Nëse një i ri ose e re dëshiron të studiojë në universitetet e Republikës Popullore të Kinës, ai nuk duhet thjesht të mësojë e të njohë dijet përkatëse të fushës ku dëshiron të studiojë. Në çdo rast është e domozdoshme kompetenca e njohurive në fushën e kulturës. Kjo për faktin se ata që absolvojnë studimet e larta në Kinë dhe duan të punojnë në kompanitë kineze shënojnë pikë më shumë nëse njohin kulturën e vendit.

Kultura në Republikën Popullore të Kinës është unike. Ajo nuk lidhet me ritet e tabutë fetare, nuk ndikohet as nga moderniteti dhe kulturat e tjera. Është unike për faktin se buron nga nevoja jetike për harmoni, rregull, disiplinë dhe drejtësi, principe këto të kultivuara që në lashtësi. Janë më shumë se 3500 vite që kultura kineze kultivohet pa ndërprerë, megjithëse rrënjët e saj mund të kërkohen edhe më tej në kohë.

Zhvillimi kinez i përket fillimisht lindjes së qytetërimit në brigjet e lumit Janse dhe lumit të Verdhë në veri të Kinës. Në shekullin e 5-të para Krishtit, thuajse në të njëjtën kohë me lulëzimin e demokracisë greke të Perikliut, ose pak dekada më parë, në Kinë lindi konfucizmi, i cili njihet si një nga tri linjat e kulturës kineze krahas taoizmit dhe budizmit. Taoizmi i përket thuajse të njëjtës periudhë si edhe konfucizmi, ndërsa budizmi lindi pesë shekuj më vonë dhe u ngjiz në Kinë si prurje nga kultura indiane. Megjithatë konfucizmi praktikohet më së shumti ende në ditët e sotme si kulturë e besimit, sjelljes dhe ndërtimit të raporteve në shoqëri, si dhe midis saj e shtetit.

Zhvillimi kinez ka kushtëzuar dhe diktuar thuajse gjithë civilizimin aziatik. Vlerat e kësaj kulture u ruajtën me fanatizëm për mijëra vite. Edhe pse Revolucioni Kulturor Kinez i viteve 1960 u mbivendos dhe ndikoi në zbehjen e këtyre vlerave, përsëri ato u ringjallën me kalimin e kohës, sidomos prej periudhës së Ten Hsia Pin e këtej. Ndaj dhe Kina njihet ndoshta si vendi i vetëm në botë që i qëndron shumë besnik traditës dhe kulturës së lashtë të saj, të çertifikuar përmes filozofisë praktike të Konfucit, Mencit, apo Budës.

Trashëgimia kulturore e antikitetit kinez është prezent ende sot në këtë vend, pavarësisht përpjekjeve për globalizim, lëvizje të cilën Kina e mbështet nga pikëpamja e vlerave politike, sidomos në ekonomi e tregtinë e lirë. Sigurisht që globalizimi e sidomos tregtia e lirë dhe investimet e huaja ndikojnë në ndryshimin e mentalitetit kulturor, por Kina mbetet ende vendi më konservativ në pikëpamje të respektimit të vlerave unike të kulturës së trashëguar për mijëvjeçarë. Edhe pse në Kinë jetojnë 56 nacionalitete, 92 përqind e popullsisë i përket banorëve të Han-kinezëve.

Në kulturën e Kinës dallohet si vlerë e veçantë me tipare e karakteristike dalluese specifike shkrimi kinez. Kjo ka bërë që letërsia, arti, piktura dhe deri te filmi e degë të tjera të kulturës të zhvillohen pa u ndikuar nga civilizimi jo kinez. Çdo gjë në art, letërsi e krijimtari, dallohet për karakteristikat e veçanta kineze. Veçori identitare gjenden në kulturën e çajit kinez, në ushtrimin e mjekësisë e sidomos të mjekësisë popullore, siç mund të përmendet akupunktura.

Ndërkaq në Republikën Popullore të Kinës ndryshojnë konceptet e festave të vitit nga ato të Perëndimit. P.sh viti i ri kinez shënon ditën e parë të fillimit të pranverës dhe nuk është një datë e përcaktuar fix, përkundrazi kjo datë festohet në harkun kohor prej 21 janarit deri më 21 shkurt të çdo viti. Por kinezët festojnë edhe ditë të tjerave të shënuara, siç është festa e drapërit, festa një javore e familjes, dita përkujtimore e të vdekurve, festa e hënës etj. Secila prej tyre ka karakteristikat e veçanta dhe shoqërohet me rituale të caktuara.

Nëse do të donim të përcaktonim disa tipare dalluese të kulturës kineze, atëherë do të shquanim se ato ndryshojnë shumë nga kultura e Perëndimit. Në kulturën perëndimore është më i përhapur koncepti se "secili jeton për veten e tij dhe se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në jetën private të dikujt tjetër"! Në Republikën Popullore të Kinës është tabu prishja e harmonisë dhe mosruajtja e dinjitetit moral bazuar në traditën kineze. Sjellja e padenjë në Kinë konsiderohet "humbje e fytyrës", dhe shkakton një reaksion masiv të opinionit publik. Në konceptin kinez të humbasësh fytyrën do të thotë të kesh defiçite dhe të mos plotësosh kushtet për të qenë i denjë dhe i barabartë në shoqëri.

Ndërsa në shoqëritë perëndimore komunikimi i drejtpërdrejtë është tipar i dukshëm i raporteve njerëzore, në Republikën Popullore të Kinës njerëzit përdorin komunikimin e tërthortë ose atë që quhet komunikim indirekt. E gjitha ndodh për të evituar zemërimin dhe gjaknxehtësinë. Kush humbet arsyen dhe nuk ruan qetësinë në komunikim, në Kinë konsiderohet si prishës i harmonisë dhe kësisoj humbës i fytyrës, pra si i turpëruar në masën e madhe të njerëzve. Kjo do të thotë se kinezët në kulturën e tyre e kanë të zhvilluar kompromisin, qasjen me tolerancë dhe fleksibilitetin në marrëdhëniet midis tyre, qasje këto të diktuara nga mënyra e të menduarit dhe të jetuarit në shekuj.

Tipare të tjera në kulturën kineze mund të specifikohen gjithashtu distanca në hierarki dhe respekti hierarkik. Ritualizimi i sjelljeve dhe në procese është pjesë përbërëse e përditshmërisë së njerëzve, gjë që përsëritet vazhdimisht në shkolla, qendrat e punës e në familje. Po ashtu kinezët për shkak të unifikimit të vlerave tradicionale kanë fituar aftësi të rralla në orientimin e tyre, si dhe disa tipare të veçanta si kolektivizmi, solidariteti etj.

Sigurisht që marrja dijeni për kulturën kineze e qytetarëve shqiptarë jep mundësi orientimi jo vetëm në rastet kur bëhen aplikime për studime ose për të punuar në kompanitë kineze, por edhe për ata që vizitojnë si turistë Republikën Popullore të Kinës. Dhe përveç të gjithave sa vumë në dukje, çdo vizitor do të takojë në Kinë kuzhinën specifike pikante të saj.

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi