
Kina prej 50 vitesh është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Me këtë rast, më 25 tetor 2021, presidenti i vendit më të madh në botë, Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm për të kujtuar këtë ditë të shënuar në historinë e popullit kinez dhe për të evidentuar kontributin e Kinës në këtë organizëm ndër më të rëndësishmit në arenën ndërkombëtare.
Kina tashmë është një zë i plotë dhe i sigurt në arenën ndërkombëtare dhe ka mënyrën e saj unike se si ajo e shikon të ardhmen e saj dhe të mbarë njerëzimit.
Përpara 50 vitesh Sesioni i 26-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese Rezolutën 2758, mbi bazën e së cilës u mor vendimi për rivendosjen e të gjitha të drejtave të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe njohjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës si përfaqësuesit e vetëm legjitimë të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe në tërësi në arenën ndërkombëtare, një sukses i pakrahasueshëm për popullin kinez, ngjarje mjaft e rëndësishme për mbarë botën, ngjarje që solli në kushte të barabarta në arenën ndërkombëtare banorët e Kinës, që përbëjnë 25% të popullsisë së botës, solli në kushte të barabarta në arenën ndërkombëtare zërin e popullit kinez dhe solli në arenën ndërkombëtare mundësinë e përballjes së mënyrave të ndryshme të jetesës, të të konceptuarit të botës ku jetojmë dhe të respektimit të pikëpamjeve të të tëra palëve në një tavolinë të përbashkët, ku problemet globale kanë mundësi të trajtohen me paanësi dhe në mënyrë të balancuar, kjo pasi zëri i përfaqësuesve të popullit kinez në Kombet e Bashkuara ka qenë që në fillim dhe në vazhdimësi zë i fuqishëm, aktiv dhe real në mbrojtje të interesave të kombeve të ndryshme të botës, me angazhim të plotë dhe me përkushtim me synim mirëqenien e mbarë njerëzimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës të çdo qytetari të botës ku jetojmë.

Këto 50 vitet e fundit, shumë pak për historinë e popullit kinez, janë vite mbushur me ngjarje dhe dukuri të pavërejtura më parë, përgjatë të cilave populli kinez ka kaluar nga rrethana jo të përshtatshme në kushte shumë më të mira jetese, duke bërë të mundur që Kina të renditet midis vendeve që po kalojnë nga vende në zhvillim në vende të zhvilluara.
Presidenti i Kinës në fjalimin e tij tha: “Kina, pasi ka kaluar disa faza të rëndësishme të zhvillimit, shikon përpara që të jetë realisht midis vendeve të zhvilluara, me një rritje të shpejtë të të ardhurave të çdo qytetari, duke reformuar mënyrën e jetesës, duke rritur produktivitetin dhe duke përmirësuar nga dita në ditë standardet e jetesës. I tërë ky zhvillim mbështetur në traditën e popullit kinez dhe në dëshirën për kontribut cilësor në arenën ndërkombëtare, duke zhvilluar një sistem politik, ekonomik, social, kulturor, mjedisor, ligjor, etj, mekarakteristika të veçanta, lehtësisht të dallueshme me sistemet e vendeve të tjera, një sistem që funksionon, zhvillohet dhe zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme, mbështetur në parime shkencore të bërjes së politikës, të zhvillimit me anë të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes me anë të axhustimeve të nevojshme strukturore dhe reformave të domosdoshme institucionale, falë të cilave, Kina dhe populli i saj gëzojnë mirëqenien që mjaft vende dhe popuj të tjerë synojnë që ta arrijnë.”

