Popullsia e Kinës është rritur me shpejtësi gjatë dekadave të fundit dhe ka ushtruar presion të vazhdueshëm për të zgjeruar prodhimin bujqësor. Në nivel global, Kina ka bërë përparim në sigurimin e ushqimit për mbi 1.4 miliard banore, ose 18% e popullsisë së botës. Kërkesa në rritje për produktet bujqësore ka rënë shpesh ndesh me mbrojtjen e mjedisit. Ndërsa popullsia në periudhën 2020-1960 është rritur dy herë, prodhimi i drithërave është rritur mbi 11 herë. Arritja e suksesshme e sigurisë ushqimore ka rezultuar në dëmtime të mjedisit, duke ndikuar në landscape, ujin, ushqyerjen, biodiversitetin, etj. Biodiversiteti është një element jetik për mirëqenien e planetit tonë dhe për cilësinë e jetës së njeriut. Presidenti Xi në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Biodiversitetin ka vënë në dukje se "humbja e biodiversitetit dhe degradimi i ekosistemit përbëjnë një rrezik të madh për mbijetesën dhe zhvillimin njerëzor."


Burimi : World Bank data base dhe analiza nga autori

Burimi : World Bank data base dhe analiza nga autori

Kina është një nga vendet me biodiversitet të lartë në botë në krahasim me çdo vend tjetër që mbulon gjerësi gjeografike të ngjashme. Kina strehon mbi 35 000 specie bimore, mbi 2700 lloje vertebrorësh tokësorë dhe mbi 28 000 specie detare. Por në të njëjtën kohë, është gjithashtu një nga vendet me biodiversitetin më të kërcënuar. Biodiversiteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm i shoqërisë njerëzore janë të ndërlidhura. Në qershor 1992, në Rio De Zhaneiro, më shumë se 150 vende nënshkruan Konventën për Diversitetin Biologjik për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit. Në Dhjetor 2016, Kina u zgjodh si vendi pritës për Konferencën e 15 -të të Palëve të CBD, e cila do të mbahej në Kunming, Provinca Yunnan, në vitin 2021. Konferenca e ardhshme do të përcaktojë objektivat e reja globale të ruajtjes së biodiversitetit për dekadën e ardhshme.

Qeveria dhe studiuesit kinezë i kanë kushtuar vëmendje marrëdhënies midis biodiversitetit dhe mirëqenies njerëzore, duke e konsideruar si bazë materiale për zhvillimin e qëndrueshëm. Presidenti Xi Jinping më 30 Shtator 2020, në takimin e 15 - të Konferencës për Diversitetin Biologjik, bëri thirrje për përpjekje të vazhdueshme nga të gjitha palët për ruajtjen e biodiversitetit dhe qeverisjen globale mjedisore, duke theksuar se : “ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë të lartë për të gjithë qytetërimin njerëzor, dhe ne duhet të respektojmë natyrën, të ndjekim ligjet e saj dhe ta mbrojmë atë". Qeveria e Kinës ka zhvilluar programe që promovojnë mbrojtjen ekologjike dhe menaxhimin e mjedisit nën sfondin e rritjes së shpejtë ekonomike, duke rikthyer në masë të madhe mjediset e degraduara ekologjike. Politikat e qeverisë së Kinës i kanë kushtuar vëmendje mbrojtjes se biodiversitetit nëpërmjet krijimit të zonave të mbrojtura, mbrojtjes së specieve dhe diversitetit gjenetik, rritjes së mbulimit me pyje, në ruajtjen e zonave kënetore dhe bregdetare, në përpjekjet e moslejimit të mëtejshëm të degradimit të kullotave dhe zonave të shkreta, si dhe ruajtjen e habitatit bujqësor.

Zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare

Zhvillimi i zonave të mbrojtura natyrore të Kinës ka shënuar një epokë të re të zhvillimit të qëndrueshëm. Kina ka krijuar më shumë se 11,800 zona të mbrojtura që mbulojnë 18% të sipërfaqes së saj tokësore dhe 4.6% të zonës detare. Ekzistojnë tre lloje të zonave të mbrojtura - parqe kombëtare, rezerva natyrore dhe parqe natyrore. Kina zotëronte 474 rezerva natyrore kombëtare në fund të vitit 2019. Rezervat natyrore mbulojnë një sipërfaqe totale prej rreth 1 milion kilometrash katrorë, duke zënë rreth 10.4% të territorit të tokës së vendit. Gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), vendi krijoi 46 rezerva të reja natyrore kombëtare në mes të përpjekjeve për të mbrojtur më mirë burimet e ujit, tokën dhe biodiversitetin. Rajoni me më shumë rezerva natyrore është Heilongjiang me 49 parqe kombëtare rezervë të natyrës. Ndërsa Tibeti është zona natyrore me sipërfaqen më të madhe në rreth 3720.5 (në 10 000 ha).

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe analiza e autorit

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe analiza e autorit

Ndërsa krijimi i një sistemi të parqeve natyrore kombëtare të Kinës u vendos në vitin 2013. Në vitin 2016, Parku Kombëtar Burimi i Tre Lumenjve u krijua si njësia e parë e këtij sistemi parku. Aktualisht, Sistemi i Parkut Kombëtar të Kinës ka 11 njësi. Parku Kombëtar Burimi i Tre Lumenjve, Giant Panda, Parku i Tigrit dhe Leopardit, Parku Kombëtar Potatso, Parku Kombëtar Shennongjia, Parku Kombëtar Zhejiang Qianjiangyuan, Parku Kombëtar i Malit Jugor Hunan, Parku Kombëtar i Maleve Wuyi për të mbrojtur biodiversitetin e maleve Wuyi, Parku Kombëtar i Murit të Madh të Pekinit, dhe Parku Kombëtar i Maleve Qilian. Ndërsa numri i parqeve kombëtare është 225. Parqet kombëtare më të njohura dhe të vizituara nga turistet në Kinë janë Parku Kombëtar Zhangjiajie, Parku Kombëtar Jiuzhaigou, Parku Kombëtar Huangshan, Parku Kombëtar Guilin Lijiang dhe Parku Kombëtar Ëmeishan.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe analiza e autorit

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe analiza e autorit

Restaurimi i pyjeve

Në vitet e fundit, Kina ka kryesuar botën në rritjen e burimeve pyjore. Ndërsa në Kinë sipërfaqja e pyjeve është rritur në mbi 22% në periudhën 2018-2010, në nivel botëror sipërfaqja e pyjeve është zvogëluar në -2.1%. Ndërsa sipërfaqja e pyjeve në totalin e sipërfaqes është rritur nga 18.8% në 22.9%.


Burimi : Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), 2020 dhe analiza e autorit

Burimi : Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), 2020 dhe analiza e autorit

Burimi : Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), 2020 dhe analiza e autorit

Burimi : Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), 2020 dhe analiza e autorit

Sipërfaqja e pyjeve është rritur në mbi 2.5 herë po të krahasohet viti 2019 me vitin 1949. Në vitin 2019 sipërfaqja e pyjeve ka arritur në 22,044 (10000 ha). Ndërsa përqindja e mbulimit me pyje në vitin 2019 ka arritur në 22.96% nga 9.01% në vitin 1949. Ndërkohë, objektivi është rritja e përqindjes të mbulimit pyjor në 26% deri në vitin 2035.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe Banka Botërore, si dhe analiza e autorit

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe Banka Botërore, si dhe analiza e autorit

Qeveria e Kinës ka ndërmarrë një sërë masash për restaurimin e pyjeve. Vlerësohet në mbi 73.9 milion hektar tokë e pyllëzuar, dhe 15.4 milion ha pyje të restauruara nga degradimi.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe analiza e autorit

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020 dhe analiza e autorit

Restaurimi ka krijuar efekte pozitive ekologjike duke rritur shkallën e vegjetacionit, uljen e ndotjes nga karboni si dhe kontrollin e erozionit të tokës. Gjithashtu, fermerë të shumtë u inkurajuan të ndryshojnë burimet e tyre të të ardhurave nga të varur drejtpërdrejt nga toka në punë në fermë, të rrisin të ardhurat nga burimet pyjore. Pothuajse të gjitha produktet nga pyjet kanë rritje të lartë në periudhën 1978-2019. Prodhimi i lëndës drusore është rritur dy herë, i gomës natyrale mbi 8 herë, i rëshirës së pishës mbi 4 herë, i llakut në mbi 9 herë, dhe i vajit të farave të çajit mbi 5 herë.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2020

