Dikur, nga vitet '70, në Shqipëri ndodhi një aksident. Ingjinieri kinez Çan Bao Yu rrëzua nga maja e antenës televizive në Dajt afër Tiranës dhe humbi jetën. Shteti shqiptar e shpalli atë Hero të Punës Soocialiste. Grupi i ingjinierëve dhe teknikëve nga Republika Popullore e Kinës për herë të parë po instalonin antenat televizive tokësore në Shqipëri. U nis me malin e Dajtit dhe do të përfundonte me Malin e Mides në Pukë.

Aso kohe me qindra e mijëra ingjinierë dhe teknikë nga Kina punonin në sektorë të ndryshëm të industrisë shqiptare. Kombinati Metalurgjik i Elbasanit dhe Uzina e Përpunimit të thellë të Naftës në Ballsh të Fierit kishin numrin më të madh të tyre. Por ingjinierët gjeologë kinezë ngjisnin gjithashtu alpet e Veriut të Shqipërisë në kërkim të mineraleve nëntokësore. Deni dhe Juni ishin dy prej të cilëve i kam njohur në moshën time të fëmijërisë, sepse me ta punonte im atë.

Madje ka një histori interesante midis tyre. Të dy ingjinierët ishin për një muaj me pushime në vendlindjen e tyre në Kinë dhe kur u kthyen në ekspeditën gjeologjike të Gdheshtës së Kukësit kishin marrë me vete edhe konserva me mish gjarpëri. Im atë mendoi se janë konserva me mish ngjale dhe bashkëngjitet në tavolinën e shtruar nga Juni dhe Deni. Më vonë merr vesh sek ishte ngrënë mish gjarpëri. U bë keq kur mësoi të vërtetën,pasi ai nuk kishte konsumuar një ushqim tradicional.

I përmenda të gjitha këto për të ardhur në ditët e sotme. Sa Shqipëria kishte në fillim të vitëve 1970 ingjinierë e teknikë kinezë, sot nuk i ka turistë dhe vizitorë gjatë një viti. Ndonëse potenciali turistik i Kinës është në rritje të vazhdueshme, Shqipëria nuk bën asnjë përpjekje për të përfituar nga kjo. Sot, pas kaq kohësh, do të duhej ndoshta të flitej për potencialin e investimeve nga ana e Republikës Popullore të Kinës në resortet turistike shqiptare, si mënyra më e mirë për tërheqjen e turistëve nga ky vend.

Pse kjo situatë kaq e trishtë në tërheqjen e vëmendjes së turistëve dhe ninvestimeve në këtë sektor nga Republika Popullore e Kinës?! Miliona turistë nga ky vend kalojnë pushimet në Europë e sidomos në Italinë fqinjë. Shqipëria ishte vendi i parë europian i zbuluar dhe e eksploruar nga qytetarët kinezë për shkak të marrëdhënieve të atëhershme miqësore midis dy vendeve. Ndërsa sot numri i turistëve dhe vizitorëve nga Republika Popullore e Kinës është më i ulëti në rajon e në Europë.

Para tri vitesh më takoi të bëj një udhëtim turistik në shtatë vende të Europës. Kudo që shkuam, në Kopenhagen, Hamburg, Bruksel, Berlin, Amsterdam, Luksenburg, Shtutgart etj pamë qindra e mijëra turistë nga Republika Popullore e Kinës. Ishin ata ndoshta më të shumtët në numrin e përgjithshëm të turistëve. Grupe të mëdha turistësh nga vendi më i madh i botës mbushnin bulevardet, rrugët, sheshet e porteve turistike etj. Por në Shqipëri ndodh e kundërta. Duket sikur turistëve kinezë u është ndaluar të bëjnë pushime në këtë vend.

E pra Kina ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Me rritjen ekonomike të saj tashmë në Kinë është krijuar një shtresë e mesme prej qindramilionësh, e cila është e etur të eksplorojë vende të ndryshme të panjohura. Shqipëria mund të ishte destinacion i preferuar për ata. Së paku për atë pjesë që afrohet me vendin tonë, për turistët kinezë që vijnë e kalojnë pushimet në Itali ose Greqi, apo vendet e tjera fqinjë të Ballkanit. Nëse do të kishte një projekt bashkëpunimi në këtë fushë midis dy vendeve, atëherë reklama dhe panairet kineze do të ishin destinacion i rëndësishëm i agjencisë së Turizmit dhe operatorëve turistikë.

Shfrytëzimi i potencialit turistik kinez është një avantazh shumë i madh për Shqipërinë. Kjo sepse Shqipëria nuk është një vend i paeksploruar e njëkohësisht i njohur për kinezët. Shumë rrallë ndodh që një vend të jetë kaq i njohur për Kinën si Shqipëria e njëkohësisht kaq pak i eksploruar nga ana e kinezëve. Prandaj është interes i turizmit shqiptar që të përthithë sa më shumë turistë nga Republika Popullore e Kinës. Madje të mendojë që të përfitojë nga turizmi elitar i këtij vendi.

Por kjo kërkon një strategji bashkëpunimi. Ndërkohë që strategjia e bashkëpunimit ka si parakusht vullnetin politik për të ndërtuar një marrëdhënie më të ngushtë midis palëve. Në strategjinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kinës në fushën e turizmit nuk duhet të bëjnë pjesë vetëm lidhjet midis operatorëve turistikë. Ajo duhet të shkojë deri te thithja e investimeve kineze të resorteve të mëdha turistike, duke synuar modernizimin për tërheqjen e turismit elitar, sepse Kina ofron një numër i konsiderueshëm milionerësh e miliarderësh të interesuar për këtë lloj turizmi. Kjo kategori të pasurish në Republikën Popullore të Kinës është më e madhja në botë. Dhe do të rritet gjithnjë e më shumë në kushtet e sotme të hapjes ekonomike të Pekinit.

Enver Bytyçi