Përkundrejt shumë ngjarjeve të hidhura të shkuara por edhe të tashme, që kanë ngjarë me kombësi e grupe etnike në vende të ndryshme të botës, përfshi edhe të ashtuquajturit modele dhe kampionë të demokracisë, në rastin e Kinës përbën veçanti trajtimi i kësaj çështje shumë të ndjeshme kombëtare por që ka efektet e saj të mëdha për të sotmen dhe të ardhmen edhe në planin ndërkombëtar. Në një vend me popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, ku 90 përqind e popullsisë është e kombësisë Han, vëmendja e kujdesi që janë treguar për pjesën tjetër të popullsisë që përbëjnë 55 grupet e ndryshme etnike është një histori tjetër suksesi e Kinës ku Partia Komuniste, që drejton këtë vend të bashkuar shumë etnik, ka patur si parim bazë: “Asnjë grup i vetëm etnik nuk duhet lënë prapa”!

Të barabartë në mes të barabartëve e kanë ndjerë veten të gjithë grupet etnike në sajë të zbatimit të një politike sociale dhe ekonomike të njëjtë për të gjithë popullin në ditë të mira e të vështira, dhe duke parë e ndjerë një gjë të tillë ata janë bërë pjesë e sukseseve të mëdha të këtij vendi aziatik, që brenda një kohë të shkurt që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës arriti të kapërcente vështirësitë e ringjalljes duke u bërë sot vendi i dytë me zhvillimin më të madh ekonomik në botë.

Parim mbi parimet ka qenë se të gjithë grupet etnike janë të barabarta dhe kjo është konsideruar nga udhëheqja e këtij vendi si moto për unitetin e kombit kinez e cila, nga ana tjetër, ka ushqyer ndjenjën e identitetit dhe krenarisë kombëtare. E në mënyrë të veçantë fryma ‘Jam krenar të jem kinez!’ është e shprehur në punën që bëhet me brezin e ri në çdo fushë të jetës, diçka që unë e kam parë dhe ndjerë gjatë vizitave në zona të ndryshme të vendit, përfshi edhe rajone më grupe etnike që nga viti 2013 e më pas.

Duke ndjekur këtë temë kaq të rëndësishme për një shoqëri e popull me numrin më të madh të popullsisë në botë mendimet e rëndësishme të PKK-së në vite kanë synuar të forcojnë dhe përmirësojnë punën etnike që nga reforma dhe hapja, veçanërisht pas Kongresit të 18-të Kombëtar të PKK-së më 2012. Si për çdo aspekt të zhvillimit, të procesit historik të rilindjes së këtij kombi, udhëheqësit e tij kanë qenë objektivë duke pranuar se nuk ka qënë e lehtë, janë hasur vështirësi të mëdha, por janë kapërcyer me punë e dedikim, me bindje e edukim, që kombi kinez është një dhe i tëri pa dallime e diskriminim të asnjë lloji.

Nuk ka shovinizëm të ‘përkdhelur’

“As shovinizmi Han as shovinizmi lokal etnik nuk është i favorshëm për zhvillimin e komunitetit të kombit kinez”, deklaroi Presidenti Xi Jinping në konferencën qendrore mbi çështjet e kombësive, e cila u mbajt në Pekin më 27 dhe 28 gusht 2021.

Në fakt tema e unitetit kombëtar ka qenë në rend të ditës të udhëheqjes kineze që nga themelimi i RP te Kinës, por faktorë të jashtëm armiqësorë janë përpjekur ta minojnë atë kundër interesave të këtij populli duke nxitur në forma të ndryshme dasitë etnike ndërmjet tij, por pa sukses. Thënia e Presidentit Xi se kombi kinez është ngushtësisht i bashkuar si kokrrat e shegës është kuptimplotë.

Për të kuptuar rëndësinë që i kushtohet konsolidimit të ndjenjës së bashkësisë për kombin kinez midis 56 kombësive të vendit mjafton të kujtojmë se kjo ishte konferenca e pestë e këtij lloji që nga Reforma dhe Hapja e Kinës më 1978 pas veprimtarive të kësaj natyre në vitet 1992, 1999, 2005 dhe 2014.

Duke përmbledhur përvojën e kaluar, Xi tha se duhet të bëhen përpjekje për të forcuar unitetin mes kombësive dhe për të promovuar begatinë e përbashkët midis të gjitha kombësive. “Drejtimi i të gjithë grupeve etnike për të bërë përpjekje të përbashkëta për të ndërtuar plotësisht një vend modern socialist duhet konsideruar si një detyrë themelore e punës etnike të PKK-së në epokën e re”, tha Xi, i cili është edhe Sekretar i Përgjithshëm i PKK dhe Kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.

