Megjithëse janë mbajtur 8 takime në mes liderësh që kur u hodh në Nish të Serbisë ideja e Mini Shengenit ballkanik, asgjë konkrete, e prekshme dhe me rezultate konkrete nuk ka ndodhur. Është prodhuar më shumë retorikë, kohë mediatike e debate me kundërthënie të ndryshme dhe replika në distancë në mes liderve të rajonit. Edhe pse në Uashington një vit më parë u nënshkrua edhe një marrëveshje që i jepte mbështetje kësaj nisme, deri tani gjërat nuk kanë lëvizur.

Ballkani i hapur (Lapsi.al)

Ballkani i hapur (Lapsi.al)

Takimi i Shkupit në fund të muajit korrik ishte më i organizuar dhe Vuçiç, Rama dhe Zaev shfaqën optimizëm se tashmë gjërat po ecin sipas një platforme gjithëpërfshirëse dhe me synime të qarta. Gjithsesi edhe në këtë takim, nuk iu përgjigjën ftesës Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, duke i shtuar pikëpyetjet për efektivitetin e kësaj nisme dhe dobitë e pritshme të saj.

Partneriteti rajonal si nismë, sigurisht që në thelb është një ide pozitiviste, aq më tepër në rajonin ku mosmarrëveshjet etnike kanë qënë të thella dhe akoma mbeten diferenca të mëdha në tejkalimin e këtyre problemeve. Një vullnet pozitiv për të shikuar përpara, pa pengjet e përherëshme të së kaluarës problematike, do të çlironte energji pozitive për rajonin ku konfliktet e lindura për gjatë dekadave kanë shpërthyer shumë shpejt. Por a do kete fuqi kjo nismë të tejkalojë pikërisht këtë gjë dhe të ndërtojë urën e një bashkëpunimi të hapur e të sinqertë?

Vetë nisma e tre liderëve, megjithë këmbënguljen e tyre, nuk po gjen përkrahjen e duhur nga vendet e tjera dhe ka mbetur e shtrirë vetëm në tre vende, kur disa vende vijojnë të kenë kontestime të ndjeshme.

Një funksionim normal i kësaj nisme, kërkon para së gjithash përvijimin e saj mbi një raport e marëdhënie të koordinuar në mes gjithë këtyre vendeve dhe të vinte si një platforme integruese e mirëkuptuar nga BE-ja dhe e mbështetur nga ajo. Mini Shengeni, tani i zevëndësuar me Ballkanin e hapur në një koncept të gjerë mund dhe do të duhej të funksiononte më mirë nëse kjo energji kanalizohej për Tregun e Përbashkët rajonal nën projektin e Procesit të Berlinit, pa qënë nevoja për sforcime dhe moskuptime që e shoqërojnë nismën prej kohësh. Tregu i përbashkët rajonal e përfshin brenda vetes edhe idenë e Mini Shengenit dhe është në kuadër të realizimit të këtyre qëllimeve, duke integruar edhe shtetet e këtij rajoni që janë anëtare të BE-së, pa qenë nevoja që në momentin kur flitet për një Ballkan të hapur, pikërisht atëherë paradoksalisht vendosen kufij.

Shembulli i funksionimit të sotëm midis BE-së me Islandën dhe Norvegjinë është i aplikueshëm për t’u ndjekur edhe në rastin e Ballkanit Perëndimor në krijimin e një zone të gjërë ekonomike me BE –në.

Aleksandar Vucic, Zoran Zaev dhe Edi Rama në Shkup (Sot)

Aleksandar Vucic, Zoran Zaev dhe Edi Rama në Shkup (Sot)

Deklaratat e përsëritura të tre liderëve se ata nuk mund të presin deri sa BE të zgjidhë problemet e veta të brendshme për t’iu hapur dritën jeshile të integrimit vendeve të Ballkanit për t’u integruar, krijon normalisht idenë e një presioni që Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kërkojnë të realizojnë nepërmjet kësaj nisme, është thelbi i fshehur i saj. Një shantazh politik ndaj Brukselit, pavarësisht mbështjelljes së tij politike e diplomatike, nuk mendoj se përbën zgjedhjen e duhur, pasi deklarata e tyre se Ballkani nuk mund të presë, është një paralajmërim për një lëvizje tjetër për të cilën duket se liderët kanë rënë paraprakisht dakord.

Ballkani evropian është një rrugëtim i domosdoshën dhe normal i këtyre vendeve dhe ai nuk mund të braktiset nëse Vuçiç, Rama dhe Zaev nuk përmbushen në sedrën dhe ëndrrën e tyre politike.

