
Rritja e rolit të institucioneve në jetën shoqërore mbart kuptimin se shumica e ndërveprimit dhe e veprimtarisë njerëzore është e strukturuar në drejtim të rregullave të hapura ose të nënkuptuara. Qëndrueshmëria e institucioneve buron nga fakti se ato mund të krijojnë në mënyrë të dobishme pritshmëri për sjelljen e të njerëzve. Institucionet kanë një rol të dyfishtë në shoqëri, ato kufizojnë dhe mundësojnë sjelljen. Ekzistenca e rregullave nënkupton kufizime. Një profesor i shquar britanik, Geoffrey Hodgson, shprehet se institucionet dhe rregullat konvencionale të shoqërisë, nuk janë gjithmonë antiteza e lirisë, por mund të jenë shumë mirë aleat i saj.
Institucionet politike, si mbartëse dhe implementuese të vullnetit të popullit që përfaqësojnë, janë përherë në qendër të vëmendjes për sa kohë ato paraqesin me të vërtetë vullnetin, ambicjen dhe realitetin e kombit të tyre. Në një vend me më shumë se 1.4 miliardë banorë, qëndrueshmëria dhe dobia e institucioneve është parësore, pasi vështirësia e mirë-menaxhimit shumëfishohet nga kompleksiteti social, ekonomik, krahinor, historik... etj.
Një garanci thelbësore institucionale
Në Kongresin e 18-të Kombëtar të Partisë Komuniste Kineze (PKK) në vitin 2012, u promovuan një grup interpretimesh të reja zyrtare të socializmit kinez, të quajtur 12 Vlerat Thelbësore Socialiste:
Vlerat kombëtare: të "begatisë", "demokracisë", "civilizimit" dhe "harmonisë"
Vlerat shoqërore: të "lirisë", "barazisë", "drejtësisë" dhe "sundimit të ligjit"

Vlerat individuale: të "patriotizmit", "përkushtimit", "integritetit" dhe "miqësisë"
Organi kryesor legjislativ, Kongresi Kombëtar Popullor (KKP) është në shumë mënyra dhe forma, garantuesi dhe promotori i këtyre 12 vlerave. Populli kinez ushtron pushtetin shtetëror përmes Kongresit Kombëtar Popullor dhe kongreseve të popullit lokale në nivele të ndryshme.
Kushtetuta Kineze e përcakton KKP-në si organi më i lartë i fuqisë shtetërore. Në Kinë, të gjitha organet administrative, gjyqësore dhe prokuroriale të shtetit krijohen nga kongreset lokale, para të cilave ata janë përgjegjës dhe nga të cilët mbikëqyren. Organet administrative janë përgjegjëse për zbatimin e ligjeve, rezolutave dhe vendimeve të miratuara nga kongreset popullore.
Në 13-14 tetor 2021 Presidenti Xi Jinping i drejtohet konferencës qendrore mbi punën e Kongresit. Ai e quajti sistemin e kongresit popullor një krijim të madh në historinë e sistemeve politike, si dhe një sistem krejt të ri me rëndësi të madhe në historinë politike të Kinës dhe botës.

Sistemi i kongresit popullor ka dhënë një garanci të rëndësishme institucionale për popullin kinez, të udhëhequr nga Partia Komuniste Kineze, për të krijuar mrekullitë e rritjes së shpejtë ekonomike dhe stabilitetit social. Duke vënë në dukje se përparësia institucionale është jetike, Xi tha se historia dhe realiteti tregojnë se një vend do të jetë i qëndrueshëm, nëse ka një sistem të qëndrueshëm dhe një vend do të jetë i fortë nëse ka një sistem të shëndoshë. Ai theksoi përpjekjet për të zbatuar plotësisht Kushtetutën dhe për të mbrojtur autoritetin dhe shenjtërinë e saj, dhe për të përmirësuar sistemin e ligjeve socialiste kineze, në mënyrë që të ekzistojnë ligje të mira për të promovuar zhvillimin dhe për të siguruar qeverisje të mirë.
Theksi mbi institucionet është parësor në ndërtimin e demokracisë dhe Kina zotohet në këtë instancë të përforcojë demokracinë popullore gjithëpërfshirëse.
Një qasje ndryshe –përfaqësimi dhe përfaqësia
Larry Lessig, një profesor i Universitetit të Harvardit ka publikuar një teori ku analizon fuqinë e madhe të financave në përzgjedhjen dhe kandidimin e përfaqësisë së votuesve. Duke analizuar të dhëna statistikore në fushata të ndryshme elektorale në ShBA, ai del në përfundimin se kapitali vendos në fund kush fiton dhe jo individi votues.

