Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Shtator 2020, Presidenti Xi deklaroi synimin i Kinës që para vitit 2060 të arrijë neutralitetin e karbonit dhe në vitin 2030 të arrijë pikun e emetimeve të CO2. Në përputhje me marrëveshjen e Parisit, synimi do të jetë zvogëlimi i vazhdueshëm i intensitetit të emetimeve të CO2 për njësi të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me më shumë se 65% nga niveli 2005 dhe zgjerimi i kapacitetit total të instaluar të energjisë hidrike, të erës dhe energjisë diellore. Prodhimi global i energjisë elektrike aktualisht është dominuar nga energjia termike dhe kryesisht nga qymyri dhe gazi natyror. Kina përbën rreth 27% të gjenerimit global të energjisë elektrike në pothuajse 7 482 TWh në vitin 2019. Prodhimi i energjisë elektrike të Kinës është rreth 41% të energjisë të prodhuar nga 10 prodhuesit më të mëdhenj në nivel global. Respektivisht është rreth 71% më i lartë se i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 4.6 herë më të lartë se India, të cilët renditen në vendin e parë dhe të dytë në nivel global.

Burimi : Enerdata, dhe kalkulimet nga autori

Ekonomitë moderne varen nga furnizimi i besueshëm dhe i përballueshëm i energjisë elektrike. Në dekadën e fundit, Kina ka rritur kapacitetet dhe rrjedhimisht edhe vëllimin e prodhimit të energjisë elektrike nga të gjitha burimet e energjisë në mënyrë që të plotësojë kërkesën në rritje. Prodhimi i energjisë është rritur me ritme të lartë, me një rritje prej 61% në periudhën 2020 – 2011 ose në një mesatare në 6 % në vit. Pjesa më e madhe e rritjes së energjisë vjen ende nga energjia termike e cila ishte burimi dominues i energjisë në Kinë dhe që do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Energjia termike përfaqëson më shumë se 67% të energjisë elektrike të prodhuar në vitin 2020, e ndjekur nga hidrocentralet në 18%, era në 6%, energjia diellore në 3.4% dhe energjia nukleare në 5%.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës të Kinës dhe llogaritjet e autorit

Në strukturën e energjisë termike dominon prodhimi energjisë nga qymyri. Kërkesa dhe kapaciteti prodhues i qymyrit të Kinës mbeten të larta. Aktualisht digjet për të prodhuar energji elektrike në Kinë, një nga çdo katër ton qymyr i përdorur globalisht. Vlerësohet se 98% e emetimeve nga prodhimi i energjisë elektrike ose rreth 4.3 Gt CO2 vijnë nga termocentralet me qymyr, që korrespondon me rreth 13% të emetimeve globale të CO2. Qeveria po bën presion për uljen e emetimeve dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke kaluar në gaz në sektorë industrialë dhe rezidencialë, por flota e qymyrit të Kinës është e re dhe mbetet shumë efikase. Për të zvogëluar emetimet e CO2, transformimi i sektorit të energjisë në Kinë mund të përfshijë jo vetëm kalimin nga qymyri në teknologjitë e energjisë me karbon të ulët, por menaxhimin më të mirë të njësive të mbetura me qymyr dhe rikonstruksionin dhe tërheqjen e termocentraleve të dobëta.

Burimi : Enerdata dhe kalkulimet nga autori

Sektori i energjisë i Kinës po lëviz në një drejtim të ri pas thirrjes së Presidentit Xi për një "revolucion të energjisë" dhe "luftës kundër ndotjes". Për kapacitetin e ri të instaluar në periudhën 2020 - 2011, burimet e rinovueshme kanë tejkaluar rritjen e energjisë termike. Për këtë periudhë energjia e prodhuar nga burimet e rinovueshme është rritur 2.8 herë, ndërsa nga burimet termike është rritur rreth 33%. E rëndësishme është ndryshimi i strukturës së prodhimit të energjisë elektrike nga burime të ndryshme si dhe rënia e peshës së prodhimit të saj nga energjia termike. Ndërsa në vitin 2011 energjia termike përbënte 83% të prodhimit total të energjisë, në vitin 2020 prodhimi nga energjia termike përbën 67% të prodhimit total. Një rritje të lartë ka pasur energjia e prodhuar nga burime të rinovueshme, nga 16% në vitin 2011 në 27% në vitin 2020.

