Kina është në prag të fitimit të statusit të vendit me të ardhura të larta. Bazuar në pragun aktual të vendeve me të ardhura të larta, përcaktuar nga Banka Botërore, bazuar edhe në parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kina mendohet se do e arrijë këtë pozitë përpara vitit 2025.

Banka Botërore i klasifikon ekonomitë e vendeve të ndryshme në katër grupe të ardhurash: (1) vende me të ardhura të ulëta, (2) vende me të ardhura të mesme të ulëta, (3) vende me të ardhura të mesme të larta dhe (4) vende me të ardhura të larta.

Ky klasifikim rishikohet çdo vit më 1 korrik dhe bazohen në të ardhurat për frymë.

Arritja e kësaj renditjeje për të qenë pjesë e klubit të kombeve më të të pasura dhe me përmirësim të pandalshëm të cilësisë së jetës nuk do të thotë anëtarësim përgjithmonë, pasi të ardhurat dhe gjendja ekonomike dhe rritja ekonomike ndryshojnë me kalimin e kohës, por, tashmë është e qartë se Kina edhe në të ardhmen do ketë një rritje të qendrueshme, që do e pozicionojë vendin për një kohë të gjatë në grupin e vendeve me të ardhura të larta.

Përgjatë tridhjetë viteve të fundit, ekonomia kineze ka ecur midis vështirësish të natyrës globale, qe e kanë bërë atë edhe më të qendrueshme dhe më konkurruese. Gjatë krizës financiare ndërkombëtare të 2008 - 2011, Kina, me ecurinë e ekonomisë së saj dhe me rritjen e pandalshme të prodhimit bujqësor dhe industrial, ndihmoi për ringritjen e ekonomisë globale, por më vonë, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike globale nga reduktimi i kërkesës, ekonomia kineze u përball me disa shqetësime që kishin të bënin me vështirësitë për rritjen e eksporteve, uljen e shpenzimeve në nivel global dhe midis vendeve që janë partnerët kryesorë tregtarë të Kinës, dëmtimi i tregut të produkteve industriale dhe kryesisht i tregut të prodhimit të mjeteve të transportit dhe të pjesëve të këmbimit për to, etj.

Në atë kohë, Qeveria e Kinës mori masa të menjëhershme duke ulur normën e interest, që ndikoi në mënyrë të dukshme në inkurajimin e ekonomisë në përgjithësi dhe të sektorëve të prodhimit bujqësor dhe atij industrial si dhe të teknologjive të informacionit në veçanti.

Në këtë periudhë, kur lojtarët tradicionalë në tregtinë ndërkombëtare humbën terren, Kina me produktivitetin e saj në rritje, bëri të ndryshonin modelet e bërjes së tregtisë, duke sjellë një përmirësim të marrëdhënieve tregtare në rang global si dhe nxiti më pas edhe përmirësimin dhe sofistikimin e praktikave dhe politikave tregtare të vendeve dhe rajoneve të industrializuara.

Më pas, për një periudhë të gjatë, ritmet e rritjes ekonomike të Kinës kanë qenë mesatarisht në nivelin 9,5%, një rritje kjo ndër më të lartat në botë. Ekonomia e Kinës arriti të renditej menjëherë pas ekonomisë amerikane, duke synuar vendin e parë, falë aftësisë së ekonomisë kineze për të aplikuar në praktikë parimet e manaxhimit shkencor.

Në ditët tona Kina zotëron rezervat më të mëdha valutore në botë, është një ndër vendet me volumin më të lartë tregtar në botë dhe vazhdon të jetë në vendin e parë përsa i përket tërheqjes së investimeve të huaja. Vitet e fundit, ekonomia e Kinës ka qenë e aftë të krijojë rreth 25 milionë vcende të reja pune çdo vit.

Ekonomia e Kinës po specializohet në prodhimin e mallrave industrialë, ndërsa ekonomia amerikane dhe ajo japoneze po specializohen në prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë. Kjo është një gjë e mirë për ekonominë botërore, pasi krijon mundësi që vendet të bëjnë edhe më shumë biznes, bazuar në specializimin e prodhimit dhe shërbimeve. Kjo duhet parë në këndvështrimin e kërkesës që ka ekonomia kineze për lëndë të para, të cilat ofrohen në tregjet ndërkombëare nga vende në zhvillim, të cilat për këtë shkak kanë arritur të bëhen pjesë e tregtisë ndërkombëtare dhe pjesë e zinxhirit global të furnizimit.

Kina, ndryshe nga Banka Botërore, u jep kredi me interesa të ulëta dhe pa kufizime politike vendeve të pazhvilluara, që me këto kredi ndërtojnë infrastrukturën e tyre, gjë që i ndihmon këto vende të zhvillojnë ekonominë dhe të bëjnë biznes të suksesëshëm në arenën ndërkombëtare. Shembull klasik për këtë janë vendet afrikane që kanë përfituar pozitivisht nga praktikat e kreditimit të Pekinit.

Për shkak të këtyre lëvizjeve inteligjiente, Kina në 2011 – 2018 vazhdoi të kishte rritje të lartë ekonomike dhe shtim të eksporteve, duke sjellë rigjallërim të ekonomive të vendeve përreth, shtuar këtu edhe përmirësimin e sistemit fiskal, reduktimin e kostove të prodhimit dhe orientimin e ekonomisë në dy drejtime: (1) nxitje e eksporteve dhe (2) nxitje e konsumit të brendshëm.

Edhe në periudhën e pandemisë ekonomia e Kinës nuk u frenua. Falë masave të marra me shpejtësi, eficiencë dhe efikasitet për mbrojtjen e popullsisë së saj, Kina rimëkëmbi shpejt ekonominë, duke bërë që eksporet në 2019 - 2020 të rriteshin me rreth 20% dhe importet me rreth 4%.

Tashmë kur shumë vende përballen ende me rrezikun e pandemisë, Kina shënon një rritje të lartë indeksit të blerjeve dhe rritje të punësimit. Gjatë tre mujorit të parë të vitit 2021 ekonomia e Kinës u rrit me 18.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

FMN ka llogaritur se ekonomia kineze do rritet minimalisht me 8%, edhe pse Qeveria e Kinës, me vetëpërmbajtje, deklaron pritshmëri prej 6%. Ndihmesë të veçantë në rritjen ekonomike po japin fabrikat kineze të prodhimit të produkteve, pajisjeve dhe medikamenteve mjeksore, për të cilat ka një kërkesë në rritje në tregjet ndërkombëtare, por këtu ka patur ndikim jo të vogël edhe sektori i prodhimit të pajisjeve elektroshtëpiake.

E ardhmja duket pozitive. Mendohet se Kina në vitin 2028 do t’a kapërcejë SHBA-në, dhe do bëhet ekonomia më e madhe në botë, sidoqoftë, dëshira për të ardhura përherë e më të larta nuk duhet të ndikojë në politika ekonomike të detyrueshme, që nuk kanë lidhje me parimet ekonomike që aplikohen në tregjet ndërkombëtare të tilla si kërkesa dhe oferta, arritja dhe mbajtja e avantazheve konkurruese, etj, apo edhe pasja parasyh e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, detyrimeve që vijnë për shkak të anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, mbrojtja e mjedisit, etj.

Dr. Enriko Ceko