Debati i ashpër që ka shpërthyer rreth hulumtimit dhe origjinës së virusit Covid-19 po merr gjithnjë e më shumë atë që është e panevojëshme në këtë moment delikat të sfidës globale: Politizimin e tij. Kjo nuk ndodh rastësisht dhe motivet duken të jenë të qarta për të sulmuar Kinën. Megjithëse në muajin mars OBSH-ja publikoi një raport të thellë e shkencor mbi origjinën biologjike të koronavirusit, pas një hulumtimi disa javor në Kinë, kohët e fundit kjo temë është rimarrë dhe debati merr ngjyra politike. Beteja me pandeminë duket ende larg për t’u fituar dhe shpërthimi i variantit të ri Delta gjithnjë e më shumë po alarmon shkencëtarët për mundësinë e një vale tjetër të rrezikshme dhe që mund të sjellë dëme të paparashikueshme.

Pikërisht në këtë situatë, kur nevojitet më së shumti një shkëmbim i të dhënave shkencore dhe një hulumtim serioz se si dhe në çfarë drejtimesh duhet këmbëngulur në korsinë më të shpejtë të mundur parandaluese, ka shpërthyer debati që vijon të politizohet lidhur me daljen apo jo nga laboratori të këtij virusi. Manipulimi politik që po i bëhet kësaj çështjeje dëmton rëndë bashkëpunimin shkencor ndërkombëtar për gjurmimin e origjinës dhe anashkalon në mënyrë fyese arritjet e studimeve të përbashkëta midis Kinës dhe OBSH-së, të cilat në muajin mars të këtij viti u konsideruan të plota, shteruese dhe të argumentuara e të pranuara shkencërisht. Raporti i dalë pas studimit të përbashkët 28 ditor dëshmoi për të vërteta shkencore të pakundërshtueshme, që hodhën themele të shëndosha në rrugën për gjurmimin dhe origjinën e koronavirusit.

Kina që në fillim të pandemisë u tregua e hapur për bashkëpunim e shkëmbim të dhënash më të gjithë, si një rrugë efikase për të parandaluar përhapjen, por edhe pasojat e këtij koronavirusi.

Jo vetëm pas misionit 28 ditor të specialistëve të OBSH-së nga vende të ndryshme të botës, por edhe në vijimësi, nga Kina janë ofruar të dhëna e mundësi për analiza shkencore të origjinës së koronavirusit. Edhe tani, kur temperatura politike rreth kësaj çështjeje po nxehet gjithnjë e më tepër, Kina pohon gatishmërinë e saj për bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë çështjeje.

Në një nga daljet e tij për mediat lidhur me këtë zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Zhao Lijian (Çao Lixhian), në përgjigje të interesimit të gazetarëve për origjinën e koronavirusit tha se “ Studimi mbi origjinën është një punë shkencore dhe ka nevojë për bashkëpunimin e shkencëtarëve të mbarë botës” dhe në vijim të prononcimit të tij ai nuk la pa dënuar disa vende, përfshirë edhe SHBA për një politizim të kësaj çështjeje. Në vijim të kësaj teme, Zhao (Çao) tha se “Mbi 90 për qind e pjesmarrësve të një sondazhi të gazetës kineze “Global Times” thanë se faza e ardhëshme e hetimeve mbi origjinën e Covid -19 duhet të bëhet në SHBA. SHBA duhet të dalë përballë zërave të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë popullin kinez dhe të japë përgjigje të kënaqëshme për kërkesat në letrën e hapur dhe në sondazhin në internet” – tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës.

Raporti i publikuar në fund të marsit nga OBSH-ja sugjeronte që të vazhdojë kërkimi i rasteve të hershme të infektimit në përmasat globale dhe me një trend rritës, me synimin për të shkuar saktësisht e sa më shpejt drejt rrugës që qartëson origjinën e koronavirusit. Kjo presupozon që edhe SHBA duhet të jetë e hapur për të verifikuar ato pika dyshimi që lidhen me koronavirusin. Shumë pikëpyetje ngrihen mbi laboratorin në Fort Detrick, që është baza më e madhe amerikane e studimit të armëve biologjike e kimike, i cili në korrikun e vitit të kaluar u mbyll papritur dhe lidhur me këtë moment ka paqartësi që shtohen.

Një raport i Institutit kombëtar të shendetësisë në SHBA ndër të tjera nënvizon se koronavirusi filloi të përhapej këtu që në dhjetor të vitit 2019, për të shkuar pastaj deri tek pohimi i ish-drejtorit të Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve të SHBA-së se disa ndër viktimat e deklaruara se humbën jetën në sezonin e gripit nisur nga shtatori i vitit 2019, kanë vdekur në të vërtetë për shkak të Covid-19.

Hetimi i hapur në SHBA është një qëndrim që kërkohet jo për të nxitur politikisht këtë çështjeje dhe as për të balancuar kritikat dhe qëndrimet e njëanshme që mbahen ndaj Kinës. Ai është një nevojë për transparencë dhe shkëmbim informacioni të domosdoshëm, për të shkuar objektivisht drejt origjinës së koronavirusit.

