndësishëm ekonomik, me një potencial investimi që mbetet të përvijohet në të ardhmen me vendet e Ballkanit Perëndimor. Bisedimet dypalëshe u përqendruan tek bashkëpunimi dypalësh dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm me këto vende në fushat me interes të ndërsjellë, me fokus bashkëpunimin ekonomik e kulturor, luftën kundër pandemisë COVID-19, bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale (Kinë-CEEC), si dhe bashkëpunimin në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Prof. Dr. Petraq Milo