Shpejtësia e trenave, si shpejtësi e zhvillimit të Kinës

Ishte viti 2008 kur Kina instalonte atë që dukej ëndërr, hekurudhën e shpejtësisë së lartë. Në sfondin e një zhvillimi të hovshëm ekonomik e teknologjik, ku ritmet rriteshin çdo ditë për t’u bërë të pakapshëm, nevoja e një komunikimi të shpejtë midis rajoneve, erdhi si një domosdoshmëri e kohës. Një vend në lëvizje të vazhdueshme e me tregues që njihnin përparim të ndjeshëm, duhej të tejkalonte edhe këtë sfidë. Planet e zhvillimit, të cilat preknin çdo fushë të jetës, përfshinin tashmë edhe një revolucion në komunikimin hekurudhor, ku popullsia më e madhe e botës ishte pjesë e një mënyre moderne e me standarde më të larta të jetesës, por edhe ekonomisë i nevojitej një infrastrukturë tjetër, pasi komunikimi tregtar rritej jo vetëm brenda vendit, por edhe me vende të ndryshme të Europës.

Hekurudha e shpejtësisë së lartë e instaluar në vitin 2008 dhe që ka shtrirë arteriet e saj në të gjithë vendin, simbolizon fuqinë ekonomike në rritje të vendit, modernizimin që njeh parametra befasues, por edhe teknologjinë e lartë e cila është pjesë substanciale e fuqisë zhvilluese të Kinës. Për një periudhë të shkurtër në historinë e një vendi, për më pak se 13 vjet, Kina ka sot rrjetin më të gjatë hekurudhor në botë të trenave të shpejtësisë së lartë, duke kapur në fund të këtij viti gjatësinë prej 37.900 kilometër.

Në vitin 2018, në njerën nga vizitat e mia dhe shumë mbresëlënëse në Kinë, udhëtova me tren të shpejtësisë së lartë nga Pekini në Hefei. Duke qënë një qytet me një largësi prej më shumë se 1000 kilometrash larg Pekinit, nuk ndjehesha dhe aq rehat, duke menduar një udhëtim të gjatë i cili do zgjaste, sipas llogarisë sime, disa orë.

E lidhja këtë me një udhëtim që kisha bërë një vit më parë për në Suzhou dhe shpejtësia nuk i kalonte 260 kilometrat dhe mendoja se do duheshin orë të tëra për të arritur në Hefei, duke llogaritur edhe ndalesat. Nuk u desh shumë kohë që të shikoja një realitet të ndryshuar e të qetësohesha se udhëtimi do të ishte në kohë më i shkurtër se sa e mendoja unë. Disa minuta pas nisjes, në ekranin e madh në fund të vagonit fiksova shifrën prej 352 kilometër në orë. E pashe disa herë si për të marrë edhe një argument me shumë se ndryshimet në Kinë janë aq të fuqishme, sa vetëm kur i prek, i kupton dhe ndjen realisht.

Nuk mund të qëndroja indiferent ndaj një realiteti të tillë zhvillues dhe mësova se në atë vit, pra në vitin 2018 Kina kishte një rrjet hekurudhor të shpejtësisë së lartë prej 22.000 kilometër, duke përfaqësuar 60 % të këtij rrjeti për tërë botën. Janë shifra që i përkasin tre viteve më parë dhe që i kam shënuar edhe në librin tim “Kina, një gravitet i epokës së re”. Për tre vite ato kanë ndryshuar aq shumë sa duken gati të pabesueshme. Në fund të këtij viti do të ketë 17.000 kilometër më shumë.

Shpesh herë shifrat ngjajnë të ftohta, por kur i zbërthen për të lexuar se çfarë “fshehin” në brendësi të tyre, kupton dhe deshifron mesazhet që ato përcjellin. Kombi më i madh në botë, ka rrjetin më të zhvilluar dhe me gjatësinë më të madhe për trenat e shpejtësisë së lartë. Vetëm brenda këtij viti pritet të shtrohen e të vihen në funksion rreth 3700 kilometër linja të reja. Kompanitë kineze janë sot lider botërorë të teknologjisë dhe zgjidhjeve inxhinierike të trenave të shpejtësisë së lartë. Risitë janë të shumta, por veçoj atë që është realizuar në trenat që lidhin Pekinin me provincën veriore të Hebeit, ku janë në funksion trenat më të shpejtë autonomë në botë.

Në fund të vitit 2019, u krijua një arterie e re në kuadër të përgatitjeve të gjithëanëshme për Lojërat Olimpike Dimërore, që do të zhvillohen në fillim të vitit 2022, dhe rruga e re ka bërë të mundur që koha të shkurtohet nga tre orë, në 60 minuta.

Një nga adresat e sotme më të mëdha të transportit hekurudhor të shpejtësisë së lartë është Shangai. Kryeqyteti kinez Pekin lidhet me një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë më një nga qendrat më të mëdha ekonomike të botës, e cila ka një gjatësi prej 1318 kilometrash, duke sjellë një frymëmarrje të shtuar të zhvillimit, por edhe lëvizjes së njerëzve e mallrave në segmentet e tjera hekurudhore. Kjo linjë përfaqëson linjën më të gjatë në botë për shpejtësinë e lartë, realizimi i ndërtimit të së cilës është kryer brenda një faze të vetme, duke dëshmuar kësisoj fuqi ekonomike, por edhe teknologjike sfiduese.

