
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) konsiderohet si një skenë globale për diplomacinë, një platformë për politikën ndërkombëtare, një barometër i çështjeve botërore si dhe vendbashkimi i ideve dhe kulturave të botës. OKB lindi si një shpresë kolektive për paqe të qëndrueshme për të gjitha kombet. Për 22 vjet rresht Republika Popullore e Kinës (RPK) u mbajt jashtë kësaj organizate - një e pesta e popullsisë së globit nuk ishte pjesë e kësaj organizate që quhet botërore. Pavarësisht se ishte një anëtar themelues dhe një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB, Kina luftoi për më shumë se dy dekada për t'u ribashkuar në OKB dhe ia doli më 1971. Kryetari Mao Zedong njëherë shprehu se ishin vendet në zhvillim që "bartën" Republikën Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara.
Dy dekada betejë diplomatike
Pas vitit 1949, Pekini deklaroi se qeveria e RPK ishte qeveria e vetme legjitime e vendit, duke bërë thirrje për dëbimin e përfaqësuesit të Tajvanit (Kuomintang) nga OKB. Sidoqoftë, kërkesa u prit me kundërshtime, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1961, Asambleja e 16-të e Përgjithshme e OKB vendosi të shihte përfaqësimin e Kinës në axhendën e saj. Në vitin 1970, për herë të parë, numri i votave "Po" tejkaloi "Jo".

Përparimi i madh në diplomaci e solli vendin në një epokë të re të marrëdhënieve shumëpalëshe.
Më 25 tetor 1971, Asambleja e e 26-të Përgjithshme e OKB rivendosi të gjitha të drejtat e ligjshme të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe menjëherë përjashtoi përfaqësuesin e Kuomintang. Kjo ishte rezoluta e famshme e Asamblesë së Përgjithshme të OKB Nr. 2758 e cila u bazua në një projekt-rezolutë të propozuar bashkërisht nga Shqipëria dhe 22 vende të tjera, më tej u miratua dhe u mbështet nga shumica e vendeve. Ajo që Kina arriti në dekadat e prezencës në OKB hodhi themelet për zhvillimin e lidhjeve diplomatike në të gjithë globin.

Anëtar i denjë, qasje koherente dhe kthjelltësi pragmatike
Sjellja e Kinës në OKB ka qenë dhe është, një zgjatim i eventeve brenda vendit dhe mbi të gjitha i lidershipit të Kinës. Që prej vitit 1971, kur Kina rivendosi anëtarësimin e saj në OKB është bërë më e integruar në bashkësinë globale dhe ndërvepron jashtëzakonisht me më shumë shtete dhe në më shumë forume se kurrë më parë. Gjatë angazhimit të administratës Deng me bashkësinë ndërkombëtare Kina zgjeroi profilin e saj ndërkombëtar duke rritur ndjeshëm pjesëmarrjen e saj në organizatat ndërqeveritare dhe joqeveritare me fokus në ato ekonomike dhe financiare. Ndërkombëtarizimi domethënës i Kinës vazhdoi të rritet nën udhëheqjen e Jiang Zemin dhe Hu Jintao.

Wang Jianwei, një profesor i universitetit të Macaos, argumenton se me rritjen ekonomike të Kinës, pozicioni i saj në multilateralizëm është zhvendosur nga reagimi pasiv, tek pjesëmarrja aktive tek iniciatori. Diplomacia shumëpalëshe e Kinës nuk i shërben thjesht funksionit tradicional të balancimit të jashtëm ose “krijimit të dobisë” – ajo gjithashtu tregon interesin në rritje të Pekinit për krijimin e një rendi ndërkombëtar më pak instrumental dhe më shumë të bazuar në rregulla dhe norma.
Si një fuqi e madhe e përgjegjshme, Kina gradualisht i ka brendësuar normat ndërkombëtare dhe po angazhohet në OKB në mënyrë tepër aktive. Nga rritja marramendëse e trupave paqeruajtëse, te shumëfishimi i kontributit financiar ndër vite, te thirrja për fashitjen e tensioneve mbanë botës, Kina në OKB ka përherë e më shumë një rol vendimtar.
Aaron Friedberg, duke shkruar për marrëdhëniet e superfuqive shprehet se një rrjet i ngjeshur lidhjesh promovojnë kontakt, komunikim dhe mirëkuptim reciprok, apo edhe besim, ose të paktën, një gjasë të reduktuar të keqkuptimeve të mëdha. Me përfshirjen e saj në rritje në organizatat kryesore ndërkombëtare si OKB, Kina është bërë më e hapur, e përgjegjshme, bashkëpunuese duke promovuar kështu paqen dhe stabilitetin.
Gjatë gjysmë shekulli në OKB, Kina ka dhënë një shembull të mirë në ruajtjen e rendit ndërkombëtar, ka respektuar përgjegjësitë për ruajtjen e paqes botërore, ka punuar pa pushim për të promovuar zhvillimin e përbashkët, ka dhënë kontribut aktiv në adresimin e sfidave globale
Kina nën drejtimin e Xi Jinping dhe OKB
Në vitin 2013, kur në krye të Kinës erdhi Xi Jinping, kohët ishin maturuar për prezencën e një Kine më të përfshirë dhe më proaktive në OKB. Rëndësia e madhe që Xi i jep Kombeve të Bashkuara është demonstruar vazhdimisht në praktikë. Shumë nga mendimet e tij të rëndësishme mbi qeverisjen globale janë dhënë përmes foltoreve të OKB -së.

