Bashkimi Europian tashmë ka hedhur disa hapa të rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve ekonomike me Republikën Popullore të Kinës. Brukseli, i shtyrë kryesisht nga Berlini, ka rënë përfundimisht dakord që midis palëve të funksionojë kjo marrëdhënie përmes marrëveshjeve konkrete e sidomos të asaj për investimet reciproke të të dy palëve dhe mbrojtjen e tyre.

Megjithatë, gjatë vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden, në Europë u vu re një lloj presioni i dukshëm i SHBA-ve, që BE dhe vendet europiane të mbajnë qëndrime radikale ndaj Pekinit. Amerikanët kanë një mekanizëm, përmes të cilit ushtrojnë presion në Europë për këtë qëllim si dhe për çështje të tjera globale të interesit të tyre. Ky mekanizëm lidhet me marrëdhëniet trans-atlantike midis dy kontinenteve, marrëdhënie që konkretizohen me anëtarësimin në NATO të shumicës dërmuese të vendeve europiane.

Megjithatë analistët vërejnë se kursi i marrëdhënieve të Europës me Republikën Popullore të Kinës nuk do të ndryshojë. Shumë udhëheqës europianë nuk janë të gatshëm që të rrezikojnë marrëdhëniet ekonomike me shtetin më të madh në botë. Europa nuk është e angazhuar as për një kurs konfrontimi me Pekinin në fushën politike, por ajo dëshiron që të aplikojë pikërisht modelin kinez në politikat e brendshme, sa i përket lidhjeve me Kinën, d.m.th krijimin e një ndarjeje midis marrëdhënieve politike dhe atyre ekonomike. Marrëdhëniet politike i vështirëson sistemi kinez i qeverisjes, ndërsa marrëdhëniet ekonomike i favorizon pikërisht sistemi kinez i ekonomisë së tregut.

Sipas teorisë së Ten Hsiao Pin, Republika Popullore e Kinës ka vënë një vijë ndarëse midis politikës dhe ekonomisë. Nevoja që ekonomia kineze të jetë konkurruese në marrëdhëniet ekonomike e tregtare ndërkombëtare bëri që Kina të zbatojë në ekonomi parimet e ekonomisë së tregut, ndërkohë që në politikë ruajti traditën e drejtimit të shtetit nga Partia Komuniste, e cila këto kohë festoi 100 vjetorin e saj. Ky rregull vazhdon të zbatohet në Kinë, madje duke thelluar idenë se "ekonomia zhvillohet sipas ligjeve të saj të tregut" dhe jo aq sipas politikave centralizuese të shtetit.

E njëjta politikë duket se po aplikohet në Bruksel. Marrëveshja për investimet e ndërsjella synon pikërisht një sistem të tillë marrëdhëniesh të ndara në ekonomi nga pikëpamja politike. Ajo marrëveshje aplikon parimet themelore të sistemit të decentralizimit ekonomik dhe shkon përtej orientimeve politike të palëve. Nëse në marrëveshje kërkohet përmirësimi i disa parametrave të kuadrit ligjor për t'u përshtatur me ligjet e BE-së, kjo prek vetëm pak aspekte të karakterit politik.

Dhe për ta realizuar këtë skemë Komisioni Europian u kujdes që zyrtarisht ta trajtojë marrëveshjen me Pekinin si marrëveshje me një "rival sistemor", duke evituar termin "rival strategjik"! Dikush mund të mos e mendojë diferencën që ekziston midis këtyre dy koncepteve, por është e qartë se kur flitet për "rivalitet sistemor", kjo lidhet me konkurrencën e sistemit. Në ekonomi ky rivalitet është ngushtuar gati deri në pikën zero, për shkak të politikave ekonomike të hapjes ndaj tregut që ndjek Pekini. Atëherë kjo do të thotë se beteja e "rivalitetit sistemor" mbetet politika. Megjithatë duket qartë se ky rivalitet nuk prek marrëdhëniet ekonomike e të investimeve dhe nuk çon në përplasje ekstreme politike apo strategjike. Është një koncept i ri në marrëdhëniet midis Fuqive të Mëdha e ato ndërkombëtare në përgjithësi. Ndoshta është përshtatje me globalizimin ekonomik dhe nevojën për hapjen e tregut midis kontinentit aziatik dhe atij europian.