Impresionuese janë edhe shifrat të cilat dëshmojnë rëndësinë dhe impaktin që ka kjo linjë. Më shumë së 1.35 miliardë udhëtime janë realizuar që kur është vënë në funksion, pra për një periudhë 10 vjeçare dhe në vitin 2019 u realizuan 210 milionë udhëtime, surprizuese dhe të paarritshme për disa vende të zhvilluara të botës të marra së bashku. Dita më e ngarkuar e lëvizjes ka shënuar një tjetër rekord, i cili qëndron më së miri dhe natyrshëm vetëm në Kinë, atë të lëvizjes brenda një dite në një linjë të vetme : Pekin – Shangai, ku janë regjistruar 666 lëvizje trenash.

Përballë këtyre shifrave normal që duhet mbajtur fryma. Shpejtësia e lartë në ndërtimet hekurudhore është një nga treguesit që deshifron përmes fakteve të ndryshme të pakundërshtueshme, shpejtësinë e lartë të zhvillimit të Kinës, simbol i prosperitet të saj. Eksplorimet hapësinore për qëllime gjithnjë paqësore dëshmojnë një tjetër vitalitet të shkencës e teknologjisë kineze, që bën hapa surprizues, duke afishuar se shpejtësia e përparimeve në Kinë ka tashmë ritmin e shpejtësisë së lartë të trenave, krahasuar kjo në kuptimin figurativ.

Ditën e hënë mediat përcollën lajmin e lëshimit të një sateliti të ri për parashkikimin e saktë të motit, satelit i cili është i paisur me 11 ngarkesa të përparuara të ndjeshmërisë në distancë, duke u projektuar për një gjatësi prek 8 vitesh. Sateliti i lëshuar me 5 korrik, është i pari në botë në fushën e meteorologjike për shërbimin civil në orbitë të muzgut. Ja pra edhe një hap tjetër ku Kina shfaq përparësinë e saj teknologjike e shkencore. Ky satelit bën që Kina të jetë i vetmi vend në botë që certifikon suksesin e saj në rrjetin e satelitëve meteorologjikë të pozicionuar në tre trajektore të ndryshme. Por ky sukses në këtë fushë, nuk është vetëm suksesi i Kinës, pasi shumë shpejt, të dhënat e vëzhgimit FY-3E do të jenë të aksesueshme dhe në dispozicion për të gjithë globin, duke krijuar kësisoj mundësinë për të rritur efikasitetin e parashikimit numerik global të motit.

Të shumta janë edhe misionet hapsinore, që evidentojnë një fuqi tjetër në rritje të shtetit kinez. Më 15 maj të këtij viti zbarkoi në Mars sonda hapsinore Zhurong, e cila ka filluar eksplorimin e hapësirës së planetit të kuq. Roveri “Zhurong” përmban gjashtë lloje ngarkesash shkencore, të cilat do të synojnë për të zbuluar të fshehta të ndryshme që lidhen me planetin Mars. Jo rastësisht roveri quhet “Zhurong”. Meqenëse emri kinez i Marsit është Huoxing, që do të thotë planeti i zjarrtë, është gjetur pikërisht emërtimi Zhurong që sipas mitologjisë kineze vjen Perëndia e zjarrit.

Simbolika gjithnjë gjendet e sendërtuar në emra dhe misione që kanë një impakt të rëndësishëm. Sonda e përbërë nga një orbitues, një zbritës dhe një rover është lëshuar nga provinca Hainan e Kinës Jugore me 23 korrik të vitit të kaluar. Shkencëtarët kinezë po bëjnë studime e prova të ndryshme për të vërtetuar në se ka prani të ujit apo akullit dhe këto të dhëna, do jenë pjesë e një studimi global për të arritur bashkërisht me studiues të tjerë në përfundime të rëndësishme.

Synimi I udhëtimit në hapësirë të misioneve të ndryshme është vetëm paqësor. Reagimet ndaj misioneve hapsinore kineze nuk kanë reshtur, por pavarësisht kësaj Kina i ka dërguar gjithnjë mesazhet e saj se asnjë mision nuk paraqet kërcënim, as për SHBA dhe për asnjë vend tjetër. Ajo ka nënvizuar se hapësira e jashtme duhet kthyer në një territor në favor të njerëzimit dhe jo fushëbetejë e konfrontimit dhe konkurimit.

Kina është shumë e hapur për një bashkëpunim të gjerë e të thelluar ndërkombëtar në stacionin hapësinor, duke e bërë atë një laborator për të mirën e të gjithë njerëzimit. Bashkëpunimi synon në zgjerimin e funksionit të stacionit hapësinor, shkencës dhe aplikacioneve hapësinore, fluturimeve të përbashkëta të astronautëve kinezë dhe të huaj, për t’i dhënë një implus e transformimim sa më të madh arritjeve teknologjike. Kina ka bashkëpunuar e bashkëpunon me Francën, Italinë dhe Pakistanin në eksperimente hapësinore në fusha si fizika themelore, mjekësia hapësinore dhe astronomia hapësinore. Po ashtu Kina dhe Rusia janë në një koordinim bashkëpunimi efektiv në fushën e fluturimeve hapësinore me ekuipazh.

Misionet e shumta hapësinore dhe “fluturimi” i trenave në tokë, afishojnë zhvillimin e pandalshëm shkencor e teknologjik të Kinës dhe ofertën e saj të hapur që të shkëmbejnë përvojat me vende të ndryshme, që arritjet të kthehen në një të mire për të gjithë njerëzimin.

Gëzim Podgorica