15 korriku shënon për Kinën dhe Rusinë një moment të ri dhe përcaktues në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve, që në periudha të ndryshme janë përshkuar nga korrente të ftohta, por edhe të ngrohta. 20 vjet më parë, Kina dhe Rusia u dakordësuan për marrëdhënie bilaterale intensive, përmes qëndrimeve të përbashkëta për çështje me rëndësi që lidhen me zhvillimin e dy vendeve, por edhe në arenën ndërkombëtare. Të dy vendet kanë theksuar në vijimësi se ndërveprimi i politikës së jashtme konsiderohet si “një prej përbërësve të partneritetit strategjik”. Presidentët e dy vendeve më 28 qershor realizuan një takim virtual në mes tyre, një format takimi që u vlerësua si i nevojshëm, meqenëse për shkak të situatës nga Covid-19, u shty vizita e parashikuar e Presidentit Putin në Kinë.

Pavarësisht formatit të takimit, biseda dhe mesazhet që u përcollën, dëshmojnë se të dy vendet kanë një frymë të re mirëkuptuese në komunikimin midis tyre dhe raportet kino-ruse kanë marrë një hov tjetër. Vitet e fundit relacionet midis Perëndimit dhe Rusisë janë ftohur së tepërmi, por kjo nuk konsiderohet arsyeja themelore që dy vendet kane intensifikuar bashkëpunimin, bazuar tek deklaratat. Partneriteti midis Kinës dhe Rusisë, në optikën midis dy presidentëve është një nevojë zhvillimi i brendshëm dhe i mbajtjes së një ekuilibri të domosdoshëm në arenën globale.

Presidenti kinez Xi Jinping konfirmoi qartë në takimin me homologun rus se:“ndërveprimi i afërt kinezo- rus sjell energji pozitive në bashkësinë ndërkombëtare, duke krijuar shembull që duhet ndjekur në procesin e formimit të llojeve të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare”. Mesazhi që përcjell lideri kinez është i qartë, të cilin ai e ka përsëritur edhe më parë se duhet punuar e bashkëpunuar për një “ rend më të drejtë ndërkombëtar”, duke nënvizuar më pas se bota tani nuk ka arsye të pranojë diktatin e hegjemonit.

Dy vendet, siç u konfirmua edhe nga takimi, synojnë ndërtimin e një sistemi të ri

multipolar në sfondin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke dhënë mesazhin se qendrat e fuqisë janë disa, mesazh i cili drejtëpërdrejtë shkon ndaj SHBA, për t’i thënë hapur se është një kohë e re dhe nuk pranohet më diktati i hegjemonisë. Bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin e përbashkët se përballja e shteteve është e panevojëshme dhe fokusimi dhe energjitë duhen kanalizuar në një politikë të re multilaterale, e cila gjithnjë e më shumë në përshtatje e funksion të zhvillimeve të reja, ka nevojë të shmangë e të mos pranojë hegjemonzmin. Edhe deklarata e përbashkët pas takimit e nënvizon si mjaft të rëndësishëm këtë qasje.

“Bota po kalon në një periudhë turbulencash, mungesash e stabilitetit dhe pasiguria janë rritur. Njerëzimi përballet me deficit gjithnjë e më të madh drejtimi e mirëbesimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, pabarazi në rritje e zhvillim e sipër e konflikte gjithnjë e më të mëdha. Ruajtja e sigurisë globale dhe promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm janë edhe më tej detyrat më të rëndësishme. Disa shtete nxitin rivalitetin dhe ballafaqimin e fuqive të mëdha. Në raportet ndërkombëtare roli i faktorit fuqi po rritet .

Ndër faktorët negativë janë edhe përpjekjet e disa vendeve për ta ndarë botën sipas vijave ideologjike, përzierja në punët e brendshme të shteteve sovrane, zbatimi sipas dëshirës i sanksioneve të njëanëshme dhe groposja e kuadrit juridik të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, përfshirë edhe sferën e kontrollit të armatimeve” .

Tonet e deklaratës, janë as më pak dhe as më shumë, por të drejtuara ndaj SHBA-së, duke thënë përmes gjuhës diplomatike se ka përfunduar koha kur një qendër fuqie me hegjemonizmin e saj impononte .

Në ndërtimin e arkitekturës së re të sigurisë Kina dhe Rusia po punojnë në përfshirjen e sa më shumë shteteve kontribuese në këtë drejtim, për të krijuar një ekuilibër të forcave dhe interesave të lojtarëve kryesorë në botë. Deklarata e përbashkët pas takimit, e jep në mënyrë më specifike klimën e re të marrëdhënieve kinezo –ruse .

