Sipas vlerësimeve te Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas një tkurrjeje të vlerësuar prej –3.3 përqind në vitin 2020, ekonomia globale parashikohet të rritet me 6 përqind në vitin 2021, dhe në 4.4 përqind në vitin 2022. Në ndryshim nga vendet e tjera rritja ekonomike e Kinës u zgjeruar në 2.3 përqind në vitin 2020. Rritja e Kinës parashikohet të rikthehet në 8.5 përqind në vitin 2021 dhe në 5.4 përqind në vitin 2022. Kina me këto ritme të rritjes ekonomike jo vetëm që tejkalon rritjen ekonomike të vendeve të avancuara përfshi dhe vendet e eurozonës, por dhe kjo ka bërë që vendi të jetë kontribuesi kryesor i rritjes globale. Politikat e rimëkëmbjes u fokusuan kryesisht në rritjen e investimeve publike dhe private, të rritjes së konsumit të brendshëm si dhe të eksporteve.

Politika fiskale dhe monetare shërbyen si stimuj të fuqishëm për të nxitur konsumin publik dhe privat, rritjen e investimeve, uljen e barrës fiskale, zgjerimin e kredisë me terma të ulëta interesi për të mbështetur rritjen e aktivitetit të biznesit. Rreth 4.9 trilionë RMB ose 4.7 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto vlerësohet kontributi fiskal për të rritur shpenzimet publike për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, prodhimin e pajisjeve mjekësore, disbursimi i përshpejtuar i sigurimit të papunësisë. lehtësimi i taksave dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe investime shtesë publike. Biznesi ka përfituar garanci shtesë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në shumën prej 400 miliardë RMB ose 0.4 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe ulje tarifash mbi 900 miliardë RMB ose 0.9 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. PBC siguroi mbështetje të politikës monetare dhe veproi për të ruajtur stabilitetin e tregut financiar. Masat kryesore kanë përfshirë injektimi i likuiditetit në sistemin bankar, lehtësira të huazimit afatmesëm dhe të rihuazimit për të mbështetur prodhuesit e produkteve mjekësore, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektorin e bujqësisë, ulja e normave të interesit, zgjerimi i linjës së kreditit të bankave për firmat private, etj.

Burimi : World Economic Outlook, April 2021

Rimëkëmbja ekonomike u reflektua ne ecurinë e rritjes së prodhimit industrial, të shërbimeve, të tregtisë, të rritjes se investimeve, të eksporteve dhe importeve si dhe ecurisë të treguesve të fuqisë punëtore. Në maj të gjitha rajonet dhe departamentet kane konsoliduar dhe koordinuar si parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, ashtu edhe zhvillimin ekonomik dhe social. Prodhimi dhe kërkesa vazhdoi të rimëkëmbet, punësimi shënoi përgjithësisht një zhvillim të qëndrueshëm dhe performanca e biznesit vazhdoi të përmirësohet. Në maj te 2021, prodhimi industrial u rrit në mënyrë të qëndrueshme dhe industria e prodhimit të teknologjisë së lartë demonstroi një rritje më të shpejtë. Vlera e shtuar e ndërmarrjeve industriale u rrit me 8.8 përqind krahasuar me vitin 2020. Sa i përket sektorëve, vlera e shtuar e minierave u rrit me 3.2 përqind, e manifaktures 9.0 përqind dhe furnizimi me energji elektrike, energji termike, gaz dhe ujë u rrit me 11.0 përqind. Vlera prodhimit të teknologjisë së lartë u rrit me 17.5 përqind. Një rritje të lartë shënoi prodhimi i automobilave me energji të re, robotëve industrialë dhe qarqeve të integruara dëshmoi një rritje prej 166.3 përqind. Në katër muajt e parë, fitimet e realizuara nga ndërmarrjet industriale arritën në 2.594.4 miliardë juanë, 2.06 herë më shumë se e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Në maj, indeksi i prodhimit të shërbimeve u rrit me 12.5 përqind. Të ardhurat e biznesit të transmetimit të informacionit, softuerit dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe ajo e kërkimit shkencor dhe shërbimeve të teknologjisë u rritën me 28.8 përqind. Në maj, shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit arritën në 3,594,5 miliardë juanë, duke shënuar nje rritje ne 12.4 përqind. Analizuar nga pikëpamja ndërmjet zonave urbane dhe rurale rritja e konsumit ka qenë më e lartë në zonat rurale krahasuar me ato urbane. Shitjet me pakicë të mallrave të konsumit në zonat urbane arritën në 3,131.3 miliardë juanë, me 12.3 përqind nga viti në vit dhe ajo në zonat rurale arriti në 463.2 miliard juan, me 13.2 përqind nga viti në vit. Të grupuara nga modelet e konsumit, shitjet me pakicë të mallrave ishin 3,212.9 miliardë juanë, me 10.9 përqind nga viti në vit, dhe të ardhurat e hotelerisë dhe kateringut ishin 381.6 miliardë juanë, me 26.6 përqind nga viti në vit. Ndërsa shitjet me pakicë në internet kanë vazhduar të rriten me një ritëm të lartë. Në pesë muajt e parë, shitjet me pakicë në internet arritën në 4,823.9 miliardë juanë, një rritje 24.7 përqind nga viti në vit. Konkretisht, shitjet me pakicë në internet të mallrave fizikë arritën në 3,937.7 miliardë juanë, me 19.9 përqind duke zënë 22.6 përqind të shitjeve totale me pakicë të mallrave të konsumit.

