
Kampionati europian i futbollit është në kulmin e tij. Në Shqipëri festa e madhe europiane e futbollit po ndiqet me interes të madh. Ka tifozë të skuadrave të njohura si Italia, Gjermania, Anglia, Spanja. Me lehtësimin e masave anticovid ndeshjet ndiqen nga ekrani i TVSH në mjedise të ndryshme, familjare, bare, por më së shumti para ekraneve të mëdha në qendrat e qyteteve apo stacioneve bregdetare, plot me turistë e pushues. Njeri nga komentatorët e kanalit RTSH Sport të Radiotelevizionit Shqiptar është dhe gazetari Kristo Thoma, që na sjell një panoramë të gjerë të garës europiane të futbollit
CMG: Jemi në vitin 2021, por kampionati quhet Euro 2020! Cila është arsyeja e kësaj emërtese?
Kristo Thoma: Nuk është lapsus në emërtesë, por si çdo gjë në jetën tonë që duket se mori një vit kohë edhe Kampionati Europian që është një nga dy eventet e mëdha sportive që duhet të zhvilloheshin në 2020-n nuk e ndryshoi emrin. Ky ishte vendimi i UEFA-s, që emri nuk do të ndryshonte pavarësisht se për shkak të pandemisë EURO 2020 nuk u zhvillua dot në vitin 2020, kur ishte parashikuar, por u spostua në vitin 2021. E njejta gjë ka ndodhur dhe me eventin tjetër të madh sportiv, Lojërat Olimpike të Tokios, që do të fillojnë më 23 korrik dhe do të quhen Lojërat Olimpike Tokio 2020. Edhe këto do të jenë një tjetër ekskluzivitet i Radiotelevizionit Shqiptar.
Kampionati Europian që zhvillohet një herë në katër vjet nuk mund të humbiste identitetin e tij në emërtesë. I filluar në vitin 1960, ky është një vit jubilar dhe për këtë ka patur disa ndryshime formati, por nuk mund të ndryshonte emrin. Me shpresën e madhe për një kthim në normalitet, kampionati i ardhshëm europian do të zhvillohet jo pas 4 vitesh, por pas 3 vitesh për të vazhduar për të ruajtur jo vetëm emërtesën, por dhe traditën e tij.

Kristo Thoma: Gjëja më e vështirë në kampionate të tilla, sidomos në Kampionatin Europian është të parashikosh një fitues që në nisje të tij. Është një kompeticion, që ndryshe nga Kampionati Botëror i Futbollit, në historinë e tij ka prodhuar surpriza të herëpashershme, me skuadra që nuk janë futur si pretendente dhe kanë arritur deri te trofeu. Edhe në këtë kampionat për mua personalisht ka qenë e vështirë për të bërë një parashikim se kush do të shkojë te trofeu. Natyrisht nuk ka qenë e vështirë për të bërë një hierarki skuadrash se kush ishte më e fortë, apo kush ishte pretendente më e madhe dhe pretendenti numër një, i parashikuar nga të gjithë nuk është më pjesë e Kampionatit Europian, sepse ishte Franca.
Është një nga ato surprizat e bukura që futbolli prodhon, pavarësisht dhimbjes së tifozëve të skuadrave.
CMG: Me sa duket është e drejtë shprehja “Topi është i rrumbullakët”
Kristo Thoma: Po, topi është shumë i rrumbullakët. Deri tani kampionati ka qenë emocionues. Ka një ndryshim nga kampionati i kaluar i 2016-s kur u shtua numri i skuadrave, madje ishte dhe Shqipëriaa pjesmarrëse. Faza e grupeve është deri diku njohëse për skuadrat e mëdha, për formën e tyre, sepse nga 24 skuadra vetëm 8 eliminohen dhe pjesa tjetër kalon më tej, Pra eliminohen skuadrat që janë relativisht më të dobëtat sepse u jepet mundësi skuadrave të forta që me një mënyrë a një tjetër që të kalojnë më tej.
Faza me eleminim direkt që ka nisur raundin e kaluar është më e bukura dhe më emocionuesja. Tani është faza çerekfinale që është më e nxehtë.
Një surprizë mund të quajmë Ukrainën, që për herë të parë vjen në këtë fazë duke eliminuar një skuadër si Suedia. Vazhdojnë të jenë në garë Belgjika me Italinë, të cilat kanë një përballje që do të jetë shumë e fortë dhe shumë interesante. Po kështu vazhdon të jetë Spanja pretendente, Anglia, që do të luajë në Romë në çerekfinale dhe pretendon rikthimin në Wembley ku do të luhen gjysmëfinalet dhe finalja e madhe, me shpresën për të çuar për herë të parë në Angli këtë trofe.