"Paqja, zhvillimi, barazia, drejtësia, demokracia dhe liria janë vlera të përbashkëta të të gjithë njerëzimit dhe synimet e larta të Kombeve të Bashkuara," tha Xi në Sallën e Asamblesë së Përgjithshme në 2015.
Sa më komplekse dhe e zymtë të jetë situata, aq më e rëndësishme është të shfaqet autoriteti dhe roli i Kombeve të Bashkuara, i tha Xi Jinping Sekretarit të Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres kur ata u takuan në Prill 2019 në Pekin, gjatë Forumit të Dytë të Nismës “Një Brez, Një Rrugë.”
Këto fjalë nuk janë kurrë fjalë boshe. Kina aktualisht po punon për të krijuar një qendër globale të përgjigjeve humanitare në Kinë për të siguruar funksionimin e zinxhirëve të furnizimit në mes të pandemisë COVID-19.
Më 22 shtator 2020 Presidenti kinez Xi Jinping foli në një takim të nivelit të lartë për të përkujtuar 75 vjetorin e Kombeve të Bashkuara duke thënë: “Përballë realiteteve dhe sfidave të reja, ne duhet kuptojmë: Çfarë lloj OKB -je nevojitet për botën? Si duhet të luajë Organizata rolin e saj në epokën pas-COVID?”
Xi shprehu se është e domosdoshme që përfaqësimi dhe zëri i vendeve në zhvillim të rritet në mënyrë që OKB të jetë më e balancuar në pasqyrimin e interesave dhe dëshirave të shumicës së vendeve në botë. Qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB janë udhëzimet themelore për trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk duhet të ketë praktikë të jashtëzakonshmërisë ose standardeve të dyfishta. OKB duhet të promovojë bashkëpunimin duhet të përqëndrohet në veprime të vërteta. Për të vënë në praktikë parimin e multilateralizmit, të veprohet e jo vetëm të flitet. Le të ripërtërijmë angazhimin tonë të fortë për multilateralizmin, të punojmë për të promovuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe të mblidhemi pas flamurit të OKB -së për të patur unitet dhe përparim më të madh. – tha Xi,
Shumë herë është konfirmuar nga numri një i politikbërjes kineze se Kina do të qëndrojë e angazhuar në mënyrë aktive në reformimin dhe zhvillimin e sistemit të qeverisjes globale.
Më 7 mars 2021 Ministri i Jashtëm Wang Yi në një konferencë shtypi shprehu se OKB nuk është një klub për vendet e mëdha ose të pasura; të gjitha vendet gëzojnë barazi sovrane dhe asnjë vend nuk është në gjendje të diktojë çështjet ndërkombëtare... Kina mbron barazinë dhe drejtësinë, dhe vota e saj në OKB i përket botës në zhvillim - tha Wang.
Disa javë me vonë, gjatë zhvillimit të Forumit Lanting mbi Kinën dhe OKB” zhvilluar 25 qershor 2021 Wang rikujtoi Fjalët e Maos duke shtuar se ajo fjala “bart” pasqyron më se miri miqësinë e thellë midis Kinës dhe vendeve në zhvillim dhe është diçka që ne në Kinë nuk do të harrojë kurrë!
Së fundmi, duket qartë se Kina moderne është përfaqësuar në OKB si një fuqi e madhe mirënjohëse, asnjëhere revizoniste, me memorie të thellë kolektive dhe mbi të gjitha e angazhuar denjësisht me premtime të mbajura.
Dr. Marsela Musabelliu