Konferenca u drejtua nga kryeministri Li Keqiang, dhe në të morën pjesën autoritete qendrore si Li Zhanshu, Wang Huning, Zhao Leji and Han Zheng, ndërsa Wang Yang mbajti fjalimin përmbydhës.

Presidenti Xi vuri në dukje në fjalën e tij rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës, duke bërë thirrje për përpjekje për të forcuar patriotizmin në gjirin e të gjitha kombësive. Konsolidimi i ndjenjës së bashkësisë për kombin kinez është i nevojshëm për mbrojtjen e interesave themelore të të gjitha kombësive, realizimin e rilindjes kombëtare dhe zhvillimin e marrëdhënieve socialiste mes kombësive të karakterizuara nga barazia, uniteti, ndihma e ndërsjellë dhe harmonia, tha kreu i shtetit i Kinës. Xi bëri thirrje për risi dhe zhvillim në punën e çështjeve të kombësive, për të mbrojtur më mirë të drejtat dhe interesat e ligjshme të të gjitha kombësive. Një parim i rëndësishëm në zbatim rigoroz është shtimi i gjërave të përbashkëta, duke respektuar dhe toleruar dallimet, sipas tij.

Aspekt tjetër sensitive i ngritur nga Xi ishte nxitja e përdorimit të gjuhës standarde të folur dhe të shkruar kineze, por duke mbrojtur gjuhët e folura dhe të shkruara të grupeve etnike dhe duke respektuar dhe mbrojtur të mësuarit dhe përdorimin e gjuhëve të folura dhe të shkruara të pakicave etnike.

Të gjitha kombësitë duhet t'u japin përparësi interesave të kombit kinez dhe ndjenja e secilës kombësi duhet t'i nënshtrohet dhe t'i shërbejë ndjenjës së bashkësisë për kombin kinez, theksoi ai. Ndërkohë, interesat e veçanta të secilës kombësi duhet të trajtohen mirë në procesin e realizimit të interesave të kombit kinez në tërësi, tha Xi. Presidenti bëri thirrje për përpjekje për të përshpejtuar modernizimin socialist midis të gjitha kombësive. Duhet të hartohen politika të diferencuara për të mbështetur Reformën dhe Hapjen në rajonet e kombësive, vuri në dukje ai, duke shtuar se ndjenja e fitimit, lumturisë dhe sigurisë duhet të rritet për njerëzit e të gjitha kombësive.

Duhet të nxiten shkëmbimet dhe integrimi midis kombësive dhe të merren masa për të krijuar një mjedis ku banorët e kombësive të ndryshme të përfshihen nga ana e hapësirës, ekonomike, shoqërore dhe psikologjike, tha ai.

Vëmendje ndaj ‘rreziqeve të mëdha e rreziqeve të fshehura’

Herë pas here çështjet e grupeve etnike janë bërë objekt fabrikimesh dhe makinacionesh të forcave perëndimore në përpjekjen e tyre për të krijuar probleme nga më të ndryshmet me synime dizintegruese në vende të ndryshme të botës.

Shembulli më i fundit në këtë drejtim janë pasojat e asaj që po ngjet në Afganistan, Libi, dhe jo vetëm në ata vende, por kjo është një temë tjetër.

Kjo taktikë dashakeqëse nën egidën e motos së vjetër kolonialiste ‘përça e sundo’ ka patur si objektiv sistematik edhe Kinën dhe vihet re rigjallërimi i saj vitet e fundit nën drejtimin e SHBA-së duke përdorur kartën e të drejtave të njeriut të grupeve të ndryshme etnike. Synimi është i qartë dhe i demaskuar jo vetëm nga udhëheqja qendrore e përfaqësuesit e grupeve etnike, por edhe nga opinioni publik ndërkombëtar, që po sensibilizohet në mbrojtje të realitetit kinez.

Prandaj konsolidimi i ndjenjës së bashkësisë për kombin kinez është i nevojshëm për mbrojtjen e interesave themelore të të gjitha kombësive, realizimin e rilindjes kombëtare dhe zhvillimin e marrëdhënieve socialiste mes kombësive të karakterizuara nga barazia, uniteti, ndihma e ndërsjellë dhe harmonia.