Ndërkaq Joe Biden duket se nuk është i kënaqur me këtë qasje europiane ndaj Republikës Popullore të Kinës, e cila, për hir të vërtetës, nga pikëpamja strategjike rivalizon më shumë me SHBA-të, sesa me Bashkimin Europian. Reagimi europian ishte latent, por dëshmoi se ka një orientim tjetër në këto marrëdhënie. P.sh Armin Laschet, kandidati për ta pasuar Angela Merkelin si kancelar i RF të Gjermanisë, e priti ftohtë idenë e zotit Biden për një konfrontim të hapur me Kinën. Ai beson se Europa "nuk ka nevojë për një kundërshtar të ri".

Megjithatë ende është e pa qartë perspektiva e marrëveshjes së investimeve midis RP të Kinës dhe Bashkimit Europian. Ngutja e miratimit të saj nën presidencën europiane të Gjermanisë ishte ogur i mirë. Por as BE, as Kina nuk e kanë ratifikuar atë në parlamentet e tyre. Kjo do të thotë se skepticizmi midis palëve është aty. Dhe skepticizmin e nxisin kryesisht marrëdhëniet politike. Prandaj dhe në Bruksel e kryeqytetet europiane pati interes që të bëhet një "ndarje" midis çeshtjeve politike dhe atyre ekonomike. Dhe sipas marrëveshjes së përbashkët, nisur nga ky parim, janë trajtuar strikt disa aspekte të funksionimit të ekonomisë së tregut. Në Marrëveshjen për investimet është bërë kujdes që të trajtohen saktë disiplina të tilla si tregu në ekonomitë shtetërore, transparenca e subvencioneve, apo rregullat për transferimin e detyruar të teknologjisë.

Në rastin e ndarjes së marrëdhënieve ekonomike nga politika këto rregulla nuk paraqesin ndonjë vështirësi për t'u zbatuar. Por nëse nuk do të ekzistojë kjo ndarje, atëherë do të ketë vështirësi në realizimin e marrëveshjes së investimeve midis palëve. Cili është interesi i palëve në këtë rast? Besohet se mbi gjithçka prevalon interesi ekonomik, rritja e mundësive për zhvillimin e mirëqenies dhe teknologjisë së të dy partnerëve në fjalë. Nëse do të prevalojë politika, atëherë do të duhet që Brukseli t'i përmbahet vijës amerikane të "rivalitetit strategjik". Që do të thotë të ndjekë kursin e konfrontimit në ekonomi për shkak të politikës. Ndërsa Pekini do të duhet të sakrifikojë investimet e veta të derisotme në Europë dhe të ardhmen e këtyre investimeve, nëse nuk do ta ndante marrëveshjen në fjalë nga parimet e sistemit politik që ai zbaton! Në të dy rastet palët dëmtojnë njëra-tjetrën. Ndërkohë që kanë shansin e një bashkëpunimi të ngushtë në ekonomi, i cili gjithsesi nuk mund të ndahet si me thikë nga bashkëpunimi politik.

Është e vërtetë se ky projekt bashkëpunimi midis BE-së dhe RP të Kinës është hartuar para më shumë se dy vitesh, atëherë kur presidenti Trump kishte marrëdhënie të ftohta me Europën, veçmas me Gjermaninë. Edhe përkufizimi i Kinës si "rival sistemor" kishte ndodhur në atë kohë, me qëllim që të ritheksohej dallimi i qëndrimeve europiane nga ato amerikane ndaj Pekinit. Ishte ky një truk, apo përcakton një politikë të mirëfilltë ndryshe, kjo duhet parë në praktikë. Megjithatë besohet se asnjëra palë nuk ka interes praktik që "ta djeg jorganin për një plesht"!

Enver Bytyçi