“Meqenëse nuk janë pjesë e ndonjë aleance ushtarake të ngjashme me aleancat që janë zhvilluar gjatë Luftës së Ftohtë, raportet ruso-kineze e tejkalojnë këtë formë të ndërveprimit ndërshtetëror. Ata nuk janë oportunistë, janë çliruar nga ideologjozmi dhe supozojnë shqyrtim gjithëpërfshirës të interesave dhe mospërzierjes në punët e brendshme, “janë të vetmjaftueshëm që nuk orientohen kundër vendeve të treta, ata janë marrëdhënie ndërkombëtare të një lloji të ri.”

Kjo gjë në fakt është përsëritur edhe në takimet e shpeshta që kanë realizuar në mes tyre, shefat e diplomacive të vendeve respektive Wang Yi dhe Sergei Lavrov. Takimi i tyre i zhvilluar në marsin e këtij viti, konfirmoi vullnetin për rritjen në nivel të lartë të partneritetetit gjithëpërfshirës strategjik. Bashkëpunimi pragmatik, i cili ka rritur ndjeshëm zhvillimin ekonomiko-shoqëror të dy vendeve dhe bashkërendimi i tyre ndërkombëtar është fokusuar në stabilitetin dhe energjinë pozitive në botë. Marrëveshjet e nënshkruara nga dy ministrat dhe deklarata e përbashkët mbi qeverisjen globale morën një mbështetje në takimin presidencial të 28 qershorit, si një trase në të cilën duhet ecur më shpejt. Të dy vendet, raportet me njeri-tjetrin i konsiderojnë të shëndetëshme dhe të stabilizzuara, jashtë konteksteve idologjike të cilat dekada më parë kanë penguar bashkëpunimin e partneritetin e gjerë e strategjik.

Jubileun 20 vjeçar të marrëveshjes në mes tyre, i parë në një optikë te re, e konsiderojnë si një moment që inkurajon thellimin e bashkëpunimit.

Zhvillimet dhe ndryshimet e ndodhura në arenën ndërkombëtare pas përfundimit të asaj që u konsiderua : Lufta e Ftohtë – kanë bërë që Kina e Rusia të jenë përherë e më tepër ta pakompleksuara dhe të mos vendosin barriera të pakalueshme në raportet midis tyre. Megjithatë të dy vendet vlerësojnë me kujdes çdo lëvizje e iniciativë në kuadrin e interesave të tyre gjeostrategjike.

Kina është sot partneri më i madh tregtar i Rusisë dhe investimet e saj në Rusi janë rritur vit pas viti. Nga ana e saj Rusia, shumë produkte me peshë i drejton në tregun më të madh global që është Kina. Rusia po punon për ndërtimin e impiantit më të madh të polimereve në botë, me vlerë prej 11 miliardë dollarësh me synim tregun kinez. Impianti përfaqëson një nga projektet më të mëdha të investimeve në Rusi dhe është në kuadër të bashkëpunimit intensiv midis Kinës e Rusisë. Në vitin 2019 tregëtia dypalëshe midis këtyre dy vendeve kapi shifrat e 110 miliardë dollarëve, me një ulje si pasojë e faktorit pandemik në vitin 2020 e rritje të ndjeshme në këtë periudhë të këtij viti.

Gjetja e një gjuhe të përbashkët për ndërtimin e drejtimin e një stacioni në Hënë, është mbështetje konkrete e tezës për një kuadër të gjërë të bashkëpunimit. Stacioni do të jetë një bazë në sipërfaqen e Hënës ose në një orbitë hënore për kërkimin shkencor gjithëpërfshirës. Të dy vendet kërkojnë të hapin një stacion për një bashkëpunim të hapur e të gjerë ndërkombëtar me synimin që të kthehet në një platformë që nxit hulumtimin paqësor dhe zhvillimin e hapsirës.

Lidhjet midis dy vendeve po thellohen në një sërë fushash, që nga projektet e gazit në Artikun e e Rusisë deri tek teknologjia e shkëmbimi tregëtar përmes euros, në përpjekje për të kufizuar rolin e privilegjuar të dollarit.

Takimi i dy presidentëve në 28 qershor krahas të tjerash kumtoi se 15 korriku ka nevojë për identifikim të fushave të reja dhe thellim të partneritetit, duke nënkuptuar se 20 vjetori i marrëveshjes nuk është thjesht simbolik apo përfaqëson një datë, por një mundësi e hapur për një bashkëpunim afatgjatë.

Gëzim Podgorica