Përballë sulmeve të tilla udhëheqja kineze i ka treguar rëndësinë maksimale parandalimit të rreziqeve të mëdha që lidhen me çështjet e kombësive. Çështjet ideologjike që përfshijnë elemente të kombësive duhet të trajtohen në mënyrë aktive dhe të duhur, ndërsa nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të çrrënjosur idetë separatiste dhe ekstremiste, deklaroi Xi në konferencën më të fundit, duke bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Pikërisht duke patur parasysh rrezikun që paraqesin makinacionet separatiste ndaj Kinës Presidenti Xi bëri thirrje për më shumë përpjekje për të parandaluar me vendosmëri rreziqe të mëdha që lidhen me çështjet e kombësive, të cilat ai i quajti ‘rreziqet e mëdha dhe rreziqet e fshehura’ në këtë fushë duke mos anashkaluar separatizmin etnik dhe ekstremizmin fetar.

Me stadin e ri të zhvillimit të Kinës rriten edhe kërkesat si të mbarë popullit ashtu edhe të grupeve etnike dhe për të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme tregohet një vëmendje e veçantë. Në këtë aspekt mund të quhet risi forcimi i ndjenjës së të përbashkëtave të kombit krahas respektimit dhe tolerimit të ndryshimeve. Qartë e shtroi këtë pikë delikate Xi kur foli për përparësinë e interesave kombëtare, duke vënë në dukje ndërkohë se duhen adresuar interesat specifike të çdo grupi etnik në procesin e realizimit të interesave të kombit kinez si një i tëre.

Duke drejtuar punimet e konferencës, Li Keqiang tha se fjalimi i Presidentit Xi përcaktoi parimin udhëheqës, qëllimet strategjike, detyrat kryesore, si dhe politikat dhe masat për zhvillimin me cilësi të lartë të punës së Partisë në çështjet etnike duke u përqendruar në ndjenjën e bashkësisë për kombin kinez.

Lufta kundër varfërisë një betejë e fituar si komb

Nuk do të mund të quhesh fitore nëse nuk zhdukej varfëria edhe në zonat më të prapambetura ku jeton popullsi e grupeve të ndryshme etnike, dhe pa dyshim që kjo u konsiderua një ndër vështirësitë më të mëdha për tu kapërcyer për shumë arsye. Le të përmendim faktin se si pasojë e kushteve historike, sociale dhe natyrore, zhvillimi i tyre ekonomik e social kishte mbetur prapa në shumë drejtime. Sipas statistikave zyrtare, pjesët më të varfra të rajoneve etnike minoritare më 1994 ishin në Kinën perëndimore, dhe ndër 348 krahinat autonome minoritare etnike në të gjithë vendin 257 ishin më shumë të goditura nga varfëria dhe prapambetja. Kësisoj u pa e udhës që tu jepej atyre përparësi.

Konkretisht nga 2016 deri më 2020 qeveria qendrore caktoi 241.52 miliard juan në fondin për çrrënjosjen e varfërisë për 8 provinca minoritare-etnike dhe rajone autonome. Kjo shifër ishte sa 45.5 përqind e të gjithë fondit në shkallë kombëtare caktuar në fushën e luftës kundër varfërisë. Nga 2016 deri më 2020, numri i popullsisë së varfër ra me 15.6 milion në 5 rajone autonome – Mongolia e Brëndëshme, Guangxi, Tibet, Ningxia dhe Xinjiang, dhe në 3 provinca më një popullsi të madhe multi-etnike- Guizhou, Yunnan dhe Qinghai.

Përpjekjet e dhanë rezultatin e tyre kur në shkurt 2021 Xi deklaroi se Kina kishte eliminuar varfërinë absolute duke nxjerrë nga varfëria edhe 98.99 milion njerëz që kishin mbetur në zonat e varfra fshatare.

Kjo dëshmon se grupet etnike nuk janë konsideruar si të veçuara dhe në këtë drejtim janë zbatuar masa që të krijohet një ambient ku popullsia e grupeve të ndryshme etnike të ingranohet në aspektet jetike të strehimit, ekonomisë, shoqërisë dhe psikologjisë. E jo vetëm në aspektin kombëtar, por është i dukshëm kujdesi i qeverisë qendrore që shumë veprimtari ndërkombëtare të zhvillohen në zona me popullsi të grupeve etnike si ato mbi bashkëpunimin me shtetet arabe, mekanizmin 17+1 midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, apo megaprojektin Një Brez, Një Rrugë i mbiquajtur Rruga e Mëndafshit.