Kina është shndërruar në motorin global të kapaciteteve të rinovueshme. Falë mbështetjes së vazhdueshme të politikave dhe kostove në rënie kapacitetet e rinovueshme hidrike, të erës dhe asaj diellore, janë dyfishuar në dekadën e kaluar, duke arritur nga 743 TWh në vitin 2011 në 2 088 TWh orë në vitin 2020. Në periudhën ndërmjet 2019 dhe 2024 vlerësohet që Kina do të instalojë 40% të zgjerimit global të kapacitetit të rinovueshëm, nxitur nga integrimi i përmirësuar i sistemit, nivele më të ulëta të shkurtimit dhe konkurrencë e shtuar si e PV diellore ashtu edhe e erës në tokë.

Burimi : Enerdata dhe kalkulimet nga autori

Kapaciteti hidrik në vitin 2020 ka arritur në 370.2 GW dhe e rendit Kinën në fuqinë e parë të prodhimit të energjisë nga hidrocentralet. Rritja me 21 GW në kapacitetin total global të instaluar të hidrocentraleve në vitin 2020 përfaqësoi një rritje prej 1.6 përqind në krahasim me vitin e kaluar. Kontributi i Kinës në këtë rritje ishte ne 13.76 GW të kapacitetit të ri hidroenergjetik, duke përfshirë 1.2 GW të magazinimit të pompuar nga katër njësitë e fundit të projektit Jixi. Ndërsa vetëm një rritje e vetme më e madhe është projekti Wudongde me 6.8 GW cili u be operacional ne vitin 2020 me tetë nga 12 njësitë e tij. Projekti Wudongde i Kinës ne total 10.2 GW është planifikuar të jetë plotësisht operacional deri në korrik 2021 dhe do të jetë projekti i katërt më i madh i vendit dhe hidrocentrali i shtatë më i madh në botë pas përfundimit.

Në vitin 2019 përafërsisht 651 GW është gjeneruar duke përdorur fuqinë e erës. Prodhimi i energjisë duke përdorur fuqinë e erës të Kinës përfaqëson mbi 43% të kapacitetit global. Në vitin 2020 energjia e erës pothuajse u dyfishua duke u zgjeruar në 111 GW krahasuar nga 58 GW në vitin 2019. Kapaciteti total diellor i energjisë së prodhuar po arrin në të njëjtin nivel me kapacitetin e erës falë kryesisht zgjerimit në Azi në 78 GW në vitin 2020. Rritjet kryesore të kapacitetit u shënuan në Kinë me 49 GW dhe Vietnam në 11 GW. Japonia gjithashtu shtoi mbi 5 GW dhe India dhe Republika e Koresë që të dy zgjeruan kapacitetin diellor me më shumë se 4 GW. Kina instaloi një kapacitet masiv diellor me 40 GW në vitin 2020, duke e çuar totalin e saj në 254 GW.

Kina ka tejkaluar vendet e BE-në dhe është shndërruar në lider botëror në kapacitetin e instaluar të energjisë solare. Në tetor, një impiant diellor 2.2 GW, më i madhi në Kinë dhe i dyti për nga madhësia në botë, ishte i lidhur me rrjetin. Kina është vendosur gjithashtu të udhëheqë rritjen globale në prodhimin e bioenergjisë duke tejkaluar shumën e prodhuesve të dytë dhe të tretë më të mëdhenj, përkatësisht Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kapaciteti i bioenergjisë në Kinë u zgjerua me mbi 2 GW. Evropa, i vetmi rajon tjetër me zgjerim të ndjeshëm në vitin 2020, duke shtuar 1.2 GW të kapacitetit të bioenergjisë, i ngjashëm me 2019.

Energjia nukleare është burimi i dytë më i madh në botë i prodhimit të energjisë eletrike me karbon te ulët pas energjisë hidroelektrike. Prodhimi i përgjithshëm i energjisë bërthamore të vendit ishte 344.7 TWh në 2020. Kina është vendi që ndërton më shumë reaktorë në botë. Kina aktualisht ka 49 reaktorë bërthamorë operacionalë, ndërsa 16 reaktorë me një kapacitet neto të kombinuar prej 15.9GW janë në ndërtim e sipër.