Restaurimi i kullotave të degraduara

Zhvillimi i tokës barishtore është një komponent kryesor i strategjisë kombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm në Kinë. Kullotat zënë 40% të sipërfaqes së tokës kombëtare ose rreth katër milionë km2. Ekosistemi më i madh territorial është i përqendruar kryesisht në gjashtë provinca, si : Mongolia e Brendshme, Gansu, Tibet, Xinjiang, Qinghai dhe Sichuan. Në degradimin e kullotave kanë ndikuar faktorët natyrorë siç janë ndryshimet klimatike si dhe faktorët njerëzorë. Para vitit 2000 zhvillimi i blegtorisë u përqendrua kryesisht në shfrytëzimin e kullotave pa i kushtuar vëmendje rritjes së eficencës. Degradimi i kullotave shkakton një sërë problemesh ekologjike si humbje të biodiversitetit, të ujit, degradim i tokës, etj. Mbas vitit 2000, qeveria e Kinës ka miratuar dhe shpallur një sërë politikash për të mbrojtur kullotat si sistemi i përgjegjësisë për kontratën e shfrytëzimit të barit, rikthimi i tokës për kullotje, sistemi i eko-kompensimit, etj. Ekologjia e kullotave të Kinës po rimëkëmbet. Shkalla e mbulimit të integruar të vegjetacionit të barit në Kinë ka arritur në 54.6% në shkallë vendi në vitin 2019. Kina po përpiqet të rrisë raportin e mbulimit të vegjetacionit të kullotave në mbi 57% deri në vitin 2025. Ndërsa politika e kompensimit siguron forma të ndryshme pagesash për fermerët për të inkurajuar shndërrimin margjinal të tokës bujqësore në pyje ose kullota për të zvogëluar erozionin e tokës.

Mbrojtja e zonave kënetore

Zonat kënetore të Kinës zënë një sipërfaqe të përgjithshme në 53.6 milion ha, që përbën rreth 5.6% të zonës territoriale kombëtare. Brenda kësaj sipërfaqe të përgjithshme sipërfaqja kënetore në zonat bregdetare është 5.8 milion ha, zona kënetore e lumenjve është 10.6 milion ha, zona kënetore e liqeneve është 21.7 milion ha, dhe zonat kënetore të ndërtuara janë 6.8 milion ha.

Në vitet 1950, për shkak të mungesës së prodhimit të ushqimit, qeveria kineze prezantoi një politikë të orientuar drejt prodhimit të ushqimit, e cila çoi një sasi te sipërfaqes kënetore të shndërrohej në tokë bujqësore. Që nga viti 1992, kur Kina u bashkua me Konventën Ramsar për zonat kënetore mbrojtjes së tyre i është kushtuar vëmendje e madhe me qëllim të restaurimit të këtyre zonave.

Mbrojtja nga shkretëtirëzimi

Ka rreth 1.73 milion kilometra katrorë shkretëtirë në Kinë, që përbëjnë rreth 18% të territorit të vendit. Vendi ka pesë shkretëtira në dy rrafshinat e mëdha në rajonin veri qëndror të vendit. Tre të tjera, relativisht më të vogla, janë të vendosura në pjesën verilindore. Shkretëtirëzimi është një çështje globale me implikime serioze në mbarë botën për biodiversitetin, eko-sigurinë, varfërinë, stabilitetin socio-ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kina është prekur rëndë nga shkretëtirëzimi. Shkretëtirëzimi është procesi i degradimit të tokës pjellore në zona të thata, gjysmë të thata dhe të thata nën lagështi. Arsyeja kryesore e shkretëtirëzimit i atribuohet mbishfrytëzimit dhe përdorimit të papërshtatshëm të sipërfaqeve të tokës përmes shpyllëzimit, kullotjes së tepërt dhe praktikave jo në përputhje me standardet e ujitjes. Sipas raportit të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), qeveria kineze dhe populli kinez janë pionierë në luftimin e shkretëtirëzimit me arritje të jashtëzakonshme në kontrollin e degradimit të tokës. Kina ka arritur të ndalojë me sukses zgjerimin e shkretëtirëzimit duke e zvogëluar këtë me një mesatare prej 2,424 kilometra katrorë në vit.

