Republika Popullore e Kinës është një vend i madh që udhëhiqet nga një doktrinë unikale në etikën konfuciane dhe vlerat e sotme moderne të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit. Jashtë Kinës këtë qeverisje e klasifikojnë si autoritare me mungesa të lirive dhe drejtave themelore të njeriut. Por vetë kinezët e perceptojnë atë si një demokraci që plotëson nevojën themelore të qytetarëve për mbrojtje. Dy studiues kinez, Lu dhe Shi, e kanë emërtuar sistemin politik dhe qeverisjen kineze si veprimtari e mbrojtjes së njerëzve. E tillë ishte e perceptuar edhe qeverisja e Mao Ce Dunit, ajo e Ten Hasio Pinit dhe kësisoj perceptohet kjo e sotmja nën presidentin Xi Jinping.

Nga pikëpamja e decentralizimit Republika Popullore e Kinës nuk duket si një vend unitar. Ajo ka gjithsej 33 rajone autonome, nga të cilat katër qytete, si Pekini, Shangai, Tianjin, 22 provinca, pesë rajone autonome (Tibet, Xinjiang, Mongolia e Brendshme, Guangxi e Ningxia), si dhe dy zona të veçanta administrimi, Hongkongu dhe Makao. Por jo vetëm kaq. Kina ka një rrjet të gjerë të qeverive lokale në zona, gjithsej 333, ku bëjnë pjesë qytetet më të mëdha të vendit. Ndërkaq ajo decentralizohet edhe në 2862 njësi administrimi të tjera, të cilat kanë një qeverisje lokale të bazuar në kushtetutë dhe ligjet përkatëse. Po t'u shtojmë këtyre edhe 40 mijë komuna, qytete të vogla ose zona të banuara industriale, si dhe 800 mijë fshatra, atëherë kuptojmë se sa shkallë të qeverisjeve lokale veprojnë në këtë vend.

Të gjitha këto struktura të shumta e të ndryshme nga pikëpamja e ndërtimit dhe funksionimit të tyre bëjnë që qytetarët kinezë të mos e ndjejnë aspak peshën e qeverisjes qendrore në kuptimin e zgjidhjeve praktike të çështjeve jetësore komunale e rajonale të tyre. Nëse qeverisja qendrore shihet si e fortë, ajo konceptohet si domosdoshmëri për funksionimin korrekt të të gjitha strukturave lokale, me të cilat është e lidhur ngushtë jeta e qytetarëve. Por edhe si domosdoshmëri për përfaqësimin e vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Etika konfuciane e gërshetuar me vlerat e qeverisjes moderne bën që qytetari kinez të mos e përjetojë atë që quhet diskriminim, sepse barazia para ligjit dhe mosdiskriminimi janë në themel të kësaj doktrine. Është i njohur postulati i Konfucit në qeverisje, në themel të të cilit qëndron drejtësia dhe humanizmi. Konfuci rekomandonte që shteti të mbronte të dobëtit, të sëmurët, të pambrojturit. Krijimi i një harmonie si kjo midis konceptit konfucian dhe praktikës e konceptit të sotëm të qeverisjes kineze ka formuar bindjen se shteti është instrument i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të këtij vendi.

Në fakt një doktrinë si kjo është e pasqyruar edhe në kushtetutë dhe në ligjet themelore të shtetit kinez. Në një farë mënyre Kongresi i Popullit si dhe kuvendet e rajoneve autonome dhe rajoneve tjera marrin vendime e bëjnë ligje në të cilat shprehet besimi midis popullit dhe qeverisë. Ky besim është i presupozuar në kualitetin e lidershipit. Ndërkaq ky kualitet klasifikohet e vlerësohet nga disa atribute, si shkollimi e formimi, forca morale dhe angazhimi në mbrojtje të shoqërisë, mbrojtja e interesave të komuniteteve, si dhe në pushtetin e autoritetin që shprehet gjatë diskursit publik. Për kinezët nuk vlejnë liderë politikë, të cilët nuk kanë parime morale dhe nuk dëshmojnë autoritet dhe integritet edhe në paraqitjet publike. Për ta ka rëndësi gjithashtu përfaqësimi politik i Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas revistës shkencore amerikane, Social Science Research Network, Rochester, NY 12. të korrikut 2013, shumica dërmuese e kinezëve mendojnë se në Kinë aplikohet sistemi i vlerave demokratike liberale të qeverisjes. 72 për qind e të anketuarve shprehnin mendimin se qeveria mban parasysh mendimin e lirë dhe nevojat e qytetarëve. Ky lloj perceptimi lidhet edhe me ndikimin e medies dhe sistemit të edukimit. Por gjithsesi Kina tashmë është një vend i hapur dhe informacioni është i mundshëm për të realizuar studime krahasuese me botën edhe në aspektin e qeverisjes. Kësisoj, në kushtet e hapjes, mendimi i qytetarëve kinezë duhet vlerësuar deri diku objektiv.

Yang Fengchun në një punim të tijin mbi sistemin e Kongresit të Popullit e konsideron këtë kongres si diktaturë demokratike e pushtetit të popullit. Ai shkruan se pushteti në Republikën Popullore të Kinës i përket popullit, sepse kongresi i popullit si në rrashin nacional, edhe në atë lokal, është i zgjedhur nga populli. Ndonëse në metodën e zgjedhjes ka një gërshetim të zgjedhjeve drejt për drejt dhe me përfaqësim, studiuesit pranojnë se të zgjedhurit në Kongres, i cili njihet si organi më i lartë ligjbërës i Kinës, përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Sipas Jang, të gjitha minoritetet janë të përfaqësuara në Kongresin e Popullit e për pasojë kanë mundësi që të shprehen edhe në aspektin e ligjbërës për të drejtat e tyre.

Dhe të gjitha këto përmblidhen në një përfundim të qartë, sipas të cilit Kina përdor instrumente specifike për ta përsosur qeverisjen e saj në dobi të qytetarëve dhe interesave të vendit. Filozofia dhe doktrina kineze e qeverisjes është unike në llojin e vet dhe për pasojë çdo përpjekje për ta krahasuar atë me modelet qeverisëse të vendeve të tjera, sidomos në perëndim, nuk do të ishte e suksesshme pa patur parasysh specifikat kineze. Në perceptimin tim qeverisja kineze është një model midis demokracisë perëndimore dhe modelit autoritar rus të qeverisjes. Krahasimi që shpesh herë i bëhet qeverisjes kineze me atë ruse është i mangët dhe i paplotë. Specifikat kineze në këtë model qeverisjeje janë të dallueshme jo vetëm sot, por të tilla, të ndryshme dhe unikale kanë qenë edhe në lashtësi. Koncepti i qeverisjes dhe ushtrimit të pushtetit në Kinë është më i përafërt me traditën e administrimit të familjeve të njohura e të mëdha, pse jo edhe dinastive të ndryshme kineze. Kjo e afron pushtetarin kinez më shumë me qytetarin.

Enver Bytyçi