Më shumë se 4.2 milion jetë të shuara nga Covid-19 në mbarë botën! Ekonomia globale në recension për muaj të tërë, miliona ngelën të papunë, u thellua hendeku midis të pasurve dhe të varfërve, problemet sociale u shumëfishuan, dhe jeta siç e njihnim u transformua....

Në librat e historisë, çdo ngjarje e kohëve tona do të shënohet si “para” dhe “pas” pandemisë; ndërkohë, një vit e gjysmë me këtë plagë të madhe është vendosur të flitet, manipulohet dhe spekulohet për origjinën e Covid-19.

Gjurmimi i origjinës së virusit është pa diskutim i rëndësishëm, po ashtu është edhe e vërteta rreth kësaj plage që ende po bën botën të lëngojë. Por, në të njëjtën kohë pritet që e vërteta të jetë e paanshme, e pamanipuluar dhe e pangjyrosur politikisht.

Çfarë thuhet dhe çfarë është

U tha fillimisht se Kina e fshehu shfaqjen e virusit. - Por, Dr. Zhang Dingyu, president i Spitalit Wuhan Jinyintan i cili ka qenë në vijën e parë të trajtimit të pacientëve me Covid-19, bën me dije publikun se "Askush nuk po mbulonte asgjë. Askush nuk fshihte asgjë!" Covid-19 është një sëmundje e re, kështu që kuptimi i të gjithëve për të ishte i ndryshëm në fillim, nuk kishte një përfundim të unifikuar për diagnozën dhe trajtimin. Sëmundja quhej pneumoni e panjohur në atë kohë. U desh kohë që mjekët të arrinin një marrëveshje. Në momentin kur u bë një protokoll trajtimi, doktorët ishin në gjendje të identifikonin pacientët me Covid-19. Pra, ishte një proces i të kuptuarit të sëmundjes, jo një mbulim.

U tha se Kina nuk ndau informacionet me botën. – Por, është e dokumentuar tashmë se më 27 dhjetor 2019, Zhang Jixian, një mjek i sëmundjeve respiratore në Wuhan, ishte i pari që lajmëroi autoritetet për një sëmundje të re ngjitëse pasi trajtoi pacientët me simptoma të ngjashme me gripin. Ndërkohë, zyrtarët shëndetësorë të qytetit filluan një hetim për shpërthimin viral.

Brenda tre ditësh, Komisioni Komunal i Shëndetit në Wuhan dërgoi një njoftim urgjent në lidhje me shpërthimin e pneumonisë me shkaqe të panjohura në qytet dhe filloi njoftimet për sëmundjen që nga 31 dhjetori.

Më 5 janar 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) u njoftua për shpërthimin e një virusi të ri. Më 21 janar, Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës (NHC) filloi të publikojë informacione për Covid-19 në faqen zyrtare dhe platformat e mediave sociale, ashtu siç bënë edhe departamentet provinciale të shëndetit. Nga 3 shkurti 2020, NHC filloi të ndante informacionin në gjuhën angleze.

U tha se Kina nuk mori masat e duhura për ta përmbajtur dhe frenuar virusin. - Kjo është teoria e parë që u hodh poshtë menjëherë nga realiteti. Në 23 janar 2020 Wuhan u mbyll totalisht. Më 8 prill 2020 Wuhani u rihap sërish, dhe në valë edhe gjithë pjesa tjetër e Kinës. Në përpjekje të koordinuara shkëlqyeshëm, më sakrifica të mëdha njerëzore, sociale dhe ekonomike, Kina ia doli.

U tha se është e qëllimshme! Lulëzimi i teorive konspirative. - Më 12 mars 2020, OBSh shpall pandeminë botërore dhe që nga ajo ditë e më pas filloi stigmatizimi i Kinës dhe origjinës së virusit. Duke marrë edhe hov nga retorika e agravuar e Presidentit Trump, media ndërkombëtare shkoi në limitet e të pabesueshmes për të fajësuar Kinën.

Përgjigjja nga Kina erdhi më 7 qershor 2020 kur u bë publike dokumenti (Libër i Bardhë) “Lufta kundër COVID-19: Kina në veprim: Transparenca e Kinës për COVID-19.” Por, siç ndodh rëndom për lajmet që vijnë nga Kina, ky libër i bardhë me shpjegime në detaje, nuk u prezantua për publikun e gjerë botëror.

U tha se Kina po fsheh të vërtetën mbi laboratorin e Wuhan-it. - Sërish, realiteti tregoi se nuk është kështu. Një panel shkencëtarësh të OBSh mbërritën në Wuhan më 14 janar 2021 për një mision gjurmimi të koronavirusit me ndihmën e ekspertëve kinezë. Menjëherë pas një karantine 14-ditore, ekspertët e OBSH-së filluan të përfshiheshin në diskutime dhe analiza të të dhënave mbi misionin me kolegët e tyre kinezë. Delegacioni i ekspertëve mbajti bisedime me pacientët e shëruar nga Covid-19, familjet që patën jetë të humbura nga virusi, punonjësit e komunitetit dhe banorët. Ekspertët shkuan në Institutin e Virologjisë në Wuhan (WIV), ku vizituan një laborator kombëtar me nivelin më të lartë të biosigurisë (P4). Ata shkëmbyen ide me ekspertët e institutit mbi punën e tyre të përditshme, bashkëpunimin shkencor ndërkombëtar si dhe përpjekjet kundër epidemisë. Ekipi vizitoi laboratorët veterinarë në Qendrën Provinciale Hubei për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Kafshëve dhe diskutoi me ekspertët vendas. U vizitua edhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Wuhan, dhe u bisedua me ekspertët vendas. Ata gjithashtu shkuan në një laborator të nivelit të tretë të biosigurisë dhe një laborator referimi të gripit për të kontrolluar mostrat dhe të dhënat kërkimore të rasteve fillestare të Covid-19. Ekspertët vizituan edhe tregun e ushqimeve të detit Huanan dhe dy spitale në Wuhan.

