Pas takimit të nivelit të lartë të Alaskës midis Kinës dhe SHBA-ve, ku në përfundim dialogu përcaktohej si i “sinqertë dhe konstruktiv”, pritshmëritë ishin të tilla që në marrëdhëniet midis dy të mëdhenjve, të fillonte të frynte një erë e re. Politika e jokonfilktualitetit për të ecur përpara në një drejtim të shëndetshëm e të qëndrueshëm, e ofruar që në fillim nga pala kineze, megjithëse u konsiderua si e arsyeshme e konstruktive dhe si bazë e sinqertë bashkëpunimi, shumë pak kohë pas atij takimi duket se është braktisur nga pala amerikane. Politika e tensionit është rikthyer gati më shumë agresive se në periudhën e presidencës Trump, duke u larguar nga ato shkëndija shprese që prodhoi dialogu i Alaskës.

Marrëdhëniet midis të dy të mëdhenjve janë përcaktuese të raporteve dhe të ekuilibrit gjeopolitik botëror, pasi ato përvijojnë shumë raporte jo thjesht midis tyre, por edhe raporte multilaterale në të gjithë botën. Duke qenë se Kina dhe SHBA janë dy ekonomitë më të mëdha në botë, zhvillimet ekonomike, por edhe më gjerë se kaq përcaktohen dhe ndikohen në disa vende në peshë specifike të mëdha nga marrëdhëniet që kanë këto dy shtete. Jo rastësisht tek takimi i Alaskës, e më pas tek çdo sjellje e qëndrim edhe i një niveli më të ulët diplomatik të këtyre dy vendeve, ndiqet me një vëmendje të rritur nga të gjithë, për të lexuar optikën dhe ecurinë e mjaft zhvillimeve .
Rritja e dozës kritike të SHBA-ve ndaj Kinës dhe sulme si ato që lidhen me origjinën e koronavirusit, apo deklarata të pajustifikuara të mbështetura mbi fakte e të dhëna të paprovuara mbi gjoja “gjenocidin në Xinjiang” po i dërgojnë raportet midis këtyre dy vendeve drejt një pikë të ulët, e cila do të sjellë efekte negative që rezojnojnë përtej tyre. Demonizimi i Kinës, duke krijuar situata që nuk kanë një bazë reale, jo vetëm që nuk zgjidh problemet me të cilat ballafaqohen sëbrendshmi SHBA, por rrit një ngarkesë negative komunikimi që ndikon në vende të tjera. Në një moment kur të gjithë duhen të shpenzojnë energji pozitive dhe të bashkërendojnë e harmonizojnë arritjet e përbashkëta në luftën ndaj pandemisë si një kërcënim global me ngarkesë të lartë, shkencëtarë të ndryshëm duhet të fokusojnë energjitë dhe punën e tyre për të riargumentuar edhe një herë pretendimet se virusi i Covid -19 nuk është krijuar në laborator. Megjithëse e provuar shkencërisht, politikanë amerikanë drejtojnë gishtin kundër Kinës, në kërkim të çdo forme që bën të mundur besueshmërinë e gjetjes së “armikut imagjinar”. Fakti është se periudha e fundit është karakterizuar nga një mendësi e tillë, çfarë dëmton seriozisht urën e domosdoshme të një komunikimi të sinqertë të Kinës me SHBA .

Kina çdo ditë e më shumë ka provuar se është një realitet pozitiv ekonomiko-shoqëror në rritje dhe imponues nga ajo çfarë është arritur dhe ajo çfarë ofrohet në vijimësi. Rritja e pandalshme e ekonomisë kineze, shtrirja globale e investimeve dhe tregtisë, rritja e intensitetit të fluksit të komunikimit tregtar posaçërisht me Europën përmes linjave hekurudhore dekadën e fundit, zbatimi i teknologjive dhe inovacioneve në çdo fushë me një impakt pozitiv si asnjëherë më parë, normalisht që e kanë kthyer Kinën në shtetin me ritmet e zhvillimit më të madh. Ndikimi në ekonominë e mirëqenien globale ka qenë pozitiv, pavarësisht se disa shtete tani po humbin dominancën e tyre dhe ekspozohen përpara popullsisë së vendeve të veta me problemet që kanë. Por problemet e brendshme që mund të ketë sejcili shtet në vetvete nuk i zgjidh dot duke adresuar situata apo demonizuar një shtet tjetër. Kina nuk mund të kthehet sot në një adresë kritikash, për të mbuluar problemet e brendshme që ka njeri apo tjetri vend.
Duke qenë e qartë dhe e vendosur në rrugën e saj, pavarësisht tensioneve në rritje në periudhën e fundit, diplomacia kineze përcaktoi prerazi në komunikimin e hapur diplomatik me palën amerikane vijat e kuqe në marrëdhëniet me SHBA-në.
Tre kërkesat që ministri i jashtëm kinez Wang Yi parashtroi drejtëpërsëdrejti dhe pa asnjë ekuivok në takimin me zëvendësekretaren amerikane të shtetit Wendy Sherman, janë kërkesa që lidhen me përpjekjet për të mos thelluar përkeqësimin e marrëdhënieve dhe për të gjetur shtigje dhe hapësira të një bashkëpunimi e komunikimi të nevojshëm. Sistemi politik dhe rruga që ka ndjekur e ndjek Kina janë zgjidhje të vullnetit të popullit kinez, të cilat nuk mund vihen në diskutim nga asnjë vend tjetër, por as të sulmohen e përbalten padrejtësisht. Po ashtu, zhvillimi i Kinës, i cili është i konsoliduar dhe po sjell të mira globale, kurrsesi nuk ka pse të jetë objekt i përpjekjeve të SHBA-ve përmes sanksioneve dhe formave të bllokimit të teknologjive, për ta penguar apo ndalur këtë proces .

