
Përballë ngrohjes globale, efektet negative të së cilës po ndjehen të shtuara çdo ditë, shumë rajone e vende të globit u gjunjëzuan, pasi hakmarrja e natyrës ishte mjaft e rëndë. Zhvillimi i teknologjisë, rritja në përmasa të mëdha e ekonomisë, është shoqëruar dekadat e fundit edhe me një agresion të pallogaritur mirë ndaj mjedisit dhe tashmë gjendemi përballë alarmit të kuq që ka lëshuar natyra. Jemi të vonuar apo në kohë për të korigjuar shënjestrën e marëdhënieve me mjedisin, kjo është një temë shumë e gjërë dhe globale, por ajo që kërkohet me siguri është marrja e masave urgjente e perspektive, për një sjellje krejt tjetër të njeriut me mjedisin, i cili çdo orë që kalon ngarkohet edhe më tej.
Përgjegjësinë e madhe si ekonomia me rritjen më të fuqishme në botë, por edhe me ndërlikimet që kanë patur kostot e tyre në mjedis, Kina po e vlerëson gjithnjë e më shumë për të ndryshuar tërësisht qasjen e saj ndaj mjedisit, pasi jo vetëm brenda Kinës, por me rrezatimin global që ajo ka në botë, ndryshimi duhet bërë e të jetë i menjëhershëm. Dekada e fundit është përshkuar nga marrja e një varg masash efektive, që po japin efektet e tyre pozitive në mjedis. Sigurisht këto masa nuk janë retorikë propagandistike, por një realitet i prekshëm, pasi cilësia e ajrit, shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara përmes bimësisë, rritja e masës pyjore, janë të dukshme e të prekshme në Kinë. E gjitha kjo është shoqëruar me një sjellje tjetër ndaj mjedisit, si nga ana e autoriteteve qeveritare, ashtu edhe publikut.

Një lajm shumë i veçantë mori vemendje gati dy vite më parë, por më pas u ndoq nga një sërë lajmesh të tjera se 14 elefantë të egër aziatikë ishin larguar nga habitati i tyre dhe po qarkullonin në zona të banuara. Krahas shmangies së përballjes së tyre me njerëzit, autoritetet kineze ishin shumë të kujdesshëm dhe morën masa që jeta e elefantëve të ishte sa më e sigurt, duke i konsideruar ato edhe si një pasuri me vlera të shumëanëshme. Sjellja e përgjegjëshme e autoriteteve kineze mori vëmendjen e mbarë botës. Migrimi i elefantëve nuk ishte disa ditor, por ai zgjati me muaj të tërë dhe qeveria angazhoi më shumë se 25.000 forca policie, automjete të ndryshme, dronë, ushqime të përgatitura me qëllim që migrimi i elefantëve të ishte në përputhje me gjithë kërkesat që ata kanë si specie të veçanta dhe me një referencë pasurore me vlerë jo vetëm për Kinën.

150.000 banorë u evakuan gjatë gjithë periudhës së migrimit të tyre. Elefantët aziatikëtë cilët përfaqësojnë një specie kryesore në pyjet e shiut, janë nën mbrojtjen shtetërore të nivelit A në Kinë. Në Kinë ka rreth 300 elefantë të egër, që kanë arritur në këtë numër si rezultat i masave gjithnjë në rritje për mbrojtjen e mjedisit dhe të kafshëve të egra, të cilat janë nën një kujdes të shtuar. Pas një rrugëtimi të gjatë 17 mujor elefantët u kthyen në habitatin e vet. Ishte një kthim i realizuar përmes një investimi të madh, që i tregoi botës se Kina ka nja angazhim konkret e të fuqishëm në mbrojtjen e biodiversitetit, që i kontribuon qytetërimit ekologjik global.
Ky është një nga ata shembuj konkretë që tregojnë se ekonomia e dytë më e madhe në botë ka një fokus të përqendruar dhe po investohet drejt qytetërimit ekologjik, si kërkesa imidiate me të cilën po përballet njerëzimi. Kina nuk ka mbetur brenda kornizës së nënshkrimit të marrëveshjeve dhe kartave të ndryshme, por është bërë pjesë aktive dhe kontribuuese faktike për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga këto akte dhe për t’i dhënë vendit një ngjyrë të gjelbër, aq të domosdoshme për periudhën që po jetojmë.
Përpjekjet e Kinës për përparimin ekologjik janë parë nga komuniteti ndërkombëtar edhe si një referencë e cila duhet ndjekur.

Në shkurt të vitit 2013 programi për mjedisin (UNEP ) vendosi që filozofia e Kinës për qytetërimin ekologjik të promovohej si një rrugë që duhej ndjekur dhe si një përvojë positive e certifikuar. Konferenca e Kunming-ut e mbajtur ditët e fundit, nuk ishte thjesht një shkëmbim përvoje dhe përcaktim i trasesë mbi të cilin duhet të ecë qytetërimi ekologjik global, por ishte edhe arena ku u dëshmuan konkretisht arritjet e Kinës në investimet e saj të mëdha për një botë të pastër e të bukur.