Kina ka dëshmuar gjatë kësaj kohe jo vetëm konstruktivitet në këtë çështje, por edhe një angazhim të pashoq lidhur me përballimin e kësaj sfide, i cili kalon përmes një solidariteti ndërkombëtar të admirueshëm. Në muajin korrik u arrit të sinkronizohet objektivi për prodhimin e 5 miliardë dozave të vaksinave, të cilat po rrisin përherë e më tepër shpresen se imuniteti përballë varianteve të reja që shfaqen në vijimësi, do jetë i mundur, por me një bashkëpunim e komunikim të hapur e të sinqertë. Prodhimi i një sasie kaq të madhe vaksinash është një kontribut që i kalon kufijtë e Kinës dhe ai ka dimension global. Në nivel kombëtar Kina ka administruar deri tani më shumë se 1.4 miliardë vaksina, shifra më e lartë në të gjithë botën. Jashtë Kinës janë adresuar në vende të ndryshme edhe 600 milion doza, që janë pjesë e përpjekjeve për të rritur imunizimin.

Që nga momenti kur shkencëtarët kinezë arritën të prodhonin vaksinat që parandalojnë koronavirusin, Kina i konsideroi ato si një e mirë globale që duhet adresuar tek të gjitha vendet pa asnjë hezitim e paragjykim.

“Kina ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar për vaksinat, për të siguruar që ato të jenë të arritshme dhe të përballueshme nga vendet në zhvillim dhe që të bëhen një e mirë publike globale” – deklaroi disa ditë më parë në takimin Jozyrtar të liderve të APEK-ut, presdidenti kinez Xi Jinping. Në këtë takim presidenti kinez bëri të njohur edhe angazhimin e Kinës për dhënien e 3 miliardë ndihmë ndërkombëtare në luftë kundër pandemisë me destinacion vendet në zhvillim, si një suport i domosdoshëm që kjo sëmundje globale të mposhtet nga të gjithë, pavarësisht mundësive që ka njeri apo tjetri vend. Ndryshe nga disa vende që shpenzojnë kohë dhe energji për sulme politike, Kina angazhon mundësi financiare dhe shkencore për të luftuar pandeminë, si rruga e duhur për të fituar globalisht.

Bashkëpunimi i Kinës me më shumë se 100 vende lidhur me shpërndarjen e vaksinave, tregon se ajo mbetet e hapur, bashkëpunuese dhe solidare. Aleanca Globale e Vaksinave ( GAVI ) nënshkroi me 12 korrik marrëveshje me prodhuesit e Sinovac dhe Synopharm për të ofruar vaksina që nga korriku. Synopharm do të ofrojë për GAVI-in rreth 170 milion vaksina, ndërkohë që Sinovac brenda një periudhe tre mujore; korrik-shtator do të ofrohen si fillim 50 milion.

Një vend i fuqishëm e me potenciale si Kina mund të prodhojë e ofrojë për një periudhë të shkurtër sasi të tilla kaq të mëdha, që lehtësojnë frymëmarrjen e mjaft shteteve në këtë beteje të vështirë, që gjatë ditëve të fundit ka marrë përsëri një kurbë rritëse. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, me entusiazëm kryeshefi ekzekutiv i GAVI-it Seth Berkley shprehej se: Këto dy vaksina kineze janë përfshirë në listën e OBSH-së për përdorim urgjent. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, mund t’ua ofrojmë shpejtvendeve përkatëse vaksinat e COVID -19 “.

E gjithë kjo periudhë e luftës së pandemisë është karakterizuar nga një këndvështrim sa më i gjërë bashkëpunimi i Kinës me vendet e tjera.

Në mesin e korrikut ishte për një vizitë zyrtare në Egjipt, ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi (Uan Ji) dhe sëbashku me homologun e tij egjiptian Sameh Shoukry morën pjesë në ceremonië e prodhimit të përbashkët të një million dozave të vaksinës kineze në Egjipt. Tashmë Egjipti është vendi i parë në kontinentin afrikan që prodhon në bashkëpunim me Kinën vaksinën kundër COVID-19, prodhim i cili sapo ka nisur dhe do të vazhdojë me ritme të shpejta, duke i siguruar kështu egjiptianëve një mundësi të fuqishme për imunitet ndaj pandemisë.

Uniteti ndaj pandemisë nuk është sot një mundësi, por është kthyer në një domosdoshmëri dhe shpenzimi i energjive në drejtim të politizimit të kësaj çështjeje, bën që të ndryshojë fokusi i vëmendjes nga drejtimi efektiv. Kina është shumë e qartë në optikën e vet, ajo forcon kërkimin shkencor dhe arritjet në këtë drejtim i kthen në një mundësi për të gjithë Po ashtu Kina vazhdon të shfaqë solidaritetin e saj me të gjithë vendet që duan sinqerisht bashkëpunim e koordinim në këtë betejë të vështirë, fitorja ndaj së cilës duket e prekshme, por është ende larg.

Gëzim Podgorica