Kërkesa e tretë e përvijuar në atë që SHBA të mos shkelin sovranitetin kombëtar dhe të mos dëmtojnë integritetin territorial të Kinës, referuar çështjeve lidhur me Xinjiangu-un, Tibetin, Hong-Kongun dhe Tajvanin, është një kërkesë jo vetëm e panegociueshme, por pjesë e integritetit të një vendi i cili nuk mund të lejojë që të cenohet sovraniteti dhe siguria kombëtare.
Perceptimi për Kinën nuk mund të ndërtohet përmes ekstremiteteve, por i gjykimit real të realitetit në lëvizje pozitive që ka ky vend dhe ndikimeve me efekt pozitiv në shkallë globale. Përcaktimi i vijave të kuqe nuk mbyll shtigjet e bashkëpunimit, ai orienton dhe afishon mundësinë se rrugët e sinqerta të komunikimit janë të shumta e duhen shfrytëzuar. E kaluara politike e Kinës, ashtu si edhe e sotmja kanë dëshmuar se ajo nuk ka ndjekur në asnjë rast një politikë hegjemoniste, por ka përvijuar angazhimin paqësor për një bashkëpunim të hapur e me përfitime të ndërsjella.
Duke qenë se marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-ve janë marrëdhëniet më të rëndësishme në botë, në një moment të tillë kur sulmi ndaj Kinës u rrit ndjeshëm, u ballafaquan edhe me përcaktimin e këtyre vijave. Respektimi i kornizave të theksuara nga dy palët i jep mundësi të dy vendeve që të gjejnë korridoret e bashkëjetesës paqësore. Diplomacitë e të dy vendeve lëvizin me një ngarkesë shumë të lartë. Me rëndësi kapitale është se si dhe çfarë veprimesh të përbashkëta do të marrin, në nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve midis tyre. “Konkurrentja më e madhe” sipas Bidenit me “ kundërshtaren më të madhe” sipas Trump-it, megjithë diferencën në vlerësimin e Kinës nga njeri tek tjetri, nuk shikohet aktualisht një qasje ndryshe, çfarë bën pastaj që përcaktimi i vijave që nuk kalohen të vijë si domosdoshmëri në bisedat e takimet diplomatike. Klima e tensionit e rritur së fundi, nuk erdhi si pasojë e një qëndrimi radikal nga ana e politikës dhe diplomacisë kineze, por e një përpjekje që nuk rezultoi e suksesshme për krijimin e një koalicioni perëndimor që kërkoi të frenojë në strategjinë e vet zhvillimin e pandalshëm të Kinës. SHBA–të kanë intensifikuar në periudhën Biden vendosmërinë për të theksuar pozicionin si lider botëror dhe koncepti e platforma kineze e politikës multilateritetit global, janë vënë përballë duke fokusuar debate gjeopolitike kudo në botë.

Takimi i G7 pavarësisht përpjekjeve për të gjetur e etiketuar të ashtuquajturat “gabime” të Kinës, dhe përpjekjeve për të marrë vendime të zbatueshme nga të gjithë, tregoi se “koha kur një grup i vogël shtetesh qeverisin botën, ka përfunduar”. Por edhe brenda takimit fakti që u evidentuan qëndrime të diferencuara nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti francez Macron, dëshmon se sfidat e mëdha që lidhen me klimën, tregtinë ndërkombëtare, pandeminë, çarmatimin bërthamor e tema të tjera të nxehta, nuk mund të realizohen pa një përpjekje të përbashkët e serioze me Kinën.
Bashkëpunimi midis Kinës dhe SHBA-së është vështirësuar dhe tensionet ngjajnë potencialisht edhe më të mundura. Në se këto tensione rriten, kostoja do të jetë e lartë për të gjithë. Kurset e ndryshme strategjike midis dy vendeve kanë përcaktuar normalisht edhe politika të ndryshme që nuk bashkohen. Ndërkohë që Kina vijon me besnikëri investimin dhe fuqizimin e vendit nëpërmjet sistemit të saj politik, SHBA-të kërkojnë të rikthehen në skenën botërore si një superfuqi dominante, pa llogaritur që kanë humbur pozicione të ndjeshme në shumë drejtime në raport me Kinën. Duke i dhënë mosmarrëveshjeve ekonomike midis tyre një ngjyrë politike, përherë e më tepër krijohen konturet e një Lufte të Ftohtë, e cila mund të konsiderohej e mbyllur, por nuk ngjan si e tillë.

Vetëm nga një analizë e shkurtër e shifrave të rritjes së Kinës në dekadat e fundit dhe e rënies së peshës specifike të SHBA-së, konstaton lehtësisht se konfliktet që ndizen herë pas here me Kinën, nisen nga acarimet tregtare e ndikimet në ekonomi e përfundojnë ne përplasje politike. Në një kohë kur SHBA-të kanë një rritje mesatare ekonomike prej 4 % ne katër dekadat e fundit, Kina e ka tejkaluar ne disa vite radhazi rritjen përtej dy shifrave.
Diferencat e rritjes janë të dukshme në shumë drejtime. Hopi i Kinës në katër dekadat e fundit ka qenë surprizues, mbështetur mbi reformat ë mëdha dhe bashkëpunim të hapur me Perëndimin. Këto diferenca kanë thelluar edhe konfliktin, i cili ka nevojë për kompromis. Të përgjegjshëm për peshën globale që kanë, të dy vendet duke gjetur arsyen e bashkëpunimit e kompromisit e kthejnë marrëdhënien e tyre në një të mirë për të gjithë njerëzimin.(Foto:Xinhua, VCG)
Gëzim Podgorica







