Më 25 tetor, u përkujtua 50 vjetori i pranimit të Republikës Popullore të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pranimi në OKB i saj pati dy pasoja: Së pari, la jashtë kësaj organizate Tajvanin, I cili përfaqësonte Kinën dhe së dyti, ngriti Kinën në rolin e anëtares së Përhershme të Këshillit të Sigurimit, vend që e përfaqësonte Tajvani. Pra, kur më 25 Tetor të vitit 1971 Kina u bë pjesë e organizatës botërore të rendit ndërkombëtar, Tajvani doli jashtë kësaj organizate dhe prej asaj kohe ishulli 30 milon banorësh është jashtë strukturave të OKB-së. Statusi i tij është ende i paqartë.

Më 25 Tetor të vitit 1971 Shtetet e Bashkuara të Amerikës sollën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një rezolutë për të rikonfirmuar pozicionin e Tajvanit në këtë organizatë dhe në Këshillin e Sigurimit si përfaqësues edhe i Republikës Popullore të Kinës. Por rezoluta u rrëzua me 59 vota kundër, 54 pro dhe 15 abstenime. Kësisoj SHBA-të dështuan që ta mbronin Tajvanin në këtë mbledhje plenare të Asamblesë. Ishulli nuk do të ishte më anëtar i OKB-së.

Ka studies dhe ekspertë, të cilët këtë fakt e shpjegojnë me përpjekje të munguara të amerikanëve për ta mbrojtur aleatin e tyre për shkak se intersi i Uashingtonit ishte përmirësimi i marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës. Megjithatë, ambasadori amerikan i kohës në OKB, George S. Bush, (më vonë president i SHBA-ve), do të shprehej se refuzimi i rezolutës për ta konfirmuar Tajvanin si anëtare të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit, ishte "një goditje fatale"!

Dështimi dhe rrëzimi i rezolutës amerikane për ruajtjen e pozicionit të Tajvanit në OKB solli që në të njëjtën ditë përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë organizatë të paraqesë një rezolutë tjetër, me numër 2758, me të cilën Republika Popullore e Kinës njihej si e vetmja përfaqësuese në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit. Kjo rezolutë shënon edhe fillimin e një ere të re të Republikës Popullore të Kinës në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare. Ndërkohë që përfaqësuesit e kryeqytetit tajvanez linin sallën e Mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, shumica e vendeve që votuan pro-përfaqësimit kinez festuan vendimin e marrë.

Shqipëria u bë kësisoj sponsore kryesore e mbështetjes së Republikës Popullore të Kinës për pranimin e saj në OKB e për pasojë edhe për largimin nga kjo organizatë e Tajvanit. Ishte koha kur marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin në pikën më të lartë të ngjitjes, kur vendi i vogël në Juglindje të Europës merrte nga shteti qindramilionësh kinez miliarda dollarë ndihma e kredi për zhvillimin e ekonomisë e të aftësisë mbrojtëse dhe kur liderët e të dy vendeve pretendonin monopolin e "mbrojtjes" së ideologjisë së përbashkët!

Pekini zyrtar e ka njohur këtë kontribut të Tiranës në shërbim të ambicjes kineze për të zënë vendin e saj në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit. Edhe sot autoritetet kineze flasin me respekt për kontributin e përfaqësuesve të Republikës Popullore të Shqipërisë të para 50 viteve, sepse ky akt ndryshoi ekuilibrat e Republikës Popullore të Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ata kanë shprehur falenderimet e sinqerta ndaj udhëheqjes politike shqiptare për këtë kontribut. Ndërkaq e kanë shoqëruar ndihmën e Shqipërisë në OKB me kredi e ndihma të shumta ekonomike. Mbi 400 objekte industriale e bujqësore janë ndërtuar në katër pesëvjeçarë në Shqipëri me kreditë dhe ndihmat kineze.

Por ndryshimi i këtyre raporteve ndërkombëtare në favor të Pekinit krijoi kushte të favorshme për afrimin kino-amerikan. Në këtë kuadër ndodhi vizita e presidentit amerikan, Richard Nixon në Kinë, gjë e cila nuk u prit mirë nga lidërshipi i Tiranës. Sa më shumë afrohej Pekini me Uashingtonin, aq më shumë largohej Tirana nga lidhjet e saj me Kinën! Kjo marrëdhënie e kushtëzuar bëri që distanca midis të dy vendeve të zgjerohej vazhdimisht derisa në vitin 1978 ajo u ndërpre. Por ndryshe nga sa kish ndodhur me Jugosllavinë në vitin 1948 dhe me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, udhëheqja shqiptare nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin kinez.

Angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë për pranimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB e për pasojë edhe në Këshillin e Sigurimit do të duhej të shoqërohej në fakt me thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por ndodhi e kundërta, kryesisht për shkak të politikave dogmatike ideologjike të Tiranës zyrtare.

Ndërkohë Tajvani mbeti një ishull i panjohur si shtet i pavarur e sovran dhe zanafilla e këtij statusi duhet kërkuar në aktin e votuar në OKB më 25 Tetor 1971. Në kohët e sotme është vështirësuar akoma më shumë që të gjendet një zgjidhje për njohje ndërkombëtare dhe vështirësitë do të shtohen në proporcion me fuqizimin ekonomik, politik dhe ushtarak të Republikës Popullore të Kinës. Askush, as vetë Fuqitë e Mëdha, nuk do të donin që të përkeqësojnë marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës për shkak të marrëdhënieve me Tajvanin. Ndaj dhe janë pak vende ato që e kanë njohur shtetin e Tajvanit. Kjo situatë krijon gjithashtu mundësi për të kërkuar një zgjidhje paqësore midis të dy vendeve.

Enver Bytyçi