Burimi: Zyra Kombëtare e Statistikave te Kinës dhe kalkulimet e autorit

Në pesë muajt e parë, investimet me përjashtim të familjeve rurale arritën në 19,391.7 miliardë juanë, me një rritje prej 15.4 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Konkretisht, në pesë muajt e parë, investimet në infrastrukturë u rritën me 11.8 përqind nga viti në vit, investimet në prodhim u rriten me 20.4 përqind nga viti në vit, dhe zhvillimi i pasurive të patundshme u rrit me 18.3 përqind nga viti në vit. Sipas industrive, investimet në industrinë primare u rritën me 28.7 përqind nga viti në vit, në industrinë sekondare u rritën me 18.1 përqind nga viti në vit, dhe se në industrinë terciare u rrit me 13.8 përqind nga viti në vit, ndërsa investimet private u rritën me 18.1 për qind nga viti në vit, Investimet në industritë e teknologjisë së lartë u rritën me 25.6 përqind nga viti në vit. Konkretisht, investimet në prodhim të teknologjisë së lartë dhe shërbime të teknologjisë së lartë u rritën përkatësisht me 29.9 përqind dhe 17.1 përqind. Për sa i përket prodhimit të teknologjisë së lartë, investimet në prodhimin e kompjuterëve dhe pajisjeve të zyrës dhe në prodhimin e pajisjeve mjekësore, instrumenteve matëse dhe matësve u rritën përkatësisht me 48.3 për qind dhe 34.0 për qind. Ndërsa për sa i përket shërbimeve të teknologjisë së lartë, investimet në shërbimet e tregtisë elektronike dhe në shërbimet e testimit u rritën përkatësisht me 47.7 përqind dhe 39.6 përqind. Një rritje të lartë kanë shënuar dhe investimet në sektorët social te cilat u rritën me 21.8 përqind nga viti në vit. Konkretisht, investimet në shëndetësi dhe arsim u rritën përkatësisht me 43.6 përqind dhe 17.8 përqind.

Në maj, vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave ishte 3,136.1 miliardë juanë, me nje rritje ne 26.9 përqind nga viti në vit. Konkretisht, vlera e eksporteve ishte 1,716.0 miliardë juanë, me 18.1 përqind dhe vlera e importeve ishte 1,420.0 miliard juan, me 39.5 përqind. Bilanci tregtar ishte 296.0 miliardë juanë tepricë. Në pesë muajt e parë, vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave ishte 14,759.5 miliard juan, një rritje prej 28.2 përqind krahasuar me atë të një viti më parë. Vlera e eksporteve ishte 8,041.4 miliard juan, me një rritje prej 30.1 përqind nga viti në vit dhe ajo e importeve ishte 6,718.1 miliardë juanë, me një rritje prej 25.9 përqind. Në pesë muajt e parë, eksportet e produkteve mekanike dhe elektrike u rritën me 31.9 përqind nga viti në vit, duke zënë 59.5 përqind të eksporteve totale. Importet dhe eksportet e tregtisë së përgjithshme përbënin 61.8 përqind të vlerës totale të importeve dhe eksporteve dhe rritja e tyre është 1.8 pikë përqindje më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në pesë muajt e parë, të punësuarit e rritur rishtas në zonat urbane arritën në 5.74 milion duke arritur plotësimin e objektivit ne 52.2 përqind të fuqisë punëtore. Në maj, shkalla e papunësisë e anketuar urbane ishte 5.0 përqind, 0.9 pikë përqindje më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në përgjithësi, ekonomia kombëtare në maj ka shënuar një rimëkëmbje të qëndrueshme. Por dhe për ekonominë e Kinës si dhe për ekonominë globale sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ekzistojnë akoma faktorë të paqëndrueshëm dhe të pasigurt si në rimëkëmbjen ekonomike globale, ashtu edhe në parandalimin dhe kontrollin e epidemive. E rëndësishme mbetet stabiliteti dhe qëndrueshmëria e politikave makroekonomike, lehtësimi i ndërmarrjeve për të kapërcyer vështirësitë, promovimi i vazhdueshëm i reformave si dhe inovacionit.

Prof. Dr. Petraq Milo