Por ndër treguesit më kuptimplotë të zhvillimit të grupeve etnike, të rritjes së tyre në të gjitha drejtimet, të rinimit të popullsisë, është shtimi i shpejtë i popullsisë së tyre. Regjistrimi më i fundit i popullsisë së vendit në maj tregon për rritjen e vazhdueshme të popullsisë se pakicave etnike. Popullsia totale e grupeve etnike minoritare në Kinë është 125.47 milion banorë një rritje prej 11.68 milion ose 10.26 përqind e krahasuar me shifrat e vitit 2010 kur u bë regjistrimi I fundit i popullsisë ne vend.

Nga ana tjetër ndjenja e bashkësisë, e cila tashmë është bërë dominante në tërë aspektet e jetës në Kinë, gjen shprehjen e saj më të bukur edhe në mozaikun e kulturave të bukura tradicionale të të gjithë grupeve etnike, të cilat janë pjesë përbërëse e kulturës kineze. Identifikimi me kulturën është themeli për unitetin etnik, është cituar në një koment të Xinhua-së më 31 gusht 2021 të ketë thënë Presidenti Xi.

Me një histori mëse 5000 vjeçare, me një kontribut brilant për botën që në kohët e lashta dhe tani si një komb i bashkuar në një popullsi prej 1.4 miliard njerëzish kombi kinez dominon mendimin e pothuajse një të tretës së njerëzimit, kurse influenca e tij ekonomike, politike dhe intelektuale është shpërndarë jo vetëm në Azi dhe Evropë, por edhe në kontinentet e Afrikës dhe Amerikës Latine. Në themel të këtij kombi qëndron uniteti i pathyer i 56 grupeve etnike, që është shpirti i këtij populli të madh, i cili ecën përpara pa u lëkundur duke i bërë ballë çdo stuhie. Do ti bënin mirë vendeve të tyre, do ti shërbenin paqes dhe sigurisë në botë dhe mirëqenies së njerëzimit, veçanërisht në kushtet e krizës aktuale globale shëndetësore, ata politikanë perëndimorë apo edhe të vendeve të tjera, që ta kuptonin më thellë këtë vend dhe popull të madh paqedashës.

Konsekuencë…

Ka patur një linjë të vendosur, të vazhdueshme dhe në zhvillim të Presidentit Xi dhe PKK-së në trajtimin e çështjeve mbi unitetin kombëtar e lidhur ngushtë me zhvillimin e përparimin e grupeve etnike, dhe te gjithë vendit në përgjithësi në epokën e re.

E shikoj me vend që në mbyllje të këtij kontributi të evidentoj në mënyrë kronologjike disa mendime të Presidenti Xi të shprehura në veprimtari të ndryshme mbi këtë temë ndër vite në pjesë të ndryshme të vendit si konferenca qendrore apo vizita e takime me banorë të zonave të grupeve etnike:

28 Shtator 2014

Si interesi më i lartë kombëtar dhe interesi i përbashkët i të gjitha grupeve etnike unifikimi shërben si premisë dhe themel për autonominë etnike rajonale

Autonomia etnike rajonale përfshin faktorë etnikë dhe faktorë rajonalë. Duhet të bëj të qartë se autonomia etnike rajonale nuk është ekskluzive për një grup etnik, dhe se një zonë autonome etnike nuk i referohet një zone që i përket një grupi të vetëm etnik.

10 Mars 2017

Ne duhet ta duam unitetin etnik si të duam sytë tanë, të ushqejmë unitetin etnik si të ushqejmë jetën tonë dhe të mbahemi së bashku fort si kokrrat e shegës.

Prill 2019

Xi në Prill 2019 duke iu përgjigjur një letre të grupit të pakicës etnike Dulong në Dulongjiang Township, Qarku Gongshan i Provincës Yunnan 11 Prill 2019: "Lejimi i njerëzve të të gjitha grupeve etnike që të kenë një jetë të mirë ka qenë aspirata ime si qëllimi ynë i përbashkët".

27 shtator 2019

Rigjallërimi kombëtar kërkon që të gjitha grupet etnike të përpiqen së bashku, dorë për dore dhe sup më sup.

8 qershor 2020

Të gjitha grupet etnike janë pjesë e familjes së madhe të kombit kinez dhe asnjë grup etnik nuk duhet lënë pas në luftën e vendit kundër varfërisë, në ndërtimin e një shoqërie të moderuar të begatë në të gjitha aspektet dhe në përpjekjen e saj drejt modernizimit.

22 korrik 2021

Zhvillimi në të gjithë sektorët duhet t'i shërbejë unitetit dhe përparimit etnik, dhe duhet të ndihmojë në përmirësimin e jetesës së njerëzve dhe ndërtimin e konsensusit.
Genc Mlloja