CMG: Ku dhe si po zhvillohen ndeshjet e Euro 2020? Rregullat e vendosura nga UEFA për shkak të pandemisë a po zbatohen nga sportdashësit?
Kristo Thoma: Ne u referohemi lajmeve që na vijnë nga gazetarë të huaj që ndodhen nëpër qytetet ku zhvillohet Kampionati Europian. Ne si grup i RTSH-së pretendojmë të shkojmë për ndeshjet gjysmëfinale dhe finale në Londër, në Wembley ku do të shohim nga afër dhe do të transmetojmë për publikun. Ka qenë e përcaktuar që gjysmëfinalet dhe finalja do të zhvillohen në Londër madje dhe këtu ka patur një debat lidhur me kushtet prej pandemisë. Ka arritur në një pikë të tillë debati sa është thënë se presidenti i UEFA-s e “ka kërcënuar” Londrën politike për spostimin e vendit ku do të zhvillohet finalja në rast se ata nuk do të bënim një tolerim për tifozët që duhet të ishin në stadium. Është parashikuar një numër prej 60 mijë tifozësh për gjysmë finalen dhe finalen.
Lajmi i parë i mirë është se kemi parë tifozët në stadium, madje dhe të shumtë në numër. Kjo ka ndryshuar nga qyteti në qytet. Kujtoj se është kampionati i parë europian që zhvillohet në njëmbëdhjetë shtete të ndryshme. Kjo ka sjellë probleme për skuadrat me udhëtime të gjata dhe deri të pakuptimta nëpër shtete të ndryshme, por kemi parë masa të ndryshme ndaj pandemisë sipas kushteve të shteteve të ndryshme. Për shembull Hungaria që ka patur një nga fushatat më të mira të vaksinimit në Europë e ka patur 100 për qind kapacitetin e stadiumit në çdo ndeshje. Madje flitej se nëse do t’i hiqej Londrës finalja e madhe, ajo do të luhej në Budapest. Kopenhageni gjithashtu ka patur një numër të lartë tifozësh. Ka qenë më e reduktuar në Mynih dhe Romë dhe ka qenë diku te 50 për qind në Shën Petërburg të Rusisë, pra ka patur ndryshime.
Flitet se ka patur rigorozitet në zbatimin e masave, por ne do të duhet t’i besojmë për këtë raportimeve të medieve.

CMG: Cilat ekipe shihni në përballjen finale?
Kristo Thoma: Personalisht sa here më pyesin është një nga gjërat më të vështira për të parashikuar dhe do të shpjegoj dhe përse. Në gjykimin tim më të vështirë për të parashikuar në futboll se kush do të shkojë në finale e kanë ata që kuptojnë nga futbolli, vetë protagonistët, si lojtarët, trajnerët dhe gazetarët që merren me sportin. Sepse futbolli është një sport pa logjikë. Gjithmonë kur më pyesin u them se do të përgjigjem me logjikë, duke u përpjekur të shpjegoj se përse një skuadër është më e forte se një tjetër, por kjo skuadër jo gjithmonë fiton dhe kjo është e bukura e futbollit.
Futbolli është i tillë dhe prandaj është i buku sepse është i paparashikueshëm.
Intervistoi Eda Merepeza