Ekipi shkencor ndërkombëtar i udhëhequr nga OBSh prezantoi një raport në mars 2021. Raporti arriti në përfundimin se një origjinë natyrore ishte "shumë e mundshme" dhe origjina laboratorike, e përshkruar nga disa, ishte "jashtëzakonisht e pamundur".

U tha se është rrjedhje laboratorike. - Zeng Yixin, nënkryetar i Komisionit Kombëtar të Shëndetit, flet në një konferencë shtypi në Pekin më 22 korrik 2021 mbi "teorinë e rrjedhjes së laboratorit" që përfshin Institutin e Virologjisë në Wuhan.

Një virus i krijuar nga njeriu është një supozim i pamundur, vuri në dukje Zeng. “Është njohuri e zakonshme dhe e pranuar për inxhinierët gjenetikë se një virus i krijuar nga njeriu ka shenja të gjurmueshme - tha ai - Por koronavirusi i ri nuk ka asnjë.”

U tha se tre anëtarë të stafit të këtij instituti u sëmurën me Covid-19. - Asnjë provë nuk është gjetur, madje as emrat. Prej kohësh është përfolur se tre persona nga WIV shkuan në një spital për të njëjtat simptoma si COVID-19 në nëntor 2019. Bazuar në këtë thashetheme, shumë media arritën në përfundimin se qeveria kineze gënjeu se si filloi Covid-19 dhe se si u përhap në Wuhan. "Nëse doni të vërtetën absolute, ekziston një mënyrë e drejtpërdrejtë," - tha Yuan Zhiming, profesor dhe drejtor i Laboratorit Kombëtar të Biosigurisë në Kinë në konferencën për shtyp - "Ju vetëm duhet të pyesni ato media për emrat e tre personave."

Përse rikthehen tani rrymat konspirative?

Në maj të këtij viti, teoria merr vrull mediatik nga një shkrim i “Washington Post” që hedh në treg sërish teorinë e “Rrjedhjes” nga laboratori. Në fund të majit, presidenti Biden u kërkon shërbimeve të dalin me një përfundim të saktë brenda 90 ditësh.

Në fillim të korrikut, në një seancë të Senatit mbi përpjekjet për të luftuar Covid-19, senatori Rand Paul pyeti Dr. Anthony Fauci nëse kanë financuar SHBA-të hulumtimin e viruseve në Kinë? Fauci pranon se ShBA ka kontribuar me disa fonde në këtë laborator.

Në mes korriku drejtori i përgjithshëm i OBSh, Tedros propozon një plan për fazën e dytë për të vazhduar studime të mëtejshme në Wuhan duke përfshirë auditimin e laboratorëve përkatës.

Kina u përgjigj menjëherë në 22 korrik, me anë të një deklarate nga Zeng Yixin, nënkryetar i Komisionit Kombëtar të Shëndetit (NHC): Kina nuk do të ndjekë planin e sugjeruar të Organizatës Botërore të Shëndetit për fazën e dytë të gjurmimit të origjinës së koronavirusit, e cila i jep përparësi teorisë së rrjedhjes së laboratorit.

Zeng vuri në dukje se "plani tregon mosrespektimin e sensit të përbashkët dhe qëndrimin arrogant ndaj shkencës dhe qëndrimi i hapur dhe transparent i Kinës për të gjetur origjinën e virusit është njohur plotësisht nga ekspertët ndërkombëtarë."

I pyetur për teorinë e rrjedhjes laboratorike Liang Wannian, udhëheqës i anës kineze të ekipit të gjurmimit të fazës së parë, tha se sa i përket mundësisë së rrjedhjes së laboratorit, nuk duhet përjashtuar nëse ka prova të duhura, por atëherë studime të ngjashme duhet të bëhen edhe në laboratorë në vende të tjera të cilat nuk janë vënë nën mbikëqyrje.

Që faza e dytë e kërkuar është shumë tendencioze kjo po duket dita ditës, por pavarësisht ndjenjave të momentit ai duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet politike, të respektojë barazinë sovrane të kombeve dhe të shmangë një prezumim faji.

OBSh është nën një presion të jashtëzakonshëm financiar, vendet që po e shtyjnë të bëjë një raund të dytë janë gjithashtu ata që sigurojnë fondet e organizatës. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH -së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, po përgatitet për rizgjedhje majin e vitit të ardhshëm dhe ndoshta është duke rikalibruar idetë e tij.

Kjo çështje po merr hov në media dhe në fjalime politikanësh nëpër vendet e zhvilluara. E gjitha duket më shumë si një mënyrë për të shmangur fajin për performancën e dobët të qeverive në trajtimin dhe parandalmin e Covid-19 në shtetet e pasura, se sa kërkimi i së vërtetës. Origjina dhe manifestimi i një virusi janë dy gjëra shumë të ndryshme! Një shembull në histori na e tregon më së miri këtë. Komuniteti shkencor ndërkombëtar ka rënë dakord se “Gripi Spanjoll” nuk e kishte origjinën në Spanjë, por aty shpërtheu dhe u përhap.

Çdo devijim nga fryma shkencore gjatë gjurmimit të origjinës është papërgjegjshmëri për historinë dhe njerëzimin.

Dr. Marsela Musabelliu