Për të bërë një krahasim Lessing analizon rastin kur gjithë bota perëndimore u indinjua nga protestat në Hong Kong të vitit 2016. Dhe protesta ishte për një ligj që merrte parasysh një proces me dy hapa. Hapi i parë ishte nominimi, dhe më pas hapi i dytë ishin zgjedhjet. Dhe komiteti nominues do të përbëhej nga rreth 1,200 persona nga 7 milion njerëz, që është 0.02% e Hong Kong-ut.
Kështu 0.02% zgjedhin kandidatët, dhe pjesa tjetër e Hong Kongut zgjedh të votojë në mesin e tyre. Dhe protesta ishte me bazë idenë se ky ishte një filtër i njëanshëm dhe pretendimi ishte se 0.02% do të dominohej nga një elitë e veçuar.
Nga ana tjetër, Lessing shikon si përzgjidhen kandidatët në vendin e tij, dhe analizon atë që e quan problem 100-vjeçar, kur një politikan i Boss Tweedi thosh: "Nuk më intereson kush i bën zgjedhjet, për aq kohë sa unë të bëj nominimin e kandidatëve".
Në ditët e sotme e marrim si të mirëqenë që fushatat elektorale financohen privatisht. Por duhet të pranojmë se edhe financimi është konkurs në vetvete. Lind natyrshëm pyetja, cilët janë financuesit më të mëdhenj. Në zgjedhjet amerikane të vitit 2014 - analizon Lessing - 100 donatorët më të mëdhenj, dhanë sa dhanë 4.75 milion financues të tjerë së bashku. Në këtë cikël zgjedhor u vu re që 400 familje kanë dhënë më shumë se gjysmën e parave në kontributet zgjedhore. Po të mblidhen të gjithë donatorët e rëndësishëm numri total i amerikanëve që vendos për kandidatët është 57,874 persona, dhe këta përbëjnë gjithë bashkë 0.02% të popullsisë amerikane. Dhe kur zgjedhjet u fituan këta donatorë nuk vonuan që të kërkonin favore për bizneset, veten ose familjen e tyre nga kandidati që fitoi. Praktikisht, u krijua një sistem që i përgjigjet vetëm këtyre financuesve!

Një studim i universitetit të Princeton nga Martin Gilens dhe Ben Page, që është studimi më i madh empirik i vendimeve qeveritare në historinë e shkencës politike, lidh vendime të qeverisë amerikane gjatë 40 viteve të fundit, me pikëpamjet e elitës ekonomike, pikëpamjet e grupeve të interesit dhe pikëpamjet e votuesve mesatarë.
Studimi arrin në përfundimin se preferencat e elitave ekonomike dhe qëndrimet e grupeve të interesit mbizotërojnë në ligje të aprovuara, ndërsa, preferencat e një votuesi mesatar duket se kanë vetëm një ndikim të vogël, gati-zero, statistikisht jo i parëndësishëm në vendimmarrje. Po të shohim uljen e pjesëmarrjes në votime, dhe rritjen e rrymave populiste në botën perëndimore, bazë dhe argument për sjelljen e tyre kanë një frazë: nuk ndihen të përfaqësuar. Kjo vjen si pasojë organike e financuesve dhe impaktit të tyre në politikë, në fund të fundit kapitali merr çfarë do dhe nuk ka asnjë detyrim të llogaridhënies në popull. Kapitali është i përfaqësuar, populli jo.
Ҫfarë mishëron sistemi i Kongresit Kombëtar?
Në Kinë selektimi i kandidatëve që ulen në karriget e Kongresit kalon shumë filtra dhe pothuajse asnjë nuk lidhet me financat, por më shumë me devotshmërinë, etikën e punës, moralin, kontributin në shoqëri, arritjet personale, etj. Ndërsa KKP si institucion, ndër të tjera ka si përparësi:
Një hierarki të mirëstrukturuar - një sistem lidershipi që i jep përparësi përzgjedhjes, trajnimit, monitorimit dhe inspektimit të personelit kryesor, duke ngulitur një shkallë të lartë të profesionalizmit administrativ dhe menaxherial.
Meritokraci - një sistem që kërkon dhe i kushton vëmendje opinionit të ekspertëve në fusha të ndryshme, ka zgjidhje të përqendruar për problemet që lindin në kohë reale. Një mënyrë e të menduarit që eksperimenton dhe teston politika të reja para zbatimit dhe përhapjes së tyre, që përdor planifikimin industrial dhe kapitalin shtetëror për të fituar ekonomi të shkallës dhe përparësi konkurruese.
Vizion për të ardhmen - përcaktimi i qëllimeve afatgjata, objektivave afatmesëm dhe politikave afatshkurtra që monitorohen dhe modifikohen në mënyrë të vazhdueshme.

Së fundmi, ndërthurja harmonike e aspiratave kombëtare, shoqërore dhe individuale - ky është qëllimi përfundimtar i një lidershipi të suksesshëm. Duke qenë se në Kinë këto aspirata janë ravijëzuar në letër prej kohësh, aplikimi në realitet është bërë gradual dukë vënë në aksion konceptet e hierarkisë së mirëstrukturuar, meritokracisë dhe vizionit.
Dr. Marsela Musabelliu