Për Kinën rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi me kombe, vende dhe njerëz nga mbarë bota për më shumë paqe, zhvillim të qendrueshëm dhe prosperitet. Sovraniteti, siguria dhe zhvillimi janë tre piketat më të rëndësishme të politikës së Kinës në arenën ndërkombëtare përballë politikës së hegjemonizmit ndërkombëtar dhe dëshirës së pafrenuar për kontroll ndërkombëtar të burimeve natyrore, financiare dhe njerëzore.
Si anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kina është kontributori i dytë më i madh financiar në Kombet e Bashkuara. Kina ka dërguar më shumë se 50.000 trupa në operacionet paqeruajtëse të OKB-së.
Në lidhje me të drejtat e njeriut, Kina zbaton me përpikmëri universalitetin e të drejtave të njeriut, parë kjo edhe në kontekstin e kushteve të vetë Kinës, duke dhënë një kontribut të çmuar edhe në kauzën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Tashmë jemi në mes të revolucionit të katërt industrial, ku teknologjitë e komunikimit, teknologjitë e informacionit, nanoteknologjitë, bioteknologjitë, telematika, logjistika dhe veprimtari të tjera të rëndësishme të njeriut janë në shpërthim, duke sjellë përballë nesh një terren të ri, në të cilin kërkohet më shumë orientim dhe më shumë qendrueshmëri sistemesh, paralelisht me dëshirën për më shumë paqe dhe për më shumë hapje dhe bashkëpunim rajonal dhe global, gjë që kërkon angazhim të të tëra forcave përparimtare, përballë hegjemonisë dhe politikës së pushtetit, unilateralizmit dhe proteksionizmit.

Paqja, zhvillimi, barazia, drejtësia, demokracia dhe liria, janë kauza të përbashkëta, në kuadër edhe të diversitetit, që përbën në fakt thelbin e vitalitetit dhe forcës lëvizëse për zhvillimin botëror, shtuar se asnjë qytetërim në botë nuk është superior ndaj të tjerëve dhe se çdo qytetërim është i veçantë dhe unik. Nëse në një qytetërim individidët e ndjejnë vehten mirë dhe në harmoni midis tyre dhe e ndjejnë se jeta e tyre përmirësohet në mënyrë cilësore nga dita në ditë, dhe , nëse në atë vend ka rritje ekonomike të qendrueshme, qendrueshmëri sociale dhe ku njerëzit mbështeten për të zhvilluar veprimtarinë e tyre jetësore, mund të thuhet se në atë vend lidershipi mbështet dhe kontribuon edhe në kauzën progresive të mbarë njerëzimit.
Ne nuk kemi dhjetë planete Tokë, që pasi të shkatërrojmë një tokë të mund të shkojmë në tokën tjetër e kështu me radhë. Toka është atdheu ynë i përbashkët dhe rraca njerëzore është një komunitet i përbashkët që meriton të jetojë në harmoni me natyrën, drejt një të ardhmeje më të mirë për të tërë ne.
Kinezët e lashtë kanë thënë se “Thelbi i qeverisjes është jetesa; dhe thelbi i jetesës është mjaftueshmëria”, dhe kjo kërkon që të forcohet kapaciteti i njerëzve për zhvillim dhe nga ky zhvillim të kenë mundësi të përfitojnë të tërë individualisht.

Një rishikim i së kaluarës mund të ndriçojë rrugën përpara. Duke qëndruar në një pikënisje të re historike, Kina do të qëndrojë e përkushtuar në rrugën e zhvillimit paqësor dhe do të jetë gjithmonë një ndërtuese e paqes botërore. Kina do të qëndrojë e përkushtuar në rrugën e reformave dhe hapjes dhe do të jetë gjithmonë një kontribuese në zhvillimin global. Kina do të qëndrojë e përkushtuar në rrugën e multilateralizmit dhe do të jetë gjithmonë një mbrojtëse e rendit ndërkombëtar.
Një poemë e lashtë kineze thotë: “Kodra jeshile zhyten në të njëjtën re dhe shi. E njëjta hënë ndriçon qytete sado të largëta.”, thënie kjo që në fakt përbën thelbin e krijimit dhe ekzistencës së Kombeve të Bashkuara.
Dr. Enriko Ceko