Zona bregdetare dhe habitatet detare

Zona bregdetare e Kinës ka burime të rëndësishme për të mbështetur zhvillimin e ardhshëm social dhe ekonomik të vendit. Burime dhe hapësira të tilla përfshijnë kryesisht ujërat bregdetare, vijën bregdetare, grykëderdhjet, gjiret, ishujt, zonat kënetore bregdetare, etj. Ka rreth 20,278 lloje të jetës ujore detare në Kinë, që përbëjnë rreth 10% të specieve të përgjithshme detare në botë. Zhvillimi i zonës bregdetare varet shumë nga biodiversiteti. Zonat bregdetare kënetore janë ndër më të prekurat dhe të dëmtuarat nga aktiviteti njerëzor dhe pësojnë rënien më të madhe të biodiversitetit. Zhvillimi i çrregullt dhe i tepërt, ndotja dhe peshkimi ilegal kanë bërë që Kina të humbasë më shumë se 50% të zonave kënetore të buta bregdetare, 73% të pemëve dhe shkurreve moçalisht, si dhe 80% të shkëmbinjve nënujorë koralorë. Kina ka krijuar mbi 250 zona të mbrojtura detare, duke mbuluar 123,000 km2, ose 4.1% të sipërfaqes së përgjithshme detare të saj. Në vitin 2016, qeveria kineze prezantoi një projekt për krijimin e "vijave të kuqe ekologjike" për të mbrojtur hapësirat detare.

Habitati bujqësor

Të paktën 20% e specieve të kultivuara në botë në rreth 136 nga 666 lloje, kanë origjinën nga Kina, ku më shumë se 8000 vjet përzgjedhje formuan varietetet moderne të kulturave dhe blegtorisë kineze. Kjo nxjerr në pah rolin që Kina ka luajtur në zbutjen e prodhimeve kryesore globale dhe blegtorisë. Humbja e biodiversitetit në peizazhin bujqësor lidhet me intensifikimin e prodhimit bujqësor duke shkaktuar rënie dhe humbje të specieve. Kërkesa në rritje për produktet bujqësore ka rënë shpesh ndesh me mbrojtjen e mjedisit. Ndërsa prodhimi bujqësor intensifikohet, zgjerimi i fragmentimit bujqësor dhe habitatit bëhet i zakonshëm. Burimet e ndotjes përfshijnë keqpërdorimin ose përdorimin e tepërt të agrokimikateve, administrimin e dobët të ujërave të zeza nga prodhimi blegtoral, ndotjen për shkak të ujitjes me ujërat e zeza etj. Ashtu si në sektorët e tjerë, në sektorin bujqësor mbrojtja e mjedisit shpesh kërkon një sakrificë në produktivitet. Vendosja e standardeve që rregullojnë ndotjen bujqësore janë vendosur gradualisht për të zvogëluar ndotjen e ujit nga blegtoria dhe aplikimet agrokimike. Këto kanë përfshirë përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të kimikateve, aplikimin e plehrave sipas kategorive të tokës, riciklimi i mbetjeve bujqësore të tilla si plehu blegtoral, mbetjet e të korrave, etj.

Por, pavarësisht arritjeve të mëdha ka ende kontradiktë midis zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së biodiversitetit. Kina ende përballet me shumë probleme, të tilla si ndryshimi i klimës, rritja e shpejtë ekonomike dhe rritja e konsumit të klasës së mesme, të cilat kanë sjellë presion në rritje mbi mjedisin dhe burimet natyrore. Suksesi ose dështimi i mbrojtjes ekologjike dhe mjedisore ka një lidhje të rëndësishme me mënyrën e strukturës ekonomike dhe zhvillimin ekonomik.

Prof. Dr. Petraq Milo