Vërejtjet e vazhdueshne të Brukselit ndaj situatës dhe reformave të pakryera, nuk mundet që të injorohen, duke krijuar kundërvënie me iniciativa të cilat që në fillim kanë krijuar pikëpyetje serioze dhe i mungon argumenti se ku janë përfitimet konkrete në zbatueshmërinë e tyre.

Hapja e derës së BE-së përmes shantazhesh dhe krijimit të platformave integruese rajonale që nuk marrin në konsideratë rregullat dhe standardet e bllokut, mund të plotësojë ambicie personale me drejtim populist, por është një kosto e lartë për vendet që ata drejtojnë. Lëvizja e lirë dhe bashkimi doganor, për të cilën u fol më së shumti në Shkup, e lexuar nga jashtë krijon optimizëm, por efektet e saj për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk kalojnë pa kosto. Bashkimi doganor për vende me diferenca ne zhvillimin ekonomik sjell pasoja të rënda për ato që kanë zhvillim më të ulët.

Në situatën e tanishme, sipas specialistëve të ekonomisë, avantazhet janë që të thellohet CEFTA duke punuar për një zhvillim të brendshëm ekonomik të të gjitha këtyre vendeve. Krijimi i një unioni doganor për vendet e Ballkanit Perëndimor, siç parashikojnë marrëveshjet e nënshkruara në Shkup, nuk sjell ndonjë përfitim serioz dhe të matshëm në këto vende. Nëse marrëveshja e bashkimit doganor nga ana ekonomike nuk kalon përmes një tregu të përbashkët, ajo më shumë i përket retorikës politike se sa efekteve të pritshme për të cilën entusiazmi duket i lartë, por rezultatet nuk priten të jenë të tilla. Aq më shumë që potenciali tregtar në Ballkan është shumë i ulët, pasi këto vende raportojnë deficite të llogarisë korente prej 5.5 % të PBB-së, që shpreh dobësinë e vazhdueshme të eksporteve që ka rajoni.

Në rrafshin praktik Shqipëria nuk është aspak e avantazhuar në aspektin tregtar, pasi defiçiti i eksporti-importit me Serbinë dhe Maqedoninë është i ndjeshëm. Në vitin 2020 Shqipëria ka shitur në Serbi 55 milion dollarë produkte, ndërkohë që Serbia ka shitur më shumë se 280 milion dollarë më Shqipëri.

Ky raport vijon të mbetet negativ edhe me fqinjin tjetër, Maqedoninë e Veriut. Maqedonia ka eksportuar drejt Shqipërisë 210 milion mallra, ndërkohë anasjelltas Shqipëria ka eksportuat vetëm 70 milonë. Vetëm duke gjykuar mbi këto shifra arrin lehtësisht në konkluzionin që Shqipëria humbet, Serbia e Maqedonia e Veriut përfitojnë, pasi marrin edhe aksesin e madh të daljes në det, duke ulur ndjeshëm kostot e eksporteve serbe dhe maqedonase.

Open Balkan (Top Albania Radio)

Open Balkan (Top Albania Radio)

Ky është vetëm një nga këndvështrimet e këtij Ballkani të hapur, pasi problemet që zgjidh janë shumë të vogla, krahasuar me dallgët e mëdha që ngre. Një Ballkan me shumë ngjyra serbe po tentohet të shitet si e ardhmja e rajonit, por vështirë se do të mund të ngjizë, pavarësisht marrëveshjeve të nëshkruara me bujë me 29 korrik. Një Ballkan i hapur nuk mund të jetë për tre shtete, kur ky rajon ka 12 të tillë dhe pesë prej tyre janë në BE, ndërsa Turqia shumë e fuqishme dhe me potenciale të mëdha është prej kohësh vend kandidat.

Fantazmat e së kaluarës së predominacës serbe nuk mund të rikthehen në këto kohë si dominante, pavarësisht përpjekjeve të Beogradit për të inicuar projekte të hapjes e të komunikimit, që të sheqerosura ngjajnë fillimisht të ëmbla, por në thelb ruajnë aroma të hidhura. Serbia mbetet një vend që jo vetëm nuk ka fuqi të revizionojë të kaluarën konfliktuale të saj, por nxjerr vazhdimisht nga sirtarët projekte që i japin shkas zjarreve etnike, aq të gatshme për të shpërthyer në këtë rajon.

Tejkalimi i së kaluarës zgjidhet përmes një projekti gjithëpërfshirës, ku fillimisht shkatarët dhe përgjegjësit e tragjedive të së shkuarës marrin përgjegjësinë dhe me vullnet të sinqertë reflektojnë për të ardhmen. Deri sa të realizohet një puritanizëm i pastër shpirtëror, dyshimet mbi nisma të tilla mbesin prezente dhe nuk kanë garancitë e besueshmërisë së realizimit të tyre.

Gëzim Podgorica