
Presidenti Xi Jinping në konferencën në përurimin e 50-vjetorit të selisë së Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara theksoi kontributin për këte periudhë të popullit kinez, i cili ka demostruar një shpirt të palodhur, për drejtimin e duhur të zhvillimit të vendit, për solidaritetin dhe bashkëpunim me njerëzit në mbarë botën, si dhe për të praktikuar multilateralizmin dhe bashkëpunimin e Kinës me Kombet e Bashkuara. Duke u mbështetur në arritjet në ndërtimin dhe zhvillimin kombëtar që nga themelimi i Kinës së Re, populli kinez ka nisur epokën e re historike të reformës dhe hapjes dhe ka iniciuar dhe zhvilluar me sukses socializmin me karakteristikat kineze. Ndërsa doktrina e Deng Xiaoping i mundësoi Kinës të zhvillohej me ritme të shpejta ekonomike, "Era e Re" e presidentit Xi Jinping synon ta bëjë rritjen ekonomike të qëndrueshme të drejtuar nga inovacioni.
Kina ka arritur një përparim historik duke u shndruar në ekonominë e dytë më të madhe të botës. Gjatë periudhës 1980-2020, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kinës është zgjeruar me një mesatare prej 9.3 përqind në vit. Prodhimi i Brendshëm Bruto në periudhën 40 vjeçare është rritur nga 4 587 (100 milion Yuan) në vitin 1980, në 101 598 ( 100 milion Yuan) në vitin 2020. Kina ka treguar norma të larta të rritjes ekonomike duke bërë që vendi të jetë kontribuesi kryesor i rritjes globale. Si rezultat i kësaj, Kina do t’i afrohet Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të tejkalojë atë të Unionit Europian në vitin 2026. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, prodhimi i brendshëm bruto i Kinës në vitin 2026 do të arrijë në nivelin 24 996 040 miliardë $ amerikanë, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto i SHBA do të arrijë në nivelin e 29 102 501 miliardë $ Amerikanë, dhe i Unionit Europian në 22 141 371 miliardë $ Amerikanë.

Zhvillimi ekonomik është rezultat i ritmeve të larta të rritjes së produktivitetit. Produktiviteti në periudhen 2008-2019 është rritur nga 13 021 $ amerikan sipas PPP me çmime konstante të vitit 2017 në 29 363 $ në vitin 2019. Rritja mesatare vjetore e produktivitetit në periudhën 2008-2019 në Kinë vlerësohet në 7.9% në vit. Ndërkohë që rritja mesatare në nivel global është rreth 2.0%, dhe në vendet e G-20 është rreth 2.4% në vit.

Ritmet e larta të rritjes dhe zhvillimit ekonomik kanë ndikuar në rritjen e mirëqenies, të zhvillimit shoqëror, si dhe të zhdukjes së varfërisë absolute. Reformat ekonomike që u zbatuan në Kinë, duke filluar nga viti 1978, kanë pasur një ndikim në rritjen e standardit të jetesës së banorëve. Rritja e të ardhurave vlerësohet nga 343 Yuan për zonat urbane dhe 134 Yuan për zonat rurale në vitin 1978, në 43 384 Yuan dhe 17 131 Yuan në vitin 2020. Një tregues i rritjes së balancuar ndërmjet tyre është dhe raporti i të ardhurave. Në vitin 1978 raporti i të ardhurave midis banorëve të zonave urbane dhe atyre ruralë është ulur nga 2.57 : 1 në 1978, në 2.53 : 1 në vitin 2020. Në krahasim me vendet e zhvilluara, treguesi i prodhimit të brendshëm bruto për frymë i Kinës, në raport me atë të SHBA dhe BE, tregon një konvergim me ritëm të lartë.

Ndërsa raporti i prodhimit të brendshëm bruto për frymë i Kinës në raport me atë të SHBA dhe të BE ishte 2.1% dhe 2.7% në vitin 1980 , ndërsa në vitin 2020 prodhimi i brendshëm për frymë i Kinës është sa 37.3% të atij të SHBA dhe 53.1% e BE. Rritja e standartit të jetesës reflektohet në përmirësimin e shpejtë të dy treguesve, kryesorë të zhvillimit njerëzor. Sipas të dhënave të UNDP (2020), treguesi i zhvillimit njerëzor (HDI) për Kinën është rritur nga 0.501 në 1990, në 0.761 në 2019, me një rritje mesatare vjetore të lartë në 1.47%. Ndërkohë që në nivel global rritja mesatare vjetore e indeksit është 0.71%. Ulja e vdekshmërisë për 100 000 fëmijë të lindur është një tregues tjetër i rëndësishëm. Në vitin 2017 Kina numëron 28 raste, ndërkohë që mesatarja globale është 204, e vendeve me zhvillim të lartë njerëzor është 62, dhe në vendet e OECD është 18.

Një nga arritjet historike të Kinës është zhdukja e varfërisë ekstreme. Kina ka kontribuar më shumë se çdo vend tjetër në uljen globale të varfërisë. Kina ka nxjerrë 770 milion njerëz nga varfëria. Nga 770 milion banorë ose 97.5% e popullsisë në kufirin e varfërisë ekstreme, kjo shifër është ulur 55 milion banorë ose 5.7% në vitin 2015; në 5.5 milion banorë ose 0.6% në vitin 2019, ose nga 770.4 milion banorë në vitin 1978, në rreth 5.51 milion banorë në vitin 2019. Në fund të vitit 2020, Kina e ka përmbushur objektivin e saj për të çrrënjosur plotësisht varfërinë ekstreme.

Kina është një mbështetës i fortë i vendeve të tjera në zhvillim në luftën e tyre të drejtë për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit. Iniciativa e BRI u shpall nga Presidenti Xi Jinping në vitin 2013, për të promovuar lidhjet tregtare me Europën dhe vendet përgjatë rrugëve origjinale të mëndafshit, me qëllimin e përmirësimit dhe krijimit të rrugëve të reja tregtare. Kjo iniciativë do të mundësojë lidhjen dhe mundësitë e biznesit me mbi 60 vende, përgjatë Azisë, Evropës, Lindjes së Mesme dhe të Afrikës me mbi 60% të popullsisë botërore dhe të prodhimit të përgjithshëm bruto, ose ekuivalente me 33% të pasurisë botërore. Kjo është konsideruar nga qeveria kineze si raundi i tretë i hapjes së Kinës. Kjo iniciativë e BRI do të mbështesë zhvillimin ekonomik të Kinës në fushat e infrastrukturës, tregtisë si dhe ndërkombëtarizimit të monedhës kineze - RMB. Objektivat e deklaruara janë rritja e prosperitetit në pjesët perëndimore të pazhvilluara të Kinës, nxitja e lidhjes dhe zhvillimit ekonomik përgjatë vendeve të rrjetit të rrugëve, rritja e integrimit midis Kinës dhe fqinjëve të saj dhe rritja e sigurisë së energjisë përmes diversifikimit të burimeve të importit.

Kina ka dhënë një kontribut të ҫmuar në kontrollin ndaj pandemisë, në angazhimin në ndihmë të vendeve në nevojë si dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Pandemia Covid -19 tregoi rëndësinë e një përgjigje të koordinuar dhe bashkëpunuar në nivel global ndërmjet vendeve. Vaksinimi është arma jonë e fuqishme kundër COVID-19. Një nga kontributet më të rëndësishme që Kina ka dhënë është fakti që ka arritur ta mbajë nën kontroll të plotë brenda territorit të vet situatën shëndetësore të shkaktuar nga Covid. Gjithashtu Kina ka arritur të administrojë në rreth 2.2 miliardë doza ose 37% nga 5.9 miliardë doza në nivel global deri në shtator të vitit 2021. Kina ka dhuruar gjithashtu 100 milionë dollarë amerikanë në kuadrin e mekanizmit Covax – mekanizëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë – për furnizimin e vendeve me vaksina. Në sesionin e përvitshëm të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti Xi u angazhua edhe për 100 milionë vaksina shtesë për vendet në nevojë, deri në fund të vitit 2021.
Gjithashtu gjatë kohëve të vështira të pandemisë COVID-19, Kina ka qenë aktive në ndarjen e përvojës së reagimit ndaj COVID- 19 me botën, ka dërguar sasi të mëdha furnizimesh, vaksinash dhe ilaçesh në vendet e tjera, dhe është angazhuar thellësisht në bashkëpunimin e bazuar në shkencë për COVID- 19 në gjurmime të origjinës, të gjitha në një përpjekje të sinqertë dhe proaktive për të kontribuar në fitoren përfundimtare të njerëzimit mbi pandeminë. Presidenti Xi, rikonfirmoi pesë nga politikat e saj si bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar për COVID-19 duke siguruar ndihmë për mbi 150 vende dhe për 13 organizata ndërkombëtare, si dhe dërgimin e 36 ekipeve të ekspertëve mjekësorë në vendet në nevojë.

Problemet me të cilat përballet bota janë të ndërlikuara dhe komplekse dhe mënyra për t’í zgjidhur ato arrihet përmes përkrahjes së multilateralizmit dhe ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Presidenti Xi ka theksuar se Kina në mënyrë aktive ka kontribuar për zgjidhjen politike të mosmarrëveshjeve përmes mjeteve paqësore. Ajo ka dërguar mbi 50,000 paqeruajtës në operacionet paqeruajtëse të OKB-së dhe tani është kontribuesi i dytë më i madh financiar si në Kombet e Bashkuara ashtu edhe në operacionet paqeruajtëse të OKB-së. Kina ka qenë ndër vendet e para që ka përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të OKB-së. Ajo ka marrë drejtimin në zbatimin e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Prof. Dr